PS, Blushi: Do bëjmë fushatë të qetë. KQZ-ja duhet të jetë e heshtur

January 17, 2013 21:58

PS, Blushi: Do bëjmë fushatë të qetë. KQZ-ja duhet të jetë e heshtur

Ben Blushi në “hot seat” në Bugajski Hour  në AS:

 

J.Bugajski: Ka ardhur përsëri koha për “hot seat” e Bugajskit. I ftuari ynë sot është një aktor në ngjitje në politikën shqiptare dhe një mendimtar i njohur dhe i pavarur në Partinë Socialiste, Ben Blushi. Faleminderit që pranuat ftesën! Para se të fillojmë, doja të thoja disa informacione mbi ju dhe mbi karrierën tuaj. Beni e ka nisur karrierën si kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë” dhe në 1999-tën, filloi karrierën politike, e cila ka qenë tepër e suksesshme. Ka shërbyer si prefekt i Korçës, zv/ministër i Punëve të Jashtme, Ministër i Arsimit, Ministër i Qeverisë Vendore dhe aktualisht, është deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin shqiptar dhe përfaqëson qytetin e Korçës. Ai është edhe autori i librit që ka pasur shitje të shumta, “Të jetosh në ishull”, që mua më pëlqen shumë, sepse edhe unë jam aspirant për shkrimtar, edhe pse jo aq i suksesshëm sa ju, që rendit dhe flet mbi periudhën e pushtimit osman të Shqipërisë. Besoj se keni shkruar edhe një roman të dytë, por për këtë do flasim pak më vonë. Urime për të dyja veprat! Mirëserdhët në emision dhe më lejoni të filloj me një pyetje të përgjithshme për zhvillimet në Shqipëri.

 

Tani që festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë kanë marrë fund, u jemi rikthyer realitetit të përditshëm, sfidave të përditshme, që nuk mungojnë në Shqipëri. Si do e përshkruani vitin që vjen? Çfarë mund të presim nga 2013-ta? Duhet të jemi optimist, apo duhet të shqetësohemi?

 

B. Blushi: Së pari, faleminderit që më ftuat! Më bëhet qejfi që po më intervistoni. Besoj se tani që jemi pak më esëll nga kremtimi i Vitit të Ri dhe festës së 100-vjetorit të Pavarësisë, tani mund të kemi një tablo më të qartë të asaj që pret vendi. Këtë vit kemi një datë të rëndësishme që janë zgjedhjet. Në më pak se gjashtë muaj në Shqipëri do mbahen zgjedhjet dhe siç e shihni, të gjitha partitë politike po përgatiten për të filluar fushatën, edhe pse disa e kanë nisur tashmë. Me ç‘kam parë në televizor, qeveria e nisi. Në politikë, kjo është data më e rëndësishme. Shpresoj dhe jam i bindur që do bëjmë të pamundurën për të mbajtur zgjedhje të drejta dhe të duhura në 23 qershor. Përsa i përket ekonomisë, nëse viti që shkoi ishte tmerrësisht i zymtë, për shkak të rritjes së borxhit publik, niveli i konsumit ra, vitin që shkoi u shtua numri i familjeve të varfra, nga një nivel mesatar kaluan në varfëri. Siç thashë, qeveria mori borxhe të tjera që tregon se qeveria nuk po performon ashtu si duhet. Përsa i përket ekonomisë, vendi po përballet me ditët më të këqija dhe jo vetëm për shkak të krizës ekonomike në Greqi, Itali apo në eurozonë në përgjithësi, por ngaqë vendi nuk drejtohet në mënyrën e duhur dhe këtë nuk e them si opozitar. Ky është perceptimi i gjerë i popullit.

 

J.Bugajski: Meqë po flasim për qeverinë dhe opozitën, zyrtarët evropianë të kraheve të ndryshëm politikë i kanë akuzuar të dyja palët, disa herë se merren me politika përçarëse, të polarizuara; për bllokimin e legjislacionit, për bërjen e politikës së rrugës, që mund të minojë stabiliteti në vend. Duhet të presim konflikte të tilla, një paqëndrueshmëri të tillë para zgjedhjeve?

 

B.Blushi: Jo. Kemi arritur në fazën ku qëllimi ynë është një proces më paqësor. Para zgjedhjeve do përpiqemi të qetësojmë ethet elektorale, të promovojmë një proces zgjedhor paqësor dhe sigurisht do përpiqemi të qetësojmë mbështetësit tanë, të cilët, për t’ju thënë të drejtën, gjithnjë kanë dyshime në këtë qeveri, kanë frikë mos ajo u manipulon votat. Edhe pse diçka e tillë ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit, disa herë, madje, sidomos kur z. Berisha ka qenë në pushtet, siç e thashë, do tentojmë të jemi të gatshëm për t’u thënë të gjithëve që duam një fushatë të qetë, se mendojmë që vendi ka nevojë për diçka të tillë. Vendi meriton stabilitet, padyshim, por mbi të gjitha, ky vend meriton zgjedhje të drejta. Ne do bëjmë gjithçka që ta mundësojmë diçka të tillë.

 

J.Bugajski: Çfarë mund të bëhet më specifikisht për të garantuar se këto zgjedhje nuk do kundërshtohen, që legjitimiteti i tyre të mos vihet në dyshim. Se e kemi parë shpesh diçka të tillë në Shqipëri. Një parti fiton, partia tjetër kundërshton dhe kemi një “luftë” që ndonjëherë zgjat disa javë e muaj dhe shumë pak punë bëhet në legjislaturë. Ndonjëherë, qeveria nuk është pro ndryshimeve. Si mund të garantoni këtë herë që zgjedhjet do jenë të lira dhe të drejta, që do marrin miratimin e plotë ndërkombëtar dhe që do e ndihmojnë Shqipërinë, se po flasim për zgjedhje jetësore përsa i përket progresit drejt BE-së. Si mund të sigurohet diçka e tillë?

 

B.Blushi:Kemi “luftuar” shumë gjatë 2-3 viteve të fundit për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. Dhe shumë, ose të paktën disa prej propozimeve tona, arritëm t’i fusnim në Kodin Zgjedhor. Në një term më të gjerë, Kodi Zgjedhor duket shumë herë më tepër i përmirësuar krahasuar me të parin. Le të themi që do ketë më shumë qendra numërimi këtë herë. Nga 66 do kemi të paktën 89 ose 90 këtë herë. Procesi i numërimit do jetë shumë herë më i thjeshtë. Ndoshta nuk do shohim qendra numërimi që qëndrojnë hapur 2-3, me raste edhe katër ditë, siç ka ndodhur në Tiranë në 2011-tën, ku u desh të paktën një javë për të numëruar 250 mijë vota për zgjedhjet bashkiake. Shpresoj që këtë herë të jetë ndryshe. Ajo për të cilën kemi nevojë është që votat të numërohen me saktësi. Vullneti i njerëzve të mos ndryshohet nga numëruesit, se ajo që ka ndodhur gjatë 2-3 zgjedhjeve të fundit është fakti që votat nuk janë numëruar siç duhet dhe në zgjedhjet e fundit kishim prova që në disa zona, një ose dy nga mandatet tanë apo vende në Parlament i kaluan qeverisë. S’dua të them që këtë herë do ndodhë e njëjta gjë, por sigurisht, ne do marrim të gjitha masat e mundshme që diçka e tillë të mos përsëritet dhe të mbrojmë votat në çdo zonë që mundemi.

