Psalmet shqip të Kristoforidhit për toskë e gegë

Xhevat Lloshi December 10, 2015 10:14

Psalmet shqip të Kristoforidhit për toskë e gegë

Libri i Psalmeve bën pjesë në Dhiatën e Vjetër. Në përkthimin shqip të Biblës sipas Diodatit të Ri (1994) është renditur në vendin 19, po ashtu si në përkthimin anglisht të autorizuar prej Mbretit James I (1611), në versionin e ri ndërkombëtar anglisht nga Shoqëria Biblike Ndërkombëtare (1984) dhe te përkthimet në gjuhë të tjera sipas traditës protestante. Në përkthimin e S. Filipajt (1994) gjendet në vendin 21, ndërsa në përkthime të tjera të traditës katolike ndryshon rendin për shkak të ndërfutjes së librave të tjerë. Me një fjalë të vetme ky libër quhet Psaltiri, ndërsa K. Kristoforidhi e ka quajtur Psalltiri për variantin toskërisht dhe Psalteri për variantin gegërisht.

Ndryshe këto quhen edhe Psalmet e Davidit. Davidi mbahet se pas Saulit ka qenë mbreti i dytë i hebrenjve dhe pas tij erdhi i biri, Solomoni. Mendohet që ka jetuar afërsisht rreth viteve 1040-970 para e.r. Veç të tjerash, ai ishte edhe muzikant e poet dhe do të ketë qenë autor i disave prej psalmeve, por jo i gjithë librit.

Vetë fjala psalme vjen nga greqishtja (psalmoi) me domethënien e fjalëve që shoqërojnë muzikën me harpë dhe prej këndej mori kuptimin e lutjeve të kënduara. Në gjuhën shqipe sot psal do të thotë këndoj psalmet dhe psalt ose psaltës është ai që i këndon në kishë. Këto këngë bënin pjesë në shërbesat fetare të hebrenjve dhe më pas hynë në përdorim edhe në shërbesat e krishtera.

Hartimi i psalmeve ka përfshirë afër pesë shekuj. Meqë shumica e Librit I dhe Librit IV duket se kanë autor Davidin, atëherë edhe datimi i tyre nis nga shek. IX para e.r. e vjen deri në mesin e shek. V para e. r. Disa do të jenë thurur nga Solomoni dhe të tjerë kanë vijuar t’i plotësojnë deri në kohën e Ezrës. Kristoforidhi e ka cekur kalimthi këtë pikë te Katër kateqisma më 1884, Davidi: “shkroi të shumat e psalmevet.”

***

Psalmet përmbajnë himne, vajtime individuale dhe të kombit, falënderime dhe veprime mbretërore. Meqë këndoheshin, forma e tyre e jashtme është poetike, domethënë në vargje. Ndërkaq, që te përkthimi i bërë prej Gj. Buzukut, shqip nuk janë paraqitur në vargje, por në rreshta të numërtuar. E para përpjekje për t’i dhënë si vargje është bërë nga K. Kristoforidhi më 1870, në faqen e titullit të Historisë së Shenjtësë Shkrojë për dielmt më 1870, ku jepen rreshtat 5-7 të Psalmit 78 me një shkurtim i vogël, ndryshe nga teksti i përkthimit të plotë, ku zënë 6 rreshta. Po aty ka cituar në f. 87 Psalmin 99:8, ndërsa pasi citon nga Psalmi 119 “Ligj’ e Zotit asht’ e këthiellëtë”, vijon: “edhe e tanë Psallma e njiqind e nandëmbëdhettë difton sa të vëjyeshime janë fjalët’ e Zotit”. Duket qartë, se kur ishte nevoja, ai u kthehej përkthimeve të veta dhe i riprodhonte me përpikëri, pa bërë ripërkthime të rastit.

Në vargje është dhënë përkthimi prej S. Filipajt më 1994, në përputhje me përkthimin kroatisht të Ivan Shariqit, që ndjek Vulgatën latinisht. Th. Qendro në Të Shkruomit Shenjtë (2010), duke riprodhuar pjesët e përkthyera te Gj. Buzuku, i ka shndërruar në vargje gjithashtu në përputhje me Vulgatën. Çështja e vargjeve lidhet me nevojën për t’i kënduar me shoqërimin e muzikës. Muzika për Kishën ortodokse, natyrisht, ka qenë bizantine, ndërsa sot në kishat protestante të Shqipërisë muzika është marrë prej kishave protestante perëndimore dhe prej kompozimesh të autorëve shqiptarë, disa me motive krahinore tipike.

