Qeveria miraton rregulla të reja për menaxhimin e gomave të përdorura

September 14, 2016 15:58

Qeveria miraton rregulla të reja për menaxhimin e gomave të përdorura

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për menaxhimin e gomave të përdorura dhe mbetjet e tyre.

Me këtë vendim, për herë të parë rregullohet nga Ministria e Mjedisit skema e ciklit që gomat e përdorura si mbetje duhet të ndjekin deri në fund të jetës së tyre. Vendimi rregullon vetëm ciklin e gomave të përdorura dhe mbetjeve të tyre që janë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i këtij vendimi është jo vetëm plotësimi i kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të mbetjeve, si detyrim i nenit 41, të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, por edhe përcaktimi i rregullave dhe procedurave për menaxhimin e gomave të përdorura dhe mbetjeve të tyre.
Menaxhimi i mbetjeve nga gomat e përdorura nënkupton rregullat dhe kriteret që përfshijnë mbledhjen/grumbullimin, transportimin, ruajtjen/magazinimin dhe trajtimin e gomave të përdorura në mënyrë të tillë që të sigurohet mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe e mjedisit.

Ky vendim zbatohet për mbetjet e gomave të përdorura të mjeteve rrugore (ciklomotor, motomjete, automjete, trojlebuse, rimorkio, makina bujqësore, makina teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta), avionë dhe produkte të tjera të ngjashme, pas ciklit të jetës, të cilat zotëruesi i tyre i nxjerr nga puna ose kanë qëllim t’i heqin për shkak të dëmtimeve, fërkimit/gërryerjes ose arsye të tjera.

Zotëruesi i gomave të përdorura i dorëzon pa pagesë gomat e përdorura te grumbulluesi dhe/ose te magazinuesi dhe/ose te trajtuesi i gomave të përdorura apo servisi në rast zëvendësimi me goma të reja.
Menaxhimi i gomave të përdorura kryhet nga persona fizikë apo juridikë, të pajisur me leje mjedisore.

Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon, pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, informacion 1 herë/vit në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura.

Grumbulluesi, magazinuesi dhe trajtuesi i gomave/mbetjeve të gomave të përdorura janë të detyruar të mbajnë regjistrime ditore për sasitë e gomave të përdorura të mbledhura, të magazinuara dhe të trajtuara./MONITOR

September 14, 2016 15:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*