Pse u fsheh për gjysmë shekulli Pakti Ribentrop-Molotov

September 8, 2019 12:12

Pse u fsheh për gjysmë shekulli Pakti Ribentrop-Molotov

Prof. Paskal Milo

(Vijon nga numri i kaluar)

Në 23 gusht pasdite Ribentropi arriti në Moskë dhe në mbrëmje vonë së bashku me Molotovin e në prani të Stalinit pasi u dhanë dorën e fundit projekteve nënshkruan Paktin e Mossulmimit dhe Protokollin Shtojcë Sekret. Atmosfera e asaj mbrëmjeje të vonë e që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër ishte tejet e ngrohtë e miqësore. Dokumentet arkivore gjermane e dëshmojnë këtë por pjesërisht edhe dëshmitarë okularë gjermanë e sovjetikë. Traktati i Mossulmimit përbëhej prej shtatë nenesh. Qeveria sovjetike dhe ajo gjermane të cilësuara si Palë Kontraktuese detyroheshin të përmbaheshin nga çdo dhunë ose nga çdo veprim agresiv dhe nga çdo sulm në marrëdhëniet me njëri tjetrin si vetë ato, ashtu edhe së bashku me shtete të tjera. Në rastin kur njëra prej palëve bëhej objekt i veprimeve ushtarake nga ana e një shteti të tretë, pala tjetër nuk duhej në asnjë formë të mbështeste këtë shtet. Gjithashtu asnjëra prej Palëve Kontraktuese nuk duhej të merrte pjesë në çfarëdo grupimi shtetesh, i cili hapur apo fshehurazi ishte i drejtuar kundër palës tjetër. Kohëzgjatja e Traktatit do të ishte për dhjetë vjet dhe do të hynte menjëherë në fuqi pas nënshkrimit.

Në thelbin e vet ky traktat nuk kishte ndonjë dallim nga modelet e traktateve të tjera që qeveritë e të dy vendeve kishin nënshkruar me qeveri të shteteve të ndryshme evropiane.  Traktati fillimisht ishte konceptuar që të përmbante edhe dakordësinë e palëve për respektimin e

sferave të influencës të njëra tjetrës si dhe disa ndryshime territoriale në favor të tyre. Por u ra dakord që këto çështje për shkak të ndjeshmërisë së lartë që kishin, të  kundërshtisë së hapur me traktate e konventa të tjera ndërkombëtare në të cilat ishin angazhuar palët, e të sekretit që përfaqësonin, të bënin pjesë në një protokoll të veçantë shtesë.

“Protokolli Shtesë Sekret” që u nënshkrua kishte katër pika. Aty u përcaktuan sferat e influencës të BRSS e të Gjermanisë në vendet balltike (Finlandë, Estoni, Letoni dhe Lituani), në Poloni ku ato do të ndaheshin përafërsisht në vijën e lumenjve Narev, Vistul dhe San. Në Protokoll lihej e hapur për të diskutuar më vonë ekzistencën ose jo të një shteti të pavarur polak dhe të caktimit të kufijve të tij. Pala sovjetike nënvizonte interesin e saj për Besarabinë, ndërkohë që ajo gjermane deklaronte mos interesimin e saj të plotë politik për këtë çështje. Të dy palët angazhoheshin që ta ruanin rreptësisht sekret Protokollin. Përmbajtja e këtij Protokolli pësoi disa ndryshime të tjera në përcaktimin e sferave të influencës respektive me nënshkrimin e një protokolli tjetër sekret në 28 shtator 1939 po në Moskë përsëri nga Molotovi e Ribentropi.