Vargjet e psalmeve nuk kanë rimë, ndërsa dihet që rima në poezinë europiane është shfaqur në shek. IV të e.r. Natyrën e tyre poetike ato e marrin nga një radhë përftesash stilistike, ndër të cilat kryesori është paralelizmi. Ai arrihet sidomos me anë të përsëritjeve, kështu që është shumë e shpeshtë anafora, domethënë fillimi i njëjtë i vargjeve. Shfrytëzohen gjithashtu sinonimet dhe antonimet, duke sjellë kështu një ritëm të njëjtë, i cili është tipari kryesor i ligjërimit poetik.

Për herë të parë Psalmet dëshmohen të përkthyera në gjuhën shqipe nga Gjon Buzuku në faqet e librit të tij, Mesharit (1555). Nga 150 psalmet ai ka përkthyer 28, pra rreth një të pestën. Prej tyre vetëm Psalmi 116 është dhënë deri në gjysmë, ndërsa të tjerët janë të plotë (6, 32, 38, 51, 54, 70, 85, 102, 110, 113, 117, 120-131), domethënë pjesa kryesore janë prej Librit V, rrjedhimisht, më shumë janë himne lavdie dhe lutjesh. Por ana më e rëndësishme, që duhet vënë në dukje, është se ndeshemi me disa variante. Kështu Psalmet 120 dhe 121 kanë variante përkthimi për gjithë vargjet e tyre, ndërsa Psalmi 130 jo vetëm ka po ashtu variante për të gjitha vargjet, por madje del i përkthyer tërësisht dy herë. Me këtë mbështetet plotësisht mendimi, që e kam shprehur edhe në botimin e dy librave të parë gegërisht të Dhiatës së Vjetër nga dorëshkrimet e K. Kristoforidhit (2009), se Buzuku nuk ishte një përkthyes i zakonshëm, domethënë nuk ka vënë përpara një libër dhe e ka kthyer shqip, por ka hartuar vetë një libër, në të cilin janë përmbledhur ligjëratat e tij. Për këto ligjërata, të cilat i ka përgatitur herë pas here, është mbështetur në tekste latinisht ose italisht dhe, natyrisht, në to ka përfshirë pjesët përkatëse prej Biblës. Pastaj ligjëratat i ka lexuar në shërbesat përpara grigjës në kishë dhe i ka lëmuar me kalimin e kohës, sidomos nën ndikimin e shqiptimit të gjallë me gojë. Me këtë shpjegohet cilësia e mirë e gjuhës së tekstit të shkruar. Së fundi, i përmblodhi në një libër ligjëratat e gatshme dhe me këtë tashmë shpjegohet përse arriti ta nxirrte nga shtypi brenda një periudhe aq të shkurtër. Duke qenë këto ligjërata të veçanta, ai pjesë të njëjta prej Biblës i ka përkthyer në mënyra të ndryshme dhe nuk e ka vënë re këtë, siç do të ndodhte me një përkthyes të zakonshëm. Ndonëse dy të tretat e tekstit të Buzukut janë përkthime nga Bibla, ai ka bërë një libër të vetin dhe këtë na e ka thënë shkoqur në Pasthënie, përndryshe do të na e kishte shprehur se kishte bërë një përkthim.

kostandin_kristoforidhi-260x386Si përkthyesi i dytë i Psalmeve shqip del Pjetër Bogdani. Në Çetën e Profetëve (1685), përveç citimeve të rastit nëpër tekst, autori u ka dhënë vendin e nevojshëm në Shkallën III, kushtuar profetit David, në faqet 105-108. Mënyra e paraqitjes është kjo: në anën italisht jepen fjalitë e Vulgatës latinisht dhe shpjegohen italisht. Në anën shqip jepen të përkthyera fjalitë e psalmit latinisht, si dhe të përkthyera shpjegimet italisht, domethënë kemi një përkthim të dyfishtë, prej dy gjuhësh njëkohësisht. Bogdani merr vargun e parë të një psalmi për të mbështetur shtjellimin e mëtejshëm, shpesh duke i parë këto vargje si profetizime për Krishtin e ardhshëm, kështu që përkthimi është bërë copa-copa, për të ndërtuar një interpretim dhe jo për të dhënë të plota qoftë edhe vargjet e veçanta të psalmeve. Lënda e përkthyer është fare e paktë; janë edhe pesë copa të vogla nga fundi (f. 150).

Gjatë pothuaj dy shekujve më pastaj rreshta të Psalmeve kanë dalë rastësisht në librat e paktë fetarë. Është thënë, se Grigori i Durrësit e ka përkthyer Dhiatën e vjetër, e gjithashtu Theodhor Haxhifilipi me një alfabet vetjak, por nuk na ka ardhur asgjë e dokumentuar.

