Qemal Hate, detari që nga dashuria për jetën, lodronte me vdekjen

July 11, 2019 12:23

Qemal Hate, detari që nga dashuria për jetën, lodronte me vdekjen

Nga Bashkim Koçi

Nëse njeriu nuk e di se cila është ajo që ai do, apo që nuk orientohet dot në momente të caktuara ku jeta mund të marrë një drejtim krejt tjetër, kurrë nuk do të mundë ta gjejë atë. Qemal Hate, burri që guxoi për ta gjetur atë që donte, është ndoshta modeli i njeriut që diti ta mbante kokën gjithmonë lart dhe ta shihte botën drejt e në sy.

Ai u lind në fshatin Koritë të Skraparit në kohëra të turbullta dhe do të rritej e formohej nën ndikimin dhe edukatën e familjes me idenë se “për atdheun duhet të japësh gjithçka që mundesh”. Në këtë truall edukimi e formimi ai arriti të bëhej pjesë dhe të futej tek ajo kategori shqiptarësh të cilët nuk e meritojnë kurrë heshtjen për atë çka dhanë e bënë për atdheun, për Shqipërinë. Qemal Hate e filloi veprimtarinë e tij me idenë për të mos mbetur asnjëherë i kënaqur duke parë diku horizontin, por që të kërkonte pa u zvarritur  “pafundësinë”. Ai e provoi shumë herët, kur ishte ende fëmijë, të ecte këmbëzbathur mbi rrugë vuajtjesh  e mundimesh, në kërkim të asaj që ai ende nuk dinte ç’kërkonte. Ishte vetëm 15 vjeç kur u bë pjesë e formacioneve partizane në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Në fillim u inkuadrua në batalionin “Riza Cerova”, luftëtarët e të cilit kontribuan për çlirimin e Beratit e të Kuçovës, dhe tetor të vitit 1944 u inkuadrua në radhët e Brigadës së XI-të Sulmuese. Edhe në këtë formacion të madh partizan, me histori të pafundme heroizmash, ai mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në Durrës, Shijak dhe për çlirimin e Tiranës. Menjëherë pas çlirimit, pra kur pasojat dhe plagët e luftës ishin ende të ngrohta, Qemal Hate u ngarkua me detyrën për ruajtjen e rendit dhe të kufirit shtetëror në rrethin më problematik për periudhën që bëhet fjalë, në atë të Gjirokastrës.

Thuhet se fati, për të arritur te njeriu, kalon brenda kushteve që krijon karakteri i tij. Me Qemal Haten ai erdhi  disi ndryshe.  Ndërsa ishte nisur për të vajtur në fshatin e tij të lindjes, në Koritë, për  t’u çmallur me të afërmit e familjarët, takohet me Hysni Kapon, i cili në atë kohë mbante detyrën e lartë të komisarit të Korparmatës së Parë Sulmuese. Hysniu, si Hysniu, i kishte dhënë sihariqin se do ta dërgonin në shkollë detare. Qemali deri atëherë kishte mësuar diçka për “shkollën e malit”, siç ishte lufta partizane, por që të kishte shkollë edhe për detin, ai këtë nuk do ta besonte kurrë. Sidoqoftë ai nuk mund t’ja prishte dot komisarit, ndaj edhe pranoi të bëhej pak “djalë Durrësi e Vlore”, ashtu si e mendonte ai aftësinë për të mësuar “shkollën e detit”.

Qemal Hate ishte njeri modest, por dinte ndërkohë të vendoste respektin real ndaj vetes. Në vitin 1947 arriti të mbaronte  me shumë sukses shkollën “Skënderbej”.  Madje ky ishte hapi i parë për të ngjitur të dytin, siç ishte “shkolla e detit”, atë të ofruar nga Hysni Kapo. Ashtu siç edhe ishin programet dhe “dashuritë” politike të kohës, Qemalit iu desh të shkonte në shkollën e marinës luftarake në Divulje të Splitit (Kroaci).  Por, siç edhe dihet nga historia, ajo “dashuri” zgjati shumë pak, aq sa Qemal Hate mundi të kryente vetëm një vit shkollë. Marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos ishin prishur pa kthim. Po atëherë? Prej  këtej ai do të shkonte në Akademinë e Marinës “S.M. Kirov” në Baku të Azerbaxhanit. Studimet i mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

Qemal Hate kishte mësuar nga përvoja se dija, përgatitja dhe shkollimi në një fushë të caktuar,  është pasuri që s’merr njollë. Me këtë bindje, të përforcuar edhe nga entuziazmi për të kryer punë të kualifikuar e të ndershme në shërbim të vendit, ai u kthye në atdhe. Në fillim u caktua të punojë në njësinë luftarake detare të Durrësit. Më pas, për shkak të shpalosjes të dijes që kish marrë në shkollë, u “gradua” duke e ngarkuar me detyrën komandant i grupit të gjuajtësve në ishullin e Sazanit. Aty ngjarjet dhe provokacionet, të cilat nuk mungonin, shpesh të linin pa gjumë. Por Qemali ishte mjeshtër për të dalë nga situate të vështira, ashtu si edhe i ndodhi aty në rastin kur një nëndetëse e huaj kishte hyrë në ujërat tona territoriale. Madje ky rast ka hyrë në historinë e Marinës Luftarake Detare si një ngjarje që u zgjidh edhe në saje të kontributit të Qemal Hates ku ai luajti rolin kryesor.

Çdo gjë që ndodhi më pas me “udhëtimin” e tij “si nga ata të shkollës së detit” ishte reflektim i asaj që ai bënte në kryerjen e detyrës. Ndaj duke parë aftësitë profesionale, në vitin 1959, ai dërgohet përsëri me studime, po për detari, por këtë radhë në Akademinë e Lartë Detare të Shtabeve në Leningrad (Sot San Petërburg) të Bashkimit Sovjetik. Falë seriozitetit të tij për të studiuar e për t’u armatosur me përvojën e asaj Akademie me emër të madh, ku pati fat të ishte mes studentëve elitarë nga shumë shtete të Botës,  Qemali u dallua ndër të tjerë për përpjekjet që bënte për të përvetësuar artin detar të lundrimit dhe të drejtimit.

Sigurisht dija që vlen më pak është ajo që mbetet ngjitur për gjuhe, kurse dija që vlen më shumë është ajo që njihet pasi vihet në jetë. Nëse ndjekim karrierën e Qemal Hates vihet re se ngjitja e shkallëve në detyrë e përgjegjësi nuk ka qenë e rastësishme. Në një farë mënyre ngjitja është bërë me lodhje, me mundim.  Në gusht të vitit 1961, për shembull,  Qemali,  i cili sapo kishte marë gradën e kolonelit, iu ngarkua detyra e kapitenit të transoqeanikut “Vlora”. Për atë kohë e për ata vite ishte përgjegjësi e madhe, madje e lakmueshme për shumë të tjerë që mund t’i kishin krahët të ngrohtë për shkak të rrethit miqësor me njerëz të pushtetshëm. Është rasti të themi një detaj i cili nxjerr në pah interesin dhe politikën e shtetit të kohës për forcimin e sektorëve të rëndësishëm siç ishte flota detare. Anija “Vlora” kur ra në duart e Qemal Hates kishte vetëm një vit që ishte prodhuar dhe shteti e kishte blerë në Xhenova të Italisë në vitin 1961, me rreth 4 milionë USD.

Sado të frikshme dhe e papërballueshme që të të duket një detyrë, problemet dalin duhen përballur dhe jot ë shmangen. Sepse  përndryshe, siç u thoshte shpesh kapiten Qemali detarëve,  bëhet më e mundimshme tortura e ngurrimit për ta zgjidhur sesa vetë zgjidhja e tyre. Si kapiten i këtij vapori, ai punoi shumë vite, për rreth 17 vjet rresht. Ishte ky njeri i talentuar i udhëtimeve   të gjata i cili u përball në dhjetra herë me raste që kërkoni veç aftësisë profesionale edhe guxim, diplomaci e herë-herë gënjeshtrën e mashtrimin. Nuk i bënte për interesat e veta, port ë shtetit, të të mirës së përbashkët dhe jo rrallë për të mbajtur e mbrojtur dinjitetin e vendit të tij, Shqipërisë.

Udhëtimet e transoqeanikut “Vlora” ishin paksa të veçanta, specifike. Këtë e diktonte veçoria e saj, fuqia e ngarkesës, kapaciteti i të cilës ishte 12 mijë e 600 ton.

Kur njihesh me punën vetëmohuese të Qemal Hates si kapiten i anijes “Vlora” dikujt do t’i dukeshin të pabesueshme. Të pabesueshme sepse brenda një realiteti normal pune jo në një rast të dalin ca “marrëzira” të cilat mund të kapërceheshin nga drejtues me aftësi të jashtëzakonshme, si ato të Qemal Hates. Kjo anije bënte kryesisht udhëtim me itinerar  Shqipëri-Kinë, duke kaluar në disa dete dhe oqeane. Kishte ditë që udhëtimi kryhej në kushte krejt normale, por në të shumtën e rasteve kaloheshin momente shumë të vështira dhe të rrezikshme. Musonet e Oqeanit Indian dhe tajfunet e Detit të Kinës mund të të çonin në tragjedi të pashmangshme, të përfundoje në fund të oqeanit dhe të mos gjendej kurrë as anija e as njerëzit që e shoqëronin. Disa herë, falë aftësive të kapiten Qemal Hartes, transoqeaniku “Vlora” ka shpëtuar nga katastrofat detare, të cilat tani njihen dhe janë regjistruar në historinë tonë të lundrimit detar.

Ajo çka e bënte të veçantë emrin e Qemal Hates ishte fakti se ai ishte i guximshëm dhe i vendosur për të çuar në vend detyrën që i ngarkohej. I qëndronte besnik fjalës së dhënë dhe nuk trembej nga pengesat e papritura që mund t’i dilnin përpara. patrembur. Kjo ishte ajo që e bënte të veçantë kapiten Qemalin që, nëse merrte një vendim, zor se do të gjendej ndonjë arsye për të mos e zbatuar. Një fakt nga puna e tij si drejtues i transoqeanikut “Vlora” të lë pa fjalë, madje mund të jetë rast i papërsëritshëm në historitë e jetës politike të shteteve të ndryshëm në botë. Ja dhe fakti. Në vitin 1963, pas prishjes të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, Qemal Hates iu ngarkua një detyrë jashtë profilit të punës së përditshme, paksa e çuditshme. Ai duhet të çonte me vapor në Kinë delegacionin qeveritar shqiptar i cili kryesohej nga Hysni Kapo dhe Ramiz Alia. Është e padëgjuar, apo jo?!

Udhëtimet detare të transoqeanikut “Vlora”, për aq kohë sa drejtohej  nga kapiteni famëmadh Qemal Hate, shpesh të krijojnë përfytyrime si ato të Odiseut të përshkruara magjishëm nga Homeri. Mund të sillen me dhjetëra episode, ngjarje e ndodhi të padëgjuara, por lundrimi më i bujshëm, më i vështirë i cili  u shënua si legjendë në historikun e lundrimit tonë detar, është ai i vitit 1967.  Transoqeaniku “Vlora” mori detyrën të udhëtonte drejt jugut të Afrikës, duke kaluar nëpër Oqeanin Atlantik. Këtë rrugë nëpër tre kontinente, tre dete dhe dy oqeane “Vlora” e përshkoi për 7 vjet me radhë. Ishin vitet pas bllokimit të Kanalit të Suezit nga minimi i tij nga izraelitët. Në kujtimet e kapitenit Qemal Hates përshkruhen emocionet që u përjetuan nga detarët dhe e të gjithë opinionit durrsak.  Mbërritja e ekuipazhit, pas udhëtimit të parë, u festua madhërishëm. Nga kronikat e shtypit të kohës mëson se marinarët u pritën as më shumë e as më pak, por si heronj.

Dita më e gëzuar, më e veçanta nga të gjitha ditët e jetës, për Qemal Haten ka qenë jo shqiptare, jo tokësore, por kontinentale dhe nga ato që atë shpesh e zinte duke udhëtuar mes dallgëve oqeanike. Është fjala për atë ditë kur atij iu akordua titulli i lartë “Hero i Punës Socialiste”.  Kur iu akordua titulli i lartë, kapiten Qemal Hate ishte duke lundruar në Oqeanin Indian. Aty mori vesh edhe lajmin. Nga emocionet dhe gjendja që u krijua në të gjithë qenien e tij, këmbët e drejtuan për të vajtur e për të puthur flamurin.  Kjo është edhe dita kur atij  burri i patën lezet lotët, por edhe fjalët që i dilnin nga zemra e shpirti: këtu fillon me të vërtetë jeta ime.

Duke i rënë për pjesë të drejtonte transoqeanikun “Vlora” Qemal Hate gjatë gjithë viteve u gjend i gatshëm jo vetëm për t’u bërë ballë kërkesave që shtroheshin për t’u zgjidhur nga e vetmja anije me kapacitet të lartë transporti, por edhe të rrezikonte, pse jo, edhe jetën,  vetëm e vetëm që të ishte i qetë se po kryente shërbime të çmuara për vendit dhe atdheun e tij. Gjejmë rastin të sjellim këtë fakt paksa domethënës. Pas prishjes historike dhe largimit të turpshëm të sovjetikëve nga baza më e madhe ushtarako detare e Mesdheut, raketat filluan të vinin nga shteti aleat më i ri, nga Kina. Transporti nga Kina për në Shqipëri u bë nga transoqeaniku “Vlora” i cili, siç edhe dihej,  komandohej nga kapiteni Qemal Hate. Raketa që vinin nga Kina, për shkak të distancës së gjatë, dhe moslejimit të mjeteve detare për këtë transport, niseshin në fshehtësi të plotë. Raketat transportoheshin në gjendje të çmontuar, pjesë-pjesë, dhe të mbuluara me ngarkesa të tjera, kryesisht me oriz. Po ja vetëm raketa. Me transoqeanikun “Vlora” u transportuan  edhe avionët Mig të variantit kinez dhe armatime të tjera. Punonjësit e Portit të Durrësit tregojnë edhe sot se këto mallra të rëndësisë së veçantë shkarkoheshin  vazhdimisht natën dhe në fshehtësi të plotë.

Peripecitë dhe rreziqet që kalonte ekuipazhi i anijes “Vlora”, vet kapiteni Qemal Hate, ishin të shoqëruara nga frika e ndonjë skandali që mund të ndodhte. Po sikur organet kompetente të shteteve ku kalonte “malli” të zbulohej ç’mund të ndodhte? Ca gjëra ne nuk i kemi ditur se si vepronte shteti i atëhershëm për të bërë kontrabandë. Fjalavjen, anija ishte e detyruar të kalonte në Kanalin e Syezit. Shteti për të bërë të mundur që anija të mos kontrollohej, kishte gjetur kanale komunikimi dhe u paguante autoriteteve egjiptiane  dollarë “me valixhe”. Vetëm  kështu anija i shpëtonte kontrollit të imtësishëm, gjë që mund të rrezikonte ngarkesën strategjike që sillte në atdhe.

