“Pse ai më fajëson mua? Unë nuk i kam bërë atij asgjë të keqe…”

February 5, 2018 00:12

“Pse ai më fajëson mua? Unë nuk i kam bërë atij asgjë të keqe…”

Kanë kaluar disa vjet, kur për herë të parë shkrova për “Krizën e Burrit në Mesin e Jetës.”.  Që nga ajo kohë, në adresën time elektronike, shumë njerëz, më shumë gra, kërkojnë të dinë për këtë krizë. Me sa duket, më shumë njerëz dinë për të dhe kërkojnë ndihmë.

Ne jetojmë në një periudhë ku të gjithë kanë arsye të jenë të stresuar.   Vështirësitë ekonomike, humbja e punës, rritja e çmimit të jetës, kriza politike e tejzgjatur- janë vetëm pak nga ato faktorë që na bëjnë të gjithëve të frikësohemi, të frustrohemi, të irritohemi dhe të egërsohemi.

Përballimi i këtyre vështirësive është i mundimshëm për të gjithë, burra e gra.  Por për një burrë në moshën e mesme, i cili fshehurazi, pa ia ditur kush hallin, kalon nëpër  momentet më të vështira, biologjike dhe fiziologjike, të jetës së tij, siç është ” Kriza e burrit në mesin e jetës”,  kjo është një ngarkesë, që nuk mund të përballohet vetëm.

Ky burrë, që për arsye fiziologjike, ka  humbur  aftësitë e tij seksuale (qoftë edhe jo plotësisht), pëson një goditje të madhe në “burrërinë” e tij. Karakteri i tij ndryshon dhe ai bëhet një tmerr i vërtetë për gruan dhe familjen. Fatkeqësisht numri i këtyre burrave që vuajnë këtë gjendje është rritur.

Ja çfarë shkruan një grua:

“Emri im është L…. Para disa kohësh në gazetën “Shekulli” kam lexuar për herë të parë për “ Krizën e Burrave në Mesin e Jetës” dhe dëshiroj t’u shkruaj për shqetësimet që  jam duke kaluar me burrin tim. Jetoj me burrin prej 11 vjetësh dhe në të vërtetë, kishim marrëdhënie shumë të mira, madje ishim miq të mirë. Në Marsin që shkoi ne blemë një apartament të ri. Ai ishte shumë i kënaqur dhe kishte shumë plane për ta zbukuruar apartamentin. Në muajin Prill ai mbushi 50 vjeç. Filloi të tërhiqet nga kërkesat që kishte për jetën. Filloi  të pijë çdo natë dhe kur kthehet në shtëpi nuk bën gjë tjetër, veç  qëndron para televizorit. Për marrëdhënie intime nuk bëhet fjalë.

Ai nuk flet me mua, thuajse, fare. Shumë fundjava i kalon jashtë me shokët, të cilët kanë qenë, krejtësisht, jashtë karakterit të tij. Ka javë që nuk vjen fare në shtëpi. Edhe kur vjen, ai shpërthen kundër meje. Është si një çajnik që do ta nxjerrë të gjithë avullin jashtë. Karakteri i tij ka ndryshuar shumë nga më parë.

Shpesh,  më thotë se më urren, se nuk dëshiron të bëjë asgjë bashkë me mua, madje, nuk më shikon dot.  Kanë kaluar dhjetë javë që kur filloi kjo situatë. Para dy javësh mblodhi të gjitha plaçkat e tij dhe u largua nga shtëpia. Gjithçka tjetër e ka lënë këtu. Nuk më përgjigjet në telefon. Nuk di çfarë të bëj. Dua vetëm të di se çfarë mendon ai, apo është, krejtësisht, i paaftë të mendojë?.

Faleminderit L….

Ja dhe një letër tjetër. E kam marë nga M..,një grua 48 vjeçe dhe nënë e tre fëmijve.

“Muajin e fundit një burrë me fytyrën e burrit tim, erdhi nga puna në shtëpi dhe bëri veprime që nuk ngjanin fare me të burrit, me të cilin unë isha martuar. Unë e njihja këtë burrë prej 30 vjetësh, 22 prej tyre, e martuar me të. Kurrë më parë nuk e kisha takuar këtë burrë. I zëmëruar, i keq, torturues, janë këto, vetëm pak fjalë, për ta përshkruar atë. Ai ishte personi më optimist  dhe më i lumtur që kisha njohur. Tani nga një burrë i mirë ai është bërë një burrë i keq. Pavarësisht, si  më trajton ai mua, unë akoma e dua burrin tim dhe dua ta shpëtoj martesën tonë. Të lutem a mund të më ndihmosh “

Jam i bindur se ka shumë gra  të tjera, shoqe të këtyre grave, që  vuajnë kështu. Por, ka edhe shumë burra, që kur i lexojnë këto rreshta, gjejnë veten në to.

