A duhet bërë humor me taksat?

Guri Shyti October 6, 2015 21:18

A duhet bërë humor me taksat?

Më kanë thënë se ndër qytetarët e SHBA-së qarkullon një thënie: “dy gjëra janë të sigurta në jetë, vdekja dhe taksat”.

Kur dëgjon këtë shprehje të saktë, dashje-padashje të shkon mendja tek zhurma që po bëhet kohët e fundit lidhur me operacionin e qeverisë kundër informalitetit, operacion që, në gjykimin tim, është shumë i vonuar.

Po shohim e dëgjojmë tek-tuk si nëpër biseda private ashtu edhe nëpër faqet e gazetave dhe ekranet e TV, shprehje, skeçe “humoristike” e, madje edhe karikatura, që tallen me masat që po ngulmohet të merren në drejtim të mbledhjes së taksave të ligjshme.

Nuk besoj se është nevoja të theksohet se taksat që paguajnë qytetarët, vërtet që shkojnë në “xhepat” e qeverisë, por, jo për të mbushur xhepat e zyrtarëve, të ulët e të lartë, siç është bërë rëndom tek ne në qeverisjet rumpalla të deritanishme. Pa dashur të këmbëngul për të bindur ndokënd se edhe në këto masa që po merren për mbledhjen e tatimeve githçka nuk shkon vaj, pasi ka ende shumë për të bërë, dua të theksoj se, përpara se të kërkojmë shtrim rrugësh, kapakë pusetash, shkolla, kopshte, dhe më kryesorja, sa më shumë vende pune, duhet të kontrollojmë veten.

Kaloja një ditë nëpër atë që quhet “Tregu Çam” dhe, pasi mora diçka që kushtonte njëzet lek (të reja), më erdhi mirë që djaloshi shitës më zgjati kuponin tatimor. Duke e falënderuar shitësin e rregullt, sakaq më shkoi mendja tek supermarketi që kam në lagjen time, ku bëhet, më e pakta, 100 mijë lek (të reja) xhiro në ditë, pasi atje ka gjithmonë radhë, dhe nuk të jepet kuponi tatimor. Madje, ndonjëri që e kërkon, shikohet me përçmim nga pronari, por, për fatin tonë të keq, edhe nga disa blerës që, nuk e di se pse, mbajnë anën e pronarit. Nga një llogari e thjeshtë del se, ky supermarket, i vjedh shtetit, pra neve, 20 000 lek në ditë, duke i përvetësuar ato në mënyrë të padrejtë, për të mos thënë edhe kriminale. Po të shtyhet llogaria më tej del se gjatë një viti, në xhepin e pronarit shkojnë në mënyrë të paligjshme aq para sa mund të blihet një apartament luksoz në Tiranë.

Pa folur pastaj që bëhen marifete nga më të ndryshmet nga furnizuesit e mallit. Ja një shembull. Na ka ndodhur që jemi ulur të pimë kafe katër veta dhe kamarieri na ka sjellë kupon vetëm për një kafe, sa për të mashtruar një vëzhgues të largët, duke përvetësuar kështu TVSH-në e tri të tjerave. Ka ndodhur jo një herë që, njëri nga shokët e tavolinës, i ka dhënë kamarierit paratë vetëm për një kafe dhe, kur ky i fundit i ka kërkuar vlerën e katër kafeve, konsumatori i ka treguar kuponin dhe, vetëm pas këtij ballafaqimi, kamarieri është detyruar të sjellë kuponin e plotë tatimor. Por, në qoftë se tek kafeja vlera e vjedhur nuk është e madhe, ndonëse, të mbledhura bashkë të gjitha kafetë, shuma arrin shifra jo të vogla, ka raste që edhe në shitore ku blihen mallra me vlerë edhe më të madhe, kuponi tatimor ose nuk pritet fare, ose pritet vetëm për një pjesë të mallit, ndërsa pagesa kërkohet e plotë, pasi ne, konsumatorët, jo gjithmonë, herë për shpërfillje e herë për “zemërgjerësi”, nuk e kontrollojmë shifrën e kuponit që na jepet.

Mendoj se ashtu si mosdhënia e kuponit tatimor edhe mos kërkimi, ose mos marrja e tij, është njëlloj e dëmshme për ekonominë tonë të brishtë, për ekonominë, të cilën të gjithë e kemi në majë të gjuhës, pasi është sektori që na prek drejtpërdrejt familjet tona, por edhe tërthorazi, pasi të gjitha shërbimet që i kërkojmë nga të zgjedhurit tanë në qeveri, burojnë pikërisht nga ekonomia dhe kjo e fundit, në një shtet që nuk ka prona të vetat, bazën e ka tek vjelja sa më korrekte e taksave.

Kanë shumë të drejtë pensionistët, dhe jo vetëm ata, të kërkojnë rritjen e nivelit të pensioneve, të rrogave, të ndihmave ekonomike e të tjera shërbime jetike, siç janë shëndetsia, arsimi, mbrojtja etj. Por, jo të gjithë ne shtrojmë pyetjen se ku do të gjenden paratë për t’i plotësuar këto kërkesa të ligjshme, prandaj kur vjen puna që edhe ne të japim ndihmesën tonë modeste, harrojmë që me veprimet, apo mosveprimet tona, shëndoshim ose dobësojmë atë ekonomi, për të cilën ankohemi se ndodhet në nivel të ulët.

Unë jam i prirur të mendoj se problemi i kërkimit të kuponit tatimor duhet të shikohet edhe si një gjest patriotik. Është e lehtë të thërrasim nëpër mitingje se, “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të kërkojmë të përfshihemi sa më parë në familjen europiane, është e lehtë të thërrasim nëpër stadiume: “O sa mirë me qenë shqiptar”, por, që këto parulla të mos i marrë era, duhet të kontribuojmë të gjithë bashkë në luftën kundër informalitetit, sëmundje që, duhet të themi të vërtetën është rrënjosur thellë në vetëdijen tonë për mbi njëzet vjet dhe tani është shumë e vështirë të çrrënjoset. Shumë nga ne kemi udhëtuar nëpër vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, por a na ka rënë ndonjëherë rasti që të kemi dalë nga ndonjë shitore, sado e vogël të ishte, pa kuponin tatimor të saktë në dorë? Kurrë. Pra, në gjykimin tim, një nga dyert e hyrjes në Europë është pagesa e detyrimeve ndaj shtetit, pasi nga ato pagesa varet mirëqenia jonë në të gjitha aspektet e saj dhe, kjo e fundit, hap rrugën drejt integrimit europian.

Është revoltues edhe një fakt tjetër. Në shumë emisione televizive, sidomos në ato humoristike, apo në ndonjë karikaturë, arrihet deri në marrëzi të tilla, sa që, në vend që të vemë në lojë ata që nuk paguajnë taksat e tatimet, vemë në lojë kuponin tatimor. Unë e kuptoj që humoristët, kur dalin përpara atij grushti shikuesish që kanë mbledhur aty, kërkojnë të rrëmbejnë sa më shumë të qeshura, aq e vërtetë është kjo saqë, vendin e humorit të vërtetë e të shëndetshëm e kanë zënë fjalët e ndyra, me të cilat shpura e mbledhur në sallë “gajaset”, por jo ta kërkojmë të qeshurën duke u tallur me kuponin tatimor, aq sa, marrëzia arrin kulmin, shkohet deri në shtratin bashkëshortor. Një pështirosje kjo, e cila, jo vetëm që nuk ndihmon në realizimin e atij qëllimi që ka vërtet operacioni i ndërmarrë nga qeveria, por e dëmton keqas, duke marrë anën e kontrabandistëve, të krruptuarve dhe mashtruesve me paratë e popullit. Veprime këto të fundit, të cilat opozita, për turpin e vet, i ka bërë moto të veprimtarisë së vet opozitare.

Meqenëse jemi në këtë fushë, më duket keqdashëse të vihet në lojë, për të sjellë “të qeshura” edhe me aksione të tilla, siç ishte dita pa makina dhe përdorimi i biçikletave nga sa më shumë banorë të qytetit. Nga një anë ankohemi, me të drejtë, se ajri i qyteteve tona është tejet i ndotur, nga ana tjetër tallemi me nismën e Bashkisë së Tiranës. Absurdi ka arritur deri atje sa, me anë fotmontazhesh, edhe Skënderbeun e kanë paraqitur mbi biçikletë. Kjo shkakton vërtet buzëqeshje, por kur e mendon se ku është qëllimi i një “humori” të tillë, ajo del gjithë helm. Nuk e kuptoj pse “shoqëritë civile”, “ambientalistët” etj. nuk dalin të protestojnë kundër këtyre shtrëmbërimeve keqdashëse edhe të nismave pozitive të administratës shtetërore.

Edhe pa këta shkopij në rrota, qeveria ka ende shumë për të bërë, si në drejtim të orientimit më të drejtë të aksioneve që ndërmerr, ashtu edhe në luftën ndaj informalitetit dhe korrupsionit brenda institucioneve shtetërore. Njerëz të besuar thonë se për të kaluar një maune me mall nëpër dogana është bërë e zakonshme pagesa e njëmijë eurove rushvet. Ky nuk është një thashethem i sajuar, por një ngjarje e jetuar rëndom. Prandaj, bashkë me luftën kundër informalitetit, siç është mbledhja e taksave dhe tatimeve, duhet t’u, “mblidhen” mirë rripat nëpunësve të degjeneruar, pasi nuk janë pak.

Guri Shyti October 6, 2015 21:18
Komento

15 Komente

  1. Kris 1 October 7, 02:14

    Kur populli shikon se ka perfitime nga derdhja e taksave atehere behet I ndergjegjeshem.ketu ku banoj une me mbylljen e vitit nje Cdo familje vjen nje informim se ku u perdoren taksat,Sa per shkollat,Sa per rruget,sa per ndihme ekonmike Sa per te paguar shtetaret.Ne shqiperi me taksat paguhen udhetimet e qejfit te pusht-tetareve..
    Vetem gjobat qe u fal qeveria koncensioneve Jane me te medha se te ardhurat nga biznesi I Vogel.Zbulon kontrolli I shtetit abuzime dhe me eskavator menjehere I mbulon shteti
    pa shiko se kemi nje qeveri Rameta dhe tre qeveri nje hije borde e komiteti qe nuk dihet cfare bejne.Jane mbi 1200 OJQ dhe dhjetra parti.Kemi ish fuksionari,ish deputet dhe ish profesore qe hane taksat Pa llogarritur nderin qe I beri Horri I rilindjes ish presidenteve.

    Reply to this comment
  2. LOVE October 7, 05:49

    O shoku Shyti
    je torollak ti apo ben vete ?? jo ,je torollak i rrrrilindur

    nqs ti mbledh 1 mil leke tatime [ooooo sa mire]
    400 i ke rroga task force , 700 i ke shpenzime per ate qe con ne burg ,sa her del policia
    qe sekuestron mall ,terrorrizon njerez , burgosje etjera
    200 i humbe fare ,u mbyll biznesi , humbe nje qe ishte i vetepunesuar ,ai nuk te jepte asgje
    po te pakten nuk e kishe aziliant ,ushqehej vete me gjithe gruan dhe femijet …ai me ate biznes rron se nuk vdes dot ne fakt ,po hajt si thashe nuk eshte ne kurriz te shtetit
    sa humbe deri tani ????? sa fitove ?????
    impaktin social ose te ashtuquajturen klime biznesi e llogarit ti ??
    impakt social e kupton si term ???
    mos me caj kaptinen me keto kafet , se Shqiperia nuk eshte Tirane
    kur ti shkon te fshatari dhe i kerkon te ardhura per lopen ,a ke ndopak turp ???
    i ke dhene ndonje kanal vadites ?? i ke dhene ndonje treg ? e ke idene ti se cfare duhet te mbash nje lope ,per tu ushqyer mor tu mbyllte ,me nje lope nuk behesh dot miliarder
    ai shkollon nje femije ne TR , ai blen miellin se ben buken vete , si ne 1940
    ore ,une i kam pare vete keto gjera ,jo shume larg .Porosit miellin dhe e paguan kur te shesi vicin , blen barin per dimer , kur ti ja heq dhe kete , pa i dhene absolutisht asgje
    cfare fitove ?????? ooooooooooooooo torollak ,femija nuk studion dot me
    mielli nuk shitet ,bari nuk shitet ….mbylle 3 fatura ,i mbylllleeeee
    kujt i thua humor ti ??? po pse mor rrrrrrilindiot ,kujton se na vjen per te qeshur
    kur na imitojne shtetin ???? dhe nqs qeshim e bejme se nuk qajme dot
    pastaj , kur njerzit nuk kane 700 leke per nje buke , si ju vjen kur degjojne 700 mije per idealin e partise ?????

    ti dhe shteti jot i kalbur ,jeni ber gazi i Europes dhe i atyre qe kane dy fije mend ne koke
    une nuk qesha absolutisht me humorin ,une qesh perdite me shkarrashkrues si ty
    qe ju ka vajtur llapa 3 pellembe duke lepire cdo pushtet qe po ju heq dinjitetin
    ca debile si puna jote qe me tregojne faturen e 20 lekeve te reja ,kur doganat deshtuan me sukses , ku zot na ruaj nga CEZi nuk flas do hic ,ku gjithe VIPat do deklarojne falimentin me 200 mij leke , i amnistoj qeveria ,pasi kane nuk di sa miliarde kredi te keqija ne banke
    gajasem me ca rrrrrrrrilindiot qe kenaqen me 20 leke fature , kur vila , toka te xanuna
    deklarata pasurie stratosferike ,jane aty ,krenare para shtetit 200 leksh !!!!

    ah ,se mos harroj , e vetmja gje qe nuk kuptova dhe me beri disi per te qeshur
    ishte fshirja e hundes ….pse nje super pjeshke ferkon gjithmone hunden ….???

    Reply to this comment
    • asllani October 7, 10:25

      Ne vazhdim te komentit te LOVES ! Po mor ti artikullshkrues ! Qeshet , qe c’ke me te QESHET !
      Dhe kjo historia e “te qeshurit” me taksat , nuk eshte shqiptare , por franceze , madje e kohes se Napoleon Bonapartit !

      Tani vre ktuna e ma vesh :

      “Kur filloi lufterat per pushtime Napoleoni , i thote Ministrit te Thesarit qe “dil e mblidh taksat” ! “I mblodhem per kete vit”- ia ktheu Ministri ! -“Dil e mblidh prape dhe mos diskuto urdherin” – ia ktheu Napoleoni ! E keshtu shkoi Ministri . mlodhi prape taksa dhe u kthye . -“Hee – e pyeti Napoloni – c’bente populli ?” , “Populli qante – ia ktheu Ministri . -“Po thesari ? – e pyeti Napoloni”. -“Thesari eshte plot – ia ktheu Ministri” . Dhe keshtu e beri rruge kete pune po me keto pyetje dhe pergjigje , sa here perpara Napolonit kishte ndonje beteje per te zhvilluar !
      Kur erdhi beteja e Vaterlose , Napoloni e nisi Ministrin e Thesarit , sipas zakonit per me mbledh prape taksa . Por Historia kesaj radhe ndryshoi pak . Ministri iu pergjigj se “Populli tani po qeshte… !” -“Po thesari ?- e pyeti Napoloni” . -“Thesari eshte bosh- ia ktheu Ministri” . Dhe keshtu sic e di ti dhe ne bashke , Napoloni hengri derrin ne Vaterlo !

      Prandaj ne jemi ne kohen e qeshjes …. dhe kjooo nuk eshte shenje e mire !

      Edhe nje femije 2 vjec e di se nuk taksohet “buka e gojes” , sepse pastaj ky nuk e ka emrin taksim , por genocid !

      Prandaj ceveriu , para se te vendose cfare nivelesh te taksoje dhe sa do t’i taksoje , duhet te vendose me ligj “minimumin jetik” real , qe i duhet nje individi per te futur koken brenda , per tu ushqyer me ushqimet baze (pa e cuar ne vdekje graduale) dhe per tu veshur qe mos ngordhi nga i ftohti , plus sherbime dhe nevoja te tjera jetike ! Sherbimin shendetesor duhet t’ia garantoj falas realisht sic eshte ne ligj dhe arsimin gjithashtu ! Patsaj “fitimin mbi kete minimum , mundet ta taksoje !

      Prandaj qe qeshet me taksat , qeshet qe c’ke me te ! Por kujdes nga gazi i madh !

      Reply to this comment
  3. Kusaxhe October 7, 09:25

    Populli thote “Peshku qelbet nga koka “

    Reply to this comment
  4. sabo October 7, 15:36

    Artikull shkruesi ka ngritur nji problem jetik ,qe ka ardhur koha qe deshira e shqiptarve per ta par vendin e tyre si Evropa duhet te shoqerohet me reformat evropiane ,e pergezoj autorin perguximin e tije qytetar dhe ju them komentuseve qe e quajn ket artikull jo te drejt se nuk kontribojn ne rrugen e vajtjes ne Europ .

    Reply to this comment
  5. ditag October 7, 17:34

    O kolonel Guri qe dole ne pension si n/toger dhe e mer pensionin si gjeneral dhe a e dini perse? sepse Guri i ka sherbyer partis ne te gjitha frontet e luftes duke i sherbyer ne frontet me te veshtira por te lavdishme,sigurimit te shtetit………njerezit, o Guri nuk tallen me taksat por me rritjen e tyre kur ju kane thene se do ti ulnin dhe tallen me drejtuesit e dikasterve kaq te rendesishme qe jane jo vetem te paafte por edhe shume te pa moralshem qe ata tallen me varferin e ketij populli….por ty nuk te lene mesimet e partise dhe te shokut qoftelargu te devijosh rrugen e lavdishme si fanar ndricues ne adriaatik qe i jep drite botes….sa qesharak behesh edhe ne pleqeri o Guri…..

    Reply to this comment
  6. Illo October 7, 17:47

    Ky eshte shkrim , qe I vlen jetes ekonomike dhe kulturore te vendit . Mund te kete ndonje gabim ne caktimin e taksave , por deri sa ato jane te ligjeruara , kane atributin e ligjit . Eshte skandal I kultures dhe I medjave , qe gjejne humor te njerzit , qe ruajne ligjin . Si mund te pertypet nje humor I tille , qe eshte tragjik . Po si mund te pretendosh se disa duhet te perjashtohen nga taxat , ca te tjere te marrin energji falas , te tjert te hapin Universitet kristalor , te mos paguajne ujin etj .. Ne keto rraste kultura , medja , karakatura , madje dhe “Fiksi ” , propagandojne informalitetin dhe parazitizmin ; qe do te thote disa duhet te paguajne te tjeret te abuzojne dhe te duartrokasin . Kush nuk duhet te paguaj e di vetem ligji , prandaj eshte urgjente ligjerimi I minimumit jetik . I. Foto

    Reply to this comment
  7. Sabo October 7, 18:21

    Zoti Ditag permbajtja e shkrimit tende me verteton se e ke shkruar ose i pire ose se ke ,urrejtje per autorin per te cilin shpif , Autori eshte perkthyes i dhjetra librave me vlere ,nuk ka qen kolonel dhe sigurims por habitem pse nuk shkruan per problemin qe ai trajton .

    Reply to this comment
    • ditag October 7, 19:37

      …sabo, mjafton te them se kam punuar me Gurin shume vjet ne Akademin ushtarake ku Guri ishte per kimin dhe …..te tjerat lexoi me siper por ti duket qe shkruan aforfe pa njohje, mjafton te te vij pas avazit….ndersa une e kam hequr mbi shpine kete far soi……..

      Reply to this comment
  8. Sabo October 7, 20:18

    ditag Po Guri ka punuar ne akademi por jo kolonel , kan punuar Jaho jahjaj Uron Puto e sic pohon ti dhe zotrija e juaj e shum te tjere, kete ta shkruajta qe e njoh gurin me mire se sa mendon ti dhe e kan larguar prej andej per ne Librazhd mund te vazhdoja por eshte e kot sepse figura si Guri nuk kane nevoj per mbrojtje se vete jeta e tyre plot pune dhe dinjitet flet per kete .Ne qofte se ty te ka ber keqe ,qe nuk e besoj ,gabon qe e shpreh urrejtjen ketu ,takoje dhe shprehja ,kjo do te ishte burrnore dhe e ndershme keshtu veprojn ata qe nuk i kan sherbyer sigurimit.
    .

    Reply to this comment
    • ditag October 8, 08:00

      O sabo, je avokat i keq por edhe jo i sinqerte…….pyete Gurin se ta tregon ai graden apo foto me gradat se i kane shume per zemer gradat ushtarake keta nga fshati i Gurit…….per te tjerat, nese nuk ta mer mendja ty, nuk eshte fai ime, por avokatia nuk behet me hamendje por me argumenta…..Guri atehere shitej si antikomuniste ne shoqerin e ngushte behet fjale, por ja qe po na verteton se ishte me komuniste edhe se Thoma Xhixho, kom. Akademise…..po e pate mik Gurin, keshilloe te moa dale me keshtu se po i del kallai fare…..

      Reply to this comment
  9. kritiku October 7, 20:40

    Zoteria Guri ben mire qe merr anen e Qeverise dhe jo te popullit, ndoshta ngaqe kushedu ku e ka hallin e femijeve dhe nipave qe ndoshta i punojne ne administraten shteterore. Meqenese z. Guri e pranon e thote: “Shumë nga ne kemi udhëtuar nëpër vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, por a na ka rënë ndonjëherë rasti që të kemi dalë nga ndonjë shitore, sado e vogël të ishte, pa kuponin tatimor të saktë në dorë? Kurrë. Pra, në gjykimin tim, një nga dyert e hyrjes në Europë është pagesa e detyrimeve ndaj shtetit, pasi nga ato pagesa varet mirëqenia jonë në të gjitha aspektet e saj dhe, kjo e fundit, hap rrugën drejt integrimit europian”, pse nuk na e ben te plote kete fakt? Ata europianet qe ka shetitur zoteria e marrin 20% e kuponit, kurse Qeveria e z. Guri (jo e jona sepse na vjedh ne), nuk na e jep ate 20%, por ua njeh dhe ua kthen vetem bizneseve te medha ku kane edhe pjesen e tyre. C’interes ka qytetari ta marri kuponin,perderisa nuk ia kthen shteti TVSH? Madje edhe ne kosove ka filluar te kthehet TVSH qytetarit, kurse ketu e merr Edi Rama. Jo zot, Guri, mire eshte ta mbeshtesim qeverine, por kur ajo nuk ia ka me hile popullit. Nese ty dhe 3 pensionistave qe ke pire kafene me ata do t’u kthehej 20% i TVSH, nuk do te guxonte kamarjeri t’u sillte kupon vetem per nje kafe, sepse nuk do ta linit ju.Nese e ke pare Evropen dhe nuk e thua kete te vertete, atehere kemi te drejten te te akuzojme edhe ty si: Mbrojtes i hajduterise shteterore. Pse shkruan keshtu ndaj dhe gaeta “Dita” ta ka botuar shkrimin se, po te shkruaje edhe kete cka une te kritikoj, te jesh i sigurte se asnje gazete ne Shqiperi nuk do te ta botonte, sepse te gjitha gazetat i kontrollon Edi Rama dhe dje Sali Berisha.

    Reply to this comment
  10. Festim October 8, 10:26

    Nje gje te “vogel” nuk kuptoj tek kritiku une, nese do kthehet 20% edhe qytetarit per cdo blerje, si i pa shkolle qe jam, perse do mblidhet kjo takse, ose me sakt perse bota e mbledh dhe pastaj ja ketheka te gjithe perseri qytetarit?? Apo per tu gjendur Kola ne pune??? Me ben te qesh me te madhe.. Guri qofte komunist apo spiun , ne ate qe shkruan ka shume te drejte. Humor bastard qe nuk ndihmon ne forcimin e ligjit, por te anarkise. Humori ka qellim te shigjetoj te metat dhe jo zbatimin e ligjit dhe shtimin e anarkise..

    Reply to this comment
  11. Vladimir October 8, 13:38

    Tvsh, qe tek ne eshte 20%, eshte takse qe paguhet nga konsumatori final, nga qytetari dhe nuk kthehet mbrapsht. Kjo takse nuk rendon mbi buxhetin e bizneseve te cilet jane gjeneruesit dhe vjelesit e kesaj takse per shtetin. Atyre ju rimbursohet krejt. Kur flasim per biznes, i tille eshte edhe avokati, marangozi, berberi.
    Keta, duke ju rimbursuar tvsh, shteti i nxit te deklarojne xhiron vjetore mbi te cilen, i taton.
    Zotit Guri respekt per temen shume te rendesishme qe trajton.
    Sot atdhetare te vertete nuk jane ata qe kapen mbas flamureve, shajne serbet e greket, godisin me gure autobuzin e sportisteve e tj, atdhetare jane ata qe zbatojne ligjin dhe paguajne rregullisht taksat.
    Sa per menyren se si shtetaret i perdorin taksat, ketu ka vend te flasish shtruar. Ne keta 25 vite nuk lane gje pa shkaterruar, vjedhur, djegur e zaptuar militantet e partive dhe horrat qe i mbeshtesin. Dhe gjithmone me flamur ne dore e me poza te medha. Edhe taksat tona jo pak kane shkuar ne gropen e banditeve.
    Pavarsisht kesaj, pavarsisht kush eshte ne pushtet, taksat percaktojne fuqine e nje shteti. Politika eshte shprehje e koncentruar e ekonomise. Sa leke ka ne buxhet, aq mundesi ka vendi per te perparuar.

    Reply to this comment
  12. realisti October 9, 15:59

    Shoh disa qe ankohen per taksat. Po ne e kishim shtetin pa teksa! Ata qe ankohen per taksat ose jane hajdute ose jane komunista

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*