Pyetjet e provimit për 19 specialitetet mjekësore, temat orientuese

November 25, 2017 13:55

Pyetjet e provimit për 19 specialitetet mjekësore, temat orientuese

Pranvera Kola – DITA

Dalin datat e provimeve për punonjësit e shëndetësisë që refuzuan përditësimin e dijeve profesionale nëpërmjet programit të krediteve. Testimet për mjekët, stomatologët dhe farmacistët që janë me zero kredite do të nisin me datën 7 dhjetor.

Qendra e Edukimit në Vazhdim (QKEV) ka detajuar kalendarin e datave në të cilat do të zhvillohen provimet për secilin nga specialitetet mjekësore.

Rezultatet negative të këtij testimi vënë në rrezik vendet e punës së këtyre profesionistëve të shëndetit. Krahas kalendarit të testimeve, janë shpallur edhe programet orientuese me temat specifike prej të cilave do të merren pyetjet finale të testit për secilin specialitet mjekësor.

 Datat e provimeve për secilin specialitet

Konkretisht, drejtuesit e QKEV-së bëjnë me dije se në datën shtatë dhjetor në provim do të hyjnë farmacistët, stomatologët, si dhe mjekët e specialiteteve të tilla si: Anestezi Reanimacion, Endokrinologji, Hematologji, Biokimi, Sëmundjeve infektive, Urologji, Obstetrike Gjinekologji. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe datat e testimeve për të gjitha specialitetet e tjera mjekësore.

Provimet përfundojnë me datën 14 dhjetor ku do të testohen mjekët e specialiteteve: Imunologji, Dermatologji, Toksikologji, Hipertoni dhe Mjekësi interne. Specialistët e kësaj qendre bëjnë me dije se provimi i certifikimit zhvillohet për të gjithë mjekët, farmacistët dhe stomatologët që nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të certifikimit nëpërmjet ndjekjes së aktiviteteve të edukimit në vazhdim përgjatë viteve 2010-2014.

Kushtet e hyrjes në provim

Për të mos rrezikuar hyrjen në provimin e certifikimit që të gjithë këta specialistë duhet që të paraqiten brenda datës 30 nëntor dhe të regjistrohen në QKEV, në të kundërt nuk do të mund të japin provimin për mbrojtjen e vendit të punës.

“Regjistrimet për provim bëhen pranë QKEV-së deri më date 30 Nëntor 2017, duke paraqitur dokumentet e mëposhtme: Fotokopje të kartës së identitetit; Fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit”, sqarohet nga QKEV. Gjithashtu bëhet e ditur se pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me një fotokopje të saj, të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit, si dhe duhet të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit.

 Dalin temat me pyetjet e provimit

Provimi për mjekët dhe farmacistët sipas datave të përcaktuara do të zhvillohet në Fakultetin e Mjekësisë, ku çdo kandidat duhet të paraqitet për të dhënë provimin me shkrim në orën 9:00, sipas datës së përcaktuar për specialitetin e tyre. Ndërsa për stomatologët provimi do të nisë po në të njëjtën orë dhe do të zhvillohet në ambientet e Fakultetit të Stomatologjisë.

Për të orientuar bluzat e bardha në lidhje me temat nga ku do të merren pyetjet e provimit, autoritetet e kësaj qendre kanë detajuar edhe temat që duhet të përgatisni për provimin e secilit specialitet.  Përmbajtja e provimit hartohet nga Komisioni i Provimit të Certifikimit në përputhje me veprimtarinë profesionale të profilit të punonjësit dhe zhvillimeve të reja shkencore të ndodhura në këtë fushë.

Struktura e testit

Sa i takon testimit me shkrim, komisioni duhet të ketë përgatitur jo më pak se 7 teza për çdo specialitet. Çdo tezë do të ketë në përmbajtje nga tre pyetje me zhvillim. Në çdo rast përmbajtja e këtyre pyetjeve duhet të jetë brenda programit orientues të specialitetit përkatës dhe në përputhje me zhvillimet e reja shkencore në këtë fushë.

Teza vlerësohet në total me 100 pikë. kandidatët që do të testohen për herë të parë do të paguajnë 10,000 lekë, tarifë e cila vjen në rritje në rastet kur kandidati nuk merr pikët kaluese dhe duhet të hyjë sërish në provim

Leja e ushtrimit të profesionit

Pas kalimit me sukses të provimit, çdo pjesëmarrës merr dëshminë përkatëse nga Bordi i Edukimit në Vazhdim, e nëpërmjet dorëzimit të saj në organet e urdhrave profesionalë konfirmohet edhe vlefshmëria e kontratës së punës.

Kreditet që duhen për vitet në vijim

Programi i dytë i certifikimit për profesionistët e shëndetësisë zbatohet po për katër vite, ( ka nisur nga 1 janar 2015-31 dhjetor 2018), brenda të cilave mjekët duhet të mbledhin 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve për mjekët është 10 kredite në vit, për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite në vit. Në fund të ciklit 4-vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi, që kryhet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit. Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve. Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në distancë nuk duhet të kalojnë 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve. Kreditet e përfituara nga aktivitete të vetëraportuara nuk duhet të kalojnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve. Ndërsa për herë të parë pjesë e këtij programi janë edhe infermierët. Programi i certifikimit për infermierët dhe mamitë ka nisur nga data 1 janari i vitit 2016 dhe përfundon në 31 dhjetor të 2019-ës.

7 dhjetor 2017

Do testohen mjekët e specialiteteve të tilla, si: Anestezi Reanimacion, Endokrinologji, Hematologji, Biokimi, Sëmundje infektive, Urologji, Obstetrike Gjinekologji.

8 dhjetor

Do testohen mjekët e specialiteteve të tilla, si: Mjekësi familjeje, Kirurgji, Onkologji, Ortopedi, ORL, Nefrologji, Neurologji.

12 dhjetor

Në këtë datë do të testohen mjekët e specialiteteve të tilla si: Neurokirurgji, Okulistikë, Gastrohepatologji, Alergologji, Pediatri, Imazheri, Psikiatri.

13 dhjetor

Në këtë datë testimet do të zhvillohen për mjekët e specialiteteve: Reumatologji, Kardiologji, Pneumologji, Mikrobiologji, Anatomi patologjike, Mjekësi ligjore, Shëndet publik, Urgjenca mjekësore.

14 dhjetor

Do testohen mjekët e specialiteteve të tilla si: Imunologji, Dermatologji, Toksikologji, Hipertoni dhe Mjekësi interne.

Provimi për stomatologët

Në datën 7 dhjetor, ora 09:00 tek Fakulteti i Stomatologjisë zhvillohet provimi i certifikimit për stomatologët, të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të certifikimit 2010-2014.

Provimi për farmacistët

Në datën 7 dhjetor, ora 09:00 tek Departamenti i Farmacisë zhvillohet Provimi i Certifikimit për farmacistët të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të certifikimit 2010-2014.

Anestezi Reanimacion

Dermatologji

Endokrinologji

Farmaci

Hematologji

Imazheri

Kardiologji

Kirurgji e pergjithshme

Mjekesi Urgjence

MjekuFamiljes

Nefrologji

Obstetrike-Gjinekologji

ORL

Ortopedi

Pediatri

Pneumologji

Psikiatri

Semundjet Infektive

Stomatologji

November 25, 2017 13:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin