PS feston ditëlindjen, LSI nuk merr pjesë, PD dërgon doktorin. Edhe Basha feston ditëlindjen

June 12, 2017 16:44

PS feston ditëlindjen, LSI nuk merr pjesë, PD dërgon doktorin. Edhe Basha feston ditëlindjen

 

Me një aleat si LSI, thuajse formal në bashkëqeverisje, dhe me një opozitë teknikisht të përfshirë në qeveri, Partia Socialiste do ta kremtoje 26-vjetorin e themelimit në kulmin e një fushate të pazakontë elektorale.

Ftesa ka mbërritur në shumë zyra të qeverisë dhe në seli partish, por jo të gjithë do t’i përgjigjen asaj. Një prej atyre që nuk do të jetë pjesë e festës është një nga themeluesit e rinisë socialiste, Ilir Meta.

Lufta politike për timonin e pushtetit i ka çuar dy aleatët në pikën e tyre më të ulët të komunikimit në këto 4 vjet bashkëqeverisje.

“Unë, si themelues i Partisë Socialiste do ta festoj ditën e themelimit të PS. Po flas për Partinë Socialiste, jo për Rilindjen, me një grup deputetësh dhe anëtarësh themelues të PS-së në respekt të gjithë kontributit që ata kanë dhënë për PS”, deklaroi gjatë ditës Luan Rama.

Por nëse aleatët formalë politikë nuk do të jenë në festën e socialistëve, partneri i tij teknik, Partia Demokratike do të përfaqësohet në festë me doktor Halim Kosovën, i cili sot ka dy urime politike për të bërë.

Një për ditëlindjen e partisë së Edi Ramës dhe një për ditëlindjen e kryetarit të tij, Lulzim Bashës.

Torta e ditëlindjes së 43-të të Bashës, e përgatitur nga banorë të njësisë 7 në Tiranë ishte e mbushur me simbolet e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Dhe po ashtu ishte edhe batuta e falenderimit nga kreu i opozitës. “Nga torta do të marrin vetëm fëmijët dhe qytetarët. Politikanët nuk kanë punë, janë të republikës së vjetër”, tha Basha.

Dy ditëlindjet, ajo e partisë së Ramës dhe ditëlindja e Bashës përkojnë edhe me një ditë të veçantë për besimtarët, ditën e Shna Ndout.

Ndoshta, Rama dhe Basha nuk do të shkojnë të kalojnë sonte natën në kishën e Shna Ndout për të pritur ditëlindjen e shenjtit, por me siguri, secili në shtëpinë e tij do të lutet për një mrekulli në zgjedhje./tch

June 12, 2017 16:44
Komento

1 Koment

  1. Mark uk June 12, 22:18

    Duhet thene me rastin e 26 vjetorin e ndrrimit te emrit per here te tret.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*