Punësimi dhe “loja” e pasaktë e shifrave

August 12, 2018 10:57

Punësimi dhe “loja” e pasaktë e shifrave

Nga Koço Broka

Disa javë më parë objekt pikant i lajmeve në të gjithë mediat u bë shqetësimi i ngritur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës mbi saktësinë e shifrave të punësimit. Një lajm i tillë nuk mund të mos më ngjallte interes. Kjo për faktin e thjeshtë se jo vetëm ky është një problem i madh  në vendin tonë, shumë i debatuar…dhe a është funksional ky lloj debati?! Aq më tepër që disa kohë më parë kisha lexuar me germa të mëdha në një gazetë “Shqipëria hapi vetëm 28 mijë vende pune në 7 vite, më dobët se gjithë rajoni, kurse Maqedonia 103 mijë”?!

Duke trajtuar këtë çështje disa vite më parë se sa ishte numri i të siguruarve në sektorin privat para disa vitesh e konkretisht në fund të vitit 2013 dhe sa raportohen tani nga ISSH, nuk mund të mos çuditem për këto ngjarje, raportime e lajme të tilla, nga gazetaret e rubrikave ekonomike apo sociale. Pa frikë mund të thuhet se ai përbën një case study  për  t’u trajtuar në Fakultetin e gazetarisë, sidomos në temën se çfarë përfaqëson lajmi, verifikimin e tij përpara se të përdoret dhe saktësia e tij.  Kur më rastisi të takohem me një gazetare lajmesh ekonomike nuk mungova të pyesja :”A jeni të specializuara ju gazetaret e rubrikës ekonomike në këtë fushë, kur  jo rrallë ndodh të përcillen lajme të tilla pa i verifikuar, siç kërkon abc-ja e gazetarisë?!

Përgjigja ishte e sinqertë Jo, nuk jemi të specializuar sidomos për problemet ekonomike, ndonëse  i kemi të përcaktuara rubrika që ndjekim. Ndërkohë më rezultoi se shumë syresh nuk kanë arsimin e sidomos trajnimin e kualifikimin e nevojshëm ekonomik(në degën e gazetarisë nuk zhvillohen economiks apo hyrje në ekonomi, mjaft gazetarë dhe gazetare të reja kufizohen me njohuritë ekonomike të marrë në shkollën e mesme). Në këto kushte jo vetëm kujton me nostalgji, por pse jo edhe me respekt, gazetarë të tillë të rubrikave ekonomike si Vangjush Gambeta, Mitro Cela, Shyqyri Meka, por deri me të rinj si Gjergji Erebara…etj. Ata jo vetëm pasqyronin ndodhitë dhe ngjarjet ekonomike, por kishin dhe kanë qëndrimin e tyre ndaj tyre për ndryshimin e përmirësimin e të sotmes, bazuar në analizat e trajtesat përkatëse.

Sa më sipër më shtoi kureshtjen për të lexuar me kujdes lajmin dhe si është trajtuar për shqetësimin e ngritur. Në hyrje të shkrimit  lexoj: “Numri i të punësuarve nuk është i vërtetë në një kohë që të ardhurat nga tatim-fitimi dhe sigurimet shoqërore nuk janë rritur. Ky ka qenë argumenti i bërë nga nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku për ministrinë e Financave”, fillon  njoftimin gazetarja. Më pas nuk mungon të japë drejtpërdrejt debatin e zhvilluar në Komisionin  e Ekonomisë dhe Financave. “Tabaku: Nëse  do të kishim atë numër të punësuarish duhet të ishin rritur dhe tatimi mbi të ardhurat personale po me të njëjtin rritëm, ndërkohë që edhe tatimi mbi të ardhurat personale është rritur vetëm 1 miliard. E njëjta gjë edhe me sigurimet shëndetësore Ku i keni gjetur 60 mijë të punësuarit?!…”

Përpiqem ta ndjek këtë debat, pavarësisht nga dhimbja e kokës që të kushton lufta politike në vendin tonë e mundësisht jashtë dhe pavarësisht nga emrave  që më është imponuar të përmend për të qenë sa më konkret . Duke u ndalur për dukurinë që nuk është e izoluar  personalisht nuk merrem dhe nuk dua të prek aspak personat në fjalë  por vetëm dukurinë.

Shifrat, në dukje të sakta

Shqetësimi i ngritur  për saktësinë e shifrave të punësimit apo treguesve të tjerë  si borxhi publik etj., kanë qenë dhe janë edhe i  imi. Aq më tepër kur pushtetarët në vendin tonë nuk kufizohen vetëm në shikimin e shishes përgjysmë, gjysmë plot, apo zbukuroj por nuk gënjej. Duke ndjekur  në shumë raste praktika të njëjta me ato që kanë kritikuar kur kanë qenë në opozitë, në vend të angazhimit të gjithë baterive për përmirësimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemeve që kanë adresuar, nuk mund të mos shohësh sa kohe dhe vëmendje e posaçme i kushtohet  perfeksionimit gati të  kthyer në art, i paraqitjes, dukjes,…imazhit.

Por kjo dhe për faktin e mëposhtëm. Duke lexuar publikimin e fundit të  INSTAT “Punësimi sipas burimeve administrative dhe sektori bujqësor, Tr.1.2015-Tr.1.2018,” ku jepen të dhëna tremujore, lexon  se  numri i të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor për tremujorin e katër 2017, ishte   501,341, ndërsa për tremujorin e parë 2018, 501,759, pra gjatë tremujorit t parë ka pasur vetëm me një shtesë vetëm prej 418 vetë.

Ndërsa  në fjalën “Punësimi nga Zyrat e Punës, rezultate tejet inkurajuese për muajin mars, Kryeministri do të deklaronte Dua ta filloj nga rezultati i muajit mars: 1396 persona që kanë filluar punë! Është një rezultat shumë inkurajues po të kemi parasysh rolin që kanë luajtur zyrat e punës, sepse bëhet fjalë për 1396 persona, të cilët kanë filluar punë falë zyrave të punës.

Pra nga 418 vetë që ka prezantuar INSTAT për tre muaj, Kryeministri flet për 1396 të punësuar vetëm nga zyrat e punës  në një muaj. Në këto rrethana  shqetësimi i ngritur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës  për  saktësinë e raportimeve të administratës lidhur me të dhënat e punësimit nuk duket i stisur por  mëse normal. Saktësimi i raportimit është premisa e parë për adresimin e zgjidhjen më të mirë si për punësimin e të papunëve, sigurimin për pension të të punësuarve dhe mbarëvajtjen  e ekonomisë, në tërësi. Ndërkohë kujto nuk mund të mos i bëjë përshtypje angazhimi i posaçëm dhe i vazhdueshëm i kryeministrit lidhur me punësimin, duke marrë pjesë gati çdo jave në një panair punësimi të zhvilluar në  qytetet…Numri i tyre është shumë i madh. Interesimi për rezultatet e këtij angazhimi është më se i natyrshëm. Personalisht pres 12 shtatorin se çfarë do  të raportojë INSTAT, për shtesën e të punësuarve gjatë gjashtëmujorit të parë, apo ISSH, duke vazhduar praktikat e botimeve statistikore gjashtëmujore.

Kur evidentova më lart  se ky është dhe shqetësim i imi, nuk e kam fjalën për disa mospërputhje të vogla, që rezultojnë pashmangshëm për shkak  të aspektit metodologjik dhe ndryshimet që ekzistojnë  në vetvete midis treguesit  të punësimit të realizuar nga zyrat e punës, me punësimin të realizuar de fakto gjithsej, raportimin e  tyre në një datë të caktuar  në fund të një periudhe të caktuar, apo në  nivelin mesatar të tyre gjatë periudhës tremujore, vjetore, etj. si këto. Këto ndryshime kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë.

Për këtë mjafton t’i hidhet një sy dy evidencave kryesore në këtë fushë,  nga njëra anë të punësuarit  në sektorin privat jo-bujqësor,  sipas  INSTAT, Punësimi sipas burimeve administrative dhe nga ana tjetër ecurisë të e numrit të  kontribuuesve të sigurimeve shoqërore në sektorin privat urban sipas  ISSH, psh për 2013 dhe 2017. Mund të jesh i punësuar por jo i siguruar.

Mund të sigurohesh duke u shndërruar nga një i punësuar informal që nuk ke paguar sigurimet shoqërore në një punonjës formal. Por është shumë e vështirë për të saktësuar në se të gjithë punonjësit e formalizuar në sigurimet shoqërore janë të punësuar rishtazi apo të vjetër. Ndërkohë pushtetarët janë të interesuar të pretendojnë se të gjithë shtesat e punonjësve të siguruar janë punonjës të rinj. Ndërkohë  të dhënat në rastin e parë nga INSTAT janë si numër mesatar në nivel tremujor,  ndërsa  në rastin e dytë të dhënat e ISSH janë në nivel mesatar vjetor. Për rrjedhojë mund të flitet për prirje të njëjta, përmasa pothuaj të njëjta, por jo për tregues identikë.

Duke iu drejtuar këtyre evidencave zyrtare rezulton se numri mesatar vjetor i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore   nga firmat private dhe të vetëpunësuarve në zonën urbane për vitin 2013 ishte sipas ISSH  281320 vetë , ndërsa për vitin  2017 mesatarisht 468102vetë , me një shtesë prej 186782 vetë. Ndërsa sipas INSTAT të punësuari në sektorin privat jo-bujqësor  në tremujorin e IV 2013 ishin  311,668 vetë, ndërsa në tremujorin e IV 2017,  501,341 ose një shtesë prej 189673 vetë. Pra megjithëse shifrat nuk janë, identike  ato janë shumë të përafërta duke shprehur të njëjtën prirje. Dallimi i vogël është më se i natyrshëm po të mbahet parasysh atë që evidentova është e lart se njëri tregues flet për numrin mesatar vjetor ndërsa tjetri për numrin mesatar tremujor.

A hedhin poshtë sa më sipër çdo dyshim për treguesin e punësimit,  sa më sipër?!  Duke iu referuar një treguesi tjetër,  rezulton se në vitin 2017 të ardhurat e sigurimeve shoqërore në tërësi sipas Ministrisë se Ekonomisë dhe Financave arritën 73miliard e 999 milion lekë  nga 51 miliard  e 64 milion lekë në vitin 2013 dhe 44,344 në vitin 2009.

Kjo do të thotë se shtesa e të ardhurave të sigurimeve shoqërore për periudhën 2013-2017 ka qenë 22 miliard e 935 milion lekë që konfirmon rritjen e punësimit, nga 6 miliard 720, në periudhën 2009-2013. Ndërsa shtesa e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore rezulton e përmbysur më e lartë në periudhat e mësipërme. Këto dëshmojnë se në këtë rast kemi dy politika e për rrjedhojë dhe rezultate  të ndryshme lidhur me punësimin dhe luftën kundër evazionin në fushë e punësimit.

Punësimi sipas INSTAT

Ndërkohë ka publikime të tjera që flasin për mospërputhje midis të dhënave të INSTAT dhe ISSH-së për punësim. Sipas evidencës së mësipërme të INSTAT, Punësimi sipas burimeve administrativ, në tremujorin e katërt të vitit 2017 të punësuarit  në sektorin bujqësor, ishin  456,829, nga  462,253 vetë që ishin në të njëjtën periudhë për vitin 2013. Kjo ndodh në kushtet e zhvendosjes mekanike e popullsisë nga fshati në qytet dhe të emigracionit?!

Ndërsa sipas ISSH, numri i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore të vetëpunësuar në  bujqësi për vitin 2017, ishte mesatarisht 58,526 vetë, ose vetëm 12.8 % e punonjësve fermerëve të punësuar në sektorin bujqësor . Çfarë do të bëhet me ata fermerë që nuk derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore kur tu vijë mosha e pensionit?!

Prej kohësh është dëgjuar se midis dy institucioneve ISSH-së dhe INSTAT ka mospërputhje të dukshme për çështjen e numrit të të punësuarve në bujqësi dhe se sa prej tyre paguajnë dhe mund të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore. A nuk ka ardhur koha që të zgjidhjet kjo çështje? Mendoj se po. Prandaj çështja e saktësimit të numrit të punonjësve në bujqësi nuk është thjesht një debat e lagu se lagu… Dhe  ku mund të zgjidhen më mirë se sa duke u angazhuar drejtpërdrejt deputetet e Komisionit te Ekonomisë dhe Financave ?!Kjo është një arsye më tepër për tu ndalur në shqetësimi i ngritur nga Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financës

Mirë bëhet që përfaqësues të mazhorancës flasin për uljen e nivelit te papunësisë sidomos   tremujorët fundit, të raportuar nga INSTAT deri në 12.5%. Duke e ndjekur këtë tregues të rëndësishëm ekonomik e social për mua personalisht ky raportim i INSTAT është i besueshëm. Kjo dhe për faktin se sipas INSTAT, treguesi Punëkërkues të papunë të regjistruar ka patur një ulje të dukshme nga  152,050 vetë në tremujorin e tretë të vitit 2015, në  85,544 në të njëjtin tremujor të vitit 2017. Për rrjedhojë dhe norma e papunësisë, matur me punëkërkuesit e papunë të regjistruar është ulur dukshëm. Por gjithsesi nuk ka vend për shumë eufori.

Kjo si për faktin se në tremujorët në vijim ka patur një stanjacion ose rënie mjaft të lehtë gati të papërfillshme të këtij treguesi, por sidomos edhe për faktin se vitet e ardhshme, fasha e popullsisë që hyn në moshën e punës dhe asaj që dalin në pension barazohet në dobi të kësaj të fundit, duke patur ndikime të drejtpërdrejta si në buxhetin e sigurimeve shoqërore ashtu dhe në vështirësitë për gjetjen e punonjësve të rinj, për të mundësuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërkohë që aktualisht është problem jo i vogël niveli i ulët i pagave  dhe për rrjedhojë i kontributit të sigurimeve shoqërore, për shtesën e atyre që kanë filluar ti paguajnë ato në sektorin privat. Ky është një problem shumë i madh për ekonominë shqiptare dhe sidomos për të rinjtë e të rejat që nuk është lehtë për tu zgjidhur as me dakordësimin e konsensusin e pozitës me opozitën, për ta adresuar, si një rrugë reale për frenimin e largimit të tyre jashtë vendit. Ja përse saktësimi dhe krijimi i besimit se të dhënat mbi punësimin si parakusht për adresimin dhe përqendrimin e vëmendjes në zgjidhjen e problemeve reale, ka marrë vëmendjen në këtë shkrim. 

Por le t’i drejtohem drejtpërdrejt  argumenteve të ngritura për shqetësimin në fjalë në lajmin e javës së kaluar .Gjatë përcjelljes së shqetësimit për saktësinë  numrit të të punësuarve, flitet për tatim fitimi (?!) tatim mbi të ardhurat personale, të ardhura nga sigurimet shëndetësore, të ardhurat nga sigurimet shoqërore se ato nuk janë rritur. Ndër këta tregues lidhje korelative të fortë  midis shtesës të të punësuarve nga njëra anë dhe këtyre llojeve të mësipërme të tatim- taksa –kontributeve kanë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale  dhe ato nga kontributet e sigurimeve shoqërore.

Por çfarë rezulton sipas publikimit të Ministrisë së Financave  për buxhetin e konsoliduar të muajit Qershor 2018 ? Të dhënat e publikuara edhe në media dëshmojnë se shtesa e të ardhurave nga  Tatimi mbi të ardhurat personale gjatë gjashtëmujorit të parë krahasuar me të njëjtën periudhë ka qenë prej  1 miliard 810 milion lekë më shumë,(megjithëse krahasuar me planin ka patur 1 miliard e 35 milion lekë më pak).

Ndërsa të ardhurat nga kontributi i sigurimeve shoqërore gjithsej kanë pësuar një shtesë prej 3 miliard e 452 milion leke. Pra në tërësi shtesa e të ardhurave buxhetore të këtyre dy lloj tatim kontributesh që lidhet dhe shpreh ecurinë e punësimit ka pësuar një shtese jo të vogël. Për ketë flet edhe fakti se shtesa e tyre së bashku prej 5 miliard e 262 milion lekë me një rritje prej rreth 10 % është më e madhe se shtesa e te ardhurave buxhetore gjithsej prej 4 miliard 664 milion lekë.

Këta tregues konfirmon vazhdimin e trendit të rritjes së nivelit të punësimit në vitet e fundit..Për saktësimin e plotë  numrit të punonjësve të punësuar  duhen pritur publikimet e ISSH dhe INSTAT.(Sipas aktit normativ të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore  shtohen krahasuar me buxhetin fillestar për shumën e 3880 milion lekë, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale pakësohet me 500 milion.)

Mosrealizimi i të ardhurave personale krahasuar me planin apo ulja e planit të të ardhurave personale nuk e zhbën këtë tendencë. Në kushtet e tejkalimit prej mbi 10% krahasuar me faktin ajo dëshmon se mund të ketë dhe ka vërtet probleme  në një aspekt tjetër  me parashikimin e  të ardhurave nga kontributi i sigurimeve shoqërore, produktit të brendshëm bruto nominal si rezultat i efekteve të  deflatorit, e për rrjedhojë të borxhit publik. Akti normativ është shprehje dhe produkt i qartë i mosplanifikimit të saktë të të ardhurave buxhetore në buxhetin fillestar.

Opozitarët që flenë para roli të tyre

Këtu nuk mund të mos të vijë ndërmend artikulimi i dikujt që midis të tjerash ka evidentuar: ”Politika, unë vetë vij nga politika, jam njeri politik, politika përdor trike të tilla që për të mbuluar diçka tenton të përbaltë të gjitha…ju keni formimin dhe bëni lëndë të caktuara ekonomike…. për të kuptuar çfarë është bërë mirë dhe çfarë nuk është bërë mirë…unë nuk po flas për këtë po flas për disa mëndje të zgjuara dyshuese, në kuptimin pozitiv të fjalës të cilët marrin lexojnë shikojnë shifrat dhe dalin jo mo jo nuk është tamam kështu, ka ca gjera të mira këtu por ka dhe ca gjera…për këtë jam duke folur.” Në kushtet kur kemi një tejkalim mjaft të mirë të kontributit të sigurimeve shoqërore dhe tatimit të të ardhurave personale, në ngjarjen dhe debatin në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, a nuk jemi para rastit ku debati politik ka bërë të vetëm përbaltjen?!

Përgjigjen le ta japë vetë lexuesi duke mos u kufizuar me të dhënat e publikuara deri më sot e të  sjella dhe  më sipër, por duke iu referuar, krahas të dhënave të Ministrisë se Financave për realizimin e buxhetit gjatë gjashtëmujorit të parë, botim e pritshëm të ISSH, Statistika të Sigurimeve Shoqërore Janar-Qershor 2018, për ecurinë e të ardhurave nga kontributet dhe numrin e kontribuuesve dhe shtesën e tyre gjatë kësaj periudhe krahasuar me periudhat paraardhëse, publikimin e INSTAT “Punësimi sipas burimeve administrative”edhe për tremujorin e dytë apo çdo të dhëne dhe fakti tjetër. Madje nuk do të ishte humbje kohe që ato të diskutoheshin në Shtator dhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës dhe të merrte një përgjigje pse jo shteruese  shqetësimi i ngritur për saktësinë e shifrave të punësimit, të paktën për këtë rast. E them këtë se për fat të keq në debatin parlamentar në këtë aspekt ka një trashëgimi jo të admirueshme.

Duke përshkruar tiparet e debatit parlamentar dhe opozitarizmit në Parlamentin e viteve 1923-1924, një vëzhgues do të evidentonte midis të tjerash “Opozita ra nën sundimin e plotë të manisë politike. Ajo mundohet të bëjë potere në parlament,… s’ka një program… Opozita do të vijonte një sistem lufte që merr më qafë popullin shqiptar. Rëndësinë e kanë vetëm protestat e kritikat që shpresohet se kanë me prekë zemrën e popullit e kanë me diftue se ky kabinet është ai që shkakton mjerimin e Shqipnisë…Liria e Ligja janë të mira kur s’ke sundimin në dorë. Vetëm atëherë. Mos prano kurrë se kundërshtarët janë të zotë të zbatojnë ligjin. Çdo qeveri që s’ka mbrojtjen tanë, asht tirane, aziatike, feudale. Kundërshtarit mos i çmo meritat, shaje sa të jetë e mundur. Të bardhën bëje të zezë, të zezën bëje të bardhë. Mbi interesat e shtetit është interesi i partisë”.

Sëmundja foshnjore e pluralizmit

A ka shumë ndryshime  nga ajo kohë kur është shfaqur fillimisht sëmundja foshnjore e pluralizmit?! Ja pse mendova të ndalem në një rast  që nuk është as i vetëm por tipik në llojin e vet. Është koha për reflektim dhe jo thjesht në saktësim të shifrave të punësimin por për t’u përqendruar në zgjidhjen e problemeve reale. Ato nuk janë të pakta. Por rëndësi jo të vogël me sa duket paska edhe se si i trajton e si merresh me to, për zgjidhjen e tyre. E bukura qëndron se askush nuk ka monopolin e së vërtetës, por zgjidhja e problemeve zor se mund të arrihet pa matjen e saktë të gjendjes aktuale dhe adresimin e problemeve reale. Shifrat e punësimit mund të saktësohen fare kollaj.

Në Pasqyrën e Qeverisjes këtë javë, krahas punësimit gjatë javës së punësimit le të jepet dhe shtesa e të punësuarve që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Por ERTV-së i duhet të zgjedhë midis propagandës dhe informimit e lajmit të saktë.

Në kushtet kur ritmi faktik i rritjes e te ardhurave buxhetore këtë gjashtëmujor ka rënë në 2.2% , nga 7.9 % që duhet të jetë ritmi i tyre për t’u realizuar objektivat e buxhetit te vitit 2018 apo dhe të Aktit Normativ publiku do të dijë sa ka qenë punësimi gjatë kësaj periudhe. Por në vend të informimit se sa ka qenë numri i të punësuarve gjatë gjashtëmujorit të parë të 2018 informohet publiku se sa u punësuan këtë ose atë javë në Korçë, Kukës apo gjetkë se sa janë punësuar  gjatë periudhës Qershor 2018-Qershor 2018. Loja e Tomit me Xherrin vazhdon.

Nëse nuk e bën këtë Qeveria dhe ERTV NEËS, le ta bëjnë këtë mediat e tjera të pavarura të interesuara për lajmin dhe informimin e saktë të publikut dhe jo për zamallahinë e informacionit. Ndërkohë 12 shtatori po afron. INSTAT ka për të publikuar numrin e të punësuarve sipas të dhënave administrative. Mjafton të jesh i angazhuar për shmangien e lajmit të rremë, dhe sëmundjes foshnjore të  pluralizmit?!

August 12, 2018 10:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*