Pse i duhet pushtetit aktual “Komisioni i Veshit”

Nga DAUT GUMENI April 29, 2013 08:15

Pse i duhet pushtetit aktual “Komisioni i Veshit”

Si të mos mjaftonte ai banalitet i padëgjuar e i pabesuar e aq i shëmtuar, me të cilin Kuvendi i Rruzhdies  ka kohë që gostit shqiptarët e duruar e ka kohë që e ka bërë Shqipërinë gazin e botës, pardje nga ajo sallë e legjislativit shqiptar, e privatizuar nga pushteti që ka privatizuar Shqipërinë dhe e ka nxjerrë në shitje për një euro, u dëgjua dhe gjëmimi i radhës  për ngritjen e një komisioni të ri hetimor të Kuvendit, një komision që mund të quhet “komisioni i veshit”…

Çdo mendje normale do të pyeste me habi se ç’i duhet pushtetit aktual ky “komisioni i veshit” në prag të zgjedhjeve politike të 23 qershorit. Aq më tepër do të habitej çdo njeri i zakonshëm me ngutjen për ngritjen e “komisionit të veshit”, në një kohë që pushteti aktual i Tiranës po e shpie vendin në zgjedhjet “më të shkëlqyera në historinë e botës” pa Komision Zgjedhor e madje deklaron faqe tërë botës demokratike se mund t’i bëjë ato “zgjedhje të shkëlqyera” edhe fare pa pjesëmarrjen e opozitës(!)

Pse t’i duhet sot pushtetit aktual të Tiranës ky “komision i veshit”, pas atij goxha komisionit të famshëm hetimor monokromatik të Kuvendit të Rruzhdies , që u vërtetoi shqiptarëve dhe mbarë botës se këtij deli pushteti i paskëshin bërë “puç” të gjithë “armiqtë” e mundshëm ,të “partisë e të pushtetit popullor”, ku nuk përfshihej vetëm opozita e armatosur me stilolapsa-pistoletë, me çadra-pistoletë e me thika me helm”, por merrnin pjesë si “puçistë kundër qeverisë së ligjshme” edhe vetë Presidenti i Republikës, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe një bylyk me gazetarë në shërbim të “armikut”?…

Ndoshta shumë e shumë njerëz të thjeshtë të këtij vendi mund të mendonin se pushteti aktual i Tiranës mund të jetë nxehur aq keq nga era që duket se po fryn në dobi të rotacionit politik e doemos në dëm të jetëgjatësisë së këtij pushteti të rënduar keqas nga zullumet e veta, mund dhe të ketë pësuar njëfarë lajthitjeje nga mendja e kokës.. Sepse me atë barrë të rëndë zullumesh , nuk është aq e panatyrshme edhe një lajthitje e pushtetit të sëmurë. Por duket se këtë tërbim nervoz për të ngritur komisione hetimore, edhe duke shkelur ligjet në fuqi, ky pushtet nuk e ka nga lajthitja. Mbase e ka më shumë për të bërë një zhurmë të madhe propagandistike në prag të zgjedhjeve, që duket se i ka të humbura pa i filluar.

Nuk duket se e ka nga marrëzia këtë “komisionin e veshit” pushteti aktual i Tiranës. Nuk duket se e ka as nga meraku për fyerjen e një të paguari për diplomat, një çifçi i vogël pushteti i paguar si diplomat i shtetit, që futet i pa e ftuar në një veprimtari prestigjioze në një nga kryeqytetet e kulturës evropiane dhe bën provokatorin militant ndaj kryetarit të opozitës zyrtare të shtetit të vet. Këtej merr udhë pastaj dhe ajo rropamë propagandistike, që pushteti e përhapi gjithë bujë nga salla e përçudnuar e Kuvendit të Rruzhdies, duke lajmëruar shqiptarët e mbarë botën se “në Vjenë ndodhi një sulm barbar e shtazarak i paparë në historinë e Shqipërisë”, një sulm që arriti deri tek veshi i një të paguari për diplomat, i cili e paska origjinën nga Shën Konstandini e prandaj ka të drejtë të sulmojë dhe vetë papën e Romës….E të tjera, e të tjera e të tjera, nga ato mufkat e pufkat e propagandës nazisto-komuniste të këtij lloj pushteti, që nuk ka asnjë lloj skrupulli e nuk sheh fare nga sytë, kur i duhet të mbrojë me tërbim karrigen që i lëkundet.

Nuk duket se e ka të gjithë këtë tërbim nga lajthitja ky pushtet. Jo. Nuk ka shumë ditë që në Uashington u mbajt një takim, ku Drejtori për Europën dhe Azinë Qendrore në Departamentin e Shettit, z. Moor, raportoi pas vizitës së tij në Tiranë. Dhe në atë takim të rëndësishëm , dinjitarët e lartë të  politikës amerikane deklaruan , mes të tjerave , edhe dy gjëra  që e turbulluan keq pushtetitn aktual të Tiranës. U tha shkoqur se “pa Komision Qendror Zgjedhor, nuk mund të zhvillohen zgjedhje”. Sikurse u tha dhe ajo që , më në fund, u detyrua ta pranojë dhe tifozja personale e brigadierit të pushtetit aktual të Tiranës, vetë znj. e nderuar Pak, e cila pohoi plot goja se cenimi i KQZ-së ishte gabim i rëndë i këtij pushteti.

Por në takimin  Uashingtonit u tha dhe një gjë tjetër ,që u kujton pushtetarëve aktualë të Tiranës se tanimë Shqipëria është anëtare e NATO-s. Në takimin e rëndësishëm të Uashingtonit për gjendjen politike të Shqipërisë, u tha edhe  që “dhuna nuk do të lejohet”…Dhe kjo sikur i nxjerr disi jashtë loje të gjitha ato masa që ka marrë pushteti aktual i Tiranës për të vjedhur edhe zgjedhjet e 23 qershorit. Dhe nxjerrja jashtë loje e tërë asaj industrie të ngritur nga ky pushtet për manipulimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, e bën më të sigurt humbjen e këtij pushteti , e bën më të sigurt rotacionin politik dhe e bën më të pasigurt të ardhmen e pushtetarëve zullumqarë, sepse bën më të pasigurt jo vetëm pasurinë që kanë vënë me vjedhje e me grabitje të pronave të pronarëve të ligjshëm e të pasurive kombëtare të shqiptarëve, por bën më të pasigurt edhe atë pandëshkueshmërinë që kanë vendosur gjatë sundimit të tyre të gjatë. Sepse vjen një ditë që edhe në Shqipërinë tonë të nëpërkëmbur nga pushteti, do të vendoset ligji dhe shteti i të drejtës e vjen ashtu dhe radha që të dalin përpara drejtësisë të gjitha pushtetarët që kanë masakruar zgjedhjet e që janë tallur me votën e popullit fukara.

Dhe kjo nuk është pak për një pushtet që nuk ka lejuar zgjedhje të lira e të ndershme, për një pushtet të sëmurë për të sunduar e që nuk ka lënë ligj pa shkelur, sa herë ia ka kërkuar interesi vetjak, për një pushtet që nuk ka ngurruar të shkelë dhe vetë Kushtetutën e këtij vendi, sa herë i ka dalë pengesë në rrugën e privatizimit të të gjithë institucioneve të shtetit e të kthimit të shtetit në shërbëtor të përulur të pushtetit personal të një njeriu të vetëm.

Se kishte kohë që kambanat e alarmit binin fort për zullumet e këtij pushteti, e përsëri pushtetarët tanë aktualë i shpallën luftë gjithë botës demokratike, duke shpërfillur çdo këshillë të tyre për ruajtjen e institucioneve kushtetuese si themel i shtetit. Kanë rënë ato kambana alarmi të botës demokratike qysh pa zgjedhur presidentin  e pa zgjedhur Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, kanë rënë qysh pa shpërbërë KQZ-në e pa manipuluar listat e zgjedhësve në atë shkallë që janë katandisur sot, kur ka ende mbi 60 mijë dublime në ato lista, sikurse ka ende mbi katërqind mijë zgjedhës që nuk u dihet adresa(!)

E kanë dhënë alarmin me kohë vendet mike të Shqipërisë e të demokracisë shqiptare dhe e kanë dhënë për të dëgjuar pushteti nga veshët e duhur e jo që pushteti të ngrejë edhe një “komision të veshit” për të mos dëgjuar fare nga veshët e vet. Kanë thënë miqtë tanë të demokracive të zhvilluara se në Shqipërinë tonë “pushtetet janë të gjitha në një dorë të vetme” dhe kjo nuk është demokraci. Kanë thënë me kohë demokracitë mike, se në këtë pushtetin aktual të Tiranës “korrupsioni është shtrirë me metastazat e veta në të gjitha shkallët e qeverisjes” dhe ajo “toleranca zero” e trumbetuar me aq bujë nga pushteti, ka dalë  një zero me xhufkë. Kanë thënë miqtë e Shqipërisë e jo miqtë personalë të pushtetit, se ekonomia shqiptare është  e rrënuar dhe vendi rrezikon kolapsin, por pushtetarët tanë nuk dëgjojnë nga ai vesh, se na paskan shpikur “modelin shqiptar” të përballimit të krizës duke ngritur “Komisionin e veshit” për të mobilizuar ashtu të gjithë makinerinë propagandistike nën urdhra të pushtetit që të bëjë sa më shumë zhurmë për të shurdhuar veshët e shqiptarëve. Na kanë lajmëruar miqtë e demokracisë sonë të sëmurë nga deformimi, se “57% e shqiptarëve të moshës 15-vjeçare janë analfabetë funksionalë”, por përsëri pushteti aktual i Tiranës nuk dëgjon nga ai vesh, se do të merret me ngritjen e “komisionit të veshit”, që të zhurmojë propaganda nazisto-komuniste për të shushatur sa më shumë shqiptarët e thjeshtë në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo është mbase dhe arsyeja e vërtetë e ngritjes me aq zemrat pushtetare e atij “komisionit të veshit” nga Kuvendi i Rruzhdies. Na takon tani të urojmë që të ketë dhe ”komisioni i veshit” po atë përfundim të lavdishëm që pati dhe “komisioni hetimor i puçit”…

Nga DAUT GUMENI April 29, 2013 08:15
Komento

1 Koment

  1. Chiming April 29, 14:01

    Ke te drejte Z. Gumeni.
    Prit se do kete edhe komision leshi.
    Nuk ngrihet komision per parregullsite e listave. Mos Marin pare shtese per komisione?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*