Pse kaq kontradiktor zhongleri Ngjela!  

September 5, 2018 12:03

Pse kaq kontradiktor zhongleri Ngjela!  

 

Nga Fitim Çaushi

Duke ndjekur intervistën e Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino në gazetën “Panorama” datë 29 gusht, ndesha në një fragment kujtimesh të një zhongleri të mirënjohur dhe vetëtimthi m’u kujtua tregimi i komandantit të burgut ku ka qenë Spartak Ngjela. Komandanti ishte nga Skrapari, në Festivalin Folklorik Kombëtar në vitin 2015, në veprimtaritë ndërmjetëse, kishte shoqëruar disa të burgosur për një koncert që organizonte në Gjirokastër solistja e mirënjohur Myfarete Laze:

“Më kërkoi ndihmë babai i Spartak Ngjelës, Kiçua, t’ia çoja djalin në dhomën e tij për të qënë bashkë. Ia plotësova dëshirën dhe të dy babë e bir u sistemuan në një dhomë. Pas disa kohësh, Kiça i revoltuar më kërkoi t’ia hiqja Spartakun nga dhoma, se i ishte bërë i padurueshëm”.

Duke lexuar avokatin e dalldisur në narcizmin e tij, konstatova deformimin që i bënte epokës ku u formua dhe u rrit si njeri: “I gjithë brezi im kishte një farë shprese që edhe hordhitë e 6 shkurtit do të mposhteshin në Tiranë bashkë me Moskën. Dhe bashkë me hordhitë, edhe i gjithë ai varg i gjatë antivlerash që sikur i kishte marrë frymën të gjithë shoqërisë”.

Përkundër llafazanërisë së zhonglerit Ngjela dhe falsifikimit të realitetit, brezi i ri në vitin 1968 e kishte flakur tutje Moskën revizioniste që restauroi kapitalizmin dhe ishte i mobilizuar për ndërtimin e socializmit në Shqipërinë e re, çka solli një nivel ekonomik të pakrahasueshëm me Shqipërinë e prapambetur dhe të shkatërruar nga lufta, për të cilën Ngjela do të shkruante: “Atë vit edhe plazhi ishte shumë më i gjallëruar, të gjithë sikur ishin më të çliruar sepse edhe gjendja ekonomike kishte marrë një farë ritmi si pasojë e kredive dhe e ndihmave kineze. Por edhe turistë kishte më tepër nga vitet e tjera në atë gusht të 1968 në plazhin e Durrësit”.

Me gjithë këtë atmosferë optimiste që dëshmon Ngjela, ai sjell një pështjellim idesh: “Koha ecte e bënte përpara me dy kahje në Shqipëri. Këto kahje ishin krejt të kundërta në prirjen e zhvillimit të ngjarjeve çekosllavake. Njëri krah ishte gjithë shpresë për të parë mundësinë e shthurjes së diktaturës moskovite. Ndërsa krahu tjetër ishte nga ana e Hoxhës dhe e rrethit të tij të ngushtë, se mos kjo gjendje bëhej dominante në Lindjen Komuniste. Taman në Pragën e vitit 1968, ishte përqendruar shpresa jonë për një përmbysje tërësore të totalitarizmit sovjetik.”

Nuk mund të përfytyrohet një shtrembërim më trashanik dhe më shëmtuar i realitetit historik, sepse në kohën e ngjarjeve çekosllovake, për Shqipërinë diktatura moskovite ishte shthurur qysh në vitin 1961, dhe vetë Ngjela shkruan se ishim lidhur me Kinën. Ngjarjet në Çekosllovaki u instaluan nga Titua me orientimin e perëndimorëve. Ata u përpoqën që në Çekosllovaki të vinte në fuqi reaksioni i ndihmuar nga anglezët. Hrushovi për të ruajtur zonat e influencës, ndërhyri ushtarakisht në Pragë, ndërsa në Shqipëri nuk guxoi të ndërhynte askush, sepse vepronte diktatura e proletariatit për të ruajtur pushtetin e popullit dhe demokracinë socialiste. Këtë instalim të reaksionit në udhëheqjen shqiptare, e dëshironte krahu antisocialist i stukur në udhëheqjen e Partisë me pararojën Liri Belishova.

