Qeveria “hap” burgjet për të dënuarit

July 18, 2015 09:18

Qeveria “hap” burgjet për të dënuarit

Në draftin e ri ligjor të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe që pritet shumë shpejt të miratohet edhe nga parlamenti, parashikohet që të dënuarit të përfitojnë të drejtën për të punuar jashtë mjedisit të burgut. Nëse deri më tani të dënuarit mund të punonin vetëm brenda mjediseve të burgjeve, tashmë ata do të kenë lirinë që të dalin jashtë rrethimit.

Sipas kësaj nisme të re, burgu me regjim të hapur do të jetë institucioni në të cilin, i dënuari kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Ndërkohë që vuan dënimin e tij, i dënuari ka të drejtë të punojë. Burgu me regjim të hapur do të jetë institucioni, ku vuhet dënimi për të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale të kryera nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim. Në ndryshim nga institucionet e tjera të ekzekutimit të vendimeve penale, burgjet me regjim të hapur karakterizohen nga mungesa e mjeteve pasive represive, nga një disiplinë e pranuar nga ana e të dënuarve dhe nga puna e tyre, si dhe pjesëmarrja në aktivitete të shkollimit, trajnimit, terapeutike, dhe eventet kulturore dhe sportive, të organizuara jashtë burgut.

Ekzekutivi argumenton se parimi themelor i regjimit të hapur është reduktimi në maksimum i privimit të lirisë, për të zhvilluar në mënyrë efektive kushtet e jetesës dhe ndërveprimin midis jetës në burg dhe botës së jashtme. Kjo arrihet nëpërmjet krijimit të një regjim jete sa më normal, pa kontroll të përhershëm e të vazhdueshëm nga punonjësit e institucioneve të ekzekutimit të dënimeve penale, me mundësi të lirisë së lëvizjes brenda dhe jashtë institucionit. Risocializimi, rehabilitimi i të dënuarve është arsyeja që justifikon aplikimin e burgjeve me regjim të hapur.

Është e qartë që jo të gjithë të dënuarit mund të kualifikohen për burgjet me regjim të hapur. Projektligji parashikon që burgjet me regjim të hapur janë institucionet, ku vuhet dënimi për të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim. Kualifikohen për t`u transferuar në këto burgje të dënuarit që u ka mbetur për të vuajtur më pak se 2 vjet burgim dhe kanë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit.

Kriteret për transferimin në burg të regjimit të hapur janë të njëjtat me kriteret për transferimin në burgun e sigurisë së ulët. Për pasojë, dhe për transferimin e të dënuarve në një burg të regjimit të hapur, është parashikuar që vendimi të merret nga një Komision Transferimi, dhe jo nga gjykata, siç është parashikuar për ndryshimin e klasifikimit nga institucion i sigurisë së lartë, në institucion të sigurisë së zakonshme, apo të ulët.

 

July 18, 2015 09:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*