Qumështi, 65% e tregtisë në të zezë

September 18, 2016 09:42

Qumështi, 65% e tregtisë në të zezë

Formalizimi në bujqësi dhe mbështetja e tij me subvencione nuk po funksionon për shkak se sektori është zhytur thellë në informalitet. Rasti i qumështit tregon se produkti grumbullohet dhe tregtohet 65% në të zezë. Nga 450 baxho dhe fabrika, vetëm 150 janë të regjistruara. Si nuk po funksionin skema e formalizimit nëpërmjet subvencionit nga pagesat e ulëta dhe komisionet e larta bankare

Në të gjithë zinxhirin e industrisë së përpunimit të qumështit ka aktorë që operojnë në mënyrë informale, pa pasur NIPT-in dhe pa lëshuar fatura me TVSH.

Këshilli i Investimeve ka zhvilluar një studim të hollësishëm mbi prodhimin dhe tregtimin e qumështit në vend dhe ka vërejtur se 65% e aktivitetit zhvillohet në informalitet të plotë.

Këta “xhepa të zbrazët” krijojnë premisa për informalitet dhe çojnë drejt operacioneve problematike për aktorët e tjerë, ata formalë në këtë zinxhir, duke krijuar probleme serioze që sektori i bujqësisë të përfitojë njësoj nga subvencioni.

Në veçanti, grumbulluesit informalë të qumështit dhe baxhot informale jo vetëm që qarkullojnë volume të mëdha të qumështit dhe kapital të konsiderueshëm, por gjithashtu përmes operacioneve të tyre informale dëmtojnë përpjekjet për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve. Përderisa cikli i TVSH-së nuk është i mbyllur, rrjedhimisht nuk mund të jetë efektiv në mënyrë të mjaftueshme.

Analiza e Këshillit të Investimeve vë në dukje se, transaksionet nëpërmjet sistemit bankar për të gjithë prodhuesit nuk janë një mënyrë efikase, për më tepër duke pasur parasysh se shumica e tyre duhet të udhëtojnë në distanca të gjata për të arritur bankat në qytete dhe shuma e parave të marra nga shitja e qumështit është shumë e vogël në krahasim me përpjekjet, kohën e harxhuar dhe shpenzimet.

Ka mungesë informacioni dhe vështirësi në ndërgjegjësimin e fermerëve mbi legjislacionin tatimor dhe ndryshimet e tij, si dhe të gjithë skemën e formalizimit. Kapacitetet administrative rajonale përgjegjëse janë të kufizuara dhe shpesh jo afër fermerit për t’i asistuar.

Problemet në regjistrimin e tokës dhe tregun e saj, identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, mungesa e besueshmërisë së të dhënave statistikore kërkojnë adresim të qartë për të mundësuar formalizimin afatgjatë të sektorit.

Baxhot, 65% informale
Sektori i blegtorisë shqiptare është dhe do të mbetet pjesë e kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi për t’ju përgjigjur nevojave të popullsisë. Edhe pse statistikat bujqësore nuk japin të dhëna plotësisht të besueshme dhe të sakta, disa prej shifrave që lidhen me sektorin e blegtorisë tregojnë se numri i fermave që merren me blegtori është 352 mijë.

Fermat që merren kryesisht me gjedh janë 214,9 mijë, ato që merren kryesisht me dhi janë 23,4 mijë dhe dele 47 mijë.
Sasia e qumështit në një nivel prej 1,1 milionë tonësh në vit prodhohet nga 358 000 lopë, 1,896,000 dele dhe 904,000 dhi.
Për shkak të menaxhimit më të mirë, tendenca është drejt uljes së numrit të krerëve të bagëtive dhe rritjes së prodhimit të qumështit dhe mishit.

Rreth 80% kanë nga 2 deri në 4 lopë; rreth 15% kanë nga 5 deri në 10 lopë, rreth 4% kanë nga 10 deri në 15 lopë, dhe vetëm 1% kanë mbi 15 lopë.
Qumështi përpunohet në baxho, të cilat afërsisht janë llogaritur të jenë 450, nga të cilat rreth 35% kryejnë veprimtari në mënyrë formale (të regjistruara, me Tatim mbi Vlerën e Shtuar – TVSH), ndërsa 65% veprojnë në mënyrë informale.

Si funksionon subvencioni

Një skemë pagese direkte për zonë (skemë subvencioni) me një vlerë totale prej 6 milionë eurosh filloi të zbatohet për herë të parë në vitin 2006. Aktualisht, mbështetja e qeverisë për sektorin e bujqësisë është 12,5 milionë euro, që në rastin e blegtorisë u adresohet fermerëve të regjistruar në mënyrë të ligjshme (NIPT), sipas skemës së TVSH-së, që bëjnë identifikimin dhe regjistrimin (I & R) e bagëtive.

Është përgatitur një regjim i veçantë për formalizimin e prodhuesit të bujqësisë dhe kompensimin e TVSH-së.
Në bazë të Udhëzimit Nr. 19, blerësi i produkteve bujqësore është subjekt i TVSH-së dhe taksave të tjera dhe ndjek një regjim normal TVSH-je. Blerësi lëshon një faturë TVSH-je për çdo produkt bujqësor të blerë nga fermerët (auto-faturë), ku cilësohet shitësi (prodhues) i produkteve bujqësore, NIPT-i i shitësit dhe të dhëna të tjera siç kërkohet në formën e miratuar të faturës.

Vlera totale e faturës përfshin vlerën që i është paguar fermerit, duke përfshirë normën e kompensimit të fermerit prej 20%. Kjo vlerë prej 20% ka për qëllim të mbulojë TVSH-në e paguar nga fermerët për blerjen e inputeve dhe shërbimet për prodhimin e produkteve bujqësore.

Me Udhëzimin Nr. 26, datë 26.10.2015 të ministrit të Financave u përcaktua se blerësi nuk ka të drejtë të kreditojë 20% të TVSH-së në rast se nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit përmes transaksioneve bankare (nga llogaria bankare e blerësit në llogarinë bankare të fermerit), ose përmes Shërbimit Postar të Shqipërisë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, fermerët me një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë, nuk konsiderohen tregtarë dhe në këtë rast, mbajtja e NIPT-it është e nevojshme vetëm për qëllimin e kompensimit të TVSH-së. Fermerët me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë duhet të regjistrohen si tatimpagues normalë që përdorin fatura me TVSH. Aktualisht vetëm rreth 30 000 fermerë kanë marrë NIPT.

Zinxhiri dhe aktorët e tij
Veprimtaritë në sektorin e nënprodukteve të qumështit përfshijnë furnizuesit e mallrave dhe shërbimeve, prodhuesit, grumbulluesit e qumështit, përpunuesit e qumështit, transportuesit, shitësit me shumicë, shitësit me pakicë, tregjet dhe përdoruesit fundorë.

Në vijim, secili prej aktorëve analizohet në funksion të formalitetit dhe informalitetit të veprimtarisë. industria e prodhimit të qumështit përfshin disa furnizues të mallrave dhe ofrues shërbimesh të tilla si: kompanitë e farave (misër, jonxhë); furnizuesit e foragjereve (koncentrate), furnizuesit e elementëve mineralë dhe vitaminave; farmacitë veterinare; furnizuesit e spermës; shërbimin veterinar; shërbimin e mbarështimit artificial; shërbimin e mekanizimit.

Aktualisht, shumica e furnizuesve të inputeve janë të regjistruar si tatimpagues të TVSH-së, ndërkohë që në shumë raste veterinerët, teknikët e mbarështimit artificial dhe operatorët e pajisjeve mekanike nuk janë të regjistruar si tatimpagues. Vetëm 30 000 fermerë kanë marrë deri më tani NIPT-in, përmes të cilit kanë hyrë në skemën e kompensimit të TVSH-së, në bazë të faturave me TVSH të përgatitura nga blerësit. Megjithatë, pjesa më e madhe e fermerëve nuk janë regjistruar ende.

Ka dy lloj grumbulluesish qumështi. individë që grumbullojnë qumështin dhe ua shesin baxhove (fabrikave të vogla apo të mëdha), ose direkt konsumatorëve ruralë dhe grumbulluesit e punësuar nga baxhot.

Të parët në shumë raste janë informalë, ndërsa të dytët janë pjesë e stafit të fabrikës së nënprodukteve të qumështit.
Nga 450 njësi të vogla përpunimi, ose “Baxho” dhe fabrika rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Shumë prej njësive të paligjshme shërbejnë për të furnizuar popullsinë lokale rurale.

