Putin në Gjermani, këto janë temat e takimit me Merkel

August 18, 2018 12:38

Putin në Gjermani, këto janë temat e takimit me Merkel

Pas vizitës së Merkelit në maj në Soçi, ky është tashmë takimi i dytë midis Kancelares gjermane dhe Presidentit rus brenda tri muajsh.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Steffen Seibert, në qendër të takimit do të jenë para së gjithash tri tema: lufta në Siri, kriza në Ukrainë dhe tubacioni i gazit Nord Stream 2.

Sabine Fisher nga Fondacioni Shkenca dhe Politika nuk pret që në Meseberg të arrihen suksese vendimtare.”Objektivat nuk kanë ndryshuar”, thotë ekspertja e Evropës Lindore.

“Rusia ka pozicionet e saj në lidhje me Sirinë dhe Ukrainën dhe një interes që të realizohet Nord Stream 2, dhe pala ruse do të vazhdojë t’i ndjekë këto objektiva”.

Problemi i Ukrainës

Që prej shpërthimit të konfliktit në Lindje të Ukrainës në pranverë 2014 atje janë vrarë mbi 10.000 vetë.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia në kuadër të konfliktit shkaktoi revoltim në botë dhe ka sinjale të qarta se ushtarakët rusë mbështesin separatistët prorusë dhe i kanë ndihmuar ata  që të kontrollojnë pjesë të mëdha të Ukrainës.

Së bashku me Francën, Gjermania është përpjekur disa herë që të negociojë një armëpushim mes trupave qeveritare dhe separatistëve, që do të mbikëqyrej nga ushtarët helmetkaltër të OKB-së.

Ky propozim u diskutua në mënyrë intensive, megjithatë pa rezultat. “Unë shoh gatishmëri për bisedime në palën ruse, po nuk shoh gatishmëri të madhe për të kërkuar kompromise të vërteta”, thotë Sabine Fisher.

“Ajo për të cilën përpiqet aktualisht Merkeli është para së gjithash përgatitja e kushteve për një qetësim të gjendjes në Detin Azov (në jug të Donjecit)”, thotë Olaf Böhnke nga Zyra e Këshillimit të Politikës Rasmussen Global.

“Kohët e fundit këtu vërehej një shkallëzim i konfliktit midis marinës ukrainase dhe asaj ruse”.

Makthi sirian

Që Merkeli dhe Putini të arrijnë në një qëndrim të përbashkët në çështjen e Sirisë, kjo duket edhe me më pak gjasa se në konfliktin e Ukrainës. Në luftën civile në Siri që prej vitit 2011 janë vrarë qindra-mijëra vetë dhe miliona janë dëbuar.

Në 7 shtator në Stamboll do të zhvillohet një takim i kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Turqisë, Francës,Gjermanisë dhe Rusisë. Në Meseberg Merkeli dhe Putini do të përpiqen që të përgatiten sa më mirë që të jetë e mundur për këtë takim të nivelit të lartë.

Krejt në krye të agjendës duhet të jetë gjendja në provincën Idlib në Veriperëndim të Sirisë. Atje Assadi ka nisur një ofensivë të madhe.

Ky rajon konsiderohet si njëra nga kështjellat e fundit të kryengritësve në vend. Merkeli dhe aleatët duan të pengojnë një masakër tjetër. “Besoj se Merkeli do të përpiqet të paktën që të fitojë pak kohë dhe ta bindë Putinin që të mos i japë Assadit dritë të gjelbër për shkatërrimin e Idlibit”, thotë Olaf Böhnke.

A do të vijë Nord Stream 2?

Gjermania dhe Rusia kanë njëkohësisht një projekt të gjerë e të rëndësishëm të infrastrukturës: tubacionit e gazit natyror Nord Stream 2.

Ky tubacion 1200 km i gjatë do të sjellë përmes Detit të Veriut gaz nga Rusia direkt në Gjermani.

Por në Gjermani ky projekt shihet në mënyrë shumë kritike e me pasoja gjeopolitike. Përmes tij, tubacionet e gazit që kalojnë në rrugë tokësore, midis të tjerash përmes Ukrainës, do ta humbisnin rëndësinë.

Prandaj Kancelarja kërkon nga Rusia që ajo të japë siguri se nuk do ta mbyllë furnizimin me gaz për Ukrainën.

o.j/dita

August 18, 2018 12:38
Komento

2 Komente

  1. modest koment.. August 18, 17:33

    qesharake; krimea, siria, nord stream…. te gjitha te krijuara nga …nato, dmth …usa . zgjidhja !? yankee go home . poroshenko ne litar, “pranvera arabe” ne…benzine merkel; “mos paso…”fyhrerin”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*