Enver Hoxha, i cili kishte demaskuar restaurimin e kapitalizmit në Moskë pas vdekjes së Stalinit dhe ishte ndarë përfundimisht me social-imperializmin e Hrushovit dhe diktaturën e tij, në vitin 1968 bëri edhe ndarjen de juro nga traktati agresiv i Varshavës. Ai e shikonte me rrezik të madh ndërhyrjen e trupave sovjetike në Pragë, sepse kjo mund të përsëritej edhe me Shqipërinë Socialiste përmes Jugosllavisë. Prandaj Shqipëria në ato ditë kaloi në gatishmëri nr. 1. Kam qenë ushtar në vendkomandën e Korpusit të Fierit dhe na mbanin në informim për situatat që po kalonte Çekosllovakia. Deklarata e Kinës ato ditë: “Nëse Shqipërisë i preket një fije floku, ne nuk do të njohim kufij shtetesh dhe oqeanesh”, hedh poshtë tezën e Ngjelës për varësi nga “totalitarizmi sovjetik”.

Ishte krahu i kundërt që e mbante shpresën tek ndërhyrja ushtarake hrushoviane për ta përmbysur Enver Hoxhën, (sikundër kishte deklaruar Hrushovi). Me vijën antimarksiste dhe antileniniste, socialimperializmi sovjetik në bazën e politikës së jashtme kishte vënë ekspansionin e hegjemonizmin, garën e armatimeve, presionin e shantazhin, agresionin ushtarak, ekonomik dhe ideologjik. Në vendet e KNER-it Hrushovi zbatoi një politikë tipike neokolonialiste.

Përplasjet e politikës hegjemoniste e neokolonialiste që ndiqnin hrushovianët me politikën e SHBA, ishte një përplasje interesash ndërimperialiste në luftën për rindarjen e botës, sikurse ndodh edhe sot.

Ndonëse shumë konfuz, Xhongleri Ngjela si dëshmitar okular brenda udhëheqjes shqiptare, ka meritën e madhe se na sjellë një dëshmi shumë të vlefshme për ekzistencën e krahut antisocialist në vitet ’70, pikërisht atëherë kur u bënë spastrimet revolucionare në Parti, në art dhe kulturë, në ushtri dhe ekonomi.  Dëshmia e Ngjelës na bind se spastrimet politike kanë qenë të merituara, se drejtoheshin kundër atyre që vepronin prapa krahëve të Partisë për ta sabotuar dhe përmbysur sistemin socialist. Këtë e përforcon edhe deklarata e tij solemne: “Pjesa dërmuese e  familjeve të udhëheqjes së atëhershme shqiptare, donte të bënte një jetë “alaperëndim”, kurse e gjithë ideologjia ishte kundër Perëndimit”.

Deklarimi i sinqertë i Ngjelës, përligj dënimet e merituara ndaj atyre drejtuesve të Partisë, që donin të bënin një jetë “alaperëndim”, ndërkohë që populli ishte mobilizuar për tharjen e kënetave, ndërtimin e hidrocentraleve, intensifikimin e bujqësisë dhe rritjen e rendimenteve të prodhimit, zbukurimin e natyrës dhe bregdetit shqiptar, ngritjen e nivelit arsimor e kulturor dhe forcimin e mbrojtjes së vendit.

Konstant në qëndrimet e tij, xhongleri ynë në emisionin “Opinion”, përcakton edhe raportet midis krahëve të kundërta në udhëheqje: “70% të udhëheqësve nuk kanë qenë me Enver Hoxhën”. Kjo na bind se Ngjela e ka njohur mirë realitetin e brendshëm të udhëheqjes së Partisë. Përderisa 70% -shi ka qenë kundër vijës politike të Enver Hoxhës, pra kundër vijës socialiste, xhongler Ngjela duhet ta kishte  komentuar dënimin e tyre si zbatim i legjislacionit në fuqi dhe të hidhte poshtë me indinjatë lehjet se “Enver Hoxha eliminoi bashkëpunëtorët e tij”?!