***

Kërkesën e drejtpërdrejtë për përkthimin e Psalmeve shqip e ka formuluar Robert Pinkertoni më 24 shtator 1828: “Kjo më jep gjithashtu edhe rastin që t’i propozoj Komitetit diçka, të cilën e kam pasur shpesh në mend gjatë këtij udhëtimi, d.m.th. që z. Lowndes bashkë me Komitetin e Shoqërisë Biblike Joniane të autorizohet për përkthimin e Librit të Psalmeve në gjuhën shqipe. Ndoshta peshkopi shqiptar, i cili ka redaktuar dhe botuar Dhiatën në këtë gjuhë, do të jetë njeriu më i aftë për ta marrë përsipër këtë punë dhe germat, që u përdorën për ta shtypur Dhiatën në Korfuz, do të shërbenin edhe për shtypjen e tij. Për ta bërë më të përdorshëm, versioni i Hilarionit i Psalmeve në greqishten e re mund të botohej bashkë me të në kolona paralele.” (25th Report of the BFBS, 1829. f. 76). G. Gjirokastriti, që nënkuptohej aty si peshkopi shqiptar, vdiq pikërisht në atë kohë, kështu që plotësimi i kësaj kërkese i mbeti K. Kristoforidhit.

Sapo erdhi nga Izmiri në Stamboll më 1857, Kristoforidhi nisi përgatitjen e një përkthimi tjetër të Dhiatës së re. C. Hamlini, njëri nga misionarët amerikanë, që e kishte thirrur në Stamboll, mori zemër prej përparimit të shpejtë të punës dhe më 17 mars shkruante: “Ne shpresojmë ta vazhdojmë këtë përkthim me Dhiatën e vjetër.” Pavarësisht prej shpresave të mëdha, kjo do të ishte një sipërmarrje e gjatë dhe jo e lehtë, aq më tepër sepse Kristoforidhi pas pak kohësh kaloi në Kolegjin Protestant të Maltës, ku do të qëndronte tre vjet dhe prej andej do të gjente vend si mësues në Tunis. Për pasojë, plotësimi i kësaj kërkese do të priste ardhjen në Stamboll të Aleksandër Tomsonit, i cili për tre dhjetëvjeçarë do të përkujdesej me një pasion të çmuar për botimet shqipe dhe do të kishte suksesin e vërtetë për ta dhënë të plotë për herë të parë në gjuhën shqipe një libër nga Dhiata e vjetër.

Që në udhëtimin e tij të parë më 1863 në Bosnjë dhe në Shqipëri, Tomsonit i kishte bërë përshtypje, se edhe myslimanët e kishin pritur me respekt e madje me një farë mikpritjeje si për veten, edhe për librat: “Kjo i detyrohet pjesërisht anësisë ndaj inglizve, pjesërisht mirësjelljes së hapur, që nuk prishej as nga refuzimi për të blerë, por mbi të gjitha respektit të çiltër nga ana e tyre për Ligjet, Psalmet dhe Dhiatën e re, si libra të panjohur, por të shenjtë.” Dy vjet më vonë (12 prill 1865), pa qenë i autorizuar nga Shoqëria Biblike, ai sugjeronte që të ngarkohej arbëreshi i Greqisë Anastas Kullurioti të përgatiste një version të Psalmeve për ta blerë Shoqëria. Ndërkaq, një muaj më vonë në Stamboll do të vinte Kristoforidhi nga Tunisi. Atëhere Tomsoni do të dëshironte që Kullurioti t’i jepte Psalmet në shqipen e arbëreshëve të Greqisë, por edhe kjo nuk u krye ndonjëherë.

***

Në fund të qershorit 1867 u krye përkthimi i Psalmeve gegërisht dhe pas një muaji përfundonte edhe varianti toskërisht. Tashmë shqiptarët në Stamboll e ndiqnin me interesim punën që bëhej nëpërmjet Shoqërisë Biblike për gjuhën shqipe, ndërsa kishte edhe një rrethanë kureshtare lehtësuese, sepse selia e saj ishte në lagjen Bebek të Stambollit, ku kanë banuar edhe shqiptarë të tjerë të njohur, e për më tepër kjo është një lagje ngjitur me Arnautqojin, që do të thotë ‘Fshati i shqiptarëve’. Në mars 1868 Tomsoni vërente se të dy versionet e Psalmeve ishin krejtësisht të reja dhe ishin bërë “me ndihmën më të madhe që mund të merrej nga Komitetet toskë e gegë të këtij qyteti.” Ky njoftim ka rëndësi të posaçme, sepse tregon se qysh më 1868 ishin ngritur grupe diskutimi lidhur me alfabetin e shqipes, prej të cilave do të përbëhej Komisioni për alfabetin e shqipes më 1869.

Për Kristoforidhin kishte rëndësi jetike se si priteshin librat prej shqiptarëve. I ka shkruar Tomsonit, që toskët në jug po e prisnin me padurim botimin e Psalmeve, mirëpo shkronjat greke ende nuk kishin ardhur për shtypshkronjën në Stamboll. Peshkopi i Durrësit dhe i Dibrës i kishin bërë një vizitë për t’i dhënë zemër në punën e tij dhe e kishin siguruar, se do t’ua rekomandonin njerëzve. Pasi e quante atë ‘përkthyesi i shkëlqyer”, Tomsoni shtonte: “Populli po zgjohet në mënyrë të dukshme dhe tashti është pikërisht koha për veprim.” Kështu kuptohet përse ai, ende pa dalë libri prej shtypshkronjës, shprehte dëshirën që madje t’u dërgonte disa kopje edhe shqiptarëve të Kalabrisë, bashkë me abetaret, duke udhëzuar që dërgesat të bëheshin nga Korfuzi në Bari, si dhe të shihej mundësia për të dërguar kopje në Palermo, sepse arbëreshët e atjeshëm: “Janë nga Kruja, vendi i Skënderbeut dhe i Ungjijve e Psalmeve gegërisht.”

 

***

Botimi i Psalmeve ishte një ngjarje në historinë e shqipes së shkruar, por dhe më gjerë, për kulturën shqiptare, sepse për herë të parë dilte nga shtypi një libër i Dhiatës së vjetër. Paraqitja e psalmeve shqip kërkonte një mjeshtëri të lartë dhe Kristoforidhi e ka arritur atë për kohën e vet, duke dhënë ndihmesë për lëvrimin e stilit të lartë poetik në gjuhën shqipe. Dalja e të njëjtit libër njëkohësisht në dy variantet e shkruara prej të njëjtit autor ishte një dukuri e jashtëzakonshme në historinë e gjuhës shqipe dhe provonte se largësia ndërmjet tyre ishte e tillë, që nuk përbënte ndonjë pengesë të përfillshme. Kjo datë e ka detyrimisht vendin në historinë e gjuhës shqipe të shkruar.

Ndërkaq, fati i dy varianteve të Psalmeve nuk ka qenë i njëjtë. Librat ishin në ndërtesën e një libralidhësi në lagjen Pera të Stambollit bashkë me Dhiatën e re gegërisht, kur aty ra një zjarr i madh, që shkatërroi pjesën më të madhe: u dogjën 1530 copë nga 2000 Psalmet gegërisht dhe 1700 copë nga Dhiata gegërisht (Psalmet toskërisht nuk u dëmtuan). Kjo është arsyeja përse kopjet e tyre gjenden rrallë dhe bibliografët nuk flasin për to, as në bibliotekat tona nuk ka kopje të këtij botimi dhe nuk përmenden te “Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare” (Tiranë, 2012).

Pas Lidhjes së Prizrenit, Porta e Lartë ndërmori masa shtypëse kundër shqiptarëve dhe, ndër të tjera, ndaloi shtypjen dhe shpërndarjen e librave shqip deri më 1884. Këto masa u zbatuan edhe kundër botimeve të Shoqërisë Biblike, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare dhe me vetë fermanin e sulltanit. Më 1879 u themelua Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip dhe u përpunua alfabeti i ri, që shkurt quhet alfabeti i Stambollit. Me këtë lindi problemi edhe për botimet biblike, se me cilin alfabet duheshin botuar këtej e tutje. Së fundi, më 1884 Kristoforidhi i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike dhe u kthye përfundimisht në Elbasan. Vendin e tij e zuri Gjerasim Qiriazi, emri i të cilit përmendet që në dhjetor 1883 si ndihmës i Kristoforidhit.

Tomsoni në mars 1884 ka njoftuar me kënaqësi se është dhënë leja për të shtypur libra shqip, porse në çdo kopje duhej të shtypej me alfabetin osman kjo leje për të mos hasur pengesa gjatë shitjeve. Ai sapo kishte pasur një bisedë me Naim Frashërin, i cili ishte censor në Ministrinë e arsimit për botimet me germa greke, dhe besonte se atij i detyrohej leja, sepse i kishin pëlqyer botimet e Shoqërisë Biblike, e quante se gjuha e përdorur ishte e kuptueshme si për gegët, dhe për toskët, i uronte sukses, vetëm se nuk i pëlqente alfabeti me germa greke. Të njëjtën vërejtje për alfabetin ia ka përcjellë librashitësi Jovan Ciku, ngaqë njerëzit i kishin thënë se nuk u pëlqenin germat greke. Alfabeti i Stambollit fitoi hap pas hapi një përhapje të tillë, sa përfaqësuesi i BFBS nuk mund ta shpërfillte më. Sidomos hapja e shkollave shqipe, në të cilat mësimet po bëheshin me këtë alfabet, përbënte një trysni të fuqishme për të menduar lidhur me të ardhmen, duke ndryshuar një traditë prej 60 vjetësh. Siç e dëshmon vetë Tomsoni në një letër të 30 majit 1888, anëtarë të Shoqërisë së Stambollit i kishin kërkuar që botimi i ri i Psalmeve të bëhej me alfabetin e tyre, duke premtuar se librat kështu do të përdoreshin në shkollën shqipe. Meqenëse shkronjat ishin në Bukuresht, ai i propozoi Londrës që ta miratonte edhe këtë ndryshim të vendit të botimit, sepse atje ndodheshin germat në shtypshkronjë. Përmendet tashti sërisht se Gjerasim Qiriazi do të diskutonte me Shoqërinë e Bukureshtit për germat, letrën, çmimet dhe ndreqjet e shtypit, e njëkohësisht ai do ta rishikonte tekstin dhe do të bënte ndreqjen e bocave. Tomsoni e përshëndeti këtë zhvillim të ri.