Protokolli Sekret sovjeto-gjerman u ruajt në fshehtësi të plotë si nga Hitleri dhe nga Stalini deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ndonëse Gjermania e sulmoi Bashkimin Sovjetik në 22 qershor 1941. Pas Luftës, Protokolli u zbulua në mes dokumenteve arkivore gjermane të kapura nga ushtria amerikane dhe u botua edhe në një përmbledhje dokumentesh për marrëdhëniet nazi-sovjetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveritë sovjetike gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë e mohuan zyrtarisht ekzistencën e këtij Protokolli. Madje atë e mohoi deri në fund të jetës së tij të gjatë edhe mohikani i fundit i brezit të parë të bolshevizmit ruso-sovjetik dhe nënshkruesi i tij V. Molotovi.

(Molotovi e ka hedhur poshtë me shumë konsekuencë ekzistencën e Protokollit Sekret. Ai herë thoshte se “nuk ishte e nevojshme”, herë “nuk mbaj mënd”, herë se “asnjë marrëveshje e këtij lloji nuk ka ekzistuar”,etj. Sigurisht që ish ministri i jashtëm i Stalinit nuk thotë të vërtetën. Atij nuk kishte si të mos i kujtohej një ngjarje e tillë kaq e rëndësishme politike, ndërkohë që mbante mend hollësira nga jeta e aktiviteti i tij i përditshëm i asaj kohe.

Kur u hapën diskutimet në Bashkimin Sovjetik në vitin 1988-1989 rreth këtij Protokolli, u bënë edhe kërkime në arkiva por nuk u gjet origjinali veç kopje të tij. Në ato vite midis studiuesve e sidomos historianëve në këtë vend u zhvillua një debat i gjerë për ekzistencën e vërtetësinë e këtij dokumenti. Madje u ngrit edhe një komision i posaçëm shtetëror me urdhër të presidentit të kohës Mihail Gorbaçovit, i cili pasi e studioi çështjen ia kaloi për gjykim Sovjetit Suprem. Në 24 dhjetor 1989 me vendim të këtij institucioni të lartë të Bashkimit Sovjetik u pranua zyrtarisht ekzistenca e këtij Protokolli, u njoh përgjegjësia e Stalinit dhe e Molotovit për negocimin e nënshkrimin e tij si dhe u cilësua “në thelb e në formë akt i pushtetit personal që nuk pasqyronte vullnetin e popullit sovjetik, i cili nuk mban përgjegjësi për këtë marrëveshje të fshehtë”.)

Pa folur për Protokollin Sekret që nuk njihej në 24 gusht, nënshkrimi i Paktit të Mossulmimit la një shije shumë të hidhur, jo aq për përmbajtjen e tij se sa për rrethanat, kohën dhe prej kujt u arrit. Për Hitlerin e për Gjermaninë ishte një fitore e madhe strategjike sepse goditi përfundimisht shanset për një aleancë anglo-franko-sovjetike para të cilës ai do të mendohej mirë para se të vendoste të sulmonte Poloninë. Për Stalinin ishte një fitore si e Pirros, u arrit një paqe e përkohshme me nazizmin, për t’u përgatitur më mirë për luftën që nuk do të vononte të vinte, por ishte edhe një politikë cinike po kaq e verbër sa verbëria e pafalshme e Çemberleinit dhe e Daladiesë ndaj sigurisë e paqes evropiane. Mospajtimi ideologjik dhe kundërshtia e papajtueshme e sistemeve politike fitoi mbi arsyetimin gjakftohtë të burrave të shtetit nga vendimmarrja e të cilëve vareshin fatet e qindra miliona njerëzve.

Pakti sovjeto-gjerman i mossulmimit shkaktoi një shok të madh në Evropë e në botë. Në Londër në reagimet e saj të para qeveria konservatore e Çemberleinit tregoi por edhe këshilloi vetëpërmbajtje. Opozita laburiste e kritikoi me terma të ashpra Paktin dhe e akuzoi qeverinë sovjetike për largimin nga parimet që kishte mbrojtur duke i shtrirë duart fashizmit. Stalini u akuzua për lojë të dyfishtë dhe Pakti sovjeto-gjerman u cilësua si një Mynih i dytë. Për Çurçillin “vetëm despotizmi totalitar në të dy vendet mund të përballonte turpin e një akti të tillë jo të natyrshëm”. Në Paris, ministri i jashtëm francez Zhorzh Bone deklaroi se Pakti kishte lënë një “përshtypje të rëndë”. Ai i kërkoi qeverisë sovjetike që të shprehej nëse pas këtij akti, Traktati sovjeto-francez i vitit 1936 qëndronte ende në fuqi. Për qeverinë polake Pakti sovjeto-gjerman ishte një surprizë e plotë dhe vërtetimi i dyshimeve të saj në bona fides të qeverisë sovjetike.

Edhe aleatët e Gjermanisë u ndjenë të tronditur. Marrëveshja e Moskës me Berlinin e shokoi opinionin japonez. Ndërsa në Romë qarqet e larta fashiste e pritën atë me entuziazëm, në

radhët e intelektualëve e të lëvizjes antifashiste pati çorientim e zhgënjime. Çiano nxitoi të nxjerrë përfitimet e rastit duke u mburur për “shërbimet e çmuara” që ai dhe Musolini kishin bërë për afrimin sovjeto-gjerman. Hitleri dhe Ribentropi i kishin informuar aleatët e tyre italianë për fillimin e kontakteve gjermano-sovjetike por nuk i kishin njoftuar për ecurinë e bisedimeve. Vetëm në 22 gusht në darkë Ribentropi njoftoi Çianon se po shkonte në Moskë ditën tjetër për Paktin e Mossulmimit. As që mund të merrej me mënd në këto rrethana se Hitleri e Ribentropi kishin dëgjuar këshillat e Çianos! Ata nuk kishin pikë simpatie për njëri tjetrin, për të mos thënë se urreheshin midis tyre.

Pakti i Mossulmimit dhe Protokolli Shtesë Sekret i hapën përfundimisht rrugën sulmit të parashikuar të Gjermanisë naziste kundër Polonisë. Hitleri përmes tyre arriti të sigurojë neutralitetin e Bashkimit Sovjetik dhe dështimin e aleancës anglo-franko-sovjetike kundër tij.

1 shtator 1939

Në planet e fshehta të Fyhrerit, Polonia kishte qënë objektivi i dytë pas pushtimit të Çekosllovakisë. Një muaj pas marrëveshjes së Mynihut për Sudetet, në 24 tetor 1938 në rezidencën malore të Hitlerit, në Berhtesgaden, Ribentropi për herë të parë i bëri të ditur Jozef Lipskit, ambasadorit të Polonisë në Berlin projektin ekspansionist të radhës të Gjermanisë: aneksimin e qytetit polak të Dancigut (Gdansk), krijimin e një “korridori polak” ku do të ndërtohej një super autostradë dhe një hekurudhë e dyfishtë që do të lidhte Gjermaninë me Dancigun dhe me Prusinë Lindore. Këto vija komunikacioni duhej të gëzonin të drejtën e ekstraterritorialitetit. Lipskit iu kërkua gjithashtu edhe bashkimi i Polonisë me Paktin Antikomintern. Për të gjitha këto lëshime qeverisë polake i premtohej zgjatja e afatit të paktit të mossulmimit midis të dy vendeve i vitit 1934 nga dhjetë në njëzetë vjet dhe garantimi i kufijve polakë.

Polonia refuzoi të pranonte kërkesat gjermane me të vetmin ndryshim që garancia për statusin e Dancingut të kalonte nga Lidhja e Kombeve në kompetencën e Polonisë e të Gjermanisë. Në muajt në vijim Hitleri u përpoq të impononte një zgjidhje të modelit të Sudeteve për Dancigun dhe për ta tërhequr Poloninë në luftën e mundshme kundër Bashkimit Sovjetik duke joshur me premtimin e zgjerimit të saj territorial në Ukrainën sovjetike. Ishte koha kur Berlini po zbatonte “diplomacinë e butë” me Varshavën.

