PS vijon denoncimet e skandaleve në sistemin energjetik

November 4, 2012 19:38

PS vijon denoncimet e skandaleve në sistemin energjetik

Partia Socialiste vijoi dhe dje denoncimin e një marrëdhënieje midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ e cila është duke ju kushtuar miliona qytetarëve shqiptar. Përmes fakteve dhe dokumenteve zyrtarë, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj akuzoi sërish kompaninë CEZ për mosrealizim të planit të investimeve, e cila, sipas saj, është një nga shkaqet kryesore të humbjeve dhe për të cilat Qeveria dhe ERE janë treguar neglizhente.

 

“Mungesa e investimeve nga kompania CEZ është një nga arsyet kryesore të humbjeve dhe është papërgjegjshmëria e Qeverisë dhe ERE-s që nuk kanë arritur t’i kërkojnë kompanisë të zbatojë planin e investimeve, në favor të sistemit energjetik”, deklaroi Ahmetaj. Referuar treguesve në raportin e investimeve të CEZ, në deklaratën e tij për shtyp,  deputeti socialist evidentoi faktin se këto dokumente dëshmojnë se investimet kanë ardhur duke u ulur, gjë që e ka çuar sistemin energjetik në përkeqësim. “Raporti i ERE-s i vitit 2011-të thotë se totali i realizimit të investimeve është në një masë të ulët, prej rreth 20%’, dhe në këtë rast,  është Qeveria dhe ERE që duhet t’i japin përgjigje kësaj situate”, vuri në dukje deputeti socialist.

 

Ndërkohë që në vijim të publikimit të këtyre treguesve, Ahmetaj theksoi faktin se këto tregues dëshmojnë rritjen abuzive të çmimit të energjisë në kurriz të qytetarëve, ndërsa fajësoi qeverinë për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë. “Çmimi i energjisë për familjarët është rritur 200% krahasuar me vitin 2005 dhe kjo për faj të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë”, theksoi Ahmetaj. Sipas tij, nga momenti i privatizimit rritja e çmimit të energjisë ka qenë një premtim që Qeveria i ka bërë kompanisë CEZ në kurriz të ekonomisë familjare të shqiptarëve. “Sot qytetarët paguajnë 9.5 lekë për kë/orë, por Qeveria i ka premtuar CEZ-t një ngarkesë të re në kurriz të tyre, duke premtuar kështu një varfërim të mëtejshëm për ta”, vlerësoi Ahmetaj.

November 4, 2012 19:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*