Më 3 korrik Tomsoni ka shkruar përsëri për shkollat në Korçë dhe për përhapjen e alfabetit të Stambollit, duke u nisur nga fjalët e Gjerasimit, propozimet e të cilit Shoqëria e Bukureshtit i kishte pritur përzemërsisht. Këtu Tomsoni për herë të parë mban qëndrim edhe lidhur me dialektet, shpreh mendimin (i cili pa dyshim i ka qenë dhënë nga qarqe të caktuara të shqiptarëve), se toskërishtja ka më tepër mundësi të bëhet gjuhë letrare. Kështu u përcaktua përfundimisht fati i Psalmeve gegërisht: ato nuk do të kishin ndonjë ribotim tjetër. Me sa duket, Tomsoni pas Kristoforidhit nuk pati lidhje të ngushta me letrarë, që lëvronin variantin gegërisht. Krahas kësaj, ndeshja e pikëpamjeve të ndryshme për alfabetin e shqipes kishte dalë hapur dhe është pasqyruar gjithashtu në këtë botim. Një farë H. Silberbusch i shkruante Tomsonit më 5 mars 1889 nga Bukureshti, se përfaqësues të një Komiteti Shqiptar i kishin dhënë një peticion, në të cilin kërkohej që botimet e Biblës të bëheshin me alfabetin e vjetër dhe jo me shkronjat e reja latine, duke i paraqitur si model një gramatikë, ndoshta të Kristoforidhit.

 

Xhevat Lloshi December 10, 2015 10:14
Komento

3 Komente

  1. mirel December 10, 13:33

    greket nuk thoshin dot plas, ose flas, dhe e kthyen ne psal

    Reply to this comment
  2. Gege Kosova December 10, 14:56

    Po ju leshoj nje shkrim per Kristoforidhin te para disa vitesh.
    Në vend të përvjetorit

    KRTISTOFORIDHI, LËVRUES I GJUHËS SHQIP
    ( 1826-1895)

    Gege Kosova

    Sado që ende është e diskutueshme datëlindja e këtij personalitetit të madh, ose edhe viti i lindjes së Konstantin Nelko Kristoforidhi, mund të konstatohet bindshëm se ai u lind mu në kohën, kur Rilindja jonë kombëtare, kishte vendosur themelet, mbi të cilat më vonë kishte rritën e saj të vrullshëm nga çdo lëmi kombëtare, krijuese e arsimore. Ndërsa vet Kristoforidhi do zhvillojë këtë vrull të lëvizjes dhe për një kohë, ai do ta shpije edhe më lartë këtë lëvizje kombëtare shqiptare. Ky pionier i Lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, do të dallohet përmes punës së tij për të mirën e gjuhës dhe leksikologjisë shqiptare. Kristoforidhi me këtë veprimtari intelektuale e shpirtërore kombëtare, mbetet fytyra më simpatike e kësaj periode historike.
    Kristoforidhi mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes Elbasan, ndërsa ato të mesmet i vazhdoi në gjimnazin grek Zosimea të Janinës në Greqi. Kurse, studimet i vazhdoi në Angli. Kristoforidhi sa ishte nxënës në Janinë, ra në kontakt me gjuhëtarin gjerman Hahn, që ishte konzul në Janinë, të cilit Kristoforidhi gjatë i shërbeu për mësues i gjuhës shqipe, për të cilën Hahn kishte interesim serioz. Ky personalitet i ardhshëm Hahnin, do ta shoqërojë gjatë dhe do ta ndihmojë shumë për punën e tij për shqipen, ai Hahnin e shoqëroi dhe e përcolli nëpër shumë vise shqiptare, për të grumbulluar nga dorë e parë fjalët e shqipes. Ky bashkëpunim i Kristoforidhit me Hahnin, nuk i shkoi huq, por i shërbeu dhe mbushi atë me motivime, që më vonë duke u angazhuar edhe vet në mbledhjen e leksikut të shqipes, Ai vet përpilojë fjalorin e tij Shqip-Greqisht. Edhe Kristoforidhi hulumtoi dhe pati rastin mu nga kjo punë e frytet e vjelura atë kohë, për së afërmi, nga goja e popullit ta dëgjojë gjuhën dhe begatinë e shqipes dhe për te ajo të behet shumë më e afërt dhe më e njohur, e fort më e dashur. Dhe për shqipen të jep një varg botimesh fetare, një gramatikë të shqipes dhe një abetare. Ndër te parat vepra ky autor dha Fjalorin Greqisht-Shqip prej 12. mijë fjalësh dhe një novelë e cila u shkrua në dy kryedialektet e shqipes e cila me të drejtë merret vepër ftilluese e prozës në letërsinë shqipe për të vegjlit e të rriturit. Kristoforidhi u angazhua për alfabetin e gjuhës shqipe, dhe kishte mbështetjen në alfabetin evropian latin, ku ishte edhe gjuha shqipe dhe vet shqiptarët. Kristoforidhi ishte kategorik kundër alfabetin grek e turk për gjuhën shqipe. Kjo kishte jo vetëm mbështetje atdhetare, por edhe arsyshmëri e mbështetje të shëndosh shkencore e gjuhësore, siç e arsyeton më vonë shkrimtari ynë Andon Zako Çajupi, i cili ndër të tjera pat thënë: “Këto alfabete, shpeshherë janë shkruar me gjakun tonë”.
    Kristoforidhi për qëllime atdhetare bëri përkthimin e biblës kishtare. Me këtë ai kishte qellim të ndajë kishën ortodokse shqiptare nga autoqefali ortodokse greke, të cilën më vonë Noli më 1908 e realizoi vazhdën e filluar kaq herët nga Kristoforidhi. Përkthimet fetare dhanë kontribut të veçantë për gjuhën dhe historikun e gjuhës së shkruar shqipe. Ky lëvrues i shqipes përktheu këto vepra kishtare: “Pësallmet e Davidit” dhe “Dhiatën e Re”, e cila dallohet për ngritje në shkallë më të lartë në aspektin gjuhësorë karshi nga përkthimet e para gjysmë shekulli të Meksit. Pasi njohu veprat e Budit e Bogdanit të madh, Kristoforidhi përktheu edhe “Katër Ungjillat dhe punët e apostujve”, “Katër Katekizmat dhe “Pësallteriu”. Kjo e fundit si edhe “Gjahu i Malësorëve” 1880, nga pikëpamja cilësore e gjuhës pak dallohen nga niveli gjuhësor i veprave të Samiut e Naimit. Kristoforidhi u angazhua shumë në dallimet e veçoritë karakteristike dialektore të folmeve të shqipes. Këtë e ndihmoi dhe e forcoi hulumtimi që ai kishte vërejtur në të folmet e shqipes, gjatë shëtitje për vjeljen e lëndës gjuhësore të tij me Hahnin dhe afërsia e përafërt e të ndjerit shpirtërisht e me gjithë, qenien e tij e provokimet e gjuhës shqipe, kur ai tubonte fjalët shqipe për fjalorin e tij të famshëm. Kristoforidhi ishte njohës i dy kryedialekteve të shqipes. Toskë e Gegë, njihte edhe largësitë që kishin këto dy të folme karakteristike të shqipes. Ai në një rast qe shprehur, se “Ndryshimi midis kryedialekteve të shqipes Toskë e Gegë, ka qenë ekzagjeruar. Ato ndryshojnë, po jo më shumë, se anglishtja e skotishtja e folur”. Vet autori kishte aftësi gjuhësore t’i përdor mirë dy kryedialektet e shqipes. Këtë e shohim më së miri në Fjalorin e tij, e më konkretisht në Novelën “Gjahu i Malësoreve”. Nga kjo fitojmë bindjen se njësimi i gjuhës shqipe ishte temë aktuale e brengosje edhe e Kristoforidhit, si edhe për gjithë rilindësit tanë. Kristoforidhi mendonte, se vetëm më lëvrimin e gjuhës amtare dhe përsosshmërinë e sajë e njësimin e përdorimit në mbarë kulturë kombëtare, ka mundësi që populli të dal nga kjo errësirë shumë shekullore dhe shqiptarët ë barazohen me popujt të tjerë evropian dhe t’i bashkohet botës e civilizimit botëror. Për këtë qëllim Kristoforidhi hartoi një abetare të gjuhë shqipe, e cila në krahasim me atë që ishte, kjo doli më e pasur. Në abetaren Kristoforidhi futi tekste e proza për fëmijë. Për çka mund të themi se ky është edhe fillestari i prozës për të vegjlit, Ndërsa Gramatika e botuar dhjetë vjet më vonë 1882, që është kontribut i madh gjuhësor e filologjik, është e nivelit më të lartë nga Gramatikat e gjerë atëhershme, hartuar nga autorët e huaj. Kjo gramatikë është shkruar në dialektin e jugut në toskërishte dhe ka rëndësi të madhe për studimet gjuhësore. Është për ta veçuar, se në këtë gramatikë gjejmë edhe vërejtjet e vet autorit për çështjet gjuhësore. Pos Fjalorit, që është vepër e rëndësishme e leksikografisë sonë, Kristoforidhi ka lënë edhe një varg dorëshkrimesh gjuhësore lidhur me purizmin apo pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja dhe për gjenezën apo etimologjinë e shumë fjalëve të saj. Nxjerrja e tyre në dritë, do të ishte edhe një kontribut i mirë për gjuhësinë tonë dhe plotësimin e personalitetit krijues të autorit. Sepse Kristoforidhi bashkë me Kamardën, padyshim janë ndër autorët e filologët e parë që u munduan dhe ia arritën të thonë diç më seriozisht, mbështetur në faktet shkencore e me këtë kontribuon shumë, praktikisht ata vendosën themelet të forta në kalanë e gjuhësisë shqiptare.
    Sido që të jetë, kryevepra e Kristoforidhit dhe kontributi i tij më i madh dhe me rëndësi për ne sot, mbetët Fjalori i tij Shqip-Greqisht, të cilin e bëri gadi për botim që më 1882. Por, si dukej, Kristoforidhi ose nuk gjeti mundësi ta botonte, ose deshi ta plotësonte e ta përpunonte edhe në vazhdim, ta përkryente edhe më tepër, ta spastronte nga fjalët e huaja dhe t’i zëvendësonte ato me neologjizmat e natyrës shqipe, ose arsyeja e tretë, e mjaftë bindëse për t’i besuar, që Kristoforidhit, nuk ju botua fjalori për së gjalli, është se shoqëria e Bukureshtit më shumë e pa të arsyeshme t’i botonte për atë kohë veprat e Animit, për të cilën kohë kishte më tepër nevojë dhe kërkesa për veprat e Animit, se sa kishte nevojë për fjalorët, siç ishte ky i Kristoforidhit, i cili si vepër leksikografike nuk ishte aq shumë i domosdoshëm, për momente kohe jo edhe aq shumë i nevojshëm. Botimi i këtij fjalori në vitet e mëvonshme nuk do ta dëmtonte aq shumë gjuhën shqipe ashtu edhe siç natyrshëm ndodhi më botimin e tij. Sidoqoftë fjalori i Kristoforidhit u botua pas vdekjes së autorit më 1904 nga i nipi i Kristoforidhit në Athinë.
    Fjalori i Kristoforidhit është kontribut i punës së tij hulumtuese për afro 20 vjeçare. Ai punoi duke grumbulluar fondin e thesarit leksikor. Gjatë kohë tuboi fjalë nga goja e popullit, duke bredhur nëpër vise e vendbanime të ndryshme, duke kontaktuar e dëgjuar gjuhën e gjallë të popullit shqiptarë nga nivelet, moshat dhe gjinitë e të folmet e ndryshme. Madje rreth punës së Kristoforidhit janë krijua legjenda, se çfarë metode përdori e çfarë entuziasti kureshtar ishte në këtë veprimtari hulumtuese. Kristoforidhi lexoi e punoi shume edhe në veprat e shkrimtarëve para tij. Për qëllime të hulumtimeve gjuhësore studioj Judin e Bogdanin veprat e të cilëve i pastroi nga barbarizmat. Kurse mbështetje për ketë kishte Fjalorin dhe veprën e Hahnit Albanichen Studiem 1845. Nga i cili fitoi bazën e njohurive shkencore. Përndryshe Fjalori i Kristoforidhit është në nivelin më të lartë e më i pasur në aspektin gjuhësor. Fjalori i Kristoforidhit është “i gjithë gjuhës së shqiptarëve, anë e kant mbë kant”.Pranë çdo fjale të shkruar në këtë fjalor, Kristoforidhi shënoi edhe vendin ku e voli atë fjalë, ose nga cila vepër e nxori dhe autorin e veprës, autori shënoi edhe variantet e shumë fjalëve. Nga kjo kuptohet, se ky fjalor është dëshmi e parë, se për të parën herë, gjejmë një fjalor të kompletuar e fjalor pasqyrëplote të gjuhës sonë të nivelit gjithëkombëtar. Që pos fjalëve, autori bëri edhe një punë të madhe gjuhësore, që ju gjeti gjenezën-etimologjinë e më se 70 fjalëve të shqipes. Në këtë vepër Kristoforidhi dha shkroi edhe një numër frazash me të cilat pasuroi frazeologjinë shqiptare edhe më këtë në gjuhësi shqiptare shënoi një hap përpara në pasurimin e fondit leksikor me neologjizma nga brumi i shqipes, duke ju ikur kalkeve e parafrazimeve të përshtatjes. Kështu Kristoforidhi, bashkë me Samiun, Vreton, Veçilharxhin e Naimin e famshëm, del puristi më i natyrshëm e lëruesi më i zellshëm i cili më përkushtim pasuroi gjuhën shqipe në kohën e Rilindje Kombëtare Shqiptare. Me një varg fjalësh të reja të Kristoforidhit të cilat edhe sot qëndrojnë në gjuhën letrare shqipe. Puna e ti është po aq e rëndësishme në qërimin e fjalëve të huaja në veprat e autorëve ë i punoi. Ashpër luftoi në drejtimin e pasurimit e pastrimit të gjuhës shqipe, sidomos kundër barbarizmave të greqishtes, turqishtes e latinishtes. Fjalori i Kristoforidhit i botuar më 1904 edhe sot është vepër e konsiderueshme e gjuhës sonë. Atë më vonë e përpunoi Aleksandër Xhuvani dhe të transkriptuar në alfabetin e sotëm, e botoi Instituti i Gjuhësisë në Tiranë më 1962.
    Kristoforidhi botoi në dy kryedialektet e shqipes novelën e parë të prozës shqipe “Gjahu i Malësorëve” më 1884, e cila përveç rëndësisë letrare ka edhe rëndësinë e madhe gjuhësore. Në poentë të kësaj novele është bashkimi kombëtar përmes veprimit ushtarak-revolucionar kundër sundimit osman, në këtë vepër autori dëshmoi aftësitë e veta krijuese në shfrytëzimin e mjeteve artistike në krijimtarinë letrare. Lëvruesi gjuhës shqipe ishte patriot i flakët, që pos rëndësisë që ka për gjuhën të cilën e punoi pa u lodhur, kontribut të madh ka dhënë edhe në hapjen e shkollave për arsimin e fëmijëve, por në ato shkolla në pjesën e fundit të jetës puno edhe vet në Elbasan. Bashkëpunoi me Nikolla Naçon në Bukuresht për botimin e veprave e teksteve shkollore shqipe, Kristoforidhi bëri shumë përpjekje për hapjen e shkollave shqipe edhe në vendbanime të tjera të Shqipërisë, ndërsa ato ekzistente i furnizoi me tekste mësimore në gjuhën shqipe, që do t’i hartonte me shumë vullnet. Kristoforidhi pat hartuar “Jetëshkronjën e Gutenbergut”.
    Vdiq nga një sëmundje e rëndë vetëm 8 vjet pas hapjes së mësojtorës së parë të shkollës shqipe të Korçës, më 7 mars 1895 në Elbasan. Vdiq atëherë kur pat harxhuar tërë pasurinë e trashëguar, e cila nuk ishte e vogël për punën gjuhësore dhe çështjen kombëtare shqiptare. Vitet e fundit pat mbetur i varfër, por shumë i nderuar dhe i dashur nga populli, që dëshmonte se kështu do ta shpërblente për gjithë kontributin e veprimtarisë së tij atdhetare. Vepra e tij sot çmohet e nderohet për kontribut nga lëruesi të zellshëm e njohësi të shkëlqyer të gjuhës shqipe, siç është Kristoforidhi, që me të drejtë bashkohasitë e tij, e pastaj edhe ne sot, e quajmë me arsye “Babai i gjuhës shqipe” Për gjitha këto Kristoforidhi ka merita të jashtëzakonshme për kombin, kurse ne ndaj jetës dhe veprës së tij, kemi konsideratë dhe obligim