Pushtimi i Çekosllovakisë në 15 mars 1939 çoi në ndryshimin dramatik të marrëdhënieve gjermano-polake. Ribentropi një javë më vonë jashtë kortezisë diplomatike i kërkoi Lipskit që qeveria polake të plotësonte kërkesat gjermane. Këto veprime u shoqëruan me demonstrimin e forcës në Detin Balltik e me nxitjen e veprimeve kërcënuese e të dhunshme të elementëve të organizuar nazistë në gjirin e komunitetit gjerman të Dancigut. Në këto rrethana Polonia iu drejtua për ndihmë e mbështetje Britanisë së Madhe. Në fund të marsit kryeministri Çemberlein deklaroi në Dhomën e Komuneve se në rastin kur do të vihej qartësisht në rrezik pavarësia polake, qeveria e tij do t’i jepte Polonisë të gjithë ndihmën e nevojshme. Kjo deklaratë në 6 prill u shoqërua me vendimin e të dy qeverive për të zhvilluar bisedime për përfundimin e një traktati aleance midis Britanisë së Madhe e Polonisë.Me këtë vendim një javë më vonë u bashkua edhe Franca.

Rezistenca polake ndaj kushteve gjermane dhe solidariteti anglo-francez me të e nxitën përfundimisht Hitlerin në përgatitjen e planit për pushtimin e Polonisë. Në 3 prill ai nxorri direktivën shumë sekrete për Vermahtin me emrin e koduar “Operacioni i Bardhë”, (Fal Vajs) në të cilën u fiksua si dita e sulmit kundër Polonisë 1 shtator 1939. Në fund të prillit në Rajhshtag Hitleri denoncoi Traktatin detar anglo-gjerman të vitit 1935 dhe Traktatin gjermano-polak të mossulmimit. Në 22 maj u nënshkrua “Pakti i Çeliktë” me Italinë. Një ditë më vonë ai u zbuloi shefave ushtarakë nazistë filozofinë dhe strategjinë e tij të luftës.

Para syve të botës Gjermania po përgatitej për luftë. Çemberleini dhe Daladie më në fund u çliruan nga iluzionet se me lëshime “të vogla” mund të kënaqnin Hitlerin. Filluan negociatat me Stalinin për të krijuar një aleancë kundër Gjermanisë por me hipotekën e rëndë të mosbesimit të ndërsjelltë. Përtej Atlantikut presidenti amerikan Franklin Delano Ruzvelt në 15 prill iu drejtua me një mesazh personal Hitlerit e Musolinit në të cilën u kërkonte të angazhoheshin që në dhjetë vitet e ardhshme ata nuk do të ndërmerrnin asnjë sulm ndaj 29 vendeve që radhiteshin në një listë të gjatë.

Hitleri me sarkazëm e arrogancë i sulmoi si Ruzveltin ashtu edhe Çemberleinin në fjalimin e tij të gjatë dhe autosugjestionues të 28 prillit në Rajhshtag. Dështimi dhe suksesi i planeve të tij të luftës ishin të lidhura me rezultatin e bisedimeve anglo-franko-sovjetike nga njëra anë dhe me negociatat e fshehta sovjeto-gjermane nga ana tjetër. Fati i Polonisë varej shumë nga përfundimi i kësaj diplomacie në dy shina. Nënshkrimi i Paktit të Mossulmimit dhe i Protokollit Shtojcë Sekret në 23 gusht në Moskë i hapën dritën jeshile e në mënyrë të pakthyeshme agresionit gjerman kundër Polonisë.

Një ditë para nënshkrimit të Paktit, Hitleri kishte mbledhur në Obersalzberg shefat më të lartë ushtarakë nazistë. Aty ai i njoftoi se sulmi kundër Polonisë do të fillonte në 26 gusht, në mëngjez herët. Skllav i imagjinatës së tij të shfrenuar ai i çuditi gjeneralët e Vermahtit kur u tha se “Stalini dhe unë jemi të vetmit që përfytyrojmë të ardhmen. Pas disa javësh unë do t’i shtrëngoj dorën Stalinit në kufirin e përbashkët gjermano-rus dhe së bashku me të do të rindajmë botën”.

Pas 23 gushtit ngjarjet rrodhën shumë shpejtë.Qeveria britanike e paralajmëroi Fyhrerin se Pakti sovjeto-gjerman nuk do t’i ndryshonte aspak detyrimet e saj ndaj Polonisë. Në 25 gusht në Londër u nënshkrua Traktati anglo-polak, i cili u dha një bazë juridike garancive britanike për Poloninë. Ambasadorët anglez e francez në Berlin me terma të qarta e larg stereotipeve të javëve të kaluara e në një situatë tepër të tensionuar i bënë të njohur Hitlerit se Britania e Madhe e Franca ishin të vendosura të shkonin në luftë  për Poloninë.  Një shkëmbim letrash midis Nevil Çemberlenit e Eduard Daladiesë nga njëra anë e Hitlerit nga ana tjetër, dy ditë më vonë, nuk shërbyen për gjë tjetër veç për të qartësuar në nivelin më të lartë vullnetin e të dy palëve për të ecur në drejtime të ndryshme e që paralajmëronte luftë midis Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe e Francës. Po në këtë kohë presidenti amerikan Ruzvelt u bëri thirrje Gjermanisë e Polonisë që të tërhiqeshin nga çdo akt armiqësor për një periudhë kohe të arsyeshme dhe t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet midis tyre ose me negociata direkte, ose përmes arbitrazhit, ose përmes konsultimeve me një palë të tretë jo të interesuar.

Hitleri nuk tregoi ndonjë shqetësim të madh për këto lëvizje e deklarata të fuqive demokratike perëndimore. Ai i kishte paraparë ato dhe ishte i palëkundur në vendosmërinë e tij për të sulmuar Poloninë. Por nuk i kishte pëlqyer qëndrimi i aleates së tij, Italisë. Që në muajin korrik Musolini e Çiano u kishin paraqitur rezervat e tyre Hitlerit e Ribentropit për planet gjermane të shpërthimit të luftës. Italia ishte e papërgatitur në armatime, veçanërisht në ato detare dhe kishte mungesa për naftë e lëndë të tjera të para. Ajo nuk mund të hynte në luftë veç pas dy ose tre vjetësh. Musolini kishte propozuar organizimin e një konference të Fuqive të Mëdha evropiane me përjashtim të Rusisë për të diskutuar e për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Dancigut. Këto qëndrime Musolini i përsëriti edhe në gusht, ndërkohë që Çiano që ishte edhe nxitësi kryesor i tyre i nënvizoi veçanërisht në takimet e tij të 11 e 13 gushtit me Hitlerin e Ribentropin.

Mosmarrëveshjet erdhën duke u thelluar. Roma vuri në dyshim “Paktin e Çeliktë” dhe mbeti shumë e zhgënjyer nga fakti se ishte injoruar nga vendimi i Fyhrerit për të nënshkruar Paktin gjermano-sovjetik. Diktatori nazist synoi edhe njëherë tjetër, një ditë para se të sulmonte Poloninë që të thyente rezistencën e Musolinit për të mos hyrë në luftë. Në 25 gusht i drejtoi një

letër në të cilën i jepte shpjegime për Paktin me Stalinin dhe e informonte për sulmin e afërt ndaj Polonisë. Po të njëjtën ditë, Duçja iu përgjegj Fyhrerit me të njëjtat argumente kundërshtuese sa që shkaktoi një nga shpërthimet tipike histerike të tij në Kancelari. Hitleri u detyrua të anulonte sulmin ndaj Polonisë disa orë para se të niste.

