Pse Greqia nuk do të ndjekë shembullin e Lindjes

Ivan Krastev July 28, 2015 15:56

Pse Greqia nuk do të ndjekë shembullin e Lindjes

Alexis Tsiprasi vetëquhet marksist, pra duhet ta njohë teorinë, sipas të cilës historia përsëritet dy herë, të parën si tragjedi, të dytën si një farsë.

Në 31 tetor 2011, kryeministri i atëhershëm i Greqisë, George Papandreou shpalli vendimin e thirrjes së një referendumi për programin e shpëtimit të propozuar nga trojka (BE, BQE dhe FMN). Por referendumi nuk ndodhi kurrë. Pas reagimit të fortë të Berlinit dhe Brukselit, qeveria greke braktisi idenë dhe reformat u votuan në parlament. Në vijim, socialistët e Papandreout humbën zgjedhjet dhe sot pothuajse janë zhdukur nga politika.

Ideja e referendumit u rishfaq për herë të dytë me iniciativë të Tsiprasit. Këtë herë u votua vërtetë dhe një shumicë e madhe hodhi poshtë kushtet e trojkës. Por rezistenca e Greqisë zgjati vetëm shtatë ditë, më pas Tsiprasit iu desh të lëshojë.

Zgjidhja e përkohshme e krizës greke demonstron se, me qëllim që monedha e përbashkët europiane të mbijetojë, zgjedhësit e vendeve në borxhe duhet të privohen nga e drejta e tyre për të ndryshuar politikën ekonomike, ndonëse do të ruajnë të drejtën për të ndryshuar qeveritë.

Me rebelimin e Athinës, udhëheqësit europianë janë gjendur përballë një zgjedhjeje të vështirë. Mund të lejonin që Greqia të falimentonte, duke vënë kështu në rreizk monedhën e përbashkët, shkatërruar ekonominë greke dhe përcjellë mesazhin se në një bashkim politikë kredidhënësish dhe debitorësh, nuk ka vend për solidaritet. Ose mund ta shpëtonin vendin me kushtet e Tsiprasit, duke treguar kështu se shantazhet politikë funksionojnë, dhe si pasojë duke forcuar partitë që janë kundër masave shtrënguese në të gjithë kontinentin. Por udhëheqësit europianë kanë gjetur një zgjidhje të tretë: të shpëtojnë Greqinë, por me kushte kaq të rëndë, saqë asnjë qeveri tjetër nuk do të ketë tundimin të ndjekë shembullin. Tsiprasi është bërë kështu prova e gjallë e idesë që “nuk ka alternativë” ndaj politikave aktuale ekonomike të Bashkimit Europian.

Pasojat e menjëhershme të marëveshjes janë një qeëtsi më e madhe e tregjeve, humbja e grekëve dhe skepticizmi i gjermanëve. Pra, Europa duhet të festojë? A është e mundur që e gjithë kjo të shërbejë, jo për t’i poshtëruar grekët, por për t’i riedukuar?

Edhe pse shumëkush në Bruksel shpreson që grekët e kanë nxjerrë mësimin, është e mundur që paketa e re e refoemave do të favorizojë radikalizimin e disa forcave politike të Europës, dhe përhapë apatinë e Greqisë.

E majta greke nuk ka arritur të sigurojë kushte më të mirë, dhe ka shumë gjasa që ata që do të përfitojnë nuk do të jenë të moderuarit, por e djathta antieuropiane. Udhëheqësit europianë mund të jenë krenarë që kanë mbajtur të bashkuar Unionin, por çmimi për shpëtimin ekonomik të Greqisë, duke e humbur atë politikisht është transformimi i projektit, nga një i ngritur mbi shpresa dhe aspirata, në një projekt që mbijeton falë frikës dhe konfuzionit.

Kancelarja gjermane, Merkel, është e bindur se Greqia mund të transformohet siç i ndodhi Europës qendrore dhe lindore. Por kjo ide duke e pabazë, të paktën për momentin. Masat e adoptuara nga Gjermania pas krizës financiare të vitit 2009 janë ndikuar fort nga shpresat e viteve nëntëdhjetë, kur Berlini ndihmoi vendet ish komuniste që të realizonin ndryshime të rëndësishëm, ekonomikë dhe politikë.

Por situata e Greqisë sot është shumë e ndryshme nga ajo e Polonisë, apo e Bullgarisë në atë kohë. Eshtë e vërtetë që Europa qendrore dhe lindore kaluan një recesion të krahasueshëm me atë grek të pesë viteve të fundit, dhe që shumë reforma, të cilat i kërkohen grekëve, janë vënë në zbatim me sukses nga ish vendet komunistë. Por ka një faktor që i dallon këta të fundit, nga Greqia e sotme: pritshmëritë që qytetarët kishin për të ardhmen.

Edhe pse ekonomitë e Europës qendrore dhe lindore ishin në kaos, banorët e tyre ishin optimistë: i shihnin reformat si një etapë e dhimbshme, por relativisht e shkurtër në rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë. Ndërsa në Greqi mbretërojnë mosbesimi dhe pesimizmi: reformat po shihen si mohim i të ardhmes. Sondazhet tregojnë se shumcia e qytetarëve pret që bijtë e tyre të jetojnë më keq se ata vetë.

Ky dallim shpjegon përse në Europën postkomuniste, reformat u mbështetën fort nga të rinjtë, ndërkohë që në Greqi, 85% e personave mes 18 dhe 24 vjeç, dhe 72% mes atyre mes moshës 25 dhe 34 vjeç, kanë votuar kundër referendumit. Në vitet nëntëdhjetë, politikanët ia vunë fajin katastrofës ekonomike në regjimet e vjetër komunistë. Në rastin e Greqisë, regjimi i vjetër është Bashkimi Europian. Në Europën qendrore, Brukseli konsiderohej një mik dhe një aleat. Në Greqi konsiderohet një kredidhënës dhe një fuqi armike.

Shkurt, reformat që kanë funksionuar në një epokë optimizmi, nuk mund të kenë sukses kur mbretëron pesimizmi.

Përkthimi: Bota.al

Ivan Krastev July 28, 2015 15:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*