 

J.Bugajski: Po përsa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve…?

 

B.Blushi: S’doja të flisja për këtë temë, por kur e sheh nga jashtë, nga televizori… Ndonjëherë përpiqem të mendoj, ç‘mendim kanë njerëzit për ne. Kur afrojnë zgjedhjet, kur e sheh nga televizori, ndonjëherë mendon se KQZ-ja po kandidon në zgjedhje. Në fakt, partitë kandidojnë në zgjedhje, jo KQZ-ja. KQZ-ja në Shqipëri kthehet në një institucion aq të rëndësishëm, edhe pse në vendet e tjera nuk e ka një rëndësi të tillë. Po bisedoja me një mikun tim Italian dhe ata do i zhvillojnë zgjedhjet pas një muaji, nga fundi i shkurtit dhe e pyeta cili ishte kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Itali. M’u përgjigj që nuk e dinte. Askush nuk e dinte. Nuk bëhet kurrë lajm në televizor. Por KQZ-ja në vendin tonë është aktori kryesor gjashtë muajt para zgjedhjeve. Sa herë që ndez televizorin, anëtarët e tij dalin dhe flasin për orë të tëra, madje në lidhje direkte, të gjitha stacionet i transmetojnë fjalimet e tyre dhe shtrohet pyetja: pse?

 

J.Bugajski: Duhet të jetë si një ndeshje futbolli, me gjyqtarët. Ndeshjet më të bukura janë ato të cilave s’ua mbajmë mend gjyqtarin.

 

B.Blushi: E saktë. Ne e mbajmë mend shumë mirë gjyqtarin. Vetëm gjyqtarin shohim dhe pyetja është pse? Pse është kaq i rëndësishëm? Besoj se duhet t’ua ndryshojnë rolin. KQZ-ja duhet të jetë e heshtur. Nëse s’janë të heshtur dhe ta bëjnë punën e tyre siç duhet, në përputhje me Kodin Zgjedhor, ky vend do ketë probleme të mëdha. Do doja që KQZ-ja, të gjithë ata që merren me zgjedhjet këto kohë, të heshtin dhe të lejojnë partitë të kandidojnë. Njerëzit duhet të na zgjedhin neve, duhet të zgjedhin mes partive, nuk do zgjedhin anëtarët e KQZ-së.

 

J.Bugajski: Po. Meqë po afrojnë zgjedhjet, do jetë një periudhë e ngjeshur me fushata elektorale, do ju pyesja specifikisht për Partinë Socialiste. Nga ndryshoni ju nga Partia Demokratike? Pse e quani veten socialistë? Me fjalë të tjera, ç‘do të thotë ky etiketim? Cilat janë përparësitë tuaja në politika? Cili është ndryshimi mes jush dhe partive të tjera, sidomos me partinë në qeverisje?

 

B.Blushi: Besoj se elektorati shqiptar e di ndryshimin mes socialistëve dhe demokratëve, por sigurisht, ne jemi parti e majtë, jemi parti e qendrës së majtë dhe duke qenë e tillë, kemi, jo vetëm ndryshime ideologjike, por edhe programesh me të djathtët…

 

J.Bugajski: Me qendrën e djathtë.

 

B.Blushi: …me qendrën e djathtë. Përsa i përket ndryshimeve me Partinë Demokratike, shteti ka një rol tjetër në ekonomi dhe duam që shteti të ketë një rol tjetër. Shteti duhet të mbrojë të varfërit. Shteti jo domosdoshmërisht duhet të ketë monopolin e ekonomisë, por sigurisht, kur bëhet fjalë për rregullat, shteti luan rolin e vet në rregullimin e tregjeve dhe besoj se ky është debati më i madh edhe në Evropë, edhe në Amerikë, gjatë zgjedhjeve të fundit. Cili do jetë roli i shtetit në ekonomi? Besoj se gjatë viteve të fundit, sidomos gjatë tetë viteve të fundit, kur pushtetin e mori Partia Demokratike, ata, siç e keni parë edhe kohët e fundit, po privatizojnë gjithçka. Po privatizojnë gjashtë muaj para zgjedhjeve, që s’na duket veprim shumë i drejtë. S’mund ta privatizosh ekonominë gjashtë muaj para zgjedhjeve, kur sondazhet tregojnë se do humbasësh. Përsa u përket privatizimeve, arsimit, që është krejtësisht… Të marrim arsimin si shembull. Qeveria thotë se ka më shumë studentë tani se para tetë vitesh, kur qeverisnim ne. Eshtë e vërtetë, por kur bëhet fjalë për cilësinë, kemi arsye të dyshojmë. Çfarë studentësh po dërgojmë në universitet? Çfarë studentësh po marrim nga universiteti? Numri i studentëve është më i madh, por diplomat shumë herë më të dobëta. Kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor, ai po kthehet në një “ferr” të vërtetë për të moshuarit që vizitohen në spitale. Ilaçet janë të shtrenjta, s’përballohen dot nga të moshuarit, krahasuar me 3-4 apo gjashtë vite më parë. E dini arsyen? Jo vetëm se po ndodh në Itali, Greqi, Evropë, por për faktin se shteti ka hequr dorë nga kjo shtresë. Të varfrit, studentët, të rinjtë, shteti i ka braktisur. Nëse nuk ka mbrojtje, ose nëse nuk ka mbështetje për këto shtresa të shoqërisë, shoqëria bëhet e cënueshme. Në Shqipëri, të pasurit po pakësohen, kurse shtresat e varfra po shtohen. Numri i të varfërve shtohet krahasuar me një vit më parë. Këtë herë do përpiqemi ta aplikojmë më mirë rolin e shtetit në ekonomi, do përpiqemi të mbrojmë shtresat e varfra të shoqërisë dhe të mundohemi të zvogëlojmë humnerën mes pasanikëve dhe të varfërve.

 

J.Bugajski: Do zgjeroni rrjetin e sigurimeve shoqërore?

 

B.Blushi: Po. Propozimet tona do i shpalosim gjatë gjashtë muajve në vijim. Do paraqesim propozime konkrete për sistemin e taksave, për privatizimet, çfarë do bëjmë për arsimin, për sistemin shëndetësor, për pensionet, për pagat, për bujqësinë. Besoj se gjatë dy a tre muajve do u propozojmë shqiptarëve cila do jetë menyja dhe oferta jonë.

 

J.Bugajski: Siç e dini, meqë përmendët Amerikën, në SHBA debati ekonomik përqendrohet në dy çështje: taksa dhe shpenzime. Ky është thelbi i humnerës fiskale të cilës i shpëtuam.

 

B.Blushi: Do u tregojmë shqiptarëve ç‘sistem taksash kemi në mendje. Sigurisht, jemi kundër taksës së sheshtë të famshme, që do jetë gjëja e parë që do heqim.

 

J.Bugajski: Pse jeni kundër saj?

 

 

B.Blushi: Jam kundër saj, jo vetëm si anëtar i partisë, por edhe si dikush që mendon se të varfërit s’duhet të taksohen si të pasurit. Të pasurit e shfrytëzojnë botën ku jetojmë më shumë se të varfërit. Ata shfrytëzojnë më shumë ajrin, tokën, kapacitetet njerëzore, ndaj duhet të paguajnë më shumë. Të varfërit, ata që s’kanë, duhet të mbrohen nga shoqëria. Sa më shumë të varfër të ketë një shoqëri, aq më keq është për të. Besoj se marrja e pushtetit këtë herë është një instrument për ne dhe një mundësi historike për të mbrojtur të varfërit, që sipas statistikave janë 90% e shoqërisë.

 

J.Bugajski: Po përsa i përket planit të shpenzimeve, se buxheti i qeverisë s’është fort i shëndetshëm për momentin? Cili është propozimi juaj për gjetjen e të ardhurave, e burimeve për të paguar për programet?

 

B.Blushi: Siç e thashë, taksa e parë që do zhdukim është taksa e korrupsionit. Sipas informacioneve të fundit të agjensive të njohura amerikane, 1.3 miliardë dollarë kanë ikur jashtë shtetit gjatë tetë viteve të fundit, që kur kjo qeveri mori pushtetin, vlerësohet se të paktën 1.3 miliardë euro…

 

J.Bugajski: Raporti i Agjensisë së Integritetit Financiar Botëror.

 

B.Blushi: Po.U besoj shifrave të tyre. Këto para mund të ishin bërë pjesë e ekonomisë sonë. Mund të investoheshin në shkolla, në ndërtim rrugësh, për një sistem më të mirë pensionesh, për mbrojtjen e fermerëve të vendit, të cilët po falimentojnë dhe për të subvencionuar shumë shërbime, sidomos për t’i dhënë shtresës së mesme dhe asaj të varfër më shumë lehtësi në këtë shoqëri. Së pari, paratë do i gjejmë duke luftuar korrupsionin, të cilin kjo qeveri e ka kthyer në kancer për shoqërinë gjatë 8 viteve të fundit. Kur ata morën pushtetin, niveli i përceptimit të korrupsionit në vend ishte diku… Besoj se tani jemi të renditur në vend të 112-të, diçka e tillë në 2005-ën. Tani, sipas të dhënave të fundit të “Transparency International”, renditemi si vendi i fundit në Evropë, i fundit në rajon. Dhe një nga problemet më të mëdha me të cilët ndeshemi, është; “Ku po shkojmë?” Ku po shkojmë, jo krahasuar me Gjermaninë, as krahasuar me Japoninë, por ku po shkojmë krahasuar me Maqedoninë, Bosnjën, Kroacinë, Serbinë? Këto shtete kanë perceptime më të mira, sepse shteti i tyre nuk është kaq i korruptuar sa në Shqipëri dhe nuk po e them si deputet i Partisë Socialiste, por flas për perceptimin e popullit shqiptar. Përsa i përket korrupsionit, jemi të fundit në rajon, përsa i përket borxhit publik, jemi të fundit në rajon, përsa u përket investimeve të huaja, jemi të fundit në rajon, përsa u përket investimeve shtetërore në sistemin arsimor, jemi të fundit në rajon, përsa u përket investimeve shtetërore në bujqësi, jemi të fundit në rajon dhe përsëri shtrohet pyetja: ku po shkojmë? A mund të krahasohemi nesër me Maqedoninë, me Serbinë, me Kroacinë, me hyrjen në Bashkimin Evropian? Një nga arsyet madhore pse duam ta fitojmë pushtetin këtë herë është që të mund ta shtyjmë vendin të ecë para, të bëjmë progres në fushën e një perceptimi më të mirë, që do rrisë investimet e huaja në vend, privatizim më i zgjuar i ekonomisë, nëse do ketë mbetur ndonjë gjë, dhe sigurisht, një borxh më i vogël publik. S’do u bëjmë thirrje shqiptarëve të votojnë për ne dhe ne t’ua bëjmë borxhin akoma më të madh. Secili shqiptar duhet të paguajë 2500 Euro çdo vit. Kjo shifër ishte 5 herë më e vogël, kur ne lamë pushtetin në 2005-ën.

 

J.Bugajski: Kur thua perceptim më i mirë i korrupsionit, sipas indeksit të “Transparency International”, çfarë do bënit specifikisht për të luftuar korrupsionin, ta zvogëloni atë? Nuk është se ai do eliminohet plotësisht. Si do e zvogëloni korrupsionin zyrtar? Çfarë do zbatonit më specifikisht?

 

B.Blushi: Mendon se i kemi ligjet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. Problemi është se ligjet nuk zbatohen në vendin tonë. Duhen bërë dy gjëra. E para, perceptimi i atyre që qeverisin. Nëse e shihni atë që po ndodh, kultura e mosndëshkimit, nuk po flas bazuar në bindjet e mia, apo në bindjet tona, por sipas BE-së, po rritet në vend. Askush nuk dënohet. Nëse je ministër, nëse ke lidhje me kryeministrin, nëse ke lidhje me familjen e tij, mund të bësh ç‘të duash në këtë vend dhe në fund, askush nuk merr dënime. Por nëse je fermer… lexova se dikush, një djalë 18-vjeçar, fatkeqësisht shumë i varfër, iu desh të vidhte për të fituar bukën e gojës në fshat, policia e arrestoi. Ai vari veten. E vërtetë.

 

J.Bugajski: Në burg?

 

B.Blushi: Po, në burg. Eshtë histori mjaft e trishtë, por tregon se kur policia dëshiron t’i kapë hajdutët në vend, mundet, por pse arrin të kapë një hajdut në një zonë të thellë dhe e çon drejt varjes, por s’kapin dot hajdutët që dalin në televizor? Besoj se po të nisim që këtu, kultura e fushatës anti-korrupsion mund të jetë dhe do jetë tepër e suksesshme në vend. Së dyti, është çlirimi i gjyqësorit nga qeveria. Gjyqësori i sotëm varet jashtëzakonisht shumë nga qeveria. Nëse gjyqësori nuk luan një rol të pavarur, nuk do ketë sukses në luftën kundër korrupsionit në vend.

 

J.Bugajski: Siç e dini, përvoja e Greqisë, tregon qartë se fitimi i zgjedhjeve në periudhë krize, kur ndodhesh në opozitë, në periudhën e krizës ekonomike, ose stanjacionit ekonomik është më e lehtë sesa të shpëtosh ekonominë kur merr pushtetin. Dhe ka shenja që, jo vetëm qeveria shqiptare, por një sërë ekonomish në Ballkan po vuajnë këtë krizën e borxheve të përhapur në gjithë Evropën, recesionin, mungesën e investimeve, etj. Do thonit se një qeveri socialiste do sillte më shumë mundësi për të shpëtuar ekonominë, për të parandaluar recesionin e skajshëm në Shqipëri?

 

B.Blushi: Jam i bindur për këtë. Diçka e tillë është vërtetuar. Të gjitha vendet, përfshi Greqinë dhe Italinë, që kanë qenë në krizë ekonomike gjatë katër viteve të fundit, të paktën, kaluan nga kriza në ndryshime politike. Qeveritë ndryshojnë në Itali, ndryshojnë në Greqi, por pse? Se vendet kanë nevojë për momente më të mira psikologjike dhe besoj se këto zgjedhje dhe ardhja jonë në pushtet do shërbejë si një moment i rëndësishëm psikologjik për bizneset, për shtresën e mesme dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjmë sa të vijmë në pushtet. Për të gjitha arsyet që përmenda më parë, për mënyrën si perceptohet kjo qeveri dhe mungesës së motivacionit që ata po tregojnë pas tetë viteve të gjatë dhe të vështirë, sigurisht që partia, duke qenë tetë vjet në opozitë, ka më shumë motivim se sa partia që ka tetë vjet në pushtet. Nëse shikoni performancën e tyre, ata duken, dhe nuk po bëj shaka, tepër të lodhur. Shikon ministra që vetëm rrinë. I fton në debate publike dhe ata nuk vijnë, se e dinë që s’kanë asgjë për të thënë. Siç e thashë, s’kanë asgjë për të thënë përsa i përket përmirësimit të ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, borxhit publik, taksave dhe tablosë së përgjithshme të vendit që duket tepër e zymtë.

 

 

J.Bugajski: Dua t’ju pyes për skenën politike në Shqipëri. Siç e dimë, Shqipëria ka dy parti kryesore, të cilat kanë dominuar skenën politike për vite me radhë. Si mendoni, do evoluojë Shqipëria në një sistem shumëpartiak? Sigurisht, kemi Lëvizjen Socialiste për Integrim është kthyer në forcë të tretë, tani kemi edhe Aleancën Kuq e Zi, edhe parti të tjera që po shfaqen më fuqishëm. Duke parë nga e ardhmja, si do e përshkruanit skemën politike në Shqipëri? Po evoluon në një drejtim shumëpartiak?

 

B.Blushi: Eshtë tepër herët për të dhënë një mendim. Tepër herët për të thënë nëse do kalojmë nga një system dypartiak në atë shumëpartiak. Sigurisht, këto zgjedhje janë interesante edhe për faktin se çfarë Parlamenti do nxjerrin. Duket se Parlamenti i ardhshëm do jetë më i pasur përsa u përket partive, krahasuar me aktualin dhe në fakt, ky është një nga problemet e këtij Parlamenti. Eshtë dypartiak. Si socialist do më pëlqente më shumë një Parlament i tillë, por duke e parë nga pikëpamja sesi duhet të funksionojë demokracia, ka të ngjarë të na nevojiten më shumë parti. Ndonjëherë, partitë e vogla luajnë rol të mirë për sistemin. I ndalojnë partitë e mëdha të tregohen arrogante dhe….

 

J.Bugajski: Dhe monopoliste.

 

B.Blushi: Dhe monopoliste. Për mendimin tim, Parlamenti i radhës do jetë më i pasur, do ketë më shumë se katër ose pesë parti, sepse tani kemi një sistem partiak tre-nivelsh. Kemi dy parti të mëdha, kemi tre parti të vogla, por të mëdha dhe pjesa tjetër janë të vogla. Përsa u përket koalicioneve, është tepër herët për të folur. E di që do më pyesësh për koalicionet e ardhshme. E kemi thënë, e kemi bërë publike që do bëjmë koalicion me çdo forcë që do bashkohet me ne për të ndryshuar qeverinë, që të mund të kemi rotacion pas gjashtë muajve në vazhdim. Përsa i përket ideologjisë, do jetë më e lehtë këtë herë.

 

J.Bugajski: Dua t’ju pyes pak për Aleancën Kuq e Zi. Pashë sondazhet e kohëve të fundit, s’e di sa të sakta janë, më duket se ata kanë fituar rreth 15 përqind të votuesve të mundshëm, të cilët thonë se mund të votojnë për Aleancën. Kujt do ia atribuonit këtë fitore suksesi të Aleancës? Nacionalizmit, politikës kundërshtuese? Cila është arsyeja?

 

B.Blushi: Besoj se është politikë kundërshtuese. Ata po përdorin një gjuhë të politikës kundërshtuese dhe nuk mund ta mohoj, shqiptarët janë lodhur me partitë e mëdha, se ato e kanë qeverisur këtë vend për 20 vite rresht. Partia Demokratike ka qeverisur rreth 13 vjet, duke i mbledhur që nga 1991-shi deri më tani, ata kanë qeverisur 13 vjet, kurse ne 8-9 vite. Po pak a shumë, dy partitë kryesore e kanë qeverisur vendin gjatë 20 viteve të fundit. Dhe kur shqiptarët mendojnë se çfarë kërkonin 20 vjet më parë, s’besoj se janë popullsi fort e lumtur. Ata mendojnë se mund të kishin arritur më shumë. Mendojnë se mund të kishin arritur më shumë, se dy partitë e mëdha nuk kanë qeverisur siç duhej. Ndihet një lloj lodhjeje në elektoratin shqiptar dhe kjo shpjegon ekzistencën e partive të politikës kundërshtuese si Aleanca Kuq e Zi, apo suksesin e tyre, nëse do ketë një të tillë, sepse ende s’e dimë. Eshtë tepër herët për të mësuar si do shkojnë këto zgjedhje, ashtu si ju e thoni në Amerikë, por sapo zgjedhjet afrojnë, dy partitë e mëdha, do jenë më të forta dhe më të dukshme. Përsëri, votat e elektoratit do jenë të polarizuara dhe 90% e votave do fitohet nga dy partitë kryesore, kurse pjesa tjetër do ndahet te partitë e mëdha të vogla ose të voglat fare.

