Pse u ‘çmendën’ grekët

Alqi Koçiko September 22, 2015 02:01

Pse u ‘çmendën’ grekët

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare greke mund të quhen me plot gojën një surprizë për rezultatin që dhanë. Nëse basti i parashikueshëm i Aleksis Cipras për të pastruar partinë e tij SYRIZA mund të quhet i fituar, fitorja e tij e dytë, edhe më e madhe, është triumfi ndaj të paparashikueshmes: Sjelljes së votuesit ndaj ftesës për të vazhduar me qeverisjen e këtij kryeministri, apo për të ndërruar mendim. Në fakt, arsyet që Cipras të merrte goditje ishin të shumta. Thënë shkurt, ai qeverisi për shtatë muaj duke shkelur premtimet kryesore me të cilat erdhi në pushtet. U detyrua të firmoste marrëveshjen e tretë të ndihmës me BE-në, me ato kushte për të cilat anatemoi kundërshtarin politik të Demokracisë së Re. Veç kësaj, lundroi rrezikshëm (për sytë e partnerëve perëndimorë dhe shumë grekëve) nëpër flirtime me Rusinë, Kinën etj, flirtime që ose ishin një lojë për “ngritur pazarin”, ose Moska e Pekini kishin shumë andralla për t’iu kushtuar seriozisht lojës greke. Qershia mbi tortë ishin sjelljet dhe deklaratat e ministrit “antikonformist dhe të paparashikueshëm” të Financave, Varufakis, që shtuan në faturën qeverisëse edhe mungesën e seriozitetit dhe karagjozllëkun e ministrave të saj kyçë.

Cipras deri dje në mbrëmje, merrte mbi 35% të votave ose vetëm 1 përqind më pak se fitorja e tij e janarit të shkuar. Iu sakatua grupi parlamentar, por kjo nuk u reflektua në votë: Partia e re e rebelëve radikalë Lafazanis dhe Konstandopulu nuk arrin të kapë pragun parlamentar 3%.

Atëherë pse u ‘çmendën’ votuesit grekë, duke ja dhënë sërish qeverisjen ish djaloshit sindikalist që shumë shpejt po tregohet një lider i regjur politik?

Me një arsyetim logjik, mund të thuhet se zgjedhësit fqinjë e dinë që qeveria e re nuk ka shumë hapësira manovrimi dhe shinat në të cilat do të ecë vendi janë vendosur, që pasi Cipras firmosi marrëveshjen e korrikut me Trojkën Europiane. Mendja ta do që koston, për mirë apo për keq, të këtij vendimi, duhet ta mbajë lideri dhe partia që e nënshkruan atë. Dhe nëse basti i parë i Aleksis Cipras, ai i pastrimit të SYRIZA-s nga kolegë që thonë “nuk e përçajmë partinë, por do votojmë kundër qeverisë”, ishte gjithsesi i fituar; qëndrimi në qeveri, madje marrja e një mandati të fortë sado që me aleatë të tjerë në kabinet, është sfida e vërtetë e një drejtuesi politik. I cili tashmë nuk kornizohet dot më si produkt kalimtar krizash, por i profilizuar si njeriu i ri i së majtës greke. Njëfarë Papandreu i dytë.

Duket se thirrjet mediatike (si një editorial i fundit i Kathimerinisë) për të mos përsëdytur eksperimente të dëmshme nuk janë dëgjuar. Kundërshtari politik, Meimarakis i Demokracisë së Re, në fakt është një eksponent i vjetër i kastës jetëgjatë të së djathtës në pushtetin grek; edhe pse i papërfolur, për shumë votues ai është pjesë e asaj klase politike që e sollën Greqinë në këtë derexhe. Por mund të ketë dhe arsye të tjera, më “metafizike”. Siç pohoi ish zv.ministrja e Emigracionit të Ciprasit në qeverinë e vjetër, Tasia Kristodhulopulu, “shumë grekë ndoshta votojnë SYRIZA-n si të majtë, por ka edhe të tjerë që votojnë për shkak të udhëtimit të bukur (politik) që ofroi partia jonë”. Që një vend në krizë të thellë, pasi nuk ka asgjë për të humbur, të jepet pas romantizmit dhe aventurës që ofrojnë zhvillimet e befta politike, nuk përjashtohet si opsion. Por zor të jetë kështu. Gjasat janë që Cipras fitoi, pikërisht si mesazh se gjellën që gatoi, duhet ta shijojë vetë deri në fund. Për mirë ose për keq…

Alqi Koçiko September 22, 2015 02:01
Komento

3 Komente

  1. Leci September 22, 19:16

    Tritan Shehu dhe Arjan Cani i bene thirrje emigranteve shqiptare ne Greqi qe te votojne Demokracine e re. Dhe grekerit dhe emigrantet pasi degjuan analizen e Tritan preshit dhe te nipit te tyre Arjanit votuan.Fitore

    Reply to this comment
  2. Uri September 23, 04:39

    Greqia si ish-Jugosllavia. E dhjere, mosmirenjihese, e palare, parazite, e pavarur le te gremiset.

    Reply to this comment
  3. kryetari kAmentuesve idjote September 23, 16:15

    0 ‘ANALIST’,
    Analizove 25 vjet shperberjen e popullit tend pa shtet,pa shtet te se drejtes pa pluralizem pa demoKroaci me 100 banda hajdutesh te quajtura parti–E te ngeli te analizosh popullin grek ku ka lindur demokracija e qe si popull i civilizuar brenda viteit e kane shpene parlamentin 3 here ne shtepi e ku partija socialiste u shkri si akullore e ku era e partive komuniste sot eshte prezent me teper se kurre qe te perfaqesoje shumicen e popujve nga Greqija tek Anglija e perfshi Ameriqija.TI AKOMA KE FRIKE TE PERDORESH FJALEN KOMUNIZEM SE TE FUT NE BURG SALIJA ARVIZUJA E FEVZIJA E NA TREGON PERRALLA ME GREQI!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*