Pylli Orbital, mbillen edhe 150 pemë të tjera në zonën e Liqenit të Thatë

December 9, 2017 12:57

Pylli Orbital, mbillen edhe 150 pemë të tjera në zonën e Liqenit të Thatë

Nga një hapësirë që dikur përdorej si vend grumbullimi mbetjesh urbane dhe inertesh, zona para digës së Liqenit të Thatë, po merr formën e një pylli të vogël. Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së parqeve dhe Rekreacionit, në zbatim edhe të projektit të Pyllit Orbital, vijoi me mbjelljen 150 pemëve të tjera në këtë hapësirë, falë edhe kontributit të donatorëve privatë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi faktin që pjesë e këtij aksioni të madh janë bërë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe sipërmarrës e individë privatë.

“Po përqafojmë unazën jugore, pra po ndjekim gjithë gjurmën e unazës për t’u siguruar që i gjelbërojmë të dyja anët; edhe anën e liqenit, që në fakt pjesën më të madhe e bëmë vjet, edhe anën e Liqenit të Thatë, që po e bëjmë sivjet. Sigurisht, Pylli Orbital është një projekt gjigand, ndoshta do të vazhdojë edhe pas nesh në bashki, por ama duhet të fillojmë sot. Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte dje, koha e dytë më e mirë është kjo e sotmja. Kështu që, më vjen mirë që me këto 150 pemë, po gjelbërojmë një djerrinë që dikur ishte një pikë inertesh”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se synimi afatshkurtër i Bashkisë së Tiranës është që fillimisht me ritmin e nisur të vijojë mbjellja e pemëve në gjithë pjesën jugore të Unazës së madhe për të mbërritur deri në zonën e Liqenit të Farkës, ku gjithashtu po vijon gjelbërimi dhe pyllëzimi i zonës. “Nëse do të vazhdojmë me këtë frymë, ashtu siç banka na ndihmon sot, ashtu si kompani të tjera janë përfshirë, deri tani mbi 20 kompani, do të donim që të vazhdonim gjatë gjithë këtij vit. Besoj për këdo që ka kontribut social ose njeh përgjegjshmërinë sociale të korporatave, unë nuk besoj se ka një investim më të madh sesa mbjellja e pemëve. Këto pemë do të jenë këtu, kur njerëzit do t’i jenë mirënjohës bankës apo bashkisë, apo punëtorëve, apo atyre që na mundësuan terrenin në jetë të jetëve. Pra, është një investim në dallim nga një reklamë apo një spot që zgjat vetëm 30 sekonda, me gjasë kjo do të zgjasë 30, 60 apo 90 vjet”, shtoi Veliaj.

Për këtë qëllim, ai u bëri thirrje sërisht të gjitha bizneseve apo edhe individëve të ndryshëm që të dhurojnë pemë dhe të kontribuojnë për një qytet më të mirë nesër. “Dua t’i ftoj kompanitë që të bëhen pjesë e kësaj nisme solidariteti, e këtij koalicioni të gjelbër, për t’u siguruar që ecim në ambicien tonë për të pasur mbi 100 mijë pemë këtë vit dhe sigurisht, me ambicien gjigande të Pyllit Orbital që rrethon Tiranën me 2 milionë pemë. Unë besoj se çdo gjë fillon me hapa të vegjël. Në fund do të kemi mundësinë të kthejmë kokën mbrapa dhe të shikojmë se sa mijëra pemë u mbollën nga kjo gjeneratë, për t’ia lënë si pajë gjeneratës tjetër. I ftoj të gjitha kompanitë, nxitoni, nëse po bëni buxhetet e vitit tjetër, ju lutem buxhetoni pemë. Për bashkinë kjo është e vetmja ndihmë afatgjatë dhe që realisht ia vlen dhe që gjithë qyteti ju është mirënjohës”, deklaroi Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Credins, Maltin Korkuti, ndërsa përshëndeti nismën e Bashkisë së Tiranës për të përfshirë edhe bizneset në gjelbërimin e qytetit, theksoi se është detyrim moral për këdo që të kontribuojë në projekte që sjellin një cilësi jete më të mirë për qytetarët. “Me ftesë të bashkisë, sot jemi këtu në këtë projekt shumë interesant për mjedisin e qytetit tonë. Banka Credins sot është prezente me 23 filiale në qytetin e Tiranës dhe është mëse normale që të japim kontributin tonë në projekte të tilla të ngjashme. Jemi të angazhuar që edhe në vazhdimësi të jemi pjesë e këtyre projekteve që përmirësojnë cilësinë e jetesës në qytetin tonë”, u shpreh Korkuti.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe theksoi se ky është koalicioni i gjelbër më i madh i ndërtuar ndonjëherë për mbjelljet, të cilat vijnë si financime të Bashkisë së Tiranës dhe ndihmë nga subjekte dhe nga individë të ndryshëm. “Janë rreth 3 mijë pemë në zonën ku po mbjellim që e barazojnë shumën e 3 mijë pemëve të mbjella vitin e kaluar dhe para një viti nga ana tjetër e rrugës, pasurojnë zonën, e bëjnë parkun e madh të Tiranës të vijë deri te Liqeni i Thatë, sjellin një investim shumë të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së jetesës për të gjithë këta banorë të cilët deri dje jetonin vetëm mes plehrave, normalizojnë hyrjen e Tiranës dhe bëjmë një shërbim për pas 30-40 vjetësh do të jetë shumë i rëndësishëm për fëmijët tanë”, përfundoi Gonxhe.

Dita

December 9, 2017 12:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*