 

J.Bugajski: Përsa u përket koalicioneve parazgjedhore, madje, edhe atyre paszgjedhore, ka gjasa që Socialistët të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim?

 

B.Blushi: Varet. Varet nëse ata do dalin nga qeveria para zgjedhjeve. S’kam arsye të vë në dyshim interesat e tyre, por pikë së pari, nëse do të jesh në opozitë, duhet… Kjo është A-ja e politikës. S’mund të jesh në qeveri dhe opozitë…

 

J.Bugajski: Njëkohësisht.

 

B.Blushi: Në të njëjtën kohë. LSI duhet të dalë nga qeveria dhe të bashkohen me ne, nëse duan një koalicion parazgjedhor me ne.

 

J.Bugajski: Por është tepër herët për të folur?

 

B.Blushi: Eshtë tepër herët.

 

J.Bugajski: Me siguri këtë temë do e hapim sërish pas disa muajsh, jam i bindur. Tani dua të flas pak për politikën e jashtme. Siç e thashë edhe gjatë prezantimit tuaj, keni shërbyer si zv/ministër dhe jam i bindur që i ndiqni nga afër…

 

B.Blushi: E kam harruar fare atë punë.

 

J.Bugajski: Mos e harroni! Eshtë e rëndësishme.

 

B.Blushi: 14 vjet më parë.

 

J.Bugajski: 14 vjet më parë, por jam i bindur që i ndiqni nga afër zhvillimet në rajon, sidomos çështjen e BE-së. Dua t’ju pyes më specifikisht për çështjen e integrimit ndërkombëtar, apo atij në BE. Si mendoni, po bën sa duhet qeveria dhe Parlamenti që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat, duke marrë parasysh që Parlamenti duhet të miratojë disa ligje specifike që të fitojë statusin, që të plotësojë kriteret. Po bëjnë sa duhet?

 

B.Blushi: Ky është një debat tepër partiak në vend dhe unë jam pjesë e tij dhe nuk jam nga ata që mund të flas jashtë argumentave apo interesave partiakë, por ajo që ndodhi në vend gjatë vitit të fundit, kur humbëm përsëri, për herën e tretë radhazi, statusin e vendit kandidat në BE. Mendoj se këto argumente do votohen në zgjedhjet e ardhshme. Shqiptarët do ndjekin dështimin e klasës politike për t’i dhënë vendit statusin kandidat për herë të tretë radhazi, kur kroatët pritet të hyjnë, kur maqedonasit e kanë statusin, kur serbët e kanë statusin, kur boshnjakët e kanë, përveç nesh. Besoj se këto argumente do votohen në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo është një arsye më shumë që shqiptarët shkojnë të votojnë dhe zgjedhin mes atyre që sipas nesh nuk kanë bërë reforma dhe nuk po përpiqen të arrijnë konsensusin me opozitën, ata e bllokojnë statusin. Nga ana tjetër, nëse votojnë për ne… Pas zgjedhjeve, kur ne të kemi marrë pushtetin, sigurisht që do përpiqemi të arrijmë konsensusin me opozitën me çdo kusht për marrjen e statusit. Ata s’e bënë diçka të tillë.

 

J.Bugajski: S’mendoni se ligjet do miratohen para zgjedhjeve? Po thoni se do miratohen më pas?

 

B.Blushi: Kështu mendoj. Mendoj se do miratohen pas zgjedhjeve, se koha është shumë e shkurtër dhe asgjë nuk po ndryshon për t’i ofruar konsensus opozitës. Do e luajmë ndryshe. Me konsensus do përpiqemi të negociojmë me opozitën, diçka që kjo qeveri nuk e bën. Dhe s’është e gatshme ta bëjë.

 

J.Bugajski: Si mendoni, kanë edhe Socialistët një pjesë të fajit për këtë bllokim?

 

B.Blushi: Këtë do e shohim gjatë zgjedhjeve. Jua thashë, zgjedhjet do na tregojnë diçka që ende s’e dimë: kush e ka fajin për këtë dështim, ne apo qeveria? Unë mendoj se e ka qeveria, por sigurisht, këtë duhet ta tregojnë shqiptarët.

 

J.Bugajski: Publiku do vendosë.

 

B.Blushi: Ashtu mendoj.

 

J.Bugajski: Do ketë debat të këtyre çështjeve gjatë fushatës?

 

B.Blushi: Sigurisht.

 

J.Bugajski: Para se të kaloj te politikat rajonale, çfarë çështjesh madhore pritet të debatohen në fushatë?

 

B.Blushi: Ekonomia e para. Ekonomia, papunësia, integrimi evropian, korrupsioni, bujqësia është një temë madhore, siç ju përmenda edhe më sipër, arsimi, shërbimi shëndetësor, çmimet, taksat. Këto besoj se janë gjashtë a shtatë çështjet kryesore që do debatojmë gjatë fushatës. Dhe do kemi propozime konkrete për çdo çështje. Do u tregojmë shqiptarëve sa do i taksojmë. Nëse ata fitojnë, le të themi 1 000 euro në muaj, sa shumë do i taksojmë, nëse fitojnë 2 000 euro në muaj, do u themi sa shumë do i taksojmë, do u themi fermerëve ç‘do bëjmë për ta, do u themi mësuesve, nxënësve dhe studentëve si do i mbrojmë ata dhe do u sigurojmë libra më të mirë dhe një sistem arsimor më cilësor. Do flasim më konkretisht, ndoshta në shkurt.

 

 

J.Bugajski: Le t’i kthehemi tani… Jam i bindur se do t’i kthehemi politikës ditët e ardhshme. Le të kthehemi tani te politika rajonale, në veçanti. Dua t’ju bëj një pyetje mjaft specifike. Si do t’u përgjigjeshit, apo cili është opinioni juaj mbi deklaratat e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë për bashkim kombëtar të shqiptarëve. A do të thonit se këto deklarata janë të rrezikshme? Mos vallë janë destabilizuese e kërcënuese për stabilitetin rajon? Si do t’i karakterizonit deklarata të tilla?

 

B.Blushi: Ç’është e vërteta, nuk i marr ato seriozisht. Sepse Kryeministri e ka humbur tashmë kapacitetin për të dëmtuar rajonin. Sigurisht, ai mund të dëmtojë vendin e tij, dhe po e bën këtë si mos më mirë ditë pas dite, por ai s’ka asnjë kapacitet për të dëmtuar rajonin, sepse jo vetëm ne si vend, si popullatë, si komb, por edhe vende e popuj të tjerë të rajonit duan të gjithë paqe. Pra, jemi fort të lodhur prej luftës. Kemi patur luftime në rajon disa vite më parë në Kosovë. Më përpara në Bosnje e në Kroaci. Askush nuk dëshiron…

 

J.Bugajski:  -Dhe në Maqedoni!

 

B.Blushi: Sigurisht, në Maqedoni! Përgjithësisht folur, ne duam paqe. Dhe kjo është arsyeja përse unë s’e marr seriozisht Kryeministrin. Nëse ka folur dhe po flet mbi nacionalizmin, ai e bën këtë sepse s’ka asgjë për të thënë. Nëse flet mbi ekonominë, ai e di se kjo është gjë fort e keqe për të. Pra ai thjesht ndryshon gjuhën. Në vend se të flasë mbi ekonominë, mbi borxhin publik, mbi infrastrukturën, mbi sistemin shëndetësor, mbi sigurimet, mbi pensionet, ai zgjedh më mirë të flasë mbi nacionalizmin, duke u përpjekur të hiqet, së paku, si më i interesuar, por s’besoj se njerëzit do ta ndjekin. Në këto zgjedhje, ata nuk do të shkojnë për të votuar se cili do të bashkojë Shqipërinë me Kosovën. Ky nuk është një problem dhe s’duhet të jetë një problem në këtë kohë. Problemi është ekonomia.

Para disa javësh botova një artikull dhe, sigurisht, një ditë mendoj se do të ketë një proces unifikimi mes nesh dhe Kosovës.

Por i vetmi element që e pengon ecurinë e shpejtë të këtij procesi, është Shqipëria. Nëse Shqipëria është kaq e dobët dhe kaq e varfër, nuk është shumë e stabilizuar, ka një jetë politik tejet konfliktuale. Shqipëria, pra, është faktori pengues apo ngadalësues i procesit të bashkimit. Dhe nëse Shqipëria nuk lëviz përpara si një demokraci më e mirë, si një ekonomi që mbahet vetë në këmbë, si vend ku klasa politike nuk grindet gjithë ditën, por arrin konsensus për çështje të mëdha. Nëse nuk e ndryshojmë vendin, procesi i bashkimit nuk do të ndodhë. Sepse askush s’do të mbështesë faktin që dy vende të varfëra si ne dhe Kosova të bashkohen për të krijuar një problem edhe më të madh në Ballkan. Mendoj se evropianët dhe amerikanët po na ndihmojnë të jemi dy demokraci të stabilizuara dhe dy vende të stabilizuara, dhe nëse nuk jemi të tillë, procesi i bashkimit do të ngadalësohet sërish, ashtu siç ka ndodhur me procesin e integrimit që është bërë udhë pa krye.

 

J.Bugajski: Mos vallë po thoni se kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, atëherë mundësia e integrimit me Kosovën ka për t’u rritur?

 

B.Blushi: Kjo është ajo që thonë të gjithë. Unë vetë nuk e di. Unë nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më parë: të bashkohemi me Kosovën dhe mandej të hyjmë në BE, si një vend i madh, apo të të hyjmë së pari në BE dhe të bashkohemi atje. Por në BE ne do të jemi të bashkuar në po të njëjtën mënyrë me maqedonasit, me serbët, me kroatët, me lituanezët, me sllovakët…

 

J.Bugajski:Pra, ju po flisni për bashkim…

 

B.Blushi: Ne po flasim për…

 

J.Bugajski: Ju nuk po flisni për një shtet unik politik. Ju po flisni për kriteret e unitetit dhe të integrimit brenda kontekstit të BE-së.

 

B.Blushi: Jo.Të gjithë po flasin. Të gjithë po japin këtë përgjigje kur pyeten se kur do të ndodhë bashkimi, nëse do të ndodhë! Dhe nëse dikush përgjigjet, ‘kur të hyjmë në BE, me gjasë ne do të jemi të bashkuar atje’, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të vendeve që janë pjesë e BE-së. Pyetja ime është: A do të bashkohemi me shqiptarët e Kosovës, ashtu siç do të bashkohemi me sllovakët, britanikët, gjermanët, lituanezët, kroatët e serbët? Apo do të kemi më parë një tip tjetër bashkimi dhe pastaj do të hyjmë në BE? Nëse do ta kisha unë në dorë ta zgjidhja, do të zgjidhja të dytën, sigurisht. Që ne të kemi një process më të mirë bashkimi në termat e ekonomisë, arsimimit, kulturës në përgjithësi, medias, dhe pastaj të arrijmë bashkimin e plotë me Kosovën.

 

J.Bugajski: Pra, mesazhi juaj është që fokusi të jetë në zhvillimin ekonomik, në bashkëpunim rajonal, në integrimin evropian, dhe procesi i bashkimit do të vijë natyrshëm gjatë kësaj rrjedhe kohore.

 

B.Blushi: Po, kështu mendoj.

 

J.Bugajski: Më lejoni t’ju pyes për vende të tjera të rajonit. Siç e dini, Maqedonia… ju e cekët Maqedoninë disa herë… bllokohet në anëtarësimin e saj në BE dhe NATO për arsye që ne i njohim; kontesti me Athinën. A mendoni se në fund kjo do të minojë integritetin e shtetit në Maqedoni? A druheni për të ardhmen e Maqedonisë?

 

B.Blushi: Jo! Jo! Them se pavarësisht nga dallimet që kanë atje në Maqedoni, klasa politike ka provuar se ka një nivel caktuar maturie për të mbrojtur stabilitetin e vendit të tyre. Dhe sigurisht, SHBA dhe BE janë faktorë goxha të rëndësishëm në këtë zonë. Dhe si SHBA-të ashtu dhe BE-ja nuk do të lejojnë kurrë që Maqedonia të shpërbëhet. Është një vend tejet i rëndësishëm për stabilitetin e kësaj zone. Pra, them se nuk do të lejohet që atje të ketë ndonjë rrezik, ndonëse atje ka probleme të brendshme mjaft të mëdha. Por, sigurisht, koha i ka bërë ata dhe u ka mësuar atyre që të jenë më të pjekur kur bëhet fjalë për vendime të mëdha. Dhe shpresoj që maqedonasit do ta bëjnë këtë sërish.

 

J.Bugajski: Cili është këndvështrimi juaj për lidershipin shqiptar në Maqedoni? Ka ndasi mjaft të thella midis dy partive më të madhe. Cili do të ishte mesazhi juaj për liderët shqiptarë?

 

B.Blushi: Nuk e kam kuptuar kurrë përse ndasitë ndërmjet tyre shkuan aq thellë. Do të doja që të kishim një parti të vetme shqiptare atje, dhe këtë e kam dëshiruar për vite me radhë. Sigurisht, tani është shumë vonë që ata ta arrijnë këtë. Por shpresoj që partitë shqiptare në Maqedoni do të bashkëpunojnë më tepër me njëra-tjetrën. Dhe ato kanë shumë gjëra të përbashkëta, si dhe shumë qëllime të njëjta. Nëse ata luajnë gjithmonë lojën se maqedonasit diskriminojnë shqiptarët, gjë e cila është e vërtetë për shumë arsye, kjo është një arsye që ata të bashkohen dhe që të kenë një bashkëpunim më të mirë si në parlament ashtu dhe jashtë tij, në qeverisjen lokale. Dhe nëse orvaten, ata mund ta arrijnë këtë. Sigurisht, nëse ka diçka që ne në Shqipëri mund të bëjmë për shqiptarët e Maqedonisë është t’u flasim në një gjuhë të ndryshme. Të përpiqemi të ulim në të njëjtën tryezë partitë shqiptare në Maqedoni dhe të përpiqemi të bëjmë atë që nuk mund ta bëjmë këtu, pra ta eksportojmë në Maqedoni. Sigurisht, ne s’jemi një vend fort demokratik. Por kur bëhet fjalë për interesat kombëtare, them se ne mund të eksportojmë një farë niveli demokracie dhe konsensusi për ata.

 

J.Bugajski: A keni marrëdhënie të mira me të dyja partitë atje? Pra, a kanë socialistët marrëdhënie të mira?

 

B.Blushi: Sigurisht! Ne kemi marrëdhënie goxha të mira me të dyja partitë atje! Me të dyja partitë e mëdha, sepse atje ka më shumë se dy parti.

 

J.Bugajski: Më lejoni t’i kthehem Greqisë tani. Siç e dini, Greqia po kalon një krizë të madhe sociale. Ka rritje të reja të taksave në Greqi. Stina e dimrit ka mbërritur, dhe situata do të bëhet më e rëndë për më tepër njerëz. Gjithnjë ka potencial për një reagim të madh social, për një shpërthim social ndaj këtyre masave shtrënguese. Ç’ndikim ka kjo krizë në Shqipëri, si politikisht ashtu dhe ekonomikisht? A shihni ndonjë rrezik atje?

 

B.Blushi: Politikisht s’ka asnjë lloj ndikimi në Shqipëri. Në termat ekonomikë, sigurisht që ka. Niveli i remitancave, parave që erdhën këtu nga Greqia gjatë 20 viteve, ka qenë tejet i rëndësishëm për ekonominë tonë. Shumë familje, sidomos në zonat e varfëra dhe në fshatra jetonin me paratë që fëmijët apo prindërit apo të afërmit e tyre dërgonin nga Greqia për në Shqipëri. Kjo shumë ka rënë. Dhe gjithnjë e më tepër shqiptarë po kthehen për të punuar dhe për të hapur biznese të vogla si dhe për të ngritur një jetë më të mirë në Shqipëri. Dhe në këtë kuptim, impakti është tejet tejet negativ. Dhe ekonomia jonë po vuan tej mase si rezultat i ekonomisë greke. Kjo është e sigurtë.

 

J.Bugajski: Le t’i kthehemi tani Serbisë! Si do ta përshkruanit presidencën e Nikoliçit? A është faktor stabiliteti apo faktor pasigurie dhe destabilizimi potencial në rajon?

 

B.Blushi:Them se në termat e gjuhës së përdorur, ai ndofta është paksa më agresiv se paraardhësi i tij. Dhe duket se kjo ngjet sepse ai ka qenë nacionalist më përpara, dhe sepse i fitoi zgjedhjet me një platformë nacionaliste.  Por, me sa shoh, serbët e kanë të qartë se tashmë Kosovën e kanë humbur. Dhe tani e kanë kuptuar se nuk kanë asnjë mënyrë se si të merren me atë problem, dhe Kosova për ata po bëhet gjithnjë e më tepër një çështje më tepër elektorale se sa kombëtare. Ata e luajnë kartën e Kosovës sa herë që kanë zgjedhje dhe do të vijojnë ta bëjnë këtë…

 

J.Bugajski: Pra, siç do të thuhej, kuptohet privatisht, por nuk pranohet publikisht.

 

B.Blushi: Pikërisht pra! Ata nuk do ta pranojnë atë madje edhe ditën kur të divorcohen plotësisht nga Kosova. Ajo që po bëjnë ata sot janë negociata jo si të martohen, por si të divorcohen me Kosovën. Kjo është arsyeja përse Thaçi dhe Daçiç udhëtojnë vazhdimisht për në Bruksel. Pra, është një platformë divorci ajo që ata po negociojnë atje. Por, në krahun tjetër, them se serbët nuk e kuptuan që me humbjen e influencës ruse në rajon, ata kanë një rrugëdalje të vetme, dhe kjo rrugëdalje është Bashkimi Evropian. Dhe them se ata janë më të gatshëm se sa më parë për ta këmbyer Kosovën me Bashkimin Evropian, dhe, ç’është e vërteta, kjo është pikërisht ajo që ata po bëjnë.

 

J. Bugajski: Si do ta përshkruanit rolin rajonal të Shqipërisë, a mund të përforcohet ai? Si do të ndryshonte ky rol gjatë një administrate socialiste? Çfarë do të bënit ju specifikisht për të rritur interesat kombëtare të Shqipërisë në rajon?

 

B.Blushi: Jua thashë, ne do të eksportojmë demokraci! Shikoni, kjo ngjan tejet futuriste, por ne do ta bëjmë. Nëse ky vend dhe lidershipi ynë është më demokratik, i cili për fat të keq sot nuk është. Nëse vendi ka më tepër prosperitet si pasojë e reformave ekonomike, nëse hendeku mes të varfërve dhe të pasurve në këtë vend zbutet, nëse ka më tepër investime të huaja, dhe nëse ne e përshpejtojmë procesin e integrimit evropian, them se vendi do të jetë më mirë nga ç’është sot. Dhe ne mund t’i arrijmë këto synime në dy apo tri vitet e para të mandatit tonë. Dhe nëse vendi ndryshon, dhe ka një perceptim më të mirë, si jashtë ashtu dhe brenda për BE-në dhe për investitorët e huaj, unë mendoj se ne mund të eksportojmë demokraci në Kosovë dhe në Maqedoni. Dhe kjo tregon se nëse është gjë e mirë për Maqedoninë, do të jetë gjë e mirë edhe për Kosovën. Dhe them se kjo do të jetë mënyra se si ne do ta kryejmë rolin tonë në rajon. Ne nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Përse duhet të bëjmë më shumë se kaq?!

 

J.Bugajski: Lejomëni t’i kthehem tani Shteteve të Bashkuara! Partneri kyç i Shqipërisë! Këto pyetje po na shpiejnë aty nga fundi. Çfarë prisni nga administrata e dytë Obama? A duhet të jetë Amerika më e përfshirë në çështjet e brendshme të Shqipërisë duke nxitur procese të caktuara, si lufta ndaj korrupsionit, qeverisja e mirë, sendërtimi i demokracisë, si një model i mundshëm për eksport në rajon? Apo mos vallë duhet të jetë më pak e angazhuar? Cili duhet të jetë gjegjësisht roli i Shteteve të Bashkuara në Tiranë?