    Reply to this comment
  3. Ilir Mborja December 11, 00:03

    Nga ky shkrim kuptojme se ku synojne te gjithe ata qe duan gjoja te fusin ne gjuhen standarde paskajoren gege. (Krejt pa sens qe ne nje gjuhe te egzistojne dy paskajore?!) Ata qe ulerijne per kete, duan vetem ta ndajne ne dysh gjuhen shqipe. Perderisa Kristoforidhi i shkruante ne te dy dialektet shkrimet e veta, tregon se kjo gje ishte e pamundur. Vetem nje dialekt ngrihet ne norme dhe ai pasurohet me te gjitha te folmet e tjera te nje populli. Eshte ajo qe ndodhi dhe u kurorezua me 1972-shin, dhe qe kish nisur qe me Alfabetin e Stambollit e me vone te Manastirit (1908). Respekt per geget e medhenj qe hodhen themelet e nisen perbashkimin e gjuhes sone si: Ndre Mjeda, Kristoforidhi, Fishta, Xhuvani, Selman Riza, korifeu Kostaq Cipo, Mahir Domi etj… Nje shkrim ne vlereqe deshmon ate qe thame me siper, nga profesor Xhevat Lloshi, (fatkeqesisht) nga te paktet profesore serioze qe na kane mbetur…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*