Kontributi i anijes transoqeanike “Vlora”, në çka po sjellim nëpërmjet të këtyre rradhëve, është edhe më i madh sepse ajo përveç raketave, në vapor transportoheshin edhe tanke, topa e deri aeroplanët reaktivë mig. Madje edhe aviatorët e parë ushtarakë që do të shkonin në Kinë për t’u trajnuar, paskan shkuan po me këtë vapor emërmadh. Bashkëkohësit tregojnë se paskan qenë rreth 17 vetë. U nisën nga Durrësi dhe u kthyen po me “Vlorën” së bashku me avionët e parë, të cilët ishin nga më modernët për kohën që bëjmë fjalë. Vetëkuptohet që avionët ishin të çmontuar. Duke qenë se paguhej shumë për kalimin në “postbllokun” e Suezit, “Vlora” nuk rrinte për shumë kohë në radhë si anijet e tjera. Dhe duhet të kemi parasysh se këtu kishte radhë të mëdha për të kaluar. Por anija “Vlora” kalonte si pa u ndjerë sepse, siç thamë edhe pak më sipër, paguheshin “valixhe” të mbushura me dollar. Por meqë jemi tek kalimi kondrabandë i |”mallrave” ja vlen të tregojmë diçka për marifetet alla shqiptarçe që përdoreshin. Hambarët e anijes, për shembull, kishin 3 kate. Në katin e poshtëm ngarkonin raketat dhe tanket që ishin të paketuara në arka. Ngarkesa  lidhej fort me kavo dhe me shumë kujdes me qëllim që, nëse gjatë lundrimit do të kishte furtunë, ato të mos luhateshin dhe të dëmtoheshin nga përplasjet që shkaktonin dallgëzimet e mëdha në oqeane. Mbi armatimet  hidheshin ngarkesa orizi dhe gruri. Kjo bëhej për të maskuar udhëtimin e raketave, avionëve e tankeve me transportin e mallrave ushqimorë.

Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, bëhet e madhe. Kjo ndodhi edhe me Qemal Haten. Ai me punën e tij për një jetë të tërë dha gjithçka, aq sa  mundi. Për këtij kapiteni me emër të madh jeta iu shfaq si një pasqyrë, i qeshi sepse e pa duke qeshur. Pas një jete të gjatë në det dhe heroizma të pashoqe, në vitin 1976 vendoset në detyrën e presidentit të kompanisë aksionere C.H.AL –ship. Më pas si kapiten i Përgjithshëm i Porteve Shqiptare dhe për disa vjet, deri sa doli në pension, u emërua drejtor i Flotës Tregtare Detare Shqiptare. Edhe pse doli në pension, ai mendjen dhe shpirtin e kishte tek flota, te kapitenët, marinarët, detarët, me të cilët kishte lidhur jetën. Edhe ata e donin dhe vinin e këshilloheshin me të sa herë që u dilnin vështirësi sepse tek Qemal Hate shikonin maturinë  e urtësinë e njeriut të virtytshëm. Por Qemali i vlerave të çmuara ishte nga ata njerëz që edhe lëndohej kur shikonte prapësira. Atij i dhimbsej çdo gjë, por dhimbjen më të madhe e provoi kur “Vlora” e tij e dashur, princesha me të cilën kish gjezdisur botën si një “Kolomb shqiptar”, ra në duar të njerëzve të papërgjegjshëm. Dhe pati atë fund që e dimë të gjithë.                                                                                                                             Veprimtaria në luftë dhe në punë e Qemal Hates është vlerësuar nga instancat e organeve të pushtetit të kohës. Iu gëzua titullit të lartë “Hero i Punës Socialiste”, por ai mbante edhe shumë urdhra dhe medalje të tjera si atë të Trimërisë, Ylli i Kuq, Urdhri i Skënderbeut, Urdhri Punës i Klasit të Parë etj. Por mbi të gjitha, Qemal Hate mbeti shqiptar që më të shumtën e jetës e kaloi në det sesa në tokë, ashtu si detarët e lidhur me detin që nga dashuria për jetën, lodrojnë me vdekjen.

Anija “VLORA” në “ndihmë” të eksodit shqiptar në vitet ‘90

 

Transoqeaniku “VLORA”, anija e tonazheve të rënda

Qemal Hate

July 11, 2019 12:23
Komento

6 Komente

  1. Korita July 11, 15:28

    Ka qene nje hero i vertete. Mirenjohje per keta njerez te sakrifikuar per kombin. Urime edhe gazetarit te mirenjohur Bashkim Koci.

    Reply to this comment
  2. T.Voda July 11, 23:17

    — Se pari , o i nderuari e respektuari Bashkim Koci , qofsh e mbec i tille gjithe jeten… JETE SHKRIMET qe u beni disa figurave te spikatura , madje jo vetem Skararllij, kane vlera te disa fiishta, jo vetem per individin dhe rrethin familjar , por per tere komleksin jetesor te nje shoqerije idealiste , qe aspiron per vlerat humane e njerezore ne interes te te gjithe shoqeris. ..

    —- Mjafte aspeke te asaj jete e sistemi qe ndyshuam, sot, ne vecanti ne te ardhmen , do te duken te pa besushme . Sa qe disa edhe sot nuk i besojne vetvehtes se si kane arritur ti bejne e realizojne ato.

    —- Sot, ne se dikush do te ish ne pozicionin ”Hate me shok ”, ato udhetime , ato ” valice” e mundesi….do shfrytezoheshin e perdoreshin krejt ndryshe. Ato sakrifica do beheshin vetem per interesin e ngushte personal, etjj…etj… . e deri tek ojo RUAJTJA e SEKRETIT, qe nga ai roja e puntori i thjeshte i portit , apo ushtari e tekniku montimit te tankeve e avjoneve , e deri tek funksonari me i larte . ….Ku sot ….,cdo gje del e shitet ne rruge apo jashte kufijve, me perpara se te shkoje te ruatesi e arkivusi. …
    –Ne fillim te viteve 70 , pata mundesine ta shikoja nga afer orizin ne Tanket ”T-62” te porsa ardhur ne Br.96T Sauk , si dhe Transoptuset e Blinduar Lundrues e modern per levisje e drejtim te shtabeve ne fushen e luftimit, me kapacitet mbi 25 vet… — Edhe Atehere, mbasi nje bataljon tankesh u sitemua ne tunelet ne krahun e majte te kodres e te segmentit te rruges [pa mbritur tek ish dyqanet e klubi i Sahkut ] , shpesh binte ne sy qe Maunet Jugosllave qe ngarkoheshin me ”Tullat me veshe” ndalonin pikerish mbi ate segment rruge [mbi tunelet e Tankeve ] . Por drejtusit ishin porositur te mernin masa qe te nderpritej perkohesusht puna me mjetet e nderlidhes tankeve si dhe ndezja e tyre deri sa policia te ndryshonte vend qendrimin.
    — Mendoj se ”Periudha HATE” , … do te duhet te jete vazhdimish nje fushe studimi e pergjithesimi per te gjithe politologet, sociologet, psikologet ….ete tjere etjer…… qe jane njerezit te dijes e shkences, qe jane njerez serjoze , patriot dhe i duan te miren vendit dhe gjithe shoqeris .
    —- Pershendetje Tomor Voda .

    Reply to this comment
  3. esatb July 12, 08:07

    I madhi, i nderuari dhe i pa harruari Qemal Hate.
    Do ta kujtoj përherë me nostalgji si BURRË I RRADHË.

    Reply to this comment
  4. Paul Tedeschini July 12, 09:08

    Ne foto: SUKSESET E KOMUNIZMIT

    Reply to this comment
  5. spiro July 12, 10:35

    Burre i urte dhe i mencur.
    Detar i zoti.

    Reply to this comment
  6. Dhimbia e madhe POPULL-. July 17, 20:14

    Te tille duam, ne shtypin e perditshem ;jo gallatat e Pseudoatdhetareve ne pozita partie apo shteti .Pershendetie Bashkim Koci me pese komentuesit e mesiperm, vertet atdhetare.
    Te pavdekshem Heronjte dhe deshmoret tane.
    Dhimbia e madhe popull.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*