Pse vetëm po ushqehemi?

Edlira Shehu May 10, 2013 10:05

Pse vetëm po ushqehemi?

Kriza ka përçudnuar zakonet konsumuese të shqiptarëve, duke ua ndryshuar sjelljen konsumatore. Shifrat më të fundit të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se shpenzimet për blerjen e ushqimeve janë rritur ndjeshëm dhe kanë rënë po aq ndjeshem shpenzimet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të tjera me afate më të gjata konsumi (rroba, elektroshtëpiake, etj.). Banka qendrore e pohoi këtë fakt në vlerësimin e fundit që i bëri ekonomisë në katërmujorin e parë të 2013-ës, kur deklaroi se ecuria e inflacionit në 90 për qind mbizotërohet nga ushqimet. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, ndërsa inflacioni mesatar gjatë muajit prill 2013 ka qenë 2.5 për qind, çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur me 5.8 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Banka e Shqipërisë shpjegon se inflacioni i artikujve ushqimorë është balancuar nga ulja e inflacionit të mallrave të konsumit jo-ushqimor. Dhe dihet që çmimet bien atëhere kur nuk ka kërkesë për to.  Kriza ekonomike po ndikon fort në sjelljen e shqiptarëve për të shpenzuar. Edhe ata që dikur kishin mundësi të harxhonin, sot kanë ulur kuotat për mallrat e jo-ushqimore dhe po mjaftohen me blerjen e mallrave dhe shërbimeve të domosdoshme. Gjithcka është në krizë, konsumi, investimet publike dhe private, kreditë e këqija të rritura, mungesa e parave në duart e njerëzve. Kriza ka rritur frikën, pasigurinë për të ardhmen. Këto ndjenja të konsumatorëve të zakonshëm në treg dhe jashtë tij i pohojnë disa faktorë; rritja e kursimeve në banka dhe nga ana tjetër, rënia e ndjeshme, shumë e dukshme e kërkesës për të blerë shtëpi, prona, pajisje shtëpiake, etj. Në kushtet e një pasigurie për të ardhmen dhe sidomos për vendin e punës, shqiptarët nuk po kryejnë disa lloj shpenzimesh që kishin zakon t’i kryenin më parë. Gjë që dëshmon se niveli i jetesës në tërësi ka rënë. Kjo sjellje ka ndikuar në rënien e konsumit në tërësi e për pasojë në vlerat e çmimeve të disa artikujve. Ky vit ka nisur me rënie të çmimeve për mobiliet dhe pajisjet shtëpiake dhe të pasurive të paluajtshme, të cilat, të ndikuara nga psikologjia e krizës, nga mosblerjet masive, nga frenimi i investimeve shtepiake, janë shtyrë për t’u kryer më vonë. Pagat mesatare në privat janë tkurrur me të paktën 8 për qind në katër muajt e parë të këtij viti. Firmat po gjejnë gjithnjë e më shumë vështirësi të paguajnë punëtorët dhe madje, edhe t’i mbajnë ata në punë. Shqiptarët po e mbajnë dorën jo vetëm te shpenzimet për shërbime, por edhe te mallrat, ku futen ushqimet. Ngadalësimi i konsumit privat dëshmohet edhe nga zvogëlimi i të ardhurave prej Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) , i cili në tre muajt e parë të këtij viti ra me 11 përqind, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Prirja rënëse e të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale sinjalizon për rënie të mëtejshme të pagës edhe gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Burimet e tjera të financimit, kredia konsumatore dhe flukset hyrëse të dërgesave të emigrantëve, kanë rënë aq fort, sa nuk përbëjnë më motorrë zhvillimi e besimi në të ardhmen. Kemi pushuar praktikisht së investuari, thjesht duke u ushqyer dhe parë për kohë më të mira, mes një zhurmnaje politike që pjell vetëm pasiguri.

 

Edlira Shehu May 10, 2013 10:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*