PS ndërpret marrëdhëniet me çiftin Bajraba pas akuzave për vjedhje

Redaksia Online January 5, 2013 13:12

PS ndërpret marrëdhëniet me çiftin Bajraba pas akuzave për vjedhje

Pas akuzave për vjedhje në SHBA, Partia Socialiste ka shkarkuar nga të gjitha funksionet si anëtare e Asamblesë Kombëtare Fatbardha Bajrabën dhe nuk mirëpret asnjë kontribut të bashkëshortit të saj, Kosta Bajraba, i cili deri tani ka kryesuar grupin e punës për çështjet sociale në këtë parti.

Vendimi për pezullimin e çiftit Bajraba u mor nga Komisioni i Garancive Statutore në PS, pas raportimit të lajmit se Fatbardha, Kosta Barjaba dhe vajza e tyre 23 vjeçe u arrestuan në SHBA  për vjedhje në një supermarket.

Në një deklaratë për shtyp, deputeti i PS, njëkohësisht kryetar i kësaj partie për degën e kryeqytetit, tha se në ngarkim të Fatbardha Bajrabës, Komisioni i Garancive Statutore do të nisë një procedurë sqaruese në lidhje me ngjarjen e bërë publike fillimisht në mediat amerikane.

“Kjo është një procedurë e kërkuar nga unë si kryetar i PS Tiranës, duke vlerësuar qoftë pamundësinë që Fatbardha Barjaba të kontribuojë në çfarëdo roli për PS në kushtet kur mbi të rëndon një pozitë e papajtueshme me vlerat e familjes sonë politike, por qoftë duke njohur edhe të drejtën e saj për të dhënë në një instancë statutore të partisë, sqarimet e veta. Sigurisht ajo mund ta bëjë këtë nëse e dëshiron një gjë të tillë dhe nëse ka prova që e lehtësojnë pozitën e vet, e cila e përsëris se në këto kushte është e papajtueshme me vlerat e familjes sonë politike”, tha Tahiri.

Ndërsa në lidhje me bashkëshortin e saj, Kosta Bajraba, Tahiri tha se “ai nuk është anëtar i PS-së dhe besoj se normalisht nuk ka çfarë kontribuon më tutje as në aspektin akademik lidhur me programin tonë, nëse pozita e tij publike mbetet kjo që është dhe nuk dalin prova të besueshme që ta ndryshojnë versionin zyrtar të kësaj ngjarjeje thellësisht të papëlqyeshme”.

 

Akademia e Shkencave “ngrin” Bajrabën

Edhe kryesia e Akademisë së Shkencave ka vendosur të ngrijë qenien e Kosta Barjabas si i Asociuar i ASHSH-së. “Kryesia e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë mbështetur në informacionin e marrë nga mediat dhe Raporti i Departamentit të Policisë së Paolo Alto-s, SHBA, duke e konsideruar të papranueshëm, të turpshëm dhe në kundërshtim me moralin akademik, aktin e kryer nga z.Kosta Barjaba, në mbledhjen e saj të datës 5 janar 2013, vendosi të ngrijë qenien e tij si Akademik i Asociuar i ASHSH”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.

Dy ditë më parë, në mediat amerikane u publikua lajmi i arrestimit të Kosta Bajrabës, bashkëshortes së tij, Fatbardha, dhe vajzës, Joniada. Policia amerikane i arrestoi të tre pjesëtarët e familjes Bajraba me akuzën e vjedhjes së një çante në qendrën tregtare Stanford. Ata u liruan pasi paguan grancinë, ndërsa vetë Bajraba e ka përgënjeshtruar lajmin duke thënë se gjithçka është një keqkuptim.“Ndalimi im u bë sepse nuk kisha autorizim për të ngarë makinën”, tha ai.

 

 

Redaksia Online January 5, 2013 13:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*