Nga ARBEN DUKA (1957-2021)
Tani shkoj në fshat pa zhurmë,
Se syri m’u mjegullua,
Qan me lot një gur i murrmë,
Qan për vete, qan për mua!
Trupin drejt s’e mbaj më dot,
M’u venitën sytë e zinj
Guri i murrmë derdhi lot,
Dhe nga fati im u thinj!
Trokëllin ngadalë me shkop,
Në qilim të Luarisë,
Bëj t’i ngjall e s’i ngjall dot,
Kujtimet e miturisë!…
Në rrugicën me barishte,
Jap e marr të bëhem djalë,
Në një këngë labërishte,
Them të tretem dalëngadalë!
Në një këngë labërishte,
Them të rri, e them të tretem,
Të tretem si rreze drite,
Dhe aty përjetë të mbetem!
Të më gjejnë si mjaltë i tretur,
Gjithë ata që dot s’më panë,
Në Labovë ende ka mbetur,
Për poetin një kambanë!
Për poetin një kambanë,
Një kandil, një qiri,
Ju të gjithë merrni dynjanë,
Unë këtu përjetë do të rri!
Unë këtu përjetë do mbetem,
Në rrjetat e dashurisë,
Do më bëhet monument,
Guri i murrmë i Luarisë!
Tek ky prag e te ky krua,
Buza kurrë s’më është nginjur,
Qan për vete dhe për mua,
Qan me lot një gur i thinjur!…