Nuk ishte tërheqje nga objektivi, por thjeshtë një kohë e shkurtër reflektimi për të gjykuar

më mirë rrethanat e krijuara, për të trimëruar aleatin e frikësuar e të lëkundur dhe për të kolauduar përgatitjet e fundit. Nuk vonoi veç 24 orë dhe Fyhreri iu rikthye datës 1 shtator si dita kur ushtria naziste do të kalonte kufijtë polakë. Qeveria britanike morri iniciativën për të nxitur bisedime të drejtpërdrejta kompromisi gjermano-polake. Një diplomaci intensive dhe shumë e tensionuar u dëshmua në ditët e fundit të gushtit midis Londrës e Berlinit, e diçka më pak mes Parisit e kryeqytetit të Rajhut. Nevil Henderson, ambasadori britanik ka dëshmuar në raportimet diplomatike por edhe në dëshmitë në Gjyqin e Nurembergut e në kujtimet e tij skenat tronditëse të bisedave të acaruara e shpesh edhe me nerva të lëshuara me Hitlerin e Ribentropin. Britania synonte në momentin e fundit të ndalonte fatalitetin historik të luftës, Fyhreri kërkonte ta shkëpuste atë nga mbështetja për Poloninë e në arritjen e një Mynihu të ri me lëshime më  të mëdha.

Në përpjekjet për të ndalur shtrëngatën e luftës që po vinte u përfshi edhe Italia e Musolinit, gjithnjë e nisur nga interesat e saj, nga frika e dështimit e nga mungesat e mëdha në përgatitjen e saj. Musolini mori një pozitë asnjanëse dhe nuk hoqi dorë nga idea për organizimin e një konference ndërkombëtare të pesë fuqive për çështjen polake. Për të gjetur një kompromis të fundit atëherë kur kanalet e komunikimit zyrtar midis qeverive gjermane e britanike, ishin bërë të shurdhra, u shfrytëzuan edhe shërbimet e një industrialisti suedez, Briger Dahlerus, mik i Herman Geringut dhe i afërt me disa qarqe zyrtare britanike. Edhe ato, më tepër të denja për një roman të diplomacisë konspirative nuk sollën veç disa iluzione të çastit e shpresa të rreme në Londër dhe ishin vetëm një alibi për Hitlerin për të fshehur krimin që ai po konsumonte në ato ditë të fundit të gushtit.

Në 31 gusht Hitleri nxori direktivën numër 1 për zhvillimin e luftës. Aty ai urdhëronte që

pasi ishin shterur “të gjitha mundësitë politike për rregullimin me mjete paqësore”, të bëhej “një zgjidhje me anën e forcës” për çështjen polake. Sulmi kundër Polonisë do të niste në 4 e 45 minuta të mëngjesit të 1 shtatorit.

E gjithë bota që priste në ankth, mësoi ditën tjetër se paqja evropiane ishte rrënuar përfundimisht. Lufta kishte filluar. Britania e Madhe dhe Franca u ndodhën para vendimit historik për të respektuar traktatet dhe garancitë që i kishin dhënë Polonisë: t’i dilnin në mbrojtje e t’i shpallnin luftë Gjermanisë. Humbën dy ditë me një shpresë të fundit se prova e forcës ishte bërë dhe Hitleri mund të ndalonte ose të tërhiqte ushtrinë e tij nga territoret polake në këmbim të lëshimeve që mund të negocioheshin në një konferencë ndërkombëtare. Fyhreri nuk e dëgjoi lutjen e fundit të Duçes por me një “mirëkuptim” të sforcuar i njohu të drejtën që Italia të rrinte përkohësisht jashtë konfliktit të sapofilluar. Në 3 shtator pas vendimit në Dhomën e Komuneve, Britania i shpalli luftë Gjermanisë. Disa orë më vonë qeveria franceze që ende lëkundej mes iluzioneve e detyrimeve, e nxitur edhe nga qeveria britanike udhëzoi ambasadorin e saj në Berlin  që të dorëzonte ultimatumin e luftës në Vilhelmshtrase.

Polonia brenda katër javësh u pushtua. Në 17 shtator trupat sovjetike u futën në territorin polak dhe përparuan me shpejtësi deri në vijën e përcaktuar në Protokollin Shtesë Sekret. Fatin e Polonisë disa muaj më vonë e pësuan Norvegjia, Hollanda, Belgjika e Franca, e në prill 1941 Jugosllavia e Greqia. Lufta i kapërceu kufijtë evropianë kur Gjermania në 22 qershor 1941 sulmoi Bashkimin Sovjetik e kur në 8 dhjetor të po këtij viti Japonia u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara.

1.Komunikim i ambasadorit francez në Berlin, Kulondër ministrit të jashtëm gjerman Ribentrop, 3 shtator 1939. D.G.F.P 1918-1945.Serie D (1937-1945) Volume VII…Dok.Nr.563, p. 533-534;Informacion i ambasadës franceze në Londër për Forin Ofis, 3 shtator 1939.D.B.F.P 1919-1939.Third Series.Volume VII…Dok. Nr.765, p.538; Jean Baptiste Duroselle, Andrè Kaspi.Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare.Vëllimi I…f.327.

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

 

September 8, 2019 12:12
Komento

8 Komente

  1. intelektuali September 9, 16:35

    Paskal Milo pyet ne nje forme retorike:

    PSE U MBAJT SEKRET PAKTI FAMEKEQ I HITLERIT ME STALININ?

    dhe:

    Nuk i jep asnje pergjigje llogjike adekuate megjithe dacibaon e gjate historike te parashtruar me hollesi, por pyetja e enveristit fanatik Paskal Milo ka nje pergjigje:

    PSE NE SHQYPNI MBAHET “TOP SEKRET” FAKTI QE ENVERI JETOI GJATE GJITHE LUFTES SI KUMANDAR I LANC-IT KRIMINAL MEGJITHE NEXHMIJE FASHISTEN NE VILEN E KUNATIT TE TIJ, BAHRI OMARI QE ISHTE KRYEFASHIST NE KONTAKT DIREKT ME RIBBENTROPIN E HITLERIT?

    Si mund te shkruash dacibao-carcafe per krimet e Stalinit kunder popujve dhe njerezimit, kur hesht si shurdhmemec per krimet e Enverit dhe te LANC-it te tij kriminal jugosllav?

    PO PSE ME HISTORIANE ENVERISTE HIPOKRITE SI PASKAL MILO DO TE HYJE SHQYPNIA NE BE?

    Reply to this comment
    • teuta September 10, 02:50

      po ik o budall, mbylle ate goje hale

      Reply to this comment
    • Berati September 11, 18:58

      Pra Milo po na thote edhe njehere se Stalini ishte i mire dhe u detyrua ta neneshkruante paktin se fuqite demokratike perendimore nuk e barazuan me veten. Por pyetja shtrohet pse i pushtoi ai keto vende Finlanden Estonine Lituanine Letonine apo gjysmen e Polonise? Mund edhe ti linte te lira ne pune te vete. E dyta thote se Baba Stalini ishte strateg dhe po kerkonte te fitonte kohe. Prandaj dhe pasi pushtuan Polonine gjeja e pare qe bene kriminelet komuniste ruse ishte grumbullimi i te gjithe oficereve te te gjitha rangjeve te cilet i ishin dorezuar ruseve me shpresen se vellezerit e tyre sllave do ti mbronin dhe ekzekutimin makaber te 21 mije oficereve dhe varrosjen ne gropa kolektive ne pyll. E verteta eshte se Stalini dhe Hitleri ishin bere nga i njejti brume kriminele deri ne vdekje. Aq i besonte Stalini Hitlerit sa kur i thane se gjermanet sulmuan BS hyri ne nje situate transi e cmendurie qe zgjati dy jave e nuk besonte gjeneralet e tij. Paskal leri perpjekjet per revizionim te shkrimeve te tua gjate diktatures se sa per historine shqiptaret jane bere poliglote e mund te lexojne shume me teper se perrallat e sheqerosura qe u servir ti.

      Reply to this comment
  2. Messerschmidt September 10, 08:42

    Analfabeti dullist milo perpiqet te jape nje pergjigje objektit me kryesor te luftes ste dyte botrore.
    Resultati eshte karagjosllia …nje prove me teper se ky Miloja ine nuk vlen per asnje gje.
    E them kete me plot bindje sepse kam lexuar plot shkrime per kete marrveshje.

    Reply to this comment
  3. Kasem gahinji. September 11, 13:58

    Prof. Milo, paktiimossulmimit nukka qene sekret. We ate here, Si del edge nga fotot eshte ere publike. Po’ keshtu, eshte bere publike edhenga jupersonalisht ne leksionet e histories se kohes se some,qe ne vitin1972 kur une Kam qene student. Madjejeoje edhe argumentat pse ube e d. m. d. Por ky pakt ishte pasoje. Per shkakun, prakonferencene mynihut te fuqivete medha nuk Kam pare asnje shkrim prej teje dhe te tjereve mjekerroshe te historise.pse? A nuk na shkruan edhe per te? Te Mos themi neser qe “u mbajt ifshehur”

    Reply to this comment
  4. Kasem gahinji. September 11, 14:01

    Prof. Milo, paktiimossulmimit nukka qene sekret. Qe ate here, Si del edhe nga fotot eshte bere publike. Po’ keshtu, eshte bere publike edhenga jupersonalisht ne leksionet e histories se kohes se some,qe ne vitin1972 kur une Kam qene student. Madjejepje edhe argumentat pse ube e d. m. d. Por ky pakt ishte pasoje. Per shkakun, prakonferencene mynihut te fuqivete medha nuk Kam pare asnje shkrim prej teje dhe te tjereve mjekerroshe te historise.pse? A nuk na shkruan edhe per te? Te Mos themi neser qe “u mbajt ifshehur”

    Reply to this comment
  5. demo September 11, 19:44

    Per NE,qwe breza me radhe,qe nga pushtimi terrorist enverist,degjonim radio Londren,BBC,Zerin e Amerikes,Radio Vatikanin,ky pakt nyk ka qene sekret.
    Milo qe ka qene propagandist i KQ,e mori vesh 30 vjet pas shqyerjres se telave te enverit.
    O fosile enveriste.Ti duhesh derguar ne muzeumin e paleontologjise.

    Reply to this comment
  6. ELIOT September 14, 03:13

    Milo komunisti ;;;Pakti sekret ka qene vetem n vendet bole shevike ;;;se Europa e dinte shume mir ;; historianet e botes skishin frike ta tregonin realitetin e Stalinit dhe krimet e tije dhe te Hitlerit ;;;; prandaj u mbajt sekret nga Enveri nga Caochesku nga disa shurrammane komunista se ju prishte biografia po ta mrrnin vesh se Stalini beri pakt me Hitlerin dhe e ndane Polonine pergjysem ;; Do me then nexhmija enveri do ta quanin stalinin kulak ;;;;antikomunist qe ju bashkua nazistave ;;;; apo jo ;;VETEM SHQIPTARET DHE NE VENDET KOMUNSTE KY KOOMPLOT U MBAJT I FSHEHUR ….JO NE BOTEN KAPITALISTE DEMOKRATE JOUNALISTET NUK KISHIN FRIKE A TREGONIN TE VERTETEN ..SI NE SHQIPERI ..?DHE MILO E KA MESUAR TANI MA HA MENDJA ….PAK E NAG PAK MILO PO E HEDH ENVERIN NE TOKE ..IDEALIN E VET PREJ KOMUNISTI PO E SHKEL ME KEMBE SHOKU MILO …SI KA MUNDESI QE STALINI TE KETE BASHKEPUNAR ME HTLERIN ??????? PO TA LEXONTE ENVERI KETE SHKRIM MILO ..DO E ISHNIN NE KAMPET E BURRELIT NE INTERRNIM OSE NE SPAC NE BURG PER TRADHETI TE POPULLIT …MERCI…SHPRESOJ SHURAMANET KOMUNISTA TA LEXOJNE DHE TE HAPIN SYTE …..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*