Qeverisje që nisin nga viti zero

Rami Memushaj February 14, 2013 13:22

Qeverisje që nisin nga viti zero

Ka disa vjet që çështja e varreve të ushtarëve grekë është bërë shqetësuese për opinionin e gjerë. Qeveritë shqiptare të pas ‘90-s janë dorëzuar para kërkesave të palës greke për të mbjellë gjurmë të helenizmit në tokën shqiptare. Si qeveria socialiste, edhe qeveria e sotme, që jo vetëm i është përmbajtur pikë për pikë marrëveshjes së mëparshme, po edhe ka nënshkruar një varg marrëveshjesh të tjera, si ajo e vitit 2009 për varrezat e Bularatit dhe të Kosinës etj. kjo e fundit për të kërkuar, siç njoftohet në shtypin e përditshëm, në 696 vende të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në fshatra dhe në qytete të jugut të vendit, për eshtra të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar nga dhjetori 1940 deri në prill 1941. Veprimet e qeverisë greke dhe të njerëzve të saj në Shqipëri për të ngritur varreza e për t’i mbushur ato me eshtra shqiptarësh morën përmasat e një skandali që u bë objekt i filmit komedi “Balkan Bazaar” të Edmond Budinës. Ky skandal vijoi me atë të Boboshticës, ku u përdhosën varret e shqiptarëve për të ngritur një monument të ushtarit grek, dhe së fundi me manifestimet në Bularat e Këlcyrë, ku grekët erdhën për të përkujtuar në tokë shqiptare luftën me Italinë fashiste.

Qëllimet e mbrapshta të shtetit grek dhe të qarqeve shoviniste greke janë të qarta si drita e diellit. Me varrezat, monumentet dhe me gërmimet në 696 pika Greqia do që të zyrtarizojë mëtimet e saj territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut. Thjesht pranimi i kërkesës për të gërmuar në 696 vende do të thotë se ky vend është larë me gjakun grek të derdhur në më pak se pesë muaj, prandaj është tokë greke.

Historianët mund të thonë më shumë për luftimet e zhvilluara midis dy ushtrive në territorin shqiptar, sigurisht duke hapur dhe librat grekë të historisë si dhe statistikat e pasluftës për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri. Ajo që na shqetëson këtu është sjellja e qeverive shqiptare të periudhës pas tranzicionit, si qeveri që e nisin qeverisjen nga viti zero.

Për të qenë më i qartë, po sjell për lexuesin një dëshmi për një situatë të ngjashme. Në vitin 1961, Italia, sipas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, nisi punën për nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve të vet të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nga varrezat e italianëve të vrarë ndodhej në fshatin Gjorm të Vlorës, ku shkruesi i këtyre radhëve punonte si mësues. Kureshtja na shtynte të shihnim se si bëhej identifikimi i eshtrave. Specialisti italian, i pajisur me hartë topografike dhe me plan të varrezës, shoqërohej nga punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Punëtorët që ishin pajtuar për hapjen e varreve, punonin nën mbikëqyrjen e specialistit, i cili, i mbështetur në planin e varrezës, gjente se të kujt ishin eshtrat. Pasi hapej varri, eshtrat dhe sendet vetjake të të vrarit (krehri, stilografi, veglat e rrojës etj.) viheshin në një qese najloni, së cilës i ngjitej një etiketë me emrin e të vrarit. Pasi u nxorën eshtrat, varret u mbushën për t’ia lënë natyrës kthimin e varrezës në lëndinë dhe në atë vend nuk u ngrit ndonjë monument.

Pra, ushtria fashiste italiane nuk i linte kufomat e të vrarëve atje ku binin, po i tërhiqte dhe i varroste në varreza të përbashkëta, duke bërë në çast edhe planin e varrezës dhe duke e fiksuar atë në hartat topografike. Dhe i gjithë ky proces zhvarrimi u mbikëqyr në të gjitha fazat e tij nga shteti shqiptar i kohës.

Ushtria greke, ka qenë dhe ajo ushtri e rregullt, që ka rregulla për tërheqjen nga vija e luftimit e trupave të të rënëve dhe i varros në varreza, duke bërë planin e tyre e duke hedhur në hartën topografike koordinatat e vendit. Por nga skandalet për mbledhje eshtrash që kanë ndodhur na del sikur kjo ushtri paska qenë një kope bashibozukësh, që i ka braktisur të vrarët atje ku kanë rënë dhe kujtohet për ta vetëm pas 70 e ca vjetësh, duke sjellë vetëm ca koordinata të sajuara në zyrat ku hartohen strategji të mbrapshta.

Kurse qeveritë shqiptare të pastranzicionit, duke ndjekur traditën e vitit zero, nënshkruajnë marrëveshje dhe japin leje për zhvarrime pa parë praktikat që janë ndjekur për zhvarrimet e një ushtrie tjetër dhe, më keq, pa mbikëqyrur asgjë, duke e lënë këtë proces delikat në duar të pushtetit vendor, dmth. në duar individësh që edhe mund të tundohen nga ushtria e tregtarëve të varreve. Për një shtet serioz ndjekja e traditës qeverisëse dhe e praktikave të qeverive paraardhëse, sidomos në raste që kanë motërzime, është një bazë për të pranuar apo kundërshtuar kërkesat e palës tjetër.  Dhe praktikat e dokumentacioni i operacionit të vitit 1961 për zhvarrimin e ushtarëve italianë besojmë se ruhet në arkivat e Ministrisë së Brendshme. Një qeverisje e përgjegjshme do të duhej ta bënte këtë gjë që e kërkojnë interesat kombëtarë. Lejimi i grekëve për ta kthyer përmbys truallin shqiptar dhe për të bërë ç’të duan, të mbledhin edhe eshtra shqiptarësh për të mbushur varrezat greke, mund të cilësohet pa e tepruar si një veprim antikombëtar, për të cilin një ditë përgjegjësit duhet të përgjigjen.

Rami Memushaj February 14, 2013 13:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*