“Nacionalizmi i Berishës, për qëllime qartësisht elektorale. Ja argumentet”

Redaksia Online February 24, 2013 10:20

“Nacionalizmi i Berishës, për qëllime qartësisht elektorale. Ja argumentet”

Nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, mendon se në bazë të deklaratave nacionaliste të kryeministrit Berisha qëndron vetëm interesi elektoral. Dokle rendit një sërë argumentesh mbi të cilat mbështet arsyetimin e tij, madje thotë se përdorimi i nacionalizmit për të fituar vota nuk përdoret për herë të parë nga Berisha. Gjatë pjesës së dytë të intervistës për GSH, Dokle thotë se edhe dikur, ndërkohë që hiqej si patriot, Berisha furnizonte avionët e Millosheviçit me karburant duke shkelur embargon e OKB-së.

“Unë mendoj që këto deklarata nacionaliste nuk kanë lidhje me 100-vjetorin e Pavarësisë, pavarësisht se ata që i bënë gjetën momentin për t’u hequr si shumë patriotë. Nacionalizmi nuk lind nga patriotizmi. Nacionalizmi primitiv është krejt e kundërta e patriotizmit. Dhe sidomos nacionalizmi ekstrem është krejt e kundërta e një shoqërie moderne, e një shoqërie të hapur, e një politike që synon të integrohet në BE mbi baza të qarta dhe transparente të marrëdhënieve politike midis shteteve, njerëzve, komuniteteve. Nacionalizmi primitiv gjithmonë lind dhe promovohet nga ato forca politike apo nga ato qeveri, të cilat kanë kriza dhe bëjnë përpjekje për të mbuluar krizat me parulla nacionaliste. Kjo ndodh edhe me qeverinë e Sali Berishës, sepse po të ishte patriot i madh Sali Berisha, siç hiqet, do kishte votuar në Parlament ligjin për ndërhyrjen dhe për lejimin e trupave të NATO-s që të përdorin bazat e Shqipërisë për të goditur Millosheviçin dhe për të çliruar Kosovën. Po të ishte patriot i madh Sali Berisha, nuk do dilte kundër UÇK-së, duke i quajtur djemtë e saj terroristë marksistë-leninistë. Millosheviçi i quajti terroristë, Sali Berisha u shtoi edhe bishtin marksistë- leninistë. Dhe nuk e ha kurrkush justifikimin e tij se “më mungonte informacioni”. Gjithçka mund t’i mungojë atij, përveç informacionit! Po të ishte patriot i madh Sali Berisha, nuk do të kundërshtonte firmosjen e Rambujesë, pas së cilës erdhi goditja e NATO-s mbi hordhitë e Millosheviçit dhe i dha fund sundimit të këtij kasapi e krimineli të Ballkanit. Po të ishte Sali Berisha kaq patriot, edhe në qeverisjen aktuale do të ndërmerrte hapa të rëndësishëm, siç është bashkëpunimi ekonomik, siç është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Kosovën, që ta bënte Kosovën të pavarur nga burime të tjera energjetike, do të kishte ndërmarrë hapa për bashkëpunim në fushën e kulturës, në fushën e arsimit, shëndetësisë, në fushën e këmbimit të mallrave. Ju e dini, u bë “luftë” edhe për pataten! Kjo ndodh sepse nuk shikohet interesi i zhvillimit, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës si pjesë përbërëse që nesër do jenë bashkë në Evropë, por shikohet për të përfituar përqindjet e ditës në politikën elektorale. Gjëja më e keqe që është shfaqur herë pas here në politikën shqiptare, është përdorimi i çështjes shqiptare për vota dhe këtë më së shumti e ka shfaqur Sali Berisha. Dhe nuk është hera e parë. Edhe dikur, ndërkohë që hiqej si patriot, furnizonte avionët e Millosheviçit me karburant duke shkelur embargon e OKB-së. Kur doli libri i ish-kryeministrit të Malit të Zi për marrëveshjen e tij me Berishën për furnizimin me karburant, Sali Berisha tha “vetëm 4% e karburantit shkonte nga Shqipëria”. Po edhe 4%, po të ishte, pak janë?! Atij, Berishës i duken pak mijëra ton naftë të kontrabanduar nëpërmjet “Shqiponjës” së tij; i duken pak 4% vrasje, i duken pak edhe 4 të vrarë në 21 janar, nën syrin dhe nën dritaren e tij; prandaj deklaroi se mund të vriteshin edhe 30, 300 apo tre mijë. Prandaj kërcënoi ditën për diell, edhe për “goditjen shembullore” të liderit të opozitës. Ky është Sali Berisha, që për të justifikuar kontrabandën vrastare në drejtim të Millosheviçit, thoshte se ‘nuk mund ta linim popullin pa ngrohje’. Po karburanti i avionëve, për çfarë ngrohjeje përdoret? Me karburantin që kalonte nëpër rrugët e Shqipërisë furnizoheshin avionët e luftës kundër shqiptarëve, apo të tjerëve. E tani hiqet si patriot i madh. Të përdorësh çështjen kombëtare për konsum elektoral, është gjëja më e keqe që mund të bësh në politikë”, shprehet Dokle për GSH.

 

Dokle: Fitore spektakolare në zgjedhje, kemi ekipin e duhur

23 shkurt – Nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, thotë se pas 23 qershorit, PS do të nisë zbatimin e Rilindjes, një program që kërkon kohë, por do të garantojë rimëkëmbjen e vendit në të gjitha aspektet. Dokle thotë se fitorja Partisë Socialiste do të jetë spektakolare, pasi ajo ka ekipin dhe lidershipin që siguron një fitore të tillë. Në një intervistë për GSH, Dokle shprehet se PS synon rilindjen në fushën e pronës dhe në fushën e zhvillimit ekonomik e social të vendit.

“Do të jetë një betejë e fortë, por ne jemi shumë optimistë që PS-ja me programin e saj, që tashmë e ka gati dhe po shpaloset sot, me ekipin dhe lidershipin që ka do të arrijë një fitore spektakolare në 23 qershor. Ajo çfarë Partia Socialiste ofron është pikërisht ajo çfarë shqiptarët duan, rilindjen e Shqipërisë, rilindjen në tërë kuptimin e fjalës, qoftë të funksionimit të shtetit, të funksionimit të institucioneve të pavarura, të funksionimit të politikës në përgjithësi, çfarë është thelbi i rilindjes së demokracisë, garantimin e zgjedhjeve të lira që është një element tjetër përbërës i zhvillimit normal të demokracisë. Po kështu, edhe për rilindjen në fushën e pronës dhe në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Partia Socialiste synon që çdo gjë që është bërë në shkelje të ligjit për pronat dhe pasuritë e shqiptarëve që u janë dhënë klientëve të Sali Berishës, të administrohen vetëm brenda kuadrit ligjor, në mënyrë që ajo çfarë shqiptarët e kanë prodhuar ta gëzojnë shqiptarët dhe jo ta gëzojnë klientët e një klani të caktuar, qoftë ky politik apo jopolitik. Nga pikëpamja e alternativave që ofron Partia Socialiste, një nga synimet e mëdha është rimëkëmbja, rilindja e ekonomisë së vendit dhe të çdo familjeje shqiptare. Nuk është fjala vetëm për një rilindje globale, por një rilindje e çdo familjeje shqiptare nëpërmjet punës së saj, nëpërmjet ndihmës që shteti është i detyruar ta ofrojë dhe nëpërmjet politikave të zhvillimit, qoftë të bujqësisë apo pjesës tjetër të ekonomisë. Shqiptarët, që janë të njohur si punëdashës, të mund të zhvillojnë ekonominë e tyre në të mirë të familjes, në të mirë të fëmijëve, në të mirë të së ardhmes së tyre. Natyrisht këtu një përqendrim të madh do të ketë në sektorin e bujqësisë dhe të fshatit. Bujqësia aktualisht, me politikat që ndiqen, me korrupsionin që sundon në investime, ka mbetur në ligatinë. Po çmimet? Qeveria e Sali Berishës kurrë nuk pranoi propozimet e PS-së që të heqë TVSH-në e imputeve bujqësore, të cilat janë dy dhe trefishuar. Programi ynë synon të zhvillojë një bujqësi moderne për t’i dhënë më shumë hapësirë, më shumë oksigjen zhvillimit tërësor të ekonomisë shqiptare. Dhe natyrisht ne, veç këtyre që thashë, në programin tonë kemi pesëfishimin e investimeve në bujqësi, sepse nëse nuk ka investime në bujqësi, nuk ka prodhim. Nëse nuk ka prodhim, ne do të jemi gjithmonë të ndërvarur nga prodhimet bujqësore të vendeve të tjera, nëpërmjet të cilave ata na thithin valutën, duke stopuar zhvillimin. Shumë të rëndësishme janë edhe projektet tona në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit. Madje do të thosha se në fushën e shëndetësisë lipset një reformë radikale, sepse një nga gjërat më dramatike dhe më të trishtuara është situata dhe gjendja e shëndetësisë. Kjo do të hajë kohë, por ne jemi të vendosur për ta realizuar. Po kështu edhe arsimi, problematika e të cilit njihet. Shteti, në vend që të bëjë politika arsimore në favor të të gjithë njerëzve, bën politika parciale dhe klanore. Ne duam t’i japim fund kësaj situate, për të pasur një arsim që të garantojë të ardhmen e zhvillimit të ekonomisë, kulturës, shkencës shqiptare, të cilat sot për sot janë pothuajse në inferioritet”, thotë Dokle.

 

Redaksia Online February 24, 2013 10:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*