Pse askush nuk mundet kundër një prej mafieve më të rrezikshme të botës

July 15, 2017 15:54

Pse askush nuk mundet kundër një prej mafieve më të rrezikshme të botës

4 korrikun e shkuar, qindra policë dhe karabinierë morën pjesë në një nga operacionet më të mëdha kundër Ndrangetës, mafies kalabreze, që rezultoi me 116 arrestime.

Mes të arrestuarve përfshihen kryebashkiakët e dy qyteteve italiane.

Të gjithë të ndaluarit akuzohen për trafik droge dhe armësh, vrasje, grabitje dhe gjobvënie.

Megjithatë, vërtetimi i përfshirjes në krim të personave të arrestuar do të jetë akoma më i vështirë se ndalimi i tyre.

Të ardhura multi- milionëshe

Me origjinë nga Italia e Jugut, Ndrangeta është aktualisht një nga organizatat më të fuqishme kriminale në botë, “tentakulat” e të cilës janë zgjatur deri në Amerikë, Evropë dhe Australi.

Sipas Institutit të Kërkimeve socialo- ekonomike, Demoskopika, Ndrangeta  ka gjeneruar të ardhura po aq sa “Deutsche Bank” dhe “McDonald” së bashku, në vitin 2013.

Gjithashtu, studimet e vitit 2015 tregojnë se Ndrangeta ka të ardhura vjetore rreth 50 miliardë euro, që përkthehen në 2.5% të PBB të Italisë. Ato vijnë kryesisht nga trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe krimeve tradicionale si gjobvënie dhe zhvatje.

John Paul Getty III

E pushtetshme dhe e pakapshme

Organizata ka nisur aktivitetin e saj kriminal në shekullin e XIX, por fitoi famë në vitet 1960 dhe 1970, kur anëtarët e saj filluan të rrëmbenin njerëz të famshëm.

Rasti më i përfolur ka ndodhur në vitin 1973, pas rrëmbimit të nipit të manjatit të naftës Paul Getty, John Paul Getty III. Familja e tij mori tre kërkesa për para në këmbim të lirimit të tij.

Getty nuk pranoi të paguajë derisa mori në zarf veshin e nipit të tij. Në fund, ai u lirua.

Nëntë anëtarët e klanit u arrestuan pas rrëmbimit, por vetëm dy prej tyre u burgosën.

Në mesin e viteve ‘80, Ndrangeta krijoi një rrjet botëror të narkotrafikut. Aktualisht grupi kontrollon deri në 80% të kokainës në Evropë.

 

Pasquale Condello, një nga liderët e Ndrangetas, i arrestuar më 19 shkurt, 2008.

Pse është e paarritshme?

Ndrageta është një klan familjar, gjë që e bën të vështirë hetimin e kësaj organizate. Zgjerimi i saj global vjen për shkak të besnikërisë absolute dhe “omerta-s” (ligji i heshtjes). Thyerja e këtij ligji është njësoj si të tradhtosh familjen dhe dënohet me vdekje.

Sipas ritit, tradhtarëve u presin gjuhën, u vendosin një gur në gojë dhe pasi vriten, u lënë këpucët bashkë me kufomën.

Falë “omertas” Giuseppe Giorgi, një nga drejtuesit e kësaj organizate, u bë “i padukshëm” për 23 vjet. Por më në fund, kreu i Ndragetës u arrestua 2 qershorin e shkuar dhe tani e presin 28 vjet dhe 9 muaj burg.

Dita

July 15, 2017 15:54