Pyjet dhe Shërbimi Pyjor Shqiptar në 98-të vjetorin e krijimit…

January 26, 2021 13:45

Pyjet dhe Shërbimi Pyjor Shqiptar në 98-të vjetorin e krijimit…

Jemi i vetmi vend në Evropë që me gjithë 40 mln USD të shpenzuara për pyjet nuk dimë ende sot se sa pyje kemi. Jemi po ashtu i vetmi vend në Evropë pa Drejtori Pyjesh, pa Shërbim Pyjor. Kush do të përgjigjet për katastrofën e 30 vieve të fundit?

Mehmet Metaj*

Më 27 Janar 1923, u dekretua Ligja “E Pyjeve dhe e Kullosave”, i cili njihet si ligji i parë shqiptar i pyjeve dhe kullotave, por edhe në fushën e bujqësisë dhe kjo datë është shpallur tashmë si “Dita e Krijimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar”, me vendim të Qeverisë në v. 1998.

Por le të bëjmë një retrospektivë me shifra dhe fakte për pyjet, gjendjen dhe rolin e tyre të shtuar sot në botë, Evropë dhe në vendin tonë.

Nëse Pyjet mbulojnë më shumë se një të tretën e sipërfaqes së tokës të Evropës (45 % ose 1.02 miliardë hektarë) tek ne sot ato mbulojnë rreth 60 % te territorit (1.5 mln ha), paçka se ato janë sakatuar gjatë tranzicionit dhe rreth 30 % e tyre është kthyer në cungishte dhe shkurre dhe është pakësuar fondi pyjor me rreth 100 mije ha  (50 mijë ha nga djegiet nga zjarret dhe 50 mijë të tjera nga prerjet pa kthim të tyre dhe volumi i lëndës drusore është reduktuar në minimum. Shkatërrimi i  pyjeve gjatë tranzicionit është më i madh dhe se ai gjatë 50 viteve të sistemit të centralizuar socialist ku u megjithëse u shfarosen dhe prenë rreth 200 mije ha pyje (për të hapur-krijuar toka buke dhe kullota polifite) por njëherazi u pyllëzuan rreth 400 mijë ha, dhe u kompensua sipërfaqja e prerë e pyjeve.

Ndërkohë struktura e re qeverisëse “Rama 2“ (2017) reduktoi dhe bashkoi disa ministri, ku u bashkuan në një simbiozë të pazakontë dhe ministria e Turizmit dhe Mjedisit si në asnjë vend në botë dhe ku si pasojë u shkri fare dhe Drejtoria e Pyjeve në Ministri dhe sot ne jemi i vetmi vend në Evropë pa Drejtori Pyjesh, pa Shërbim Pyjor, pa marrë parasysh nga njëra anë problematikën komplekse dhe alarmante të pyjeve, mbulesën 60 % të territorit dhe nismat globale të ndryshimeve klimatike. Kjo ndodh pas Marrëveshjes së Parisit (2016) ku tashmë gjithë bota i ka kthyer sytë nga pyjet si shpëtimtare të katastrofës ekologjike, dhe duke patur parasysh që pyjet tanë gjatë tranzicionit janë masakruar barbarisht dhe vazhdojnë te masakrohen çdo ditë pavarësisht nga Moratoriumi „“de jure“ të shfrytëzimit të Pyjeve  të  v. 2016!

Qeveria Rama megjithëse me shumë vonesë krijoi Agjencinë Kombëtare e Pyjeve (AKP), ende e pa konsoliduar por e krijoi atë me shumë vonesë megjithëse ishte në programin qeverisjes së PS-së që në v. 2013, e përgatitur nga një grup ekspertësh profesionistë në konsultim dhe sipas propozimeve të institucioneve prestigjioze si BB dhe FAO. Ajo fillimisht krijoi Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (e cila s’numëron dot asnjë rezultat që prej krijimit të saj. Tregues sinjifikativ i punës së saj është lënia e Parkut Kombëtar të Lurës të shkatërrohet përfundimisht, i cili ka qenë një nga parqet më me vlera ekologjike dhe biodiversiteti, me specie të rralla në Evropë dhe liqene glaciale etj?! Pyjet “për t’i hequr qafe“ ua kaloi bashkive që s’kanë as përvojë as kapacitete institucionale për administrimin dhe mbarështimin e tyre dmth i la mall pa zot, dhe kjo duket se megjithëse ka një moratorium për shfrytëzimin e pyjeve, matrapazët e lënë azat vazhdojnë pa problem se s’ka shërbim pyjor dhe kamionet vazhdojnë të transportojnë lëndë dhe dru zjarri përditë drejtë qendrave të mëdha tregtare dhe qyteteve dhe jashtë vendit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, ka ndërmarre gjoja një nismë “kumbuese”, për të mbjelle 20 milion e 200  mijë pemë (??!!!) deri në v. 2020, dhe duke e quajtur këtë nismë “clean & green” në kuadrin e nismave globale pas Marrëveshjes së Parisit(2016) për ndryshimet klimatike dhe asaj evropiane “Horison-2020”, dhe siç e dimë të gjithë u mbollën disa qindra rrënjë pemë nga fermerët apo lulishtet e Tiranës por asnjë në fondin pyjor!

Nisma e z. Klosi ishte se brenda 2020-s, do të mbillen 20 milion e 200 mijë pemë në Shqipëri, por jo fidanë pyjore (!) gjoja në kuadrin e një Programi të Qeverisë të quajtur “Clean & Green 20/20”, i cili pat filluar me pastrimin e mbetjeve urbane dhe tani plekset edhe me mbjelljen e pemëve por jo të fidanëve pyjorë apo krijimin e pyjeve të rinj siç jemi mësuar të dëgjojmë nga e gjithë bota. Dhe nga Ministri raportohet se vetëm gjatë vitit të kaluar në kuadër të programit ‘Clean & Green’ 2020” u mbollën 4.5 mln pemë, por çudia e kësaj nisme është se ajo synonte të mbillen pemë por se çarë pemësh nuk dihet, dhe përmenden shifra për mbjelljen e arrave dhe gështenjave dhe asnjë fidan pyjor, dhe s’jepet asnjë shifër se sa fidanëpyjorë janë mbjellë dhe sa do të mbillen.

Ja disa shifra dhe fakte për katastrofën mjedisore lidhur me pyjet:

  • Jemi i vetmi vend në Evropë që megjithë 40 mln USD të shpenzuara për pyjet nuk dimë ende sot se sa pyje kemi (1.5 mln ha apo 1 mln ha) dhe kadastra jonë punon me inventarizimin e vitit 1987 dhe s’kemi ende’ nje database dixhital apo një kadastër të saktë kombëtare për pyjet dhe kullotat ?!!
  • Gjatë tranzicionit janë prerë ilegalisht dhe djegur rreth 100 mijë hektarë pyje dhe asnjë analizë dhe asnjë masë rehabilituese-resturuese.. ku dëmi përllogaritet në rreth 50 mln euro.
  • Ka dy dekada që nuk bëjmë as pyllëzime-ripyllëzime as prita malore, gjë që ka shkaktuar këto përmbytje biblike nga erozioni drastik, 35-30 ton/ha/vit, më i larti në Evropë dhe nga më të lartët në botë.
  • U trumbetua dhe teoria primordiale e ish-kryeministrit për mbjelljen e arrorëve dhe kjo si ish-teoria kriminale e krijimit të kullotave polifite dhe prishjes se pyjeve-dushkajave tona shekullore dhe arrorët prishën disa mijëra ha pyje dhe ato pak rrënjë që u mbollën apo s’u mbollën nuk u kadastruan asnjëherë, dhe asnjë analize apo përgjegjësi, kjo ndodh vetëm në Shqipëri,
  • Kemi 50 vjet që kemi shpallur zona të mbrojtura e parqe kombëtare dhe përveç atij të Butrintit, akoma dhe sot nuk kemi asnjë park kombëtar të vërtetë natyror dhe asnjë zonë të rujatur dhe mobiluar dhe me parametra të një zone turistike model, ato mbeten të tilla vetëm në letër, dhe disa prej tyre “kanë humbur dhe nga defteri” se s’janë më të tilla nga shkatërrimi barbar, si Lura, Qafë-Shtama, Bredhi i Drenovës, Krastat (Krujë, Elbasan), por dhe Dajti, Tomorri, Divjakë-Karavastaja, Kune-Vaini, Velipoja, Llogaraja etj
  • Në flasim për zhvillim rural dhe pyjet dhe ujërat i lëmë nën Ministrinë e Mjedisit, e cila operon në konflikt të hapur interesi, se bën politika dhe strategji për burimet natyrore dhe kontrollin e kundravajtjeve dhe shkeljeve ligjore, por njëherazi na leshon dhe liçensa shfrytëzimi të tyre si në asnjë vend në botë, ndërsa Ministria e Bujqësisë flet për zhvillim rural kur Shqipëria ka 75 % të teritorit kodrinor-malorë dhe pa pyjet dhe kooperativat pyjore në zonat veriore dhe malore në tërësi nuk mund të ketë kurrë zhvillim rural.
