Punonjësit e Policisë Bashkiake i bashkohen thirrjes së Presidentit Meta për të dhuruar gjak

July 24, 2018 13:28

Punonjësit e Policisë Bashkiake i bashkohen thirrjes së Presidentit Meta për të dhuruar gjak

Thirrjes së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të dhuruar gjak iu bashkuan sot edhe punonjësit e Policisë Bashkiake të Tiranës. Disa dhjetëra efektivë vendosën të japin një kontribut për të gjithë ata persona që, në një moment të jetës së tyre, kanë nevojë për gjak. Nisma u përshëndet edhe nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se Bashkia e Tiranës është gjithmonë e para në çdo iniciativë fisnike dhe se dita e sotme është një provë e sinqertë e angazhimit në shërbim të qytetarit.

“Jam shumë krenar për të gjithë kolegët e Policisë Bashkiake. Bashkia e Tiranës është gjithmonë e para në çdo nismë fisnike, për të dhënë një kontribut të prekshëm për qytetarët. Policia Bashkiake i është përgjigjur thirrjes së Presidentit të Republikës, siç i përgjigjet thirrjes së çdo qytetari që ka nevojë për Policinë Bashkiake. Këta punonjës bëjnë një nga punët më të vështira, më delikate, që kërkon shumë nerva e durim. Sikur një ditë të mos jetë Policia Bashkiake, rikthehet Kandahari që kemi pasur. Për një institucion, i cili është kaq shumë në vëmendje të publikut, besoj se dhurimi i gjakut për fëmijët talasemikë është prova më e sinqertë e këtij angazhimi”, tha Veliaj.

Ai falenderoi miqtë e Kryqit të Kuq, si partnerë lokalë në këtë aleancë të shpallur nga Presidenti i Republikës. “Do të donim që çdo degë e Kryqit të Kuq të ishte partner i çdo bashkie në terren, për t’u siguruar që ky binom, Bashki – Kryqi i Kuq, funksionon në të gjithë territorin”, nënvizoi kreu i bashkisë.

Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kreu i Shoqatës për Autonominë Vendore, kërkoi që shembulli i Bashkisë së Tiranës të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera në vend, duke u bërë pjesë e aleancës për dhurimin e gjakut. “E shfrytëzoj këtë mundësi t’i bëj thirrje jo vetëm policëve bashkiakë dhe bashkive të tjera, por çdo institucioni jashtë Tiranës, që të trokasë në derën e Kryqit të Kuq, të jenë pjesë e kësaj aleance, dhe teksa njerëzit kthehen nga pushimet, qoftë edhe për rigjenerimin fizik të trupit, dhurimi i gjakut është një kauzë që ndihmon jo vetëm atë që po merr gjakun e dhuruar, por edhe atë që e dhuron. Ndaj, i bëj thirrje qytetarëve që t’i bashkohen aleancës së shpallur nga Presidenti për dhurimin e gjakut, sepse është ndoshta mundësia më e mirë se si dhjetë minuta dhe disa mililitra gjak, mund të shpëtojnë jetën e një njeriu, që nesër mund të ndryshojë realitetin në këtë vend”, deklaroi ai.

Kryeinspektori i Policisë Bashkiake së Tiranës, Ermal Kapllani, shprehu vullnetin e punonjësve të këtij institucioni për të dhuruar gjak dhe u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. “Jemi shumë të lumtur për kontributin që po japim në ndihmë të fëmijëve në nevojë”, tha ai.

l.h/ dita

July 24, 2018 13:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*