 

B.Blushi: Shikoni, edhe nëse klasa politike do ta dëshironte, ata nuk do ta bënin atë rol. Amerikanët do ta luanin atë rol, sigurisht, sepse institucionet amerikane funksionojnë edhe nëse  administrata është tashmë e fokusuar në pjesë të ndryshme të botës, dhe bota sërish nuk është fort e stabilizuar. Pra, ka vende më të rëndësishme për t’u fokusuar, dhe jo vetëm në Ballkan. Ne mund të mendojmë se Ballkani është zhvendosur nga axhenda e kësaj administrate gjatë katër viteve të fundit. Unë nuk mendoj kështu. Kjo nuk ndodh sepse Amerika po e humbet interesin ndaj Ballkanit, por po ndodh sepse, madje edhe në sajë të rolit të Amerikës, rajoni është më i stabilizuar si dhe më demokratik.

Pra, në njëfarë mënyre, unë them se institutcionet amerikane do të vijojnë të na tregojnë kur niveli i demokracisë s’është i mirë, kur zgjedhjet s’janë siç duhet, kur korrupsioni është i lartë, siç edhe ka ndodhur. Amerikanët kanë folur haptaz dhe besoj se do të vijojnë ta bëjnë. Siç ndodhi gjatë vizitës së Hillary Klinton në Parlament, e cila ishte një vizitë mjaft frymëzuese. Por fatkeqësisht, çfarë kërkoi ajo nuk ndodhi, por megjithatë ishte frymëzuese dhe ishte një nga fjalimet më të mira që unë kam dëgjuar ndonjëherë në këtë Parlament.

 

J.Bugajski: Pra, ju po thoni që Amerika duhet të mbajë një rol monitorues, inkurajues dhe stimulues ndaj politikës shqiptare.

 

B.Blushi:Po! Do të dëshiroja të ishte kështu!

 

J.Bugajski: Le t’i kthehemi një pyetjeje më personale! Më kanë mbetur vetëm disa pyetje për të bërë. Kemi mbuluar një pjesë të madhe territori. Në termat e ambicieve politike personale, në rast të një situate tejet hipotetike ku Partia Socialiste humbet zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë e cila mund të jetë shkak për ndryshim të lidershipit, a keni ju aspirata për të udhëhequr Partinë Socialiste?

 

B.Blushi: Askush prej nesh nuk mendon për një ditë të tillë! Ne të gjithë jemi të përqëndruar tek këto zgjedhje. Dhe mbas tetë vitesh në opozitë, ne të gjithë mendojmë se jemi më të pjekur dhe më të aftë si dhe më të përgatitur për të ardhur në pushtet. Ne do të na pëlqente të vinim në pushtet si një grup dhe si një parti e cila ka ide të caktuara për të reformuar këtë vend, dhe kjo është detyra e madhe që ne kemi. Shumica prej nesh jemi pak a shumë në të njëjtën moshë. Ne të gjithë e kemi filluar politikën gjatë njëzet viteve të fundit, dhe 20 vjet më parë ne kemi qenë studentë. Pra kjo është koha e volitshme për brezin tonë për të vërtetuar se vendi mund të reformohet dhe mund të ndryshohet nga brezi ynë, sepse çdo brez ka disa përgjegjësi ndaj vendit të tij. Dhe ky është dallimi i madh! Pra, z. Berisha i përket një brezi më të vjetër. Ai e ka bërë tashmë atë çka ka mundur të bëjë për këtë vend. Pra koha e tij ka sosur. Është koha që ne të vërtetojmë se mund të bëjmë diçka të ndryshme, dhe ne kemi për ta bërë.

 

J.Bugajski: Pra, cili është sllogani elektoral i PS-së?

 

B.Blushi: Sigurisht, ‘Ndryshim’! “Ndryshimi’ ka për të qenë titulli kryesor. Por ende nuk kemi ardhur në atë pikë. Këtë kemi për ta vendosur gjatë muajve të ardhshëm. Sigurisht, ne kemi për të propozuar ‘Ndryshim’. Ndryshimi ka për të qenë fokusi kryesor.

 

J.Bugajski: Pyetja ime e fundit! Siç e përmendët që në fillim, ju jeni një romancier i suksesshëm, të paktën me librin tuaj të parë, që me sa di ka qenë një best-seller. A po shkruani një libër të ri? A po përgatitni diçka tani, dhe nëse po, cila është tema?

 

B.Blushi: Do të doja të isha duke e bërë, por jo. Sepse jam tejet i përqëndruar në këtë fushatë dhe ne na duhet të dalim jashtë Tirane tri a katër herë në javë. Dhe do të doja të shkruaja, por kjo nuk është koha e volitshme. Mendimet dhe mendja ime kësokohe u janë kushtuar krejtësisht politikës. Dhe kur në mend ke politikën, ti e ke të pamundur të bësh letërsi, kjo është e sigurtë.

 

J.Bugajski: Pra, politika nuk ju ndihmon për aspiratat tuaja letrare?

 

B.Blushi: Hë për hë, jo! Disa vite më parë, po! Kur njerëzit më pyesnin, “Ç’ne vallë që ke profesion politikën, dhe shkruan libra”, unë u thoja se ky është një nga përfitimet që kam nga ky profesion. Sepse kur je në politikë, sidomos kur në opozitë, ti nuk ke përse të zgjohesh shumë herët në mëngjes. Ti mund të flesh, pastaj të shkruash, dhe pastaj del. Askush nuk të thotë se kur duhet të shkosh në zyrë, sepse ne s’kemi zyra. Pra, unë e kam patur këtë luks gjatë katër a pesë viteve të fundit dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Jam shumë i kënaqur që kam patur mundësinë ta bëj, sepse ka qenë një ëndërr ime e vjetër.

 

J.Bugajski:Mezi po pres për përkthimin në gjuhën angleze në mënyrë që të…

 

B.Blushi: Nuk është akoma i përkthyer!

 

J. Bugajski: Nëse unë nuk mësoj mirë shqipen!

 

Ben Blushi, shumë faleminderit që ishe këtu me mua!Dhe jam i sigurtë se do t’ju kemi sërish këtu! Sezoni zgjedhor pritet të fillojë, siç e dini, dhe jam i sigurt se do t’ju kemi ose juve ose anëtarë të tjerë të PS-së. Edhe njëherë, shumë faleminderit dhe urime për karrierën tuaj me librat, dhe shpresoj t’ju takoj sërish së shpejti.

 

B.Blushi: Faleminderit, Janush. Ishte kënaqësi!

January 17, 2013 21:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim