Gumeni: Dalja e FRD-së vetëm në zgjedhje, e paralajmëruar

Nga DAUT GUMENI April 24, 2013 09:33

Gumeni: Dalja e FRD-së vetëm në zgjedhje, e paralajmëruar

Daut Gumeni në këtë intervistë dhënë mbrëmë për DITA analizon vendimin e FRD-së ku ai vetë bën pjesë për të dalë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit. “Fituesit dhe humbësit do t’i vendosë populli me votën e vet, gjithnjë po qe se me votën e vet nuk bëhet ajo batërdi që ka vijuar më zgjedhjet tek ne, sidomos qysh pas humbjes së referendumit të vitit 1994. Humbje që ish-presidenti i vendit e përjetoi aq keq, sa duket që u betua se nuk do të lejonte më zgjedhje të lira sa të qëndronte në politikë. Dhe e dinë të gjithë që atë lloj betimi ai zotëri e ka mbajtur” – thotë Gumeni.

 

Z.Gumeni, cili nga kampet kundërshtare dëmton më shumë dalja e FRD-së dhe AK-së të vetme në zgjedhje?

Dalja e vetme ne zgjedhje e Frymës së Re Demokratike nuk është një vendim i papritur dhe as një vendim i marrë për të dëmtuar të tjerët, por është një vendim i paralajmëruar me kohë e shumë herë nga të gjitha deklarimet publike  të kësaj partie. Se  FRD-ja nuk ka kërkuar asnjëherë të bëjë llogari koalicionesh për të garantuar poste për një grup të kufizuar anëtarësh të kësaj force të re politike, por ka dëshmuar në tërë përpjekjet e veta  që kërkon të ndryshojë për mirë gjendjen aktuale të politikës e të shoqërisë shqiptare. FRD-ja ka për moto të vetën të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund tranzicionit rrënues, ku po e mban prej më shumë se dy dekadash vendin  tonë një politikë amatore, që tallet me aspiratat e këtij populli për demokraci funksionale e për një pluralizëm normal. Për një pluralizëm që të garantojë së pari zgjedhje të lira e të barabarta, të garantojë me zgjedhje të standardeve të njohura demokratike një qeverisje të votuar nga populli e jo të parafabrikuar nga bandat e pushtetit, të garantojë më në fund dhe tek ne institucione kushtetuese të pavarura dhe jo ca institucione të shpifura ,sepse të kthyera në organizata partie të partisë në pushtet.

Këto synime janë deklaruar haptazi nga Fryma e Re Demokratike, janë deklaruar qysh në krijimin e kësaj force politike dhe nuk besoj se ka aq shumë vend të pyetet se pse nuk hyri dhe FRD-ja në pazaret e llogarive për një copë pushtet, pazare që kanë bërë e bëjnë ato lloj forcash politike, që kanë si synim një thelë nga torta e pushteti , pavarësisht se ai pushtet u vjen nga zgjedhje të manipuluara e u dhurohet nga Komisione Zgjedhore e nga Kolegje Zgjedhore të komanduara si shërbëtorë të trembur të pushteteve të paligjshme, që e kanë katandisur Shqipërinë e tranzicionit gazin e botës e problemin e Europës e të Amerikës demokratike.

Përsa i përket AK-së , më duket e udhës të pyesni drejtuesit e asaj partie politike, sepse ne nuk merremi as me sharjen e partive të tjera e as  me arsyet e qëndrimeve që zgjedhin ato në zbatim të synimeve të veta.

 

2-Duke parë konfigurimin e tanishëm të koalicioneve, cila parti mendoni ju se ka shanset më të mëdha për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit?

Nuk më takon mua të parashikoj  as fitimtarët e as humbësit e zgjedhjeve  parlamentare të 23 qershorit. Atë do ta vendosë populli me votën e vet, gjithnjë po qe se me votën e vet nuk bëhet ajo batërdi që ka vijuar më zgjedhjet tek ne, sidomos qysh pas humbjes së referendumit të vitit 1994. Humbje që ish-presidenti i vendit e përjetoi aq keq, sa duket që u betua se nuk do të lejonte më zgjedhje të lira sa të qëndronte në politikë. Dhe e dinë të gjithë që atë lloj betimi ai zotëri e ka mbajtur, për të mos thënë që është i vetmi premtim që ka mbajtur në këto dy dekada të veprimtarisë së tij politike si trashëgimtar besnik e fanatik i Partisë së Punës.

Mjafton të shikoni se si vepron tani me KQZ-në dhe është e qartë për këdo se , me këtë qëndrim të pushtetit aktual e me këtë KQZ të cunguar keqas e të kthyer në një organizatë të partisë në pushte, apo më saktë të partisë-shtet, nuk bëhen dot parashikime të besueshme as që do të kemi zgjedhje më 23 qershor e jo më se cila parti do t’i fitojë ato zgjedhje. Vetë fakti që pushteti aktual i Tiranës nu, dëgjon as Amerikën e as BE-në për të zhvilluar një palë zgjedhje të lira e të barabarta, dëshmon jo vetëm panikun e këtij lloj pushteti nga zgjedhjet e lira, por dëshmon edhe rëndimin e sëmundjes së kësaj skote pushtetare për të mbajtur pushtetin me çdo kusht e me çdo çmim, pa pyetur fare për pasojat që i shkakton vendit e popullit një sëmundje e tillë pushtetare. Në këto kushte, kam frikë se nuk bëjnë dot parashikime për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit as parashikuesit profesionistë të fatit. Sepse edhe ata duhet të kenë të sigurt që zgjedhjet do të zhvillohen e pastaj të bëjnë përpjekjet e nevojshme për parashikimin e fitimtarit dhe të humbësit të atyre zgjedhjeve. Si mund të bëhen zgjedhje, kur vetë brigadieri  i vrerosur i pushtetit aktual të Tiranës deklaron në jerm se “Ne do t’i bëjmë zgjedhjet edhe pa opozitën”?! Edhe për parashikimin më të mjegullt, duhet së pari të kesh të bësh me një logjikë normale të njerëzve normalë e jo me logjikën e çoroditur të pushtetarëve të ndërkryer nga paniku se mos u humbet pushteti dhe vjen dita që të përgjigjen për bëmat e gjëmat e veta.

 

3- Duke parë mënyrën se si është përgatitur deri tani procesi zgjedhor, me ndarjen e mandateve nga Kuvendi dhe me një KQZ të njëanshme, sa gjasa mendoni ju se ka që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme?

Që dhe tranzicioni ynë i shpifur e i pambaruar të marrë fund me gjithë kusuret e rënda që  i ka ngarkuar në kurriz këti populli të duruar, zhvillimi më në fund i zgjedhjeve të lira mendoj se është kërkesa e parë e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë për të nxjerrë me mundime jetesën e vet. Por me këtë sorollop pushtetarësh që kanë frikë nga e shkuara e tyre dhe tmerrohen nga humbja e pushtetit të trashëguar pikërisht për ato hije të rënda të të shkuarës së tyre , më duket tepër e vështirë të kemi zgjedhje vërtet të lira e të ndershme  edhe më 23 qershor. Në një kohë që, sikundër e thatë dhe ju, ndahen mandatet me të dhënat e vitit 2009 dhe atë ndarje nuk e bën KQZ-ja që e ka me ligj, por e bën Kuvendi i Rruzhdijes, që këtu nis manipulimi industrial i zgjedhjeve. Kur pushteti aktual nuk beson dot as KQZ-në e komanduar prej tij, kur pushteti stis ndryshime popullsie si pasojë e “shpërnguljes nga Tirana për në jetën e begatë të maleve më të varfra të vendit” dhe ajo malësi del që na është begatuar befas vetëm sepse iu caktua ministër i brendshëm deputeti i saj, nuk besoj se mbetet më dyshim për synimin e hapët të pushtetit në gjetjen e mënyrave për manipulimin e zgjedhjeve.

Për të mos përmendur pastaj fjalët që hap “armiku i popullit dhe i Partisë” se në Ministrinë e Brendshme na qenka ngritur një qendër e specializuar për prodhimin e kartave fallto, si ato që mezi siguruan fitoren e Bashkisë së Tiranës për  një delfin të pushtetit, që na i thanë dhe “ylli në ngjitje” , por që edhe me këtë dekoratë mbeti përsëri një yll i bërë me letër punëdoreje me të cilin tallet jo vetëm populli por edhe erërat që lëkundin pushtetin e sëmurë. E për të mos përmendur pastaj atë morinë e marifeteve të tjera, që shpikin lobistët amerikanë të marrë me qira nga ky pushtet me paratë e taksapaguesve shqiptarë e jo për të ndihmuar demokracinë amerikane, por vetëm për të shpëlarë disi imazhin e zgjyrosur të këtij palo pushteti, që urren jo vetëm zgjedhjet e lira e të barabarta, por arrin të urrejë dhe vendin e dhe popullin e vet, me kushtin e vetëm për të mbajtur karrigen e pasurimit me abuzime tronditëse.

E vetmja gjasë që dhe tek në të mund të zhvillohen zgjedhje të lira e të barabarta, më duket se do të qe një Komision Qendror Zgjedhor me juristë ndërkombëtarë dhe caktimin e nga një vëzhguesi ndërkombëtar në çdo qendër votimi. Kjo duket se është një gjë e pamundur e prandaj më duket dhe gjithaq e pamundur që me këtë lloj pushteti të mund të zhvillohen tek ne zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Këtë gjasë, sipas mendimit tim, mund ta përafrojë disi një vërshim i paparë i zgjedhësve në qendrat e votimit më 23 qershor dhe rrethimi i qendrave të numërimit prej tyre deri sa të dalë rezultati. Se dihet që kusarët e të gjitha llojeve e të mbarë botës janë frikacakë. Sepse i tremb e drejta që duan t’u shkelin të tjerëve. Mbase kjo na ka mbetur mënyra e vetme për të bërë dhe ne një palë zgjedhje normale si gjithë bota e për t’i dhënë dhe ne fund tranzicionit frymëzënës të zgjatur përtej njëzet viteve.

Intervistoi Erion Habilaj – Me shume, sot ne DITA

Nga DAUT GUMENI April 24, 2013 09:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*