Në këtë periudhë, në vitet ’70, u godit edhe grupi armiqësor me Abdyl Këllëzin, Koço Theodhosin dhe Kiço Ngjelën. Të gjithë këta përbënin krahun e kundërt me krahun e Enver Hoxhës, që punonte me përkushtim për të ndërtuar socializmin si sistem shoqëror në shërbim të popullit. Prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino, në intervistën e tij pohon:

“Abdyl Këllezi, nga mënyra si fliste ato momente, dukej jashtë realtetit dhe përmendte gjëra që nuk i kishte përmendur më parë. “Unë u ndava nga Partia se mendova një rrugë tjetër për ta shpëtuar ekonominë nga fundosja. Një rrugë jashtë direktivave të Partisë. Ajo fliste për ekonominë e qendërzuar, unë mendova për një ekonomi tjetër, më të lirshme e më të pavarur nga qendra. Kjo rezultoi e huaj, revizioniste dhe si e tillë më kushtoi. Partia bëri mirë që më dënoi”.

Kiço Ngjela: “U kryqëzova se më akuzuan për tregti me SHBA dhe ca gjëra të tjera. Tregti sherebele bëra, jo tregti parimesh. Ca më tepër që ishin në dijeni të gjithë”.

E gjithë ekonomia dhe shoqëria shqiptare, zhvilloheshin sipas parimeve dhe legjislacionit të përcaktuar kolegjialisht nga Partia në forumet e saj; Kongrese, Plenume, Kuvendi Popullor  dhe dokumente kushtetuese. Përse Kiço Ngjela dhe grupi i tij, kryenin veprime të fshehta kundrejt Enver Hoxhës dhe shkelnin parimet socialiste? Nuk e donte Enver Hoxha zhvillimin e ekonomisë shqiptare, e donte më shumë Kiço Ngjela!

Kiçua i ka pohuar prokurorit se “ishin në dijeni të gjithë”. Me fjalën “të gjithë” kuptojmë edhe kryeministrin Shehu, nga i cili ata vareshin në funksionet shtetërore. Shehu duhet të ketë patur dijeni për veprimet e Abdyl Këllezit dhe Kiço Ngjelës, në mos i ka orientuar ai për liberalizimin drejt Perëndimit. Lind pyetja si shpëtoi nga dënimi kapital Kiço Ngjela, ndërkohë që shokët e tij u pushkatuan? Mos vallë Kiçua gjatë hetimeve e ka denoncuar Shehun për dijeninë e tij properëndimore dhe ky denoncim i ka vajtur Enver Hoxhës, çka i ka shpëtuar kokën?!

Krahu i kundërt me Enver Hoxhën,  nuk ishte kundër Hoxhës si person, ishin kundër vijës politike të tij, e cila ishte në mbrojtje të parimeve të sovranitet kombëtar dhe socializmit, ndërsa ata ishin për restaurimin e kapitalizmit, përmes lidhjeve me agjenturat e huaja dhe sabotimeve në jetën ekonomike dhe shoqërore. Këtë e ka kuptuar zhongleri ynë, dhe ka meritën se në emisionin “Opinion” ka deklaruar një të vërtetë historike: “Shehu ka qenë kundërshtar i Enver Hoxhës gjatë luftës, ata i bashkoi Koci Xoxe”.

Sikundër shihet Ngjela vendos edhe periudhën kur Shehu ka qenë kundër Enverit: jo vetëm gjatë periudhës së ndërtimit të socializmit si pjesëtar  i krahut të kundërt me Enver Hoxhën, por qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare! Ky deklarim na përafrohet edhe nga konsiderata personale e Ngjelës për Shehun: “Më kishte habitur ai njeri, por këtë herë krijova një farë neverie, e cila në fakt më bëri pas disa vitesh që t’i hyja thellë analizës për të parë kush ishte dhe cili kishte qenë Kryeministri shqiptar. Më acaroi shumë saqë nuk lashë gjë pa thënë kundër tij”.

E mirëkuptojmë këtë moment ndjeshmërie të Ngjelës, jo si ndërgjegje personale e studentit për një mik familjar si Shehu. Neveria ndaj Shehut në atë periudhë, duhet të ishte produkt i edukatës familjare, ose e ka ndjerë këtë neveri për kryeministrin më vonë, kur ka kuptuar se Shehu e ka futur Kiçon në rrugën e perëndimit dhe kur erdhi koha e dënimit të tij, nuk e mbrojti Kiçon dhe shokët e tij, u fsheh si burracak.

Për të prezantuar “thellësinë” e analizës së tij gjeopolitike, çuditërisht zhongleri i eksituar transformohet në një karagjoz banal: “Enver Hoxha i bënte hyzmet gjithmonë mbijetesës së tij nëpërmjet luftës së kampeve…nuk e vriste fare mendjen, donte të jetonte si monark  e të sundonte duke lenë peng prosperitet shqiptar për llogari të ekuilibrit botëror”.

Arsyetime të tilla janë reflekse të ndikimit antikomunist të kohës dhe karakterit dhelparak të Ngjelës. Duke aspiruar për restaurimin e kapitalizmit qysh në fund të viteve ’60, zhongleri ynë inteligjent,  me keqardhje tjerr: “Kurrë nuk do të vijë më në historinë botërore një rast si ky i yni, kaq fatkeq kundër fatit tonë, pra, që të paraqitet sërish  një rast ku, një sundimtar mizor të dridhet për fatin e tij dhe të pushtetit të tij, duke u druajtur mos ndalon gjendja e luftës e se mos vendoset demokracia në një botë të  tërë. Ky fakt, ndonëse do të ishte në të mirë të popullit të tij, përsëri nuk duhet të ndodhte sepse mizori nuk do të ushtronte më pushtetin e tij të dhunshëm…Nuk do të ketë më në Shqipëri një sundues aq mizor sa të kënaqet me vuajtjet e popullit të tij”.

Përderisa Ngjela pohon se 70% e udhëheqjes së lartë të Partisë ka qenë me drejtim “alla perëndimor” dhe kundër Enver Hoxhës, është e kuptueshme se Enver Hoxha, konseguent në rrugën socialiste, do të ndërmerrte ligjërisht dënimin e tyre, dënim që nuk shërbente për sigurimin e mbijetesës dhe pushtetit të tij monarkik, do t’i shërbente pushtetit të popullit dhe rrugës socialiste në Shqipëri, e cila rrezikohej nga krahu agjenturor. Kjo është krejtësisht e qartë, por zhonglerit Ngjela, për të siguruar përkrahjen e padronëve të babait të tij, i intereson të denoncojë krahun kundërshtar të Enver Hoxhës, që synonin përmbysjen kundërrevolucionare si krahu trimëror, që aspironte kapitalizmin, dhe njëkohësisht të akuzojë Enverin për “monark dhe mizor”, sepse nuk lejoi  kthimin e timonit qysh kur e donte atë babai i tij.

Zhongleri ynë nuk e di se lufta midis kampeve të kundërta de fakto kishte përfunduar qysh në vitin 1961, ekzistonte vetëm lufta mes superfuqive: imperializmit botëror dhe socialimperializmit rus, sikundër ekziston edhe sot. Në këto kushte Enver Hoxha analizonte me kujdes kontradiktat ndërimperialste, çka mund të sillnin rrezik agresioni për Shqipërinë. I shqetësuar sa Ai për popullin dhe vendin e tij, Enver Hoxha nuk jetoi si monark e as e la peng prosperitetin shqiptar për asnjë llogari botërore, por zhvilloi industrinë, bujqësinë, kulturën dhe artin, forcoi mbrojtjen e atdheut, pikërisht për të siguruar prosperitetin e jetës shqiptare, sovranitetin e  një populli që për lirinë e tij kishte derdhur gjak në shekuj.

Zhonglerin Ngjela e paska ngrënë meraku për vuajtjet popullit shqiptar, ndërkohë që nuk ka patur kurrë ideale popullore, pasi pranon se ka qenë “alaperëndim”! Dhe “alaperëndim” do të thotë shfrytëzim i popullit nga zgjedha e kapitalit dhe borgjezisë, nga oligarkia financiare, e cila si poseduese e kapitalit industrial dhe financiar, ua ka nënshtruar interesave të saj edhe aparatin shtetëror për të siguruar sundimin e vet. Oligarkia financiare nuk ndalet para asnjë mjeti, duke vendosur reaksionin politik në të gjitha fushat. Kapitali financiar përpiqet për sundim e jo për liri.

Fuqitë imperialiste jo vetëm krijojnë shtete plotësisht të varura si nga pikëpamja ekonomike, financiare, ushtarake, por edhe imponojnë një mënyrë jetese të degjeneruar, sikundër ndodh sot edhe tek ne. Shtimi i bazave ushtarake në Europë dëshmon jo vetëm për një militarizim të ekonomisë, por edhe për substancë antidemokratike, antipopullore. Është shoqëria borgjeze që që pjell krimin e banditizmin, si pasqyrim i dëshpërimit dhe i çorientimit që shkakton sistemi i shtypjes dhe shfrytëzimit.

Krizat e sistemit kapitalist kanë tronditur strukturat dhe superstrukturat e rendit borgjez, çka ka çuar në luftëra rajonale, sikundër në Afganistan, Irak, Liban, Libi, Siri, duke shpërngulur miliona njerëz drejt Europës. Papunësia kronike në të ardhmen do të përkeqësohet edhe më shumë.  Diferencimi i mënyrës së jetesës dhe lënia e masave popullore në mëshirën e fatit nga borgjezia e re, ka shkaktuar depresion dhe krime që as imagjinoheshin në socializmin e Enver Hoxhës.

Kriza ekonomiko-financiare ka përfshirë jo vetëm blloqet ekonomike, mes të cilave kontradiktat po ashpërsohen në kulm, por ajo është futur edhe në jetën politike, ku qeveritë ndërrohen para kohe, me justifikimin se fajin e krizës e kanë ata që ikën. Ky mashtrim mbulohet me parullat e demokracisë, dhe fushatave elektorale marramendëse.

Transformimet shoqërore të epokës Enveriane nuk do të realizohen as për 100 vjet në Shqipëri. Populli vlerëson hidro-energjetikën, e cila ndriçon dhe përdoret edhe sot, duke siguruar vlera monetare nga eksporti. Vlerëson arsim-kulturën dhe njeriun e ri që i ishte përkushtuar ndërtimit të Shqipërisë dhe gjallërimit të jetës kulturore, përkundër realitetit të sotëm që rinia i është futur drogës dhe krimeve. Vlerëson krenarinë kombëtare dhe sovranitetin që i dha Shqipërisë prestigj ndërkombëtar, përkundër realitetit të sotëm për të cilin Ylli Çabiri shkruan se “shqiptarët janë kavie të të huajve”.

Demokracia e zhonglerit Ngjela, zhvillohet brenda rrethit të shfrytëzimit kapitalist, demokratizim për pakicën, për të pasurit, sikundër demokracia dhe liria në republikat e vjetra greke kishte liri për skllavopronarët. Në kushtet e shfrytëzimit kapitalist shumica e popullsisë ka mbetur jashtë jetës politike dhe shoqërore, prandaj emigrojnë dhe s’duan t’ia dinë për  zgjedhje, madje nuk duan t’ia dinë as për atdheun e tyre ku janë lindur ata dhe stërgjyshërit e tyre.

Kjo nuk ka rëndësi për zhonglerin e zhonglerëve, mjafton që ai dhe intelektualë si ai, të gjejnë mjegull dhe të zhvatin nga të gjitha anët, të jetojnë si parazit në kurriz të masave punonjëse.

Në Shqipëri shahet më shumë komunizmi, se sa në çdo vend tjetër, thonë me shaka të huajt. Në këtë shaka ka një përmbajtje historike shumë të thellë se sa e kuptojnë ata që e bëjnë këtë shaka.  Me fraza të zbrazura dhe të fryra, zhongleri Ngjela shmang një problem jetësor për popullin: siguria e popullit në kushtet e një kriminalizimi deri në organet e drejtësisë. Analiza e zhonglerit tonë qëndron brenda parlamentarizmit borgjez, duke mos kuptuar ndryshimin midis parlamentarizmit borgjez që është kundër popullit dhe demokracisë proletare që është siguria e masave punonjëse.

September 5, 2018 12:03
Komento

11 Komente

  1. Spinoza September 5, 12:16

    Analize a la PPSH, ngjarjet ne cekosllavaki nuk mund te shkonin ndryshe te gjithe ata qe mendonin kete nuk kane pasur idene mbi politiken nderkombetare marreveshja ishte bere ne 61 ndermjet dy superfuqive asnje ndryshim status quo-je nuk do te kishte e tentuan kete shume burra shteti perendimor por nuk e arriten dot pakti ishte vendosur

    Reply to this comment
  2. Jimi September 5, 13:21

    Te merresh me Spurdhjak Ngjelen eshte humbje kohe, se te ishte argetim bjere tu’!

    Reply to this comment
  3. anticensurë25642654 September 5, 17:01

    të ishte gjallë sofo lazri!?
    do të kisha thënë e ka shkruar ai me dorën e tij!!
    fitimo,nuk është hera e parë që ti shkruan në këtë mënyrë!!alla KQ,por mos harro se dhe këtë punën e XHNGLERIT po bën dhe ti!!
    po tia filloj të vë në kandar ato që thua ti,pra ato përfundime që nxjerr ti nga xhonglimet e tak tarrallakut,do të të kisha bërë po aq telef sa bën dhe ti takun!!
    prandaj më mirë mos u sani midis jush!!
    nuk e përqesh dot muti kakën!!

    Reply to this comment
  4. Agimi September 5, 17:10

    O Fitim, perse je lodhur me karagjozin Ngjela? Kot je marre. Ne zbavitemi kur del ai ne TV, sepse presim te degjojme se çfare budallalleqesh do te nxjere nga goja. Edhe ato pese pare mend qe mund te kete pasur ne koke, i ka lene ne Spaç. A, hyrjen e shkrimit e ke mrekulli: kur nuk e ka duruar dot i ati, na mbetet neve ta durojme avokatin qe nuk ka arritur te mbroje qofte edhe nje klient te vetem! Dava karagjozi.

    Reply to this comment
  5. A. Lole September 5, 17:19

    Ne pranveren e Prages ishte Brezhnjevi, Jo Hrushovi.

    Reply to this comment
  6. Buzuku September 5, 17:24

    Ne pranveren e Prages ishte Brezhnjevi, Jo Hrushovi.

    Reply to this comment
  7. alphade September 5, 19:38

    Mire thote Agimi, Takun nuk e ka duruar i jati dhe na e la
    peshqosh neve. S’ke c’i ben keshtu e paska jeta,ate nuk
    “pranojne ne fshat ,por do edhe cupen e priftit” !
    Takut ia ka marre trute Spaci dhe s’ka se si t’i marresh
    per baze fjalet e tij. A e keni vene re ? Taku ka kapercyer
    deri tani nga hujt e djathte deri te hujt e majte,ndersa tani
    eshte hedhur,ashtusi deri dje kunder Berishes,sot eshte
    ngritur kunder Rames,kursen ca Ilirin e Floririt. Nuk i dihet
    pse nuk e sulmon Meten por nenkuptohet se dicka i ka
    premtuar Floriri dhe kur vjen puna per nje “Dollar me shu-
    me” , Taku eshte gati t’i shkele me kembe parimet per te
    cilat flet aq shume” ! “Sikur aksiomat gjeometrike te prek-
    nin interesat e njerzve,keta te fundit,me siguri do t’i per-
    genjeshtronin” ! Ne kete kategori individesh ben pjese edhe Avokati. Me sa duket jeta e ka bere “foke” pa shty-
    lle kurrizore”…..!!!!

    Reply to this comment
  8. durrsaku September 6, 00:58

    Z. Çaushi. Në vitin 1968 kreu i Bashkimit Sovjetik ishte Brezhnjevi dhe jo Hrushovi, i cili u shkarkua në vitin 1964.

    Reply to this comment
  9. Kola September 6, 11:28

    Nga nostalgjiket e diktatorit me gjakatar te Evropes nuk pritet tjeter analize. Puna eshte se edhe kjo gazete eshte kthyer ne shtojce e Zerit te Popullit. Ne nje seri artikujsh te publikuar ketu kam lexuar te flitet me superlativa per Mehmetin, Beqirin, Petrit Dumen, Abdyl Kellezin e plot te tjere. Se si u bene kartat e hetuesise, kete s’ka shqiptar qe nuk e di dhe ajo deshmon edhe nje here per procese gjyqesore hitleriane dhe me to s’mund te binden as femijet e lindur pas vitit 1990. Tani mbetet qe ti veme koke bisedes: Ishin te gjithe keta armiq dhe Enveri hero, apo e kunderta?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*