Pse kaq i egër Berisha me Lubonjën?

Nga Habjon Hasani January 9, 2014 15:30

Pse kaq i egër Berisha me Lubonjën?

Nëpërmjet një statusi dhe reagimi të gjatë në Facebook, ish-kryeministri Berisha ka sulmuar egërsisht dje publicistin Fatos Lubonja. Berisha ka marrë shkas nga një debat i ritransmetuar në “Opinion” mes Lubonjës dhe Adri Nurellarit për armët kimike. Do ishte gomarllëk të mendonim se vërtetë Berisha mund të jetë prekur thellë në sedër kur ka parë Fatos Lubonjën në një moment tensioni e fyeu Nurellarin. Do besonim çdokënd që mund të kishte prekur dhe indinjuar nga kjo skenë, por ….vetëm dhe vetëm Berishën jo. Arsyeja është e thjeshtë dhe quhet: Berisha. Nuk ka nevojë t’i hyjmë episodeve të pafundme të ofezave por edhe kërcënimeve që Berisha ka drejtuar ndaj qindra njerëzve në këtë vend. Referencën mund ta gjejmë kollaj dhe në vetë radhët që ai ka shkruar dje kundër Lubonjës. E kritikonte egër Lubonjën për fyerjen që i drejtori Nurellarit, por nuk i shpëtoi dot istikamit, nga kritikë kaloi në linçim: Nisi të ridënonte Lubonjën në emër të prindërve të Lubonjës, me frazat e zakonshme,  nomenklatura, blloku i kuq komunist e blablabla. Ndaj dhe pyetja që shtrohet është : Pse Lubonjën? Çfarë problemi ka me të? Përgjigjen e pyetjes sërish mund ta gjejmë në radhët që vetë Berisha ka shkruar kur përmend “reminishencat e fëmijërisë”.

Berisha tashmë po plaket, degradimi biologjik është i pashmangshëm dhe teoria e “reminishencës fëmijënore” që ai referon, në pleqëri është më e theksuar se kurrë. Një shprehje popullore e shpreh thjeshtë këtë efekt të fëmijërisë në moshë të thyer: Plaku është si fëmija. Fëmijët kanë një veti: Kur shajnë njëri tjetrin kryesisht u referohen gabimeve që njohin, pra gabimeve që vetë kanë bërë. Ndaj dhe përgjigja është e thjeshtë, në tekstin që Berisha ka hedhur në Facebook kundër Lubonjës, mjafton të zëvendësoni emrin e Lubonjës me të Berishës dhe do kuptoni se çdo gjë që Berisha ka shkruar është precize, asnjë presje nuk i lëviz dot.

Nga Habjon Hasani January 9, 2014 15:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*