Pse e kemi kaq të vështirë distancimin social?

March 26, 2020 09:44

Pse e kemi kaq të vështirë distancimin social?

Distancimi social ishte masa e parë me të cilën vende të ndryshme iu përgjigjën koronavirusit. Një masë kufizuese që nuk është dhe aq e lehtë të respektohet.

Pse e kemi të vështirë të rrimë larg të tjerëve, edhe në kohën kur teknologjia na e bën shumë më të lehtë komunikimin në krahasim me shumë vite më parë.

Përgjigjen me shumë gjasa mund ta gjejmë nëse kthejmë kokën pas në historinë tonë të evolucionit.

Njerëzit janë pjesë e një grupi shumë të shoqërueshëm, primatët. Primatët dallohen nga kafshët e tjera për aftësinë e tyre për të përdorur duart dhe mënyrat e ndryshme të lëvizjes dhe për nivelin e lartë të bashkëveprimit shoqëror.

Në krahasim me gjitarët e tjerë me të njëjtën madhësi të trupit, primatët kanë edhe tru më të madh. Ky ndryshim në madhësinë e trurit mund t’i detyrohet faktit se primatët janë specie të përballura me sfida ekologjike si aksesi në ushqime që është e vështirë të arrihen. Kjo mund të kërkojë një tru më të sofistikuar.

Truri ynë në përmasa më të mëdha duket se ka të bëjë më shumë me menaxhimin e marrëdhënieve tona sociale sesa me aftësitë tona të mbijetesës. Madhësia e trurit në të gjithë gjitarët është e lidhur me mirëkuptimin dhe inteligjencën. Te primatët, ajo lidhet gjithashtu pozitivisht me madhësinë e grupeve sociale.

Të jetuarit në grup kërkon që ne të kuptojmë marrëdhëniet, miqësore dhe konfliktuale, me të tjerët përreth nesh. Për primatët, të kujtuarit e asaj sesi dy individë kanë bashkëvepruar në të kaluarën dhe se si ata mund të ndihen për njëri-tjetrin tani, është njohuri e nevojshme kur vendosni se kujt t’i drejtoheni për ndihmë. Aftësitë shoqërore janë pra themelore për mbijetesë në situata në grup.

Truri njerëzor është edhe më i madh se ai i primatëve të tjerë. Nëse e zbatojmë rregullin e shkallëzimit te vetvetja, do të parashikonim një madhësi mesatare të grupit social prej rreth 150 personash. Ky parashikim duket se është i vërtetë. Vendet e punës, për shembull, është provuar se funksionojnë më mirë kur nuk ka më shumë se 150 të punësuar.

Pse jetojmë në grupe?

Të jetosh në një grup ofron avantazhe të ndryshme. Grupet më të mëdha kanë mbrojtje më të mirë ndaj rivalëve dhe grabitqarëve. Ata shpesh janë më të aftë të gjejnë ushqim – më shumë palë sy që kërkojnë pemë frutore do të thotë më shumë sukses – dhe ata janë më të aftë ta mbrojnë atë ushqim nga konkurrentët.

Ka edhe përparësi riprodhuese. Sa më i madh të jetë grupi, aq më shumë ka të ngjarë që çdo individ të jetë në gjendje të gjejë një partner të përshtatshëm.

Në më shumë specie sociale, ekziston gjithashtu mundësia e përkujdesjes alternative për të mbajtur fëmijë ose për të mësuar të rinjtë. Të vegjlit e primatëve kanë shumë aftësi të ndërlikuara shoqërore dhe fizike për të mësuar. Jetesa në grup u jep atyre më shumë mundësi për t’i zhvilluar ato aftësi në një mjedis të sigurt nën syrin vigjilent të një plaku.

Më në fund, grupet më të mëdha shoqërore kanë më shumë aftësi për të gjeneruar, ruajtur dhe transmetuar njohuri. Anëtarët më të vjetër janë më të shumtë në grupe më të mëdha. Ata mund të na kujtojnë se si të përdorin burime të vështira ose të pazakonta dhe janë në gjendje t’u tregojnë të tjerëve se si ta bëjnë këtë. Kjo mund të nënkuptojë ndryshimin midis mbijetesës ose vdekjes. Për shembull në raste thatësire, vetëm anëtarët më të vjetër të grupit mund të mbajnë mend se ku janë vrimat ku mund të gjendet ujë.

Kaq të ndryshëm

Të qenit e ndryshëm në një farë mënyre shpjegon pse të qenit i izoluar në shoqëri mund të jetë kaq e pakëndshme për ne. Njerëzit modernë janë një ndër speciet më sociale nga të gjithë gjitarët.

Ndërsa kemi evoluar që nga ndarja jonë nga shimpanzetë, truri ynë ka vazhduar të zgjerohet. Kjo rritje duket se shkon paralel me një besim edhe më të shtuar ndaj komunitetit.

Disa nga tiparet tona dalluese, përfshirë gjuhën dhe kulturën, sugjerojnë që njerëzit modernë varen veçanërisht nga jeta shoqërore. Sidoqoftë, dëshmia më bindëse mund të vijë nga një tipar i yni karakteristik: ndarja e punëve.

Ndarje e punës do të thotë që ne ndajmë detyra të ndryshme njerëzve për grupeve të ndryshme. Në shoqëritë gjuetar-grumbullues, disa individë mund të shkojnë në gjueti, ndërsa të tjerët mbledhin bimë, kujdesen për fëmijët ose prodhojnë veshje ose mjete.

Njerëzit e përdorin këtë strategji më shumë se çdo primat tjetër. Sot, ka shumë njerëz që kurrë nuk kanë gjuajtur ose prodhuar ushqimin e tyre – këto detyra ua kanë deleguar njerëzve të tjerë ose ndërmarrjeve, si supermarketet. Kjo do të thotë që ne jemi të lirë të punojmë për gjëra të tjera, por gjithashtu na bën të varur intensivisht nga rrjetet tona sociale për nevojat e përditshme.

Një perspektivë evolucionare

Ne kemi evoluar në krijesa sociale dhe nuk është aspak çudi që shumë prej nesh të mos gjenden komodë në situatën e distancimit social. Megjithatë, nuk është fundi i botës. Socializimi intensiv i njerëzimit ka evoluar gjatë një periudhe shumë të gjatë kohore për të na bërë të aftë të ruajmë marrëdhënie me një numër të madh njerëzish dhe kështu të përmirësojmë shanset tona të përbashkëta për mbijetesë.

Tashmë kemi një gjuhë simbolike dhe aftësi të mëdha kulturore dhe teknologjike. Nëse nuk do t’i kishim bërë këta hapa, nuk do të jetonim dot në shoqërinë tonë gjithnjë e më globale, ku mbajtja e lidhjeve personale me të gjithë ata nga të cilët varemi është efektivisht e pamundur.

Masat aktuale të distancimit social, në të vërtetë, kanë të bëjnë me distancën fizike. Por sot, distanca fizike nuk ka pse të nënkuptojë izolimin shoqëror.

Historia jonë e pasur njerëzore e administrimit të bashkëveprimit shoqëror në mënyra të reja sugjeron se ne kemi talentin për t’u përshtatur dhe inovacionet për të kompensuar vështirësitë. Në 20 vitet e fundit, bumi i smartfonëve, interneti dhe mediat sociale na ka shndërruar në “super-komunikues”. Kjo është dëshmi e dëshirës sonë të thellë për t’u lidhur me njëri-tjetrin.

Majmuni që kemi brenda vetes dëshiron shoqërinë, dhe në këtë kohë të distancës fizike, këto metoda moderne të mbajtjes së kontaktit, janë në maksimumin e tyre.

The Conversation

j.l./ dita

March 26, 2020 09:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim