Qajmë Arielën, vajtojmë sistemin. Më tej?

January 24, 2018 16:07

Qajmë Arielën, vajtojmë sistemin. Më tej?

 

Kosta Barjaba

Arjela iku. Iku vajza e dhimbsur sa jeta, studentja e shkëlqyer, ëndërrimtarja, bija dhe motra e dashur, shoqja e ëmbël.  Që preku dhe irritoi të njohur e të panjohur.  Po pastaj? Do mësohemi t’i lexojmë tragjeditë apo vetëm do të qajmë?  Do të nxjerrim mësime nga ky lexim apo vetëm do të vajtojmë?

  1. A kanë filtra të tjerë universitetet, veç notave?

Ai që i mori jetën Arielës, dhe deshi t’i japë fund edhe jetës së vet, ishte një ish student. Që ka përfituar një diplomë infermieri, në një universitet shqiptar. Natyrisht, me të drejtën dhe aftësitë e tij. Çdo njeri ka të drejtë të pyes: Si bëhet pranimi në universitetet shqiptare?  Është e qartë që një vrasës, qoftë edhe një vetëvrasës,  nuk lind i tillë. Vrasësi bëhet në shoqëri, nga potencialet që fsheh, por edhe nga terreni që gjen. Shoqëria e ka për detyrë të zbulojë ku janë potencialet e dhunshme, devijante dhe kriminale të saj. Ca më tepër shkolla. Aq më tepër universitetet. Në reformën e arsimit dhe të universiteteve kemi rendur ca si shumë pas aspekteve teknike e financiare, duke harruar ato qytetare e morale. Shkollën nuk e bëjnë vetëm skemat, por brumi që gatuan. Dhe ky brumë janë studentët. Por në këtë sistem na duhet herezi nëse themi se jo çdokush mund të hyjë në universitet. Për më tepër në një shkollë mjekësore, në një universitet mjekësor. Studentët duhet të dallohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Por te ne janë njëlloj. Për më tepër, studentët e mjekësisë. Por mjekët dhe infermierët betohen ta luftojnë vdekjen, jo ta shkaktojnë atë. Ky është mesazhi i përjetshëm i Hipokratit.

  1. Siguria në universitete

Ashtu si studentët dallojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë, ashtu edhe kampuset universitare dallojnë nga mjediset e tjera të saj. Përveç të tjerave, kampuset kanë një shkallë të lartë sigurie. Po marr si shembull kampuset e universiteteve amerikane. Në një distancë fare të shkurtër, çdo student gjen telefonat falas për të njoftuar shërbimet e sigurisë. Pale pastaj patrullat e policisë. Nuk duhet të presim hatara që t’i marrim këto masa. Masivizimi i universiteteve, më besoni që nuk është një e keqe shoqërore, duhet të plotësohet nga kushtet normale të jetës në këto institucione. Dhe kryekushti është siguria. Nuk është se në kampuset amerikane nuk ndodhin vrasje. Por jeta e studentëve është shumë më e mbrojtur se jeta e studentëve shqiptarë. Sepse masat e sigurisë janë jo vetëm shpëtuese, por edhe parandaluese. Këtë na mëson psikologjia e krimit. Ndoshta Ariela do të kishte shpëtuar nëse diku do të ishte një telefon sigurie, i lidhur me sallën operative të policisë. Përveç kësaj, universitetet duhet të kenë sistemin e tyre të sigurisë. Por një sistem real dhe funksional, jo një sistem që vetëm emrin ka të tillë. Fakti që tragjedia ndodhi të shkallët e hyrjes qendrore të universitetit flet vetë.

  1. Indiferenca e publikut

Tragjedia nuk ndodhi në ndonjë cep parkimi apo rrugicë të pandriçuar. Por në mes të ditës dhe në sy të njerëzve. Njerëz, mos heshtni, kur shihni se dy të rinj po grinden! Ndërhyni, kur shihni që një djalë po kërcënon vajzën me revolver në dorë. Mos e lini gjithçka në dorë të motrës së mjerë që i iku motra nga duart dhe shoqes së saj. Dikush që mund të ketë tentuar të ndërhyjë, u tremb ndoshta nga arma. Me të drejtë. Secili duhet të ruajë jetën e vet. Por vrasësi vrau dhe tentoi të vetëvritet, duke e ditur se në rrugët e qyteteve tona mund të bësh çdo gjë dhe njerëzit nuk duan t’ia dinë. Indiferenca qytetare shërben edhe si nxitëse e krimit. Sepse mungon reagimi qytetar , i cili duhej të ishte një detektor dhe parandalues i krimeve të kësaj natyre.

  1. Dhuna që vjen nga ekranet

E di që nuk them ndonjë të re, kur flas për pasionin me të cilin dhuna hyn nga ekranet në shtëpitë dhe familjet shqiptare. Është komike dhe tragjike njëkohësisht, që kronikat e dhunës na janë bërë aq familjare, sa dekada më parë kronikat e sukseseve të kooperativave e NB-ve të dalluara. Të paktën andej buronte një entuziazëm, edhe pse i shtirur dhe fals. Ndërsa sot burojnë skena e mesazhe krimi të vërteta!

  1. Vëmendja ndaj familjes, asimetrike

Familja po bëhet gjithnjë e më e pafuqishme në rolin e saj edukues dhe parandalues të së keqes. Përkeqësimi i marrëdhënieve midis këtyre dy të rinjve nuk ndodhi në një ditë, por gjatë një trajektoreje kohore. Por, me sa duket, ata u lanë të vetëm në këtë konflikt. Edhe pse vrasësi dha plot shenja, të cilat shoqëria, familja, njerëzit, shokët, fqinjët, kushërinjtë duhej t’i kishin  kapur. Por nuk i kapën dot. Ose i kapën dhe nuk vepruan. Njësoj është.  Duhet të mendojmë seriozisht për politikat e shërbimet për fuqizimin e familjes. Po ndeshemi me një problem të madh dhe të përkeqësuar social dhe vëmendja jonë ndaj atij është asimetrike. Si në raport me nevojën, ashtu edhe në raport me çështjet e tjera të agjendave qeverisëse, njerëzore, politike, apo kombëtare.

  1. Legjislacioni penal, asimetrik

Shteti dhe institucionet duhet të kenë reagimin e tyre pas kësaj tragjedie. Natyrisht, nuk mund të prodhojmë dhe as rishikojmë një ligj pas çdo ngjarjeje. Por ka disa ngjarje që duhet të na detyrojnë të reagojmë jo njëlloj. Përshtypja ime është se  ne kemi një asimetri të ndjeshme dhe të dëmshme në legjislacionin penal në trajtimin, sidomos parandalimin, e krimeve në mjedise apo marrëdhënie që mund të konsiderohen intime. Ligji, sidomos përmasa e tij parandaluese, sikur stepet të hyjë sa dhe si  duhet brenda kufijve të intimes, individuales dhe familjares. Ndoshta edhe këtu kemi nevojë për një lexim tjetër. Njerëzit qajnë e vajtojnë, ndërsa sistemi duhet të nxjerrë mësime.

 

January 24, 2018 16:07