Pse-të e (mos)marrëveshjes VV-LDK

December 16, 2019 13:03

Pse-të e (mos)marrëveshjes VV-LDK

Dilaver Goxhaj

 Jeta shoqërore në Kosovë, si në çdo shoqëri, ka qenë dhe është gjithë kontradikta brenda saj. Këto kontradikta i shohim edhe këto ditë në “luftën” që bëhet mes LDK dhe LVV për formimin e qeverisë. Dhe kjo ndodh, se shoqëria në Kosovë që doli nga gjiri i shoqërisë së përmbysur jugosllave, solli ndarje të reja shtresash shoqërore dhe forma të reja kontradiktash të brendshme në vend të të vjetrave. Si rrjedhojë, synimet e disa anëtarëve të caktuar të kësaj shoqërie, sikundër është në këto moment LDK, janë në kundërshtim me synimet e anëtarëve të tjerë si dhe të LVV. Kjo ndeshje shtresash shoqërore është çelësi i nevojshëm për të kuptuar mosdakordimin e deritashëm LDK-LVV si dhe gjithë historinë e ngjarjeve të 30 viteve të fundit në Kosovë, 1990-2020. Këtë fakt e tregoi qartë si Lufta për Çlirimin e Kosovës, edhe periudha e pas-luftës, por edhe kjo e koalicionit LVV-LDK që ka dy muaj që po nuk po realizohet.

Aktualisht, nga të gjitha partitë e sotme në Kosovë, vetëm LVV na jep shenjat e një force politike progresiste e me tipare revolucionare, prandaj dhe sulmohet si nga jashtë edhe nga brenda. Këtë përfundim e nxjerrim nga fakti, ku LVV ka dy zgjedhjet e fundit që po votohet më shumë nga populli pjesëmarrës në votime; dhe kjo ngaqë ajo tregon se ajo nuk lufton të mbrojë interesat e tashme të klasës së re shfrytëzuese të Kosovës, të përfaqësuara nga LDK, PDK, AAK dhe Nisma etj., por interesat e ardhshme të popullit shumicë.

Forcat e brendshme që e sulmojnë LVV, e luftojnë atë për të shpëtuar ekzistencën e tyre, e që janë LDK, PDK, AAK, Nisma etj. Kjo na tregon se sa e ndërlikuar është rrjeta e marrëdhënieve shoqërore dhe e shkallëve të ndërmjetme midis këtyre forcave politike që përfaqësojnë klasa a shtresa të ndryshme në Kosovë, që nuk është gjë tjetër, veçse luftë midis të kaluarës e të ardhmes së Kosovës.

Një arsye tjetër pse sulmohet LVV është se  ajo lufton në emër të qëllimeve dhe interesave aktuale të masës më të madhe të popullit të thjeshtë, por në të njëjtën kohë LVV mbron edhe të ardhmen e saj  dhe të Kosovës.

Prandaj shtrohet pyetja:  Edhe nëse formohet qeveria e koalicionit LDK-LVV, a do të ketë jetëgjatësi edhe pse thonë se i harmonizuan programet ekonomike mes tyre?

Këtë pyetje e shtrojmë duke pasur parasysh këmbënguljen e LDK që të zgjedhë dy vite më herët Presidentin e Kosovës!, e cila s’është gjë tjetër veçse pretekst për mosrealizimimin e koalicionit bashkëqeverisës, koalicion që e kërkon edhe një pjesë e madhe e anëtarësisë së LDK, por që nuk i interesojnë shtresës së privilegjuar të LDK.

Pse unë shpreh skepticizëm për realizimin apo mos jetëgjatësinë e këtij koalicioni?

Sepse, si anëtarësia e LVV ashtu edhe shumica e anëtarësisë së PDK, AAK dhe Nismës e kanë parë me të drejtë LDK, qysh në fillimet e saj, veçanërisht kur shpërtheu Lufta Çlirimtare, se po anonte drejt një tradhtie ndaj popullit. Dhe faktikisht shumica popullore nuk gaboi në atë dyshim, pasi LDK e sulmoi dhe e anatemoi, po e anatemon edhe sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke arritur deri atje sa bindi edhe udhëheqjen e PDK, AAK dhe Nismës në masën 80 % të tyre të binin në kompromis e të miratonin ngritjen e një Gjykate Speciale Ndërkombëtare me synimin si e si që të shpallet UÇK-ja ushtri terroriste, ashtu sikundër LDK e cilësoi atë që në aksionet e para të saj.

Për LDK-në, nuk kemi fakte konkrete të qenit bashkëpunëtore me forca me ushtrinë serbë kundër UÇK-së që ta akuzojmë si forcë ushtarako-politike kolaboracioniste të Serbisë, por pozicionimi indiferent që udhëheqja dhe shumica e anëtarësisë së rregullt e saj mbajti ndaj Luftës Çlirimtare, politikë e cila bëri që marrja pjesë me armë për çlirim të ishte jashtëzakonisht e ulët, vetëm 1 (një) për qind e popullsisë, rast i paprecedent në të gjithë historinë e kryengritjeve çlirimtare; si dhe faktin që thamë më lart, (anatemimin e UÇK-së), të detyron t’i japësh një përcaktim specifik atij qëndrimi, sikundër edhe është.

UÇK-ja ishte pakica përkushtuese për çlirimin e Kosovës. Kjo s’është ndonjë gjë e re. Po t’i referohemi historisë së luftrave çlirimtare në të gjithë botën, zakonisht deri në 6 % e popullsisë ka rrëmbyer armët, pavarësisht se në Shqipëri gjatë LANÇ-it rrëmbeu armët gati 10 % e popullsisë.

Ndërsa LDK ishte shumica indiferente ndaj luftës, duke i qëndruar deri në fund besnike parimit të pacifizmit absolut. Nëse i referohemi Martin Luter Kingut, i cili ka thënë: “Pothuajse gjithmonë pakica krijuese e përkushtuar e ka bërë botën më të mirë. Ai që pasivisht e pranon të keqen është po aq i përfshirë në të, sa dhe ai që ndihmon realizimin e saj. Ai që pranon të keqen pa protestuar kundër saj, në të vërtetë është duke bashkëpunuar me të.”

Atëherë, sipas M. Luterit, del se pacifizmi i LDK-së i ngjan një lloj kolaboracionizmi të veçantë. Këtë lloj kolaboracionizmi e përforcon edhe votimi 100 % prej LDK i Gjykatës Speciale monoetnike kundër UÇK-së, e cila po vërtetohet çdo ditë se nuk është gjë tjetër, veçse një gjykatë serbe por me autorë të tjerë dhe emërtim tjetër.

Ky lloj “pranimi të së keqes”, që thotë Martin Luter, në kushtet e një luftë çlirimtare kombëtare, sikundër ishte lufta e UÇK-së, ndryshe quhet indiferentizëm. Dhe për këtë na vjen në ndihmë Gjenerali anglez Devis, i cili i njëson indiferentët me kolaboracionistët në letrën që i dërgon Forien Ofisit, në 17 dhjetor 1943, në pikën nr.7 të saj, duke i vënë indiferentët në të njëjtin përcaktim me ballistët e zogistët në Shqipëri ngaqë nuk i bënin rezistencë gjermanëve gjatë LANÇ-it: “Unë mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet i njohur publikisht menjëherë, duke theksuar se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk u rezistojnë  gjermanëve do të marrin dënimin e merituar nga aleatët kur të vijë koha.” (PRO-FO/371 File nr.37145).

A u rezistoi me armë LDK-ja masakrave të Serbisë? Unë e di se,Jo.

Mirëpo, gjithkush mund të më shtroi pyetjen: “Ju thatë se edhe PDK, AAK dhe Nisma në masën 80 % të tyre e votuan Gjykatën Speciale, në këto kushte edhe ata duhet të llogariten si kolaboracionistë, apo jo?”

Pyetja është më se e drejtë dhe përgjigjen e saj na e ka dhënë në një analizë të thukët, analisti i pavarur Afrim Morina, i cili në shpjegimin që bën për dallimin midis tradhtarit dhe kolaboracionistit, na thotë: “Tradhëti mund të bëjë individi apo disa njerëz, por që ata, deri në këtë akt, kanë qenë veprimtar të çështjes kombëtare… Ndërsa, kolaboracionistët janë kategori tjetër e njerëzve. Këta janë të pasur, të shkolluar, kanë tituj pasanikësh, ushtarakësh, janë pushtetarë, etj., të cilët, për të mos i humbur privilegjet e veta, lidhen me djallin e të birin, për të mbrojtur “sedrën” e vet të trashëguar nga baballarët, apo të fituar gjatë jetës së vet; këta janë të lidhur me këdo tjetër, vetëm me çlirimtarët – jo.”

Bazuar në analizën e Afrimit, mund të dalim në përfundimin se deputetët e PDK, AAK dhe Nismës që votuan Gjykatën Speciale kanë kryer akt tradhtie ndaj UÇK-së dhe ndaj luftës së saj, si të tillë kanë rënë edhe në pozitat e kolaboracionizmit, ngaqë votuan Gjykatën Speciale, e cila,sikundër thamë, s’është gjë tjetër veçse gjykatë serbe me emër tjetër dhe këtë e kanë bërë “për të mos i humbur privilegjet e veta”, sikundër kolaboracionisti.

Në këto kushte më pak të dëmshëm për LVV del LDK-ja, e cila nuk e ka tradhtuar veten, por i ka qëndruar besnike ati lloj “kolaboracionizmit” të saj. Prandaj besoj pse LVV, midis dy të këqijave zgjodhi të keqen më  të vogël dhe vendosi vijën e kuqe me PDK, AAK dhe Nismën, derisa këto forca të udhëhiqen nga këta udhëheqës që tradhtuan UÇK-në dhe kaluan edhe në kolaboracionizëm. Nëse nesër  anëtarësia e këtyre forca politike do ta zëvendësoi ushëheqjen e tyre, tash me ngjyrë kolaboracioniste, me idealistë, sikundër është vetë ajo anëtarësi në shumicën e saj, atëherë natyrisht që LVV ka me e heq vijën e kuqe.

Mirëpo, nëse LDK-ja i qëndron besnike deri në fund  këtij kolaboracionizmit specifik të saj, me pretekstin e mospranimit të Isa Mustafës President nga ana e LVV, atëherë natyrisht që do të kalohet në zgjedhje të reja.

 

December 16, 2019 13:03
Komento

4 Komente

  1. Kerma plak i Vicidolit December 16, 21:18

    Isa Mustafa , pa as me te voglin dyshim , eshte grusht i fuqishem serb mbi kokat e kosovareve , por edhe te mbare kombit shqiptar ! Ashtu sikurse ne Shqiperi , Beogradi zgjodhi Lulush Bashen si trashegimtar te fronit qe la bajraktari i Viidolit , edhe ne Kosove Isa Mustafa eshte zgjedhja e Beogradit .Koalicioni qe eshte formuar midis LDK dhe VV , nuk eshte gje tjeter , vecse nje kombinacion i menduar mire i UDB -se , qe do perdore per te degjeneruar edhe VV , sikurse percane ne shume parti e rryma UCK -ne . si me thene ky koalicion eshte si nje kove me uje te ftohte per te fikur hovin dhe zjarrin revolucionar e atdhetar te VV- es dhe per te mos e lene ne asnje menyre te qeverise sipas programit te saj e ne interes te popullit te Kosoves , por ta kthejne ate serisht ne gjendjen e para luftes , sikurse e kthyen Shqiperine ne kushtet e vitit 1912 – 1913 .

    Reply to this comment
  2. Lili December 17, 04:06

    Ne kete mesele te ketij oficerit qe tradhton vete ma shume se c’menfon , harrohet nje gje: te gjithe ishim me LDKne dikur , bile edhe Albini…
    U ndam me LDKne kur titistat si Isa Mustafa , me te madhe e Sigurisht me urdher, na u bene per demokraci edhe e morren ne dore levizjen e Rugoves!
    Edhe meritat e ushtareve te lirise po ashtu nuk duhen ngaterruar me ´meritat’ e rogneristave qe erdhen me ndihmen e sigurimit ne krye te levizjes clitimtare … e qe ishin ne lidhje direkt me serbet me vellezerit e tyre di rastin gani thaci…

    Reply to this comment
  3. Arben December 17, 08:12

    Xhaxha Sam ka vendosur presidentin tja dhuroje beogradit.

    Ky eshte ngerci.

    Zgjedhjet perseri.

    Te ndaje mendjen populli, do vazhdojme te luftojme per Mitrovicen, apo do ta falim??!!

    Kjo eshte ceshtja.

    Reply to this comment
  4. Tefta Cami-Cani December 18, 12:43

    Pergezime, z. Dilaver per analizen reale, qe beni lidhur me problemet e marreveshjes midis LVV dhe LDK per krijimin e qeverise se re te paszgjedhjeve! LVV me ALBIN KURTIN eshte nje shprese e madhe per shqiptaret e Republikes se Kosoves dhe te te gjithe shqiptareve. I keni bere nje analize perfekte shtresave shoqerore, ku evidentoni tradhetaret e bashkepunetoret e nje pjese me pushtuesin serb, indiferentet, qe u preken privilegjet etj. dhe sulmet e anatemimin qe u kane bere e u bejne UÇK-es. Fatkeqesisht segmentet e Beogradit e te Athines jane te pranishme dhe jane fuqizuar si ne Prishtine ashtu edhe ne Tirane, qe po na demtojne seriozisht per mbrojtjen e territoreve tokesore e detare dhe hapsirave ajrore te Republikes se Kosoves dhe te Republikes se Shqiperise. Poshte tradhetaret e shqiptsreve! Tefta Cami-Cani

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim