Qemal Lame ose manipuluesi i të vërtetës së 2 prillit 1991

Nga Gjek Celaj March 28, 2014 10:02

Qemal Lame ose manipuluesi i të vërtetës së 2 prillit 1991

Ngjarjen e 2 prillit 1991 erdhi në vëmendjen e shtypit të muajit mars nga titulli pretendues “Kur shembeshin themelet” i librit të Qemal Lames. Duke lexuar librin, mendoja se gjithkush që e njeh realisht ngjarjen e ka të pamundur të mos kujtojë se një nga gjërat për të cilën, me dhe pa të drejtë, kritikohet e kaluara është edhe shkrimi i historisë, mënyra e paraqitjes së ngjarjeve, fakteve dhe individëve që kanë qenë aktorë apo regjisorë të tyre. Ndërkaq, e ke po aq të pamundur të shpërfillësh qindra shembuj të shtrembërimit dhe falsifikimit të të vërtetave historike, të së shkuarës dhe të sotmes që na janë dhënë gjatë periudhës gati çerekshekullore, të pas vitit 1990.

Autorët e këtyre falsifikimeve janë, mjerisht, në shumicën dërmuese, pikërisht në radhët e atyre që akuzojnë paraardhësit për këto mëkate. Ata shtrembërojnë dhe falsifikojnë të shkuarën por guxojnë ta bëjnë këtë edhe për të sotmen, edhe për ngjarje që ne i kemi jetuar dhe përjetuar së afërmi. Ata nuk druhen aspak se gënjeshtrat e tyre mund të hidhen lehtësisht poshtë dhe se po kaq poshtë mund të bjerë edhe dinjiteti i tyre. Psikologu i shquar amerikan dr. George Simon thotë: “Manipuluesit sulmojnë ndjenjat tona, ndjeshmërinë tonë emocionale dhe veçanërisht ndërgjegjen tonë. Dhe, nganjëherë, ata flasin dhe veprojnë me një bindje të tillë saqë ne fillojmë t’iu besojmë me të vërtetë”. Dr.Simon arrin në konkluzionin se individë të tillë janë me karakter të deformuar dhe janë të prirë t’i shohin gjërat siç dëshirojnë ata të jenë dhe jo siç janë në të vërtetë. Këta individë kanë dy karakteristika kryesore: Gënjejnë me shumë lehtësi dhe kërkesave të ambientit shoqëror u bëjnë rezistencë duke shtrembëruar realitetin e shumicës së situatave. Dr. Simoni thotë se, nuk është puna se ata nuk e dinë të vërtetën por ata thjeshtë nuk duan që kjo e vërtetë të jetë kundër dëshirave të tyre. Prandaj, ata gënjejnë edhe veten e tyre me të njëjtën lehtësi që gënjejnë të tjerët. Nganjëherë ata gënjejnë brenda botës së fantazisë së tyre duke besuar se thjeshtë të menduarit do t’i bëjë gjërat si duan ata.

Një manipulues i tillë i të vërtetave historike na shfaqet edhe z. Qemal Lame, ish-Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1981-1991. Libri i tij, i botuar së fundi, na dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një individ moralisht të zvetënuar, profesionalisht të degraduar dhe politikisht sharlatan. Libri përshkohet tërësisht nga narcizmi ekstrem. Për ata që nuk njohin as autorin e librit dhe as ngjarjet e trajtuara në të mund të krijohet një ide krejt e ndryshme nga e vërteta. Autori shtrembëron faktet, lë “në harresë” fakte të tjera, krijon situata të paqena, keqinterpreton faktet e vërteta dhe nxjerr ato konkluzione që i interesojnë atij dhe jo ato që ofron arsyeja.

Pozicioni dhe rolet që ka marrë përsipër t’i atribuojë vetes e bëjnë qesharak deri në dhimbje. Pretendon se ishte i pari që i tha Ramiz Alisë se duhej lejuar pluralizmi politik; se ishte ai që parandaloi përdorimin e armëve nga policia më 20 shkurt 1991, kur u rrëzua shtatorja e Enverit në shesh; se, kudo ku shkonte ai ndryshonin situatat, të gjithë i rrinin “gatitu!”, e nderonin, i thoshin “si urdhëron!”, kishin besim tek ai, iu bënte përshtypje sjellja e tij etj. Gjithkund dhe për gjithçka ai ishte në anën e drejtë. Sipas tij, ai kishte mbajtur për dhjetë vjet qëndrime “… në kundërshtim me atë që kërkohej nga funksionarët e lartë partiakë e shtetërorë për mbrojtjen e PPSH dhe shtetit të diktaturës së proletariatit. Qëndrimet dhe vendimet e mija ishin ndryshe nga orientimet nga lart, prandaj cilësohesha pengesë…” (f.569). Por, nuk na shpjegon se si ishte e mundur që megjithëse ishte bërë “pengesë” e mbajtën dhjetë vjet në atë funksion aq të lartë. Gjithashtu, harron se pak më parë iu kishte thënë vartësve se “Kemi punuar me devotshmëri për idealet e saj (PPSH-së, – Gj.C.)” (f. 405).

Thotë se zëvendësin e tij, Ferit Sula, një hetues me eksperiencë, e graduan sepse kishte qenë hetues i komplotistëve por nuk na sqaron se si kishte qenë e mundur që atë, Qemal Lamen, nga një oficer i thjeshtë dhe, më vonë, prokuror ushtarak, pa eksperiencë hetimi, e vunë në krye të institucionit. Por, Lame preferon të shkojë më tutje. Me zell të pashoq dhe pafytyrësi tipik për sojsëzët që duan të shiten sojlinj, përpiqet të mashtrojë lexuesin shqiptar kur ai thotë se nisi të shihej e konsiderohej si tradhtar, armik i sistemit. “Presionet… dëshmojnë dhe tregojnë për veprimtarinë e organizuar shtetërore dhe të hapur publike të persekutimit tim politik” (f. 571),- thotë Qemali. Madje, ai pohon se po kaq i rrezikuar dhe persekutuar ndihej edhe Hekuran Isai, i cili e kishte sjellë në atë post para një dekade. Është për t’u dhimbsur, apo jo?

 

Meqenëse marrëdhëniet e Lames me ngjarjet dhe personazhet e tjerë të librit nuk më interesojnë, e gjykoj si detyrim moral të merrem me atë pjesë të librit ku flitet për ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër. Trajtimi i kësaj ngjarjeje dhe procesit hetimor e gjyqësor i saj zë thuajse gjysmën e librit dhe duket se përbën boshtin e tij. Si individ, që ka qenë dëshmitar okular i asaj ngjarjeje, njëri nga drejtuesit e policisë dhe njëri prej të dëmtuarve kryesorë, rrjedhojë e një procesi gjyqësor të përshkuar nga kreu tek fundi prej paligjshmërisë dhe vullnetit politik, më duhet të shpreh disa mendime mbi manipulimin e opinionit shqiptar prej Lames dhe gjithë lameve pa moral.

Meqë pesë vjet më parë u botua në Tiranë libri im “Kush vrau në 2 prill”, ku shtjellohen gjerësisht ngjarja, shkaqet, rrethanat dhe protagonistët e saj, si dhe farsa hetimore e gjyqësore gatuar enkas për të, kisha vendosur të mos i kushtoja më kohë kësaj çështjeje. Mirëpo njëri nga persekutorët e mi kryesorë, Qemal Lame, me librin e tij dëshmoi se jo vetëm nuk ndien kurrfarë breje ndërgjegjeje për krimin e kryer ndaj meje dhe katër bashkëvuajtësve të mi por, përkundrazi, krenohet me veprimet e tij antiligjore të kryera në vitin 1991. Ky fakt të çon në konkluzionin se nuk kemi të bëjmë me një zyrtar që ka gabuar nga padija apo i detyruar nga rrethanat në të cilat ndodhej por kemi të bëjmë me një individ që, me vetëdije, për interesa personale dhe i shtyrë nga qejfmbetje egoiste, ka vepruar me vendosmëri, në kundërshtim me ligjet, duke kryer një krim, Individë të tillë si Qemal Lame dhe bashkautorët e tij në krim, veglat kriminale, si: Qazim Gjonaj, Neshat Fana, Alush Dragoshi, Prelë Martini, Avni Shehu, Arben Qeleshi, ashtu si dhe të gjithë ata zyrtarë shtetërorë të para viteve ’90 që kanë arrestuar e dënuar njerëz të pafajshëm për t’i shërbyer Partisë dhe karrierës së tyre kriminale, meritojnë ndëshkime shembullore.

Nuk ka dyshim se ngjarja e 2 prillit 1991 ishte një ngjarje me pasoja tragjike, se katër qytetarët që humbën jetën ishin të pafajshëm, se fajtorët e ngjarjeve të tilla duhen dënuar. Por, po kaq e sigurt është se për ngjarje të tilla duhen gjetur e ndëshkuar fajtorët realë dhe jo ata imagjinarë, fajtorët që u vërtetohet fajësia me prova dhe në procese të rregullta gjyqësore dhe jo me proklamata politike, presione të rrugës dhe urdhra të dhënë nga drejtuesit më të lartë shtetërorë.

Historitë e gënjeshtrave të suksesshme kanë treguar se, gënjeshtra duhet të tregohet bukur, të përsëritet shpesh dhe, çfarë është shumë e rëndësishme, të thuhet në kohë të përshtatshme dhe t’iu drejtohet individëve apo grupe individësh që kanë interes ta pranojnë për të vërtetë, si dhe atyre që për arsye të ndryshme kanë predispozicin ta besojnë.

Këto kushte janë mbajtur parasysh edhe për gënjeshtrat e përhapura për ngjarjen e 2 prillit dhe, duhet thënë, se ka pasur jo pak sukses. Ato kanë zënë vend tek jo pak dashamirës dhe dashakëqij, tek individë me inteligjencë normale dhe tek kokëboshët. Aktorët që kanë lozur me gënjeshtra për 2 prillin janë disa. Njëri prej aktorëve kryesorë të Teatrit të Gënjeshtrave është edhe Qemal Lame. E pati filluar rolin e tij qysh në korrik 1991 dhe e finalizoi tani me librin e botuar.

Pjesa e librit, prej rreth 200 faqesh, që merret me këtë temë stërmundohet të bindë lexuesit se vrasjet u bënë nga policia, se vrasjet u bënë me urdhër “nga lart” dhe se këtë urdhër e kishte dhënë drejtuesi i atëhershëm i shtetit, Ramiz Alia. Në këtë polemikë ka dy gjëra të vërteta: Së pari, çfarëdo që të thotë Lame, unë apo kushdo tjetër, ajo nuk mund të rikthejë jetët e humbura të katër individëve si dhe pjesë shumë të rëndësishme të jetëve të pesë zyrtarëve shtetërorë të dënuar padrejtësisht. Së dyti, këto që them unë nuk i bëjnë as më të mirë dhe as më të këqij drejtuesit e atëhershëm të shtetit shqiptar. Këto që kam thënë dhe përsëris janë një detyrim moral që ndiej ndaj të vërtetës, asaj të vërtete që di unë dhe që, deri më sot, nuk është arritur të provohet si gënjeshtër, as me procese të montuara gjyqësore dhe as me lehje lakenjsh nëpër podiume politike apo media të korruptuara. Unë do të përshëndesja një të vërtetë tjetër nëse ajo do të ishte e provuar, por nuk mund të ndiej veçse neveri ndaj gjithë hamendësimeve dhe trillimeve të paraqitura si konkluzione, madje “të padiskutueshme”.

 

Pse Qemal Lame shfaqet si sharlatan politik në librin e tij?

 

Sado i ditur të jetë njeriu, kur karakteri i tij është i deformuar, mendimet dhe konkluzionet e tij, qofshin politike apo juridike, do të jenë me të meta, të gabuara dhe, për pasojë, të dëmshme. Karakteri i njeriut është i krahasueshëm me qumështin. Nëse qumështi është i prishur, çfarëdo që ta bësh, kos, djathë, gjizë apo gjalpë, do të jetë një produkt i pavlerë dhe i rrezikshëm për shëndetin.

Qemal Lame, dhe jo vetëm ai, është përpjekur që demonstrimin e 2 prillit 1991 ta paraqesë si veprim popullor, demokratik dhe që kishte synim ndërrimin e sistemit politik. E vërteta është krejt e kundërt. “Lufta” për ndërrimin e sistemit politik u bë në dhjetor 1990 dhe u finalizua me sukses me zgjedhjet e 31 marsit 1991, të pranuara si të drejta dhe të lira nga gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë ose, siç thotë Lame, “i bënë një vlerësim shembullor”[procesit zgjedhor], (f.393). Gjithashtu, ato u pranuan edhe nga opozita e kohës. Të protestosh kundër zgjedhjeve të lira, edhe nëse ato i ka fituar “djalli”, do të thotë të ngrihesh kundër vullnetit të popullit dhe kundër parimit bazë të sistemit që pretendon se lufton për të. Lame, si jo pak të tjerë, vetëdikreditohet kur përpiqet ta justifikojë demonstrimin në fjalë. Edhe pse e pranon se “demonstrimi ishte i paligjshëm”, më pas thotë se ai u nxit nga dhënia me vonesë e rezultatit të zgjedhjeve. Mirëpo, faktet e gozhdojnë edhe këtu shërbëtorin e të pavërtetës. Rezultatet e zgjedhjeve u dhanë vetëm 20 orë pas mbylljes së votimeve, koha më e shkurtër e njoftimeve gjatë këtyre 23 viteve. Nga ana tjetër, “vonesa” e njoftimit nuk ekzistonte fare më 2 prill, pasi njoftimi ishte konsumuar një ditë më parë.

Në përpjekjet e tij për t’i shërbyer politikës dhe jo drejtësisë, Lame thotë: “Ishte e qartë se PD e sapoformuar… nuk do të kishte interes që të acaronte situatën politike deri edhe me vrasje në mënyrë demonstrative, në sheshe publike dhe gjatë demonstratave… Hetuesia nuk mund të orientohej në dyshime të pamundura për t’u verifikuar” (f. 502). Në të vërtet kjo është ajo që pretendonte PD në atë kohë, kur Qemali ia shprehte mbështetjen e vet publikisht (në gazetën RD), e deri më sot. Ajo nuk e ka pranuar autorësinë e organizimit të demonstratës së paligjshme, pavarësisht se i ka përvetësuar të gjitha “të vjelat” e saj.

Fakte të shumta flasin se problemi nuk qëndronte tek pamundësia për të bërë verifikime, por tek mosdashja e Lames për të bërë detyrën që i ngarkonte ligji. Motivin e mosdashjes ai na e thotë në frazën e sapo cituar, që shpreh edhe përpjekjen për të justifikuar qëndrimet mbështetëse për forcën politike që po vinte në pushtet. Sipas tij, PD nuk kishte interes ta acaronte situatën. Për të nuk kanë asnjë vlerë argumentet. Rëndësi ka çfarë dëshiron ai. Kaq i mjafton t’i jap të drejtë vetes që të përcaktojë si acaruese të situatës partinë që sapo kishte fituar zgjedhjet e lira.

Si të gjithë ata që gënjeshtrën e bëjnë normë sjelljeje, edhe Lame rrëshqet në brinjët e rrëpirëta të gënjeshtrave. Ai ka harruar se në një kapitull të mëparshëm të libri ka thënë të kundërtën e asaj që thotë në f. 502. “Për herë të parë vihej në një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë publike shteti me qytetarët. Dy forcat kryesore politike, PP në pushtet dhe PD, që kërkonte të vinte në pushtet, u ndeshën dhe treguan publikisht forcën e tyre“,- shprehet ai.

Nëse është siç thotë Lame, atëherë përse duhej që një parti, që vetëquhet demokratike, të organizojë ballafaqime në rrugë vetëm dy ditë pasi ishte ballafaquar në qendrat e votimit në zgjedhje të lira dhe i kishte pranuar ato? Dhe, jo vetëm kaq. Kur i kishte të gjitha mundësitë ligjore dhe ato praktike (madje iu sugjerua nga drejtuesit e policisë në datën 1 prill) të organizonte demonstrime të ligjshme, pse PD zgjodhi organizimin në fshehtësi të protestës “paqësore”? Protestë ndaj kujt dhe për çfarë? A konsiderohet mik “i paqmë” ai që, megjithëse e gjen derën e shtëpisë të hapur, zgjedh të hyjë fshehurazi nga dritarja?

Vetëm një mendje e turbulluar si ajo e Lames mund të pohojë se acarimin e situatës politike e synon dhe e tenton ai që ka fituar pushtetin me zgjedhje të lira. Se çfarë ishte 2 prilli dhe kush e organizoi atë, e kanë vërtetuar ngjarjet pasuese dhe mënyra e keqpërdorimit të saj për qëllime pushtetmarrëse. Koha ka provuar, dhe vetë organizatorët e kanë pohuar disa herë, se ngjarja e 2 prillit 1991 në Shkodër ishte një inskenim i Bandës së Sali Berishës (jo e krejt PD) dhe i atyre që kanë duart e zgjatura dhe i fusin fshehurazi, për të ndezur zjarre kudo ku nuk iu pëlqen statuskuoja. Ajo ishte një mjet për të acaruar situatën politike dhe për ta përdoruar ngjarjen tragjike si Atu për të marrë më shpejt pushtetin politik që nuk ua dha populli me zgjedhje të lira. Pra, ishte thjeshtë manipulim i popullit dhe deformim i vullnetit të tij me mjete antidemokratike.

Këtë fakt e ka pohuar edhe Lame në mbledhjen e KM të asaj kohe kur thoshte “Kuptohet se situata e rënduar politike kërkohet të mbahet e tensionuar për të arritur objektivat politikë të ndryshimit të raportit të krijuar me zgjedhjet e lira dhe ardhjen në fuqi të PD” (f. 419).

 

 

Pse Qemal Lame paraqitet profesionalisht i degraduar në librin e tij?

 

Me guximin që karakterizon kriminelët konsekuentë, Qemal Lame pohon disa herë në libër se ishte ai që këmbënguli për arrestimin e drejtuesve të policisë së Shkodrës. Madje, mburret se, megjithëse “Zëvendëskryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe Kryetar i Grupit të Hetimit nuk ishte dakord për arrestimin e drejtuesve ” (f.493) dhe “Edhe pas mendimeve të mija asnjë hetues dhe asnjë prokuror nuk u prononcua për arrestimet ” (f.495), ishte ai vetë që udhëzoi hetuesit të bëheshin arrestimet sepse, “ishte e domosdoshme të bëheshin” (f.492)?!

Normalisht një profesionist duhet të shpjegonte pse ishte e domosdoshme të arrestoheshin drejtuesit e policisë. Por Lame nuk e bën këtë. Jo se nuk e di të vërtetën, por se dëshiron të mashtrojë. Misioni i mashtruesit ia err shikimin deri në atë pikë sa nuk vëren se një faqe më parë ka shkruar: “Më 17 prill 1991… hetuesit e çështjes më dhanë me përgjegjësi dhe sinqeritet mendimin e tyre se, në atë gjendje të hetimeve nuk kishte të dhëna dhe prova të mjaftueshme… për fajësinë e drejtuesve që kishin menaxhuar situatën” (f.491).

Kur “domosdoshmëria e arrestimeve” nuk kushtëzohej nga provat dhe ligji, nga çfarë kushtëzohej? Lame nuk na lë të vrasim mendjen, se sërish, por në dhjetëra faqe më parë, na thotë se shkaku përcaktues “i domosdoshmërisë së arrestimeve” paska qenë kërkesa që i bëhej nga drejtuesit e opozitës. Ai pohon: “Politikanët e opozitës duan të vihen para përgjegjësisë drejtuesit shtetërorë më të rëndësishëm” (f.452). Madje, arrin deri aty sa çështjen e fajësisë apo pafajësisë, si dhe mekanizmin e ngjarjes jo vetëm ta bëjë objekt diskutimi me partitë politike dhe sindikatat, por edhe të bjerë dakord me to se si duhet vendosur. Në vend që t’i këshillonte politikanët dhe sindikalistët e ngrefosur, pjella të kaosit dhe përfitues të krimit, që pretendimet e tyre t’i shprehnin proceduralisht në hetuesi, Kryetari Hetuesisë së Përgjithshme thotë: “Me të drejtë pranova kritikën e PD për mekanizmin e ngjarjes… Është e drejtë kritika që policët e thjeshtë të mos ndalohen e arrestohen, por drejtuesit që kanë dhënë urdhër për përdorimin e armëve… U pranua me konsensus (në mbledhje me partitë dhe sindikata- Gj.C.) se policia kishte qëlluar e para me armë”.

Lame vazhdon të na e provojë degradimin e tij profesional, kur detyrat që merr nga PD dhe sindikalistët i shpreh si konkluzione të një profesionisti.  Në “argumentimet” e tij për fajësinë e drejtuesve të policisë thotë se ata kishin gabuar pse kishin urdhëruar përdorimin e forcës dhe të armëve ditën e ngjarjes. Kështu shprehet Kryehetuesi, pa pasur asnjë provë, duke e bërë veten një mekanizëm kriminal në procesin e zhvilluar për ngjarjen e 2 prillit.

Oficerët dhe policët që ndodheshin në varësinë time ditën e ngjarjes nuk ishin si zezakët e importuar kohëve të fundit nga Anglia në klubet e natës të Tiranës që, me lakuriqësinë (striptismin) e tyre, kënaqin deri në ekstazë gratë, motrat dhe vajzat e atyre që krijuan 2 prillin, që manipuluan procesin dhe që u bënë milionerë duke përfituar prej 2 prillit. (Kush dëshiron të identifikojë le të shoh fotot që përmbytën rrjetet sociale). Ata ishin punonjës policie, si të gjithë kolegët e tyre në Perëndim dhe në Lindje, që kishin detyrim ligjor të përdornin forcën kur prishej rendi e shkelej ligji dhe të mbronin Objektet e Rëndësisë së Veçantë (ORV) ashtu si veprohet kudo në botë, edhe sot. Ata mund të ishin përgjegjës para ligjit vetëm nëse gjatë procesit të kryerjes së detyrës i kishin keqpërdorur mjetet që dispononin. Prania e tyre në vendngjarje ishte kërkesë e ligjit, ndërsa prania dhe aktiviteti i demonstruesve në vendngjarje ishte ndalim i ligjit. Ideologu i mashtrimit, Qemal Lame, askund nuk e trajton në libër shkeljen e ligjit nga protestuesit si shkakun kryesor dhe të vetëm të konfliktit. Madje, megjithëse e pranon se demonstrimi ishte i paligjshëm dhe se kishte të dhëna se ishin përdorur lëndë djegëse dhe eksplozive, asnjëherë nuk i emërton këto si akte të dhunshme dhe as nuk thotë ndonjë fjalë se si duhej t’iu përgjigjej policia akteve të tilla. Lëndët djegëse dhe eksplozive nuk ishin mallra që mund t’i gjeje kudo në atë kohë dhe fakti që ato u përdorën thuajse gjatë gjithë kohës tregon se ato akte kriminale ishin të planifikuara dhe jo “një shpërthim emocional i rastit”, siç përpiqen ta paraqesin problemin mashtruesit që rreken të tjerrin teori.

Pasi bën të gjitha përpjekjet për të justifikuar moskryerjen e shumë detyrave nga hetuesia, me gjoja pamundësinë e rrethanave, Lame merret pjesërisht me aktet e ekspertimeve mjekoligjore dhe balistike. Por, si gjithkund dhe për çdo gjë, edhe këtu, për të manipuluar, tregon pjesëzën e jo të tërën. Është e pranueshme të thuhet se ekziston mundësia që, edhe po të kryheshin të gjitha veprimet hetimore, e vërteta të mos zbulohej. Por, të mos kryesh veprimet hetimore dhe pastaj të operosh me të pavërteta apo gjysmë të vërteta për të nxjerrë përfundimet që të interesojnë, do të thotë të jesh shumëfish i pandershëm. Një jurist i aftë dhe serioz duhet të pranojë se kur nuk bëhen autopsitë e kufomave nuk mund të ketë akt përkatës mjeko-ligjor dhe kur nuk ka një akt të tillë nuk ka as prova shkencore të vlefshme për procesin.

Qemal Lame nuk guxon të thotë se përse s’u bë autopsia e viktimës së katërt, i cili vdiq në Spitalin Ushtarak në Tiranë; nuk guxon të tregojë se kush i pengoi autopsitë e viktimave në Shkodër (qëndrimi i familjeve ishte i justifikuar nga ana sentimentale, por ishin të tjerë ata që u bënë pengesë); nuk hetoi dhe nuk dëshmon se kush e sugjeroi dhe nxiti dërgimin e një kufome në shesh dhe futjen e saj në ndërtesën politike (veprim i njëjtë me atë të kufomës së Hajdarit në 14 shtator 1998) për të acaruar konfliktin dhe shtuar pasojat. Lame thotë se kishte shumë pengesa në hetim, por nuk thotë se kush dhe pse kërkonte të mos pyeteshin protestuesit e paligjshëm dhe as të mos ndaloheshin për veprat e kryera. Nuk i thotë këto dhe të tjera, sepse nuk i intereson e vërteta.

Kur trajton këqyrjen (e pjesshme) të kufomave nuk thotë asnjë fjalë për plagën e gjetur në trupin e Brocit, plagë që teorikisht dhe praktikisht e përjashton mundësinë të jetë shkaktuar nga armët e policisë. Nuk ka guximin të thotë se ekspertimi balistik i gjithë armëve të policisë përjashtoi në mënyrë kategorike që predha e gjetur në trupin e Bishanakut të ishte qitur prej tyre. Nuk guxon të thotë se plaga në trupin e Kryeziut dëshmonte për mundësinë e një predhe rikoshetë, predhë e cila edhe sikur të vërtetohej (gjë që s’ka ndodhur) se kishte dalë nga armët e policisë hidhte poshtë versionin e vrasjes me dashje apo të “masakrës”, siç i pëlqen Lames ta cilësojë ngjarjen, duke përdorur terminologjinë e atyre që e krijuan atë ngjarje.

Degradimin e tij profesional, Lame e shfaq edhe më qartë kur flet për plagët e gjetura në trupin e Cekës. Ai thotë: “Ekspertët mjeko-ligjorë arritën me të drejtë argumentimin shkencor të shkakut të vdekjes nga vrasja me anë të plumbit të një arme zjarri. Konkluzioni më i besueshëm, i deritanishëm, nga provat e dosjes dhe ekspertimi mjeko-ligjor është se Besniku është vrarë me një armë zjarri. Plumbat nuk kanë hyrë në trup. Një vrimë nuk ishte tejshpuese por sipërfaqësore. Dy të tjerat ishin shpuese. Plumbat nuk kanë pasur forcën e nevojshme për të hyrë në brendësi. Njëri ka shpuar mishin por s’ka hyrë thellë. Edhe tjetri ka shpuar mishin, ka goditur brinjën, e ka thyer dhe është kthyer nga kundërveprimi i kundërgoditjes. Brinja e thyer ka çarë mushkërinë. Nga hemorragjia… ka ardhur vdekja. Plumbat do të kenë ngelur tek rrobat që kishte veshur atë ditë...” (f.481). Madje, këto konkluzione ua thotë familjarëve të viktimës, në shtëpinë e tyre.

Së pari, Lame mashtron kur thotë se ekspertët bënë argumentimin shkencor. Nuk ka asnjë argumentim shkencor pa akt ekspertize dhe nuk ka akt ekspertize pa autopsi. Kur u pyetën në gjyq, ekspertët mjeko-ligjorë pohuan se nuk kishin mundur të bënin autopsi dhe, si rrjedhim, as akte ekspertimi dhe se mendimet e tyre ishin thjeshtë hamendësime.

Nga ana tjetër, panorama “shkencore” që bën Lame është profesionalisht e vajtueshme. Në trupin e zhvarrosur të Cekës janë gjetur tri plagë shpuese, hyrëse dhe asnjë plagë dalëse. Të tri plagët kanë rezultuar të vendosura si kulmet e një trekëndëshi, jo larg njëra-tjetrës. Vrimat e gjetura është konstatuar se kishin një diametër më të vogël se ai i plumbave që përdornin armët e policisë. Asnjë mendje normale njerëzore nuk mund ta pranojë se tre plumba, të dalë nga një apo më shumë armë zjarri, do të mbërrijnë në të njëjtën kohë (ndryshe nuk do të godisnin kaq afër njëra-tjetrës) tek objekti, do të shpojnë rrobat e pastaj mishin dhe do të kthehen e të dalin jashtë duke përshkuar të njëjtën rrugë nga hynë. Në trupin e viktimës nuk janë gjetur as vrima daljeje dhe as plumba në trup (Lame thotë se u bë edhe kërkimi me metalkërkues). Nëse pranojmë se njëri plumb u kthye nga përplasja me brinjën, po dy plumbat e tjerë çfarë i ktheu nga kishin ardhur?

Mendimi i një eksperti të BE që qe thirrur për rastin në fjalë (pa parë as plagë, as plumba), kishte qenë se ekzistonte njëfarë mundësie që vrimat të jenë shkaktuar nga copat e të njëjtit plumb, i cili, gjatë daljes nga tyta, ishte copëtuar. Jo vetëm që eksperti në fjalë e paraqet atë thjeshtë si një mundësi por, nga ana tjetër, logjika të sugjeron që një gjë e tillë të jetë e vërtetë duhet që të tri pjesët e plumbit të kenë qenë të barabarta, përndryshe energjitë e ndryshme kinetike nuk do i dërgonin ato në të njëjtën kohë në të njëjtin vend. Këto hamendësime Lame i paraqet si prova se viktima është vrarë nga armët e policisë. Veç kësaj, Lame nuk e di ose nuk do ta thotë se viktima Ceka është vrarë rreth orës 11:00, pasi policia i kishte braktisur objektet (me qëllim që të shpëtonte popullin dhe veten nga kurthi që kishin ngritur të tjerët, organizatorët e ngjarjes) dhe, sipas dëshmitarëve të pyetur në hetuesi, në atë moment nuk ishte dëgjuar asnjë krismë armësh. Ndoshta këto rrethana e shtynë drejtuesin e PD për Shkodrën t’i thoshte gjykatës se “ai nuk ishte yni. Ka kaluar atypari”.

Lame pohon se “Nuk kishte asnjë të dhënë direkte ose indirekte që të hidhte dritë për të zbuluar autorët e vrasjeve” (f.502), megjithëse disa faqe më parë shprehet: “Në bazë të të dhënave dhe provave të administruara deri në atë fazë të hetimit… krijova bindjen se kishte prova të mjaftueshme për të vendosur arrestimin e drejtuesve të DPB...” (f.489). Pra, provat që nuk i shihnin dhjetëra hetues e prokurorë që merreshin përditë me hetimin, provat që nuk i shihte askund Prokurori i Përgjithshëm i vitit 1992, i vendosur nga Sali Berisha në atë post, provat që nuk i shihte askund as avokati i familjeve të viktimave, Nafiz Bezhani, në tetor të vitit 1992 (e pohuar kjo prej tij në librin “Procesi i shekullit”), provat që nuk i shihte askund Kryetari i Grupit të Hetimit, Vaskë Simeoni, në nëntor 1992, i kishte parë Qemal Lame në prill 1991. Dhe cili Qemal? Po ai që na thotë se nuk kishte “asnjë të dhënë për të zbuluar autorët”. Ai nuk na thotë se cilat ishin këto prova, sepse ato ekzistonin vetëm në ndërgjegjen e tij të turbulluar nga inatet, qejfmbetjet dhe megalomania.

Gënjeshtrat e Lames u shërbejnë maskarenjve, zbavitin budallenjtë, por i bëjnë dëm të vërtetës dhe të drejtës. Në përpjekjet e tij për t’i shitur trillimet e veta si të vërteta të padiskutueshme, Qemal Lame e përsërit nja dhjetë herë faktin se policia i ka përdorur armët me urdhër nga lart. Madje, ai pretendon se këtë e dinte qysh më 4 prill, kur nuk kishte filluar ende hetimi i ngjarjes. Ja si shprehet ai në librin e tij: “Urdhri për të qëlluar mbi demonstruesit ishte dhënë nga lart, ishte e qartë dhe nuk kishte vend për diskutime për të sqaruar se kush e kishte dhënë. Në bazë të kompetencave, ai urdhër jepej direkt nga Komandanti i Përgjithshëm” (f.390). Dhe, më poshtë: “Nuk kishte asnjë provë hetimore që të vërtetohej konkretisht se ishte dhënë urdhër nga organet më të larta të shtetit” (f.504).

Sipas logjikës prej lakeu të Qemal Lames, edhe pse nuk kishte asnjë provë për dhënie urdhri, dhënia e këtij urdhri “ishte e qartë dhe s’kishte vend për diskutime”. Mjaftonte që ky konkluzion të stisej në kokën e Lames për t’u shërbyer atyre që po vinin në pushtet dhe çdo gjë është juridikisht, historikisht dhe moralisht e vërtetë. Të tilla arsyetime janë të denja për ndonjë militant fanatik partiak në ndonjë fshat të harruar, i cili, pasi të ketë kthyer disa gota me raki kumbulle, është në gjendje të japë konkluzione për gjithçka dhe për këdo. Njerëzimi po diskuton sot konkluzionet e librave të shenjtë dhe jeta na ka mësuar se ka vend për diskutime të fajësisë penale edhe atëherë kur duket se ka prova juridike, ndërsa për trillimet e Lames s’ka vend për diskutime.

Duke qenë i vetëdijshëm për pamundësinë e shumicës së lexuesve për të pasur njohuri juridike, Lame spekulon dhe përpiqet të krijojë idenë e rreme se policia nuk mund të përdorte armët pa marrë urdhër nga lart. Ai thotë se kjo ishte e shkruar por nuk citon asnjë nen të ndonjë akti ligjor apo nënligjor që e parasheh këtë detyrim. E vërteta është se polici apo oficeri i policisë nuk detyrohej nga ndonjë ligj që, për mbrojtjen e vetes, të shokut, të qytetarit apo të ORV-ve të kërkonte urdhrin, qoftë edhe të komandantit të skuadrës, aq më pak të Komandantit të Përgjithshëm. Një gjë e tillë, po të parashihej me ligj, do të ishte praktikisht e pamundur dhe krejt e dëmshme në realizimin e detyrave të përditshme nga ruajtësit e rendit. Veprimtaria e policisë në ngjarjen e 2 prillit 1991 rregullohej me Dekretin “Për mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet në vendet publike”, nr.7408, datë 31.07.1990 (sa i përket veprimtarisë për shpërndarjen e protestuesve të paligjshëm) dhe me Dekretin Nr.7449 datë 5.1.1991″Për përdorimin e armëve të zjarrit nga Forcat e Ruajtjes së Kufirit, të Ruajtjes së Rendit Publik dhe nga Rojet Civile e Ushtarake të Armatosura” (sa i përket veprimtarisë së policisë për mbrojtjen e ORV-e të sulmuara dhe dhunuara fizikisht). Në asnjërin prej këtyre akteve dhe në asnjë akt tjetër ligjor apo nënligjor nuk parashikohej kërkesa dhe as miratimi për përdorimin e armës. Ato (ashtu si edhe sot) do të përdoreshin vetëm kur të krijoheshin kushtet dhe rrethanat që kërkonin përdorimin e tyre.

Tabloja sureale që përpiqet të krijojë Lame për ngjarjen në fjalë i ngjan betejave midis Spartës dhe Athinës së lashtë, ku dy “ushtritë” rrinë përballë njëra-tjetrës, por në këtë rast, njëra prej këtyre ushtrive (policia) kërkon dhe pret urdhrin prej “lart” për të përdorur armët mbi demonstruesit. Dhe, ja, urdhri vjen: “Vritini ata qafirë se do të na marrin pushtetin!”. Atëherë, policë dhe oficerë (të gjithë “kriminelë”) vërsulen, për rreth tri orë, me batare, kush të vrasë më shumë njerëz të pambrojtur në një shesh të hapur. Dhe, pas një “beteje” që zgjat tre orë, dhe në saje të “heroizmit” të palës tjetër, rezulton që u vranë… katër vetë. Këto broçkulla janë të denja për individë pa dinjitet, për politikanë kafenesh apo rrugaçët politikë të tribunave, por jo për juristë me integritet moral.

Pasi paraqet gjithë këtë tablo të rreme të ngjarjes, Lame përsëri harron dhe, diku në librin e tij, thotë se është e mundur që viktimat të jenë vrarë nga grupe speciale të përgatitura nga Sigurimi i Shtetit. Lame nuk pranon kurrfarë versioni tjetër të shkakut të pasojave të ngjarjes. Larg qoftë të hedhë hipotezën e vrasjeve nga autorë jashtë strukturave shtetërore, madje as mundësinë që ndonjë punonjës policie të ketë gabuar gjatë detyrës, nën ndikimin e shtjellës së ngjarjes. Atij i duhet vetëm një version, pikërisht ai version për të cilin u krijua demonstrimi i 2 prillit, ai version, kurrë i vërtetuar, me të cilin u transformua situata politike, u rrëzuan disa qeveri, derisa erdhën në pushtet sajuesit e ngjarjes dhe të versionit.

Në librin tim, besoj fort se e kam argumentuar me fakte autorësinë e organizimit të fshehtë të demonstrimit të paligjshëm, por askund nuk kam akuzuar ndonjë individ apo grup individësh për autorësinë e vrasjeve. Jo se nuk kam dyshime, por sepse nuk kam prova. Dhe, të japësh konkluzione pa prova do të thotë se je duke lehur dhe jo duke folur.

 

“Vetëvrasja”e Qemal Lames

 

Siç e kam theksuar më sipër, në gjithë librin e tij Qemal Lame e paraqet veten e tij si të rënë prej qielli dhe institucionin që ai drejtonte si i vetmi institucion që drejtohej dhe funksiononte normalisht në kaosin dhe anormalitetin që mbizotëronte në vitin 1991. Ai pretendon se iu kërkonte vartësve të vet në Shkodër që “Të kërkohet zbatimi i ligjit me rreptësi nga forcat e rendit, demonstruesit, PP dhe PD“. Ndoshta ai nuk e di se ish-zëvendësministri i brendshëm i kohës, Aredin Shyti, u burgos (me urdhër të Sali Berishës) dhe u dënua me 17 vjet burg vetëm pse i kishte dërguar gjithë policisë së vendit një telegram me përmbajtje të njëjtë.

Lame përpiqet ta veçojë veten nga të tjerët dhe shprehet se “Ngjarja më preku shumë”, por nuk shpjegon se përse nuk filloi çështja penale qysh më 2 prill pasdite, duke ditur se në Shkodër mbërritën më shumë se njëqind forca speciale policore pas orës 2 pasdite. Gjithashtu, nuk shpjegon pse nuk u nis drejt Shkodrës atë pasdite apo qoftë dhe natën dhe të drejtonte veprimet e para hetimore.

Kushdo mund të pyes se përse Qemal Lame lehte në korrik 1992 dhe vazhdon të njëjtën gjë edhe sot, duke u përpjekur që krimin e tij ta paraqesë si akt heroik e demokratik. Madje, edhe unë pyesja shpesh herë veten dikur rreth këtij rebusi. Kësaj pyetjeje i përgjigjet vetë ai. Lame na bën të ditur se mbeti qejfprishur me regjimin e PP për herë të parë pasi ia vunë kandidaturën për deputet në Tepelenë dhe, më vonë, ia hoqën. Hatërmbetja e tij u thellua kur, në maj 1991, e hoqën nga funksioni i Kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme. I dukej se kishte qëndruar pak për një dekadë në atë post dhe se askush tjetër s’e meritonte! Madje, në libër, shkarkimin e tij e quan “dramë ndaj popullit” (f.551). Kulmi i “armiqësisë” së tij me regjimin dhe partinë ku kishte milituar për 20 vjet, arrin në momentin që e kërkojnë për ta pyetur si dëshmitar në procesin gjyqësor të 2 prillit.

Ja si e shpjegon ai shtysën për të botuar në gazetën “RD”, në korrik 1991, artikullin mashtrues për ngjarjen e 2 prillit: “Në kushtet që po më akuzonin padrejtësisht, për të përpunuar opinionin shoqëror, duhej të mbaja qëndrim… të pengoja masat që mendoheshin apo përgatiteshin të merreshin. Për shkak të detyrës ligji nuk më lejonte të jepja mendime personale publike për çështjen në hetim dhe për probleme që dyshohej, por nuk vërtetoheshin në hetuesi” (f.559). Pra, megjithëse nuk ia lejonte ligji, ai shprehet publikisht, jo për t’i shërbyer të vërtetës (sepse ai e pranon se ato që shkroi nuk vërtetoheshin në procesin e hetimit) por për interesa personale, për të mbrojtur veten nga sulme imagjinare ose të vërteta. Po të ishte i ndershëm, po të ishte demokrat dhe atdhetar, Qemal Lame do të kishte ardhur në sallën e gjyqit, kur e kërkuam ne “kriminelët” dhe do ua kishte “përplasur në fytyrë” ato që dinte, si të pandehurve, ashtu edhe atyre “lart”. Mirëpo, është e tepërt t’i kërkosh Qemalit të jetë i ndershëm. Ndershmëria kërkon guxim dhe sakrifica.

Goditjen “vdekjeprurëse”, Qemal Lame ia jep vetes në fund të librit. Ai që gjatë gjithë librit kishte pretenduar se ishte njeriu i ligjit, se “Humanizmi im qëndron në zbatimin me përpikëri dhe drejtësi të ligjit”, faqen e fundit e mbyll: “Qëndrimet publike dhe veprimtaria ime kushtetuese e ligjore ishin në përmbajtje të njëjta edhe me platformën politike të PD” (f.575). Kur lexova këtë pohim të tij më erdhi t’i thërras: “Po fol o Qemal, të lumtë goja, sepse këtë mendoj edhe unë!”. Nga këtej del se si platforma politike e PD, ashtu edhe veprimtaria kushtetuese e ligjore që Lame zbatonte përputheshin me aktin themelor të shtetit socialist (Kushtetutën), që ishte ende në fuqi. Natyrisht një paraqitje e tillë, që duhet thënë se janë rrëmbushur faqet e librit, është produkt i grafomanisë, nga e cila duket se autori është prekur herët. Por edhe sikur veprimtaria e Qemalit të përputhje vetëm me platformën e PD, sërish ai del zbuluar. Me këtë ai na thotë se Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme ia kishte përshtatur veprimtarinë e tij platformës së një partie, çka nënkupton pa mëdyshje se Qemali ishte shërbëtor partiak dhe jo besnik i ligjit. Kjo bëhet edhe më e pafalshme në një sistem politik shumëpartiak.

 

Po cila ishte platforma politike e PD-së në vitin 1991? Si çdo parti tjetër politike, edhe PD kërkonte ardhjen sa më parë në pushtet. Deri këtu çdo gjë është në hullinë e vet. Por, ndryshe nga partitë e vërteta demokratike dhe kombëtare, PD dhe Sali Berisha kërkonin ardhjen në pushtet me mjete të ligjshme dhe të paligjshme, me kaos dhe dhunë, duke iu imponuar popullit, derisa ta detyronin që, me hir apo pa hir, ta votonte, madje pa pritur zgjedhjet e radhës pas katër vjetësh. Ky ishte edhe shkaku pse u krijua dhe u përdor 2 prilli. Këtë e kanë pohuar edhe shumë figura të kësaj partie, atëherë kur mendonin se do ta kishin të përjetshëm pushtetin. Kësaj platforme i shërbeu edhe Qemal Lame.

Prandaj, Lame ishte ndër protagonistët kryesorë të një procesi hetimor dhe gjyqësor të parregullt dhe të paligjshëm. Në shkrimin e tij në korrik 1991, ashtu si dhe në librin e botuar së fundi, Lame e bën të qartë se vendosi arrestimin tim dhe të bashkëvuajtësve të mi me qëllim që të siguroheshin provat. Jurisprudenca shqiptare e asaj kohe, ashtu si edhe e sotmja, përmbante parimin e prezumimit të pafajësisë. Bazuar mbi këtë parim, janë provat ato që duhet të çojnë në arrestime e dënime dhe jo arrestimet për të siguruar provat.

Qemal Lame nuk është i pari që e pohon se procesin juridik kundër nesh ia kishte nënshtruar interesave të ardhjes sa më parë në pushtet të PD-së. Këtë gjë e pati pohuar edhe ish-avokati i familjeve të viktimave, i ndjeri Nafiz Bezhani. Por, ndryshe nga Lame, Bezhani pati burrërinë që në vitin 1998 të pohonte në shtyp se “Pesë të dënuarit për ngjarjen e 2 prillit 1991 nuk kishin kurrfarë lidhjeje me krimin”. Për çdo arsye të shëndoshë njerëzore, të mos kesh kurrfarë lidhjeje me krimin do të thotë të jesh i pafajshëm. Ndërsa, të krenohesh se ke burgosur njerëz të pafajshëm, siç bën Lame, do të thotë se je i pandershëm dhe, më e pakta, me prirje kriminele.

Dhe, së fundi, edhe disa fjalë, për Lamen dhe gjithë lamashët e tjerë.

Gjithë jetën time do të ndiej keqardhje që, megjithëse për shkak të detyrës, u ndodha në një ngjarje ku humbën jetën katër njerëz të pafajshëm.

Gjithë jetën time do të ndiej dhimbje për vuajtjet nëpër të cilat më detyruan shërbëtorët politikë në drejtësi të kaloj unë, njerëzit e mi të afërt, ashtu si edhe katër bashkëvuajtësit e mi të pafajshëm dhe familjet e tyre.

Gjithë jetën time do iu jem mirënjohës vartësve të mi, policë, ushtarë dhe oficerë që nuk e dhanë veten dhe ruajtën gjakftohtësinë përballë dhunës psikologjike dhe fizike që ushtruan ndaj nesh,  për rreth tri orë, elementët më të errët të shoqërisë shqiptare, të manipuluar nga banditët politikë të kohës. Me bekimin e politikanëve bandit, gjyqtarëve dhe prokurorëve në shërbim të tyre, dhuna dhe përpjekjet për poshtërim vazhduan edhe në sallën e gjyqit. Por këtu nuk synohej përgjakja, por shtrembërimi i së vërtetës.

Gjithë jetën time do të ndihem i nderuar që burgosjen time e imponoi dhe, më vonë, e  realizoi një regjim, të cilin bota perëndimore e quajti në vitin 1997 “regjimi i gangsterëve”, që akuzat kundër meje i urdhëroi kryegangsteri politik i kohës, ai që shtypi gjerman e quajti në vitin 1998 “një ordiner i rrezikshëm”, ai që dogji e shkatërroi Shqipërinë për të ardhur në pushtet, që tentoi të përdorte LHL, artilerinë dhe aviacionin kundër popullsisë civile në mars 1997, që mori pushtetin me armë në shtator 1998, ai që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit për t’u pasuruar në rrugë kriminale, ai që vrau katër njerëz të pafajshëm më 21 janar 2011, që fshehu provat dhe kërcënoi se do të vriste edhe të tjerë po t’i afroheshin zyrës së tij, ai që i ka shkaktuar shumë plagë të tjera Shqipërisë për gati një çerek shekulli.

Nga Gjek Celaj March 28, 2014 10:02
Komento

1 Koment

  1. aratisur,syrgjynosur April 21, 23:31

    une te besoj gjeke celaj,per te verteten qe tregon per masakren e 2prillit te 91shit,sali serbi e mori ne qafe ate vend,dhe deri me sot si nje gjemb atij familjes se tij ,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*