Qeveria përcakton kriteret e përfitimit nga fondi për bujqësinë dhe blegtorinë

January 21, 2015 22:00

Qeveria përcakton kriteret e përfitimit nga fondi për bujqësinë dhe blegtorinë

Qeveria ka miratuar kriteret e personave të cilat do të përfitojnë nga fondi për bujqësinë dhe blegtorinë. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit, të përdoret për: investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut; përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve si dhe për prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura për zbutjen e sezonalitetit të furnizimit të tregut.

Një fokus të veçantë i është dhënë mbarështimit të blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës; furnizimit të qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale; nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale; rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara dhe lëndëve djegëse për ngrohjen e ambienteve të mbrojtura si dhe  nxitjen e kooperimit dhe organizimin e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

Projektet e vlerësuara dhe të verifikuara ose të kontraktuara gjatë vitit 2014, të cilat janë shpallur fituese dhe nuk janë financuar për shkak të shkurtimeve të fondeve gjatë vitit buxhetor 2014, të paguhen me fondet e vitit 2015, brenda tremujorit të parë të vitit 2015, sipas masës dhe kushteve të përfitimit, të përcaktuara për vitin 2014, por jo më shumë se fondi i alokuar prej 200 000 000 lekësh.

Përfitues për masat e mbështetjes dhe masën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë personat fizikë, personat juridikë dhe SHBB-të.

Skema e plotë

 a) Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, si:

 i. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha;
ii. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së mollëve, dardhave, kumbullave, qershive, pjeshkëve, nektarinave, fiqve, ftonjve, shegëve, kivit, luleshtrydhes dhe agrumeve, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha;
iii. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së arrave, lajthive dhe bajameve, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha për format intensive dhe ekstensive të kultivimit;
iv. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve medicinale të kultivuara, si: lavanda, timus, rigon, gjethe qumështore, rozmarinë, mullagë e bardhë, mullagë e zezë, valeriane, mollë e egër, tërfili i kuq, bar blete, lule kalendule, lule dielli (për petale), hithër, helichrysum italicum dhe kokoçeli (lule ciani), në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;
v. përmirësimi i teknikave të ujitjes nëpërmjet mbështetjes financiare të instalimit të ujitjes me pika, në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume, arrore dhe shegë (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), kundrejt faturës tatimore, por jo më shumë se 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha;
vi. mbrojtja e ullishteve nga dëmtimi i mizës së ullirit në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, në vlerën jo më shumë se      35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë/ha;
vii. instalimi i sistemit të ngrohjes me biomasë (pellete), në serat me ngrohje qendrore, në vlerën jo më shumë se 1 800 000 (një milion e tetëqind mijë) lekë/dynymi.
Sipërfaqja e mbjellë me kulturat e përshkruara sipas masave të përcaktuara në nënndarjet i-iv, të shkronjës “a”, të pikës 2, duhet të jetë jo më e vogël se 0.2 ha dhe jo më e madhe se 10 ha.
b) Mbarështimi i blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës:
i. në vlerën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë dele dhe/ose dhi të matrikulluara për fermat të cilat mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë, por financimi të bëhet për jo më shumë se                     300 (treqind) krerë;
ii. në vlerën 1 000 (një mijë) lekë/koshere bletë për fermerët me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) koshere bletë;
iii. mbështetja e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë/fermë dhe/ose 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore dhe/ose faturë zhdoganimi.
c) Furnizimi i qëndrueshëm i tregut dhe rritja e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale për:
i. mbështetje për dorëzimin e prodhimit të frutave dhe perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur, të vërtetuar me faturë tatimore. Sasia e dorëzimit është:
– për jo më pak se 30 kv dhe jo më  shumë se 300 kv për frutat;
– për jo më pak se 50 kv dhe jo më shumë se 400 kv për perimet;
– për jo më shumë se 400 kv për fasulen pllaqi.
ii. mbështetje, në vlerën 10 (dhjetë) lekë/litri qumësht, për fermat blegtorale që dorëzojnë jo më pak se 1 500 (një mijë e pesëqind) litra qumësht në muaj, por jo më shumë se 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) litra qumësht në muaj, dhe mbarështojnë jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë qumështi të matrikulluara, por financimi të bëhet për jo më shumë se 80 (tetëdhjetë) krerë. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit, të deklaruara në organet tatimore;
iii. mbështetje për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/përpunimit, në vlerën 10 (dhjetë) lekë/kg të dorëzuar (të shitur) e të vërtetuar me faturë tatimore, por financimi të bëhet për jo më pak se 200 (dyqind) kv dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) kv në vit.
ç)  Nxitja e investimeve dhe kreditimit bankar në sektorin bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale, si:
i. mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 (shtatë) vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:
– Ndërtimin e objekteve që shërbejnë për mbarështimin e kafshëve, shpendëve dhe akuakulturës;
– Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale.
ii. mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për një subjekt, për:
– ngritje dhe/ose rikonstruksion ambientesh për grumbullim dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambienteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, midhjes dhe peshkut;
– linja për standardizimin (paketim, mbushje, konservim, ambalazhim) tharje dhe/ose përpunim, si dhe mjete të specializuara  transporti të prodhimeve bujqësore, blegtorale, mjaltit, bimëve medicinale, produkteve të akuakulturës;
– mbështetje për energjinë e rinovueshme;
– hapje lerash.
iii. ndërtim të serave për kultivimin e perimeve, prodhim fidanësh dhe produkteve të tjera bujqësore, në masën 60% të vlerës së investimit përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 1 200 000 (një milionë e dyqind mijë) lekë për dynym, për sera me sipërfaqe minimumi 2 dynymë dhe jo më shumë se 2 ha;
iv. Mbështetja e investimeve deri në masën 60% të vlerës për traktorë dhe/ose agregate të tjera bujqësore për manovrim në nivel ferme, përfshirë vlerën e tatimit.
January 21, 2015 22:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*