  • Ka 20-vjet që lulëzojnë guroret kudo dhe mbi kokat tona këtu në Malin e Dajtit-që po shkatërrojnë dhe natyrën e këtyre parqeve për të mos u bërë kurrë të tilla, dhe “nuk bzan njeri” as media as politika se janë të pleksura vetë në këtë katrahurë.
  • Ka 20-vjet që janë zënë territore në mënyrë të paligjshme, duke filluar nga fshatrat turistike si ai “Lura” në vitet ‘2000 në Gjirin e Lalëzit dhe më pas në gjithë bregdetin dhe rivierën bregdetare, mbushur me vila abuzive në rreth 100.000 ha dhe pas kaq vitesh asnjë Qeveri nuk ka filluar prishjet e tyre që kanë mbirë e mbijnë si kërpudhat pas shiut në çdo periudhë amullie ?!!
  • Ka 23-vjet që priten mbi 2.5 mln metër kub material drusor dhe kontrabandohet jashtë një pjesë e tij në formën e druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit, dhe formalisht/zyrtarisht raportohen vetëm 100-150.000 metër kub në vit, kjo vazhdon dhe tani që ka gjoja një moratorium për pyjet ?!!
  • Jemi i vetmi vend në botë që në pyjet tanë nuk të zë syri një gjallesë të egër, dhe ato që kanë mbetur janë strukur në thellësitë e pyjeve i kërkojnë me qiri gjuetarët vendas dhe sidomos ata të huaj dhe i vrasin, dhe ato janë tmerruar aq shumë sa janë “larguar” nga trualli ynë që ndonëse ka qenë “sui generis” është kthyer në arenë qitjesh. Dhe moratoriumi i ndërmarrë nuk mund dhe nuk duhet të ishte zgjidhja por forcimi i strukturave kontrolluese dhe zbatimi i ligjeve, si për gjuetinë klandestine dhe për prerjet ilegale të pyjeve dhe kontrabandën e lëndës drusore dhe të qymyrit të drurit.
  • Megjithë gjendjen e rëndë të pyjeve dhe tragji-komike të Shërbimit Pyjor, nuk bëhet asnjë analizë, nuk ka asnjë vjetar statistikor për arritjet dhe mosrealizimet. Në Konferencën e ndryshimeve klimatike (RIO + 20), ndër angazhimet e marra e para është mbjellja e 100 milion drurëve pyjore deri në 2017-ën, ku dhe vendi ynë është pjesëmarrës-angazhues, por ne ende’ nuk kemi asnjë nismë a objektiv shtetërorë serioze dhe vetëm bëjmë ndonjë mbjellje minore simbolike për shoë dhe ndërmarrim nisma të tilla si kjo e mbjelljes së 20 mln pemëve.(?!).
  • Në këto kushte dhe në kuadrin dhe të nismave globale të ndryshimeve klimatike ne duhet të kemi imperativë krijimin e një fondi për pyllëzime/ripyllëzime pranë KM që të riinvestojë për rikrijimin e pyjeve të shfarosur dhe rimbjelljen e sipërfaqeve të pyjeve të prera dhe djegura këto 30-vjet dhe sidomos për veshjen e brigjeve të ujëmbledhësve të Drinit etj, për të shmangur përmbytjet (një pyll i vërtetë mban 20-25 % të reshjeve);
  • Të gjitha këto përmbushin arsyetimin racional që Qeverija duhet të bashkojë patjetër Agjencinë Kombëtare të Pyjeve dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe të krijoj një institucion integral autonom për mbarështimin e integruar të burimeve natyrore (pyje, kullota, zona të mbrojtura, bimë mjekësore, florës dhe faunës por dhe të ujëmbledhësve).

*Qendra ALBAFOREST (www.albaforest.com )

January 26, 2021 13:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim