Pse duhet shpëtuar Komani?

Ndoc Selimi* February 1, 2015 19:22

Pse duhet shpëtuar Komani?

Jo shtyllave të tensionit të lartë mbi këtë kulturë!

Historia e zbulimit zë fill në shekullin e XIX pas Krishtit kur historiani gjerman Heinrich Schlieman (Henrik Shlieman 1822-1890) nisur nga legjendat homeriane më 1879 zbulon Trojën. Lajmi i këtij zbulimi u përhap me shpejtësi në gjithë botën dhe shtypi i kohës e quajti “Zbulimi i shekullit”. Kjo gjetje bëri që qindra apasionantë, historianë, kureshtarë, thesarokërkues, hajdutë etj., t’i suleshin vendeve historike që visheshin me legjenda. Këtë fat pati edhe Kalaja e Dalmacës dhe varret përreth. Në mes të nekropulit ndodhej një lis që i bënte gjethet ndryshe nga të tjerët dhe populli e kishte pagëzuar si “Lisi i Floririt”, sikur poshtë rrënjëve të tij fshiheshin kazanë me florinj. Kësaj legjende nuk i shpëtoi as Franz Baron von Nopcsa kur thotë më 1863 “…se po të zbulohej ky thesar, kuajtë nuk do të mbatheshin me hekur, por me ar!” (Nopcsa, “Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore” A. I. Historisë Tiranë, dorëshkrim)

Rreth njëzet vjet më vonë pas bujës së Trojës, në janar të vitit 1898, ngjitet në Kala të Dalmacës konsulli francez i akredituar në Shkodër Alexandre Degrand dhe nis gërmimet pikërisht te lisi i i legjendës, por lumturisht ai nuk gjen kazanë me florinj, por varre të vjetra e brenda tyre objekte e stoli të një kulture të panjohur deri atëherë. Këto gjetje u bënë objekt diskutimi në qarqet e historianëve europianë të asaj kohe dhe për herë të parë u fol me gjysmë zëri për vazhdimësinë iliro-shqiptare të ekzistencës. Lënda e zbuluar prej tij 3gjendet në muzeun Saint Germain des France. Interesi dhe habia e këtij vendbanimi mesjetar tërhoqi vëmendjen e të gjithë arkeologëve dhe historianëve të Europës si Theodor Ippen, i cili boton dy libra historikë: “Starin iz Albania”, Sarajevo, 1901 dhe “Denkmaler Verschiedener Alttersstufen in Albanien”, Wien, 1907 (“Kultura e Komanit” fq. 16-22). Pastaj bënë dy vjet gërmime Paul Trager, i cili boton librin “Mittheilungen und funde aus Albanien” më 1900 (Varreza e Dalmacës fq. 42-52). Lënda e grumbulluar prej tij ndodhet në Muzeun e Berlinit Konigl Museum fur Velkerkunde. Deri në fundin e Luftës Dytë Botërore, ky vend arkeologjik u bë pre e të huajve midis të cilëve emra të njohur të historisë dhe kulturës europiane si: S.Reinah, L.Ugolini, L.Rei, H.Bule, D.Mustili, M.Garasanin, J.Kovaçiev, J.Koreshec, H.Cais, J.Werner si edhe shqiptarë si Shtjefen Gjeçovi e Etërit Jezuitë. Këta të fundit ngritën edhe një muze në Shkodër. Pra, siç shihet, interesimi i botës kulturalo-historike europiane tregon rëndësinë e kësaj qyteze mesjetare dhe potencën e saj.

Në verën e viti 1961 nisën gërmimet për herë të parë në Varrezat e Dalmacës nga arkeologët shqiptarë të udhëhequr nga profesorët e nderuar Hëna Spahiu dhe Skënder Anemali. Materiali i gjetur u grumbullua pranë Muzeut Arkeologjik në Tiranë dhe arkeologët e historianët, pas analizave që iu bënë materialeve të gjetura u ra në një linjë me shumë studiues të huaj që e datojnë lulëzimin e kësaj kulture nga shekujt e VI-IX dhe që shtrihet deri në shekullin e XIII pas Krishtit. Për ta bërë sa më prezent në qarqet ndërkombëtare trashëgiminë iliro-shqiptare, në vitin 1969 mbajnë një këshill shkencor në Tiranë, ku punimet e simpoziumit u botuan në shqip dhe në gjuhën frënge “Les Illyriens et gene des Albanies”, duke botuar punimet e tyre S.Anemali, M.Korkuti, B.Jubani, H.Ceka, 4E.Çabej, J.Gjinari dhe A.Gjergji. Kumtesa e arkeologes Hëna Spahiu gjendet e botuar te “Konferenca e Dytë e Studimeve Arkeologjike”, 1969, fq. 247-271. Më 1972 mbahet një tjetër simpozium me pjesëmarrjen e shumë përfaqësive të huaja. Arkeologët dhe historianët tanë shpallën haptazi e me fakte të pamohueshme para botës se shqiptarët janë pasardhësit direkt të ilirëve – tezë të cilën bota shkencore e pranoi plotësisht.

Stipçeviç thotë: “Kultura e Komanit është një kulturë e një populli që në shekullin VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare” (Stipçieviç, “Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”, Toena, 2002, fq. 72).

Ndërsa John Willkes thotë: “Teza shqiptare se varrezat e trevës Komanit përfaqësojnë një vazhdimësi mbështetet në një sërë argumentesh…” (J.Willkes, “Ilirët”, Tiranë 2005, fq. 287).

Vendbanimi i mesjetës së hershme mbi Koman shtrihet në një sipërfaqe që i kalon të 90 ha dhe i kapërcen 2000 varre. Brenda dhe jashtë kësaj shtrirje gjenden rrënojat e 10 kishave të zbuluara deri tani si dhe një ipeshkëvi. Kështu vinë me radhë Kisha e Shën Ndreut, Kisha e Shën Katerinës në Bytyçin e Buzhalës, Kisha e Shën Gjergjit, Kisha e Shën Nikollës, Kisha e Shën Gjonit, Kisha e Shën Shirgjit (Sergjio), Kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Shën Ndojit, Kisha e Shën Teodorit dhe Kisha e Shën Markut. Thuhet se është edhe një tjetër e quajtur e Shën Aleksandrit. Të gjitha këto kisha shtrihen nën tokë e mbi tokë, por të tëra rrënoja, kur bota e përparuar i ka në këmbë e funksionale. Tash së fundi prej shtat vjetësh po punon ekspedita e udhëhequr nga arkeologia Etleva Nallbani (Qendra Nacionale e Kërkimeve Shkencore franceze, Shkolla Franceze e Romës, në bashkëpunim me Institutin arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Shqipëri) dhe kundër asaj që ishte thënë deri në këtë kohë, kjo ekspeditë zbuloi një qytet të tërë të nëndheshëm, vend punimin e metalit si dhe qeramika dhe amfora të tipit “Otranto”, të cilat deri tani mendohej se i mungonin këtij metropoli. Në një interviste për TV të vitit 2012 arkeologia Nallbani thotë: “Jemi mësuar ta shohim përciptas Kulturën e Komanit, por tani që ky rajon po kthehet në referencë për studiuesit dhe arkeologët, sepse jep dijeni të bollshme dhe me tepër vlerë për periudhën e errët të historisë që ka një mungesë të plotë informacioni. Kërkimet dhe puna për ta kthyer në një muze të gjallë do të vazhdojë, sipas projektit, edhe për 20 vitet e ardhshme dhe atëherë do të jetë një ndër pikat turistike më të vizituara të vendit tonë” (Top-Channel TV, 2012). Por zonjës Nallbani nuk do t’i shkonte kurrë ndër mend se tre vjet më vonë do planizohej një projekt shkatërrues i ëndrrave të saj dhe i gjithë asaj zone. Shumë kundërvënie ka pasur ky zbulim në dy shekujt e fundit dhe shumë kundërshtarë historikë si serb etj. janë munduar të hedhin tymra mbi këtë kulturë dhe përgjithësisht mbi vazhdimësinë e ekzistencës iliro-shqiptare. Në Koman u ndërtua Hc më i madh i vendit dhe asnjë metër katror i metropolit në përgjithësi dhe as nekropolit në veçanti nuk është cenuar.

5Më datën 12 dhjetor 2014, me vendim nr. 367, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës znj.Mirela Kumbaro aprovojnë planin për kalimin e trasesë së tensionit të lartë OST Shqipëri-Kosovë në mes e paralel me vendbanimin mitik të Komanit ose sitin arkeologjik të tij duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm historisë dhe arkeologjisë shqiptare përfshirë edhe atë ballkanike. Aprovimi i këtij plani në terren prish panoramën historike dhe atë natyrore, bën pamundësinë e vazhdimit të zbulimit të plotë të qytetit nëntokësor, ndikon në mjetet e sofistikuara elektronike e mikrovalëve, ndalon sponsorët e huaj për donacionet, largon turistët e shumë dëme të tjera si ambient duke e nxjerrë plotësisht në harresë njërën prej perlave arkeologjike të Shqipërisë. Në kuptimin e plotë të fjalës aprovimi i këtij plani me dashje apo pa dashje, nga padija apo nga pazotësia e informacioni i nevojshëm e ngarkon këtë komision me faj të rëndë para historisë, kombit e të ardhmes, prandaj të mos ngulet këmbë në krah të së keqes, kur nuk është akoma vonë për një devijim të tre deri katër shtyllave duke bërë të mundur shpëtimin e metropolit mesjetar dhe vazhdimin e punimeve për linjën e transmetimit Shqipëri-Kosovë.

Shumë pak e dinë se fshati piktoresk i Komanit është quajtur dikur “Misia e Vogël” dhe se shumë kalimtarë të huaj e kanë çmuar si një perlë të Veriut. E ardhmja e këtij fshati paraqet mundësinë e një turizmi natyror, ujor, malor dhe arkeologjik. I vetmi fshat që i ka shpëtuar hemorragjisë dhe bjerrjes së popullsisë së viteve të fundit është pikërisht Komani, të cilin po e boshatisim me duart tona. Prandaj i themi Jo projektit shkatërrues të linjës së tensionit të lartë OST mbi Koman si në zonën A, ashtu edhe në zonën B.

 *Banor i Komanit 

Ndoc Selimi* February 1, 2015 19:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*