Siç e dini, ka shumë vjet, që merrem intensivisht me problemet e jetës seksuale të burrave dhe grave. Në këto vite kam takuar, personalisht, ose nëpërmjet mesazheve, shumë burra dhe gra që përballen me “krizën e burrit në mesin e jetës”. Pyetja më e shpeshtë që bëjnë gratë e këtyre burrave është:  Pse ai më fajëson mua? Unë nuk i kam bërë atij asgjë të keqe.

Shumica e burrave nuk janë të vetëdijshëm për këto ndryshime jetësore. Në pjesën më të madhe të tyre, këto ndryshime  janë të mbuluara e të fshehura nga vetë burrat. Ata,vetëm, ndjejnë dhimbje dhe kjo i bën  të zemëruar. Ndërkaq,  ata gabimisht dhe pa arsye, fajësojnë gratë. Pse? Sepse gruaja është më afër me burrin dhe ai  ndjen se nga ajo varet  mirëqenia e tij emocionale. Për ata, fajin pse e humbën aftësinë për seks e kanë gratë. Ato nuk janë më tërheqëse dhe eksituese për ta. Është kjo arsyeja, që shumë prej tyre, në kërkim të “burrërisë” të humbur, kërkojnë seks me vajza të  reja. Kjo ka sukses për pak kohë. Ata e ndjejnë se kanë nevojë për gratë e tyre, por i tremben vartësisë prej tyre, tani, që kanë humbur “burrërinë”

Ka katër shkaqe kryesore për krizën e burrit në mes të jetës:

1-Lëkundjet në nivelin e hormoneve. Bije niveli i testosteronit në gjak.

2-Në mes të jetës, ndryshon raporti i mediatorëve kimikë në trurin e burrit.

3-Gjendjet Stresore, si pasojë e kushteve ekonomike dhe sociale, bëhen më të rënda.

4-Impotenca seksuale e shkallëve të ndryshme, shkakton tek këta burra një konfuzion të madh mendor.

E para gjë që do t’u thosha burrave të prekur nga kriza e mesit të jetës është: “Nuk është gruaja problemi juaj. Problem është jeta juaj. Mos fajësoni gruan  për dhimbjen që ndjeni dhe përpiquni të gjeni shkakun e vërtetë  të vuajtjes tuaj.”

Grave të këtyre burrave do t’u thosha: ”Nuk është faji juaj që ai është i zëmëruar dhe i  shqetësuar. Ai ka dhimbje. Ju, gabimisht, jeni bërë  objekt i atakut të tij. Ju mund ta ndihmoni burrin, por në radhë të parë duhet të filloni të bëni më shumë kujdes për veten tuaj.”

Çfarë do të thotë  të bëni më shumë kujdes për veten? Po rreshtoj  disa ide:

-Mos fajësoni veten. Përcaktoni kufij të qartë e të shëndetshëm me burrin dhe përmbajuni këtyre kufijve. Në qoftë se nuk i vini dot këto kufij vetë, kërkoni ndihmën e një specialisti. Po qe se nuk i vendosni këto kufi, ju do të ndjeheni gjithë kohën të frikësuara dhe fajtore. Jepini rëndësi plotësimit të nevojave tuaja,  përpara se gjendja e juaj  të bëhet kritike.

-Përcaktoni prioritetet e jetës tuaj dhe mundohuni ta zgjeroni  listën e këtyre prioriteteve. Për shembull, po qe se keni dashur që ta arrinit diçka, shtoni përpjekjet për ta arritur qëllimin që keni pasur. Po qe se keni dashur të frekuentoni palestrën, shkoni. Filloni një program meditimi. Po qe se kishit menduar  të konkurronit për një pozicion më të mirë, mos hiqni dorë.

-Siguroni mbështetjen e miqve, të familjes, të një specialisti, po të doni edhe të priftit ose hoxhës tuaj. Të gjithë këta mund të jenë anëtarë të skuadrës që do t’u mbështesë. Mos u largoni nga marrëdhëniet me njerëzit. Përqendrohuni në këto marrëdhënie dhe mos i harxhoni të gjitha energjitë e forcat tuaja mendore, për të gjetur arsyet e sjelljeve të këqija të burrit.

-Mos fajësoni veten për sjelljet dhe veprimet e burrit.  Po të ndjeheni me faj dhe të turpëruara, ju do të ndjeheni të pafuqishme dhe të paralizuara. Faji dhe turpi do t’u shtypin dhe do t’u pengojnë të rriteni psiko-emocionalisht. Kuptoni dhe besoni se  ju keni të drejtë, se jeni të  mira e tërheqëse, ashtu siç keni qenë. Kjo është e vërtetë dhe ju këtë duhet ta besoni.  Bëni gjithçka, që vendimet që do të merrni për jetën tuaj, t’i merrni duke u nisur  nga këto  pozicione.

Dr. Adem Harxhi

 

February 5, 2018 00:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*