PS: Vendimi i Apelit për Tahirin, maskaradë për llogari të pushtetit

Redaksia Online December 21, 2012 16:07

PS: Vendimi i Apelit për Tahirin, maskaradë për llogari të pushtetit

Partia Socialiste ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për deputetin Saimir Tahiri. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PS thekson se vendimi i marrë sot në Gjykatën e Apelit përbën një maskaradë për llogari të pushtetit, që me çdo mjet po përpiqet t’i mbyllë gojën opozitës.

“Tre gjyqtarë botërisht të njohur si vegla qorre të këtij pushteti, vendosën dënimin e deputetit opozitar dhe kryetarit të PS-së Tiranë, Saimir Tahiri, për llogari të dy fëmijëve të kryeministrit. Për të cilët deputeti socialist ka folur publikisht, mbi prova e fakte. Si edhe kolegë të tjerë të çuar në gjykatë nga familjarët apo shërbëtorët e kryeministrit, Saimir Tahiri ka shprehur një shqetësim shumë serioz jo vetëm të opozitës, po të mbarë publikut shqiptar.

Deputeti i opozitës është penguar të paraqesë prova dhe dëshmitarë, madje edhe të disponojë dokumente zyrtarë, që do të vërtetonin edhe para gjykatës atë, që sot e dinë të gjithë: Korrupsionin si mjet pasurimi frenetik të familjes kryeministrore”, thuhet në deklaratë.

PS thekson se tre gjyqtarët që dhanë vendimin e kanë vrarë sërish drejtësinë për opozitën me çekiçin e gjyqtarit të pushtetit.

“Në këtë Shqipëri të marrë peng nuk dënohet në gjykatë kush vjedh lekët e shqiptarëve dhe as kush vjedh ose blen votën e tyre me lekë të vjedhura nga shqiptarët. Nuk dënohet kush transferon miliarda parash të zeza jashtë vendit apo kush për punët e veta të zeza përdor qeverinë e vendit. Nuk dënohet madje as kush vret njerëz duke i hedhur në erë ose duke i gjuajtur me plumb nga dritaret e kryeministrisë. Sot në Shqipëri dënohet në gjykatë vetëm kush ndër politikanët ka kurajën të ngrejë zërin dhe ta tregojë me gisht, korrupsionin e pushtetit që vodhi votat për ta grabitur dhe rrënuar Shqipërinë.

Por sot, pas këtij ndëshkimi që në fakt i bën vetëm nder opozitës e deputetit të saj Saimir Tahiri, Partia Socialiste është edhe më e vendosur për ta shpëtuar atdheun e marrë peng. Për t’i fituar zgjedhjet e për të çelur një faqe të re në historinë e politikës shqiptare, duke e rilindur Shqipërinë”, thotë selia rozë.

Redaksia Online December 21, 2012 16:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*