Për shkak të detyrimit për zbatimin e ligjit, transportuesit janë duke operuar në mënyrë formale, sidomos ata që transportojnë qumështin dhe nënproduktet e tij drejt zonave urbane. Shitësit me shumicë dhe pakicë gjithnjë e më shumë po veprojnë në një mënyrë të formalizuar, veçanërisht ata shitës me shumicë dhe pakicë që shesin në zonat urbane.

Pagesa me bankë si funksionon
Rreth 70%-80% e fermerëve shesin deri në 10-15 litra qumësht në ditë. Çmimi i qumështit është mesatarisht 38 lekë për litër dhe fitimi ditor është mesatarisht 380-570 lekë.

Pagesat nga blerësi janë bërë çdo 10 ose 15 ditë, kështu që shuma e përgjithshme për pagesë luhatet nga 3800-5700 lekë (në 10 ditë), ose 5700- 8550 (në 15 ditë).

Distanca mesatare e fermave nga qendrat e qyteteve ku gjenden bankat është midis 40-50 km. Kostoja e transportit është rreth 400 lekë. Për të marrë shërbimin duhen së paku 3 orë, i cili i konvertuar në lekë është rreth 400 lekë.
Komisionet bankare të përmuajshme luhaten nga 150 – 500 lekë dhe shpenzimet totale për çdo tërheqje të pagesës janë midis 950 – 1300 lekë.

Për shkak të transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar, shpenzimet e fermës kundrejt të ardhurave të nxjerra nëpërmjet shitjes së qumështit janë llogaritur të jenë midis 16,6% deri në 25% kur pagesat bëhen çdo 10 ditë dhe detyrimet bankare janë 150 lekë.

Në rastin tjetër shpenzimet e fermës janë 11,1% deri në 16,6% kur pagesat bëhen çdo 15 ditë dhe detyrimet bankare janë 150 lekë.

Baxhot e paregjistruara
Sipas studimit të Këshillit të investimeve, nga 450 njësi (njësi të vogla përpunimi, ose “Baxho” dhe fabrika) rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Shumë prej njësive të paligjshme shërbejnë për të furnizuar popullsinë lokale rurale.

Sasia minimale e qumështit të përpunuar në një baxho është 500 litra në ditë. Në rastin kur baxhot funksionojnë gjatë të gjithë vitit, kapaciteti vjetor i përpunimit është182 500 litra. Çmimi i blerjes së qumështit është 6, 935,000 lekë në vit.
Nga kjo sasi e qumështit të grumbulluar është prodhuar 26, 071 kilogramë djathë Çmimi i shitjes së djathit 350 lekë për kilogram me një xhiro minimale vjetore 9, 124, 850.

Këshilli i investimeve rekomandon që të gjitha njësitë e përpunimit duhet të jenë pjesë e sistemit të faturave me TVSH, përndryshe konkurrenca e padrejtë do të rritet dhe cilësia e produkteve do të mbetet problematike. Përveç kësaj, për sa i përket standardeve të operacioneve, të gjitha baxhot duhet të inspektohen në mënyrë rigoroze nga autoritetet kompetente.

Fermat e copëzuara rrisin kostot
A-ja e problematikave të këtij sektori mbetet grumbullimi i qumështit dhe copëzimi i fermave, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 5 krerë bagëti. Kompanitë pohojnë se operojnë ende duke grumbulluar qumështin nga shumë fermerë, që kryesisht janë trajnuar nga vetë ata për t’jua sjellë lëndën e parë në kushtet që e duan.

Firmat përpunuese të qumështit vuajnë kufizimet e furnizimit dhe siguria e cilësisë së lëndës së parë është thembra e Akilit në këtë proces.

“Çmimi i lëndës së parë në vendin tonë është më i shtrenjtë sesa gjithë vendet e tjera të rajonit. Te ne, çmimi i qumështit në ferma varion nga 44 lekë deri në 58 lekë për litër, ndërsa në Hungari, çmimi i qumështit shkon edhe 28 cent për litër”, – tha Luis Ndreka.

Nikolin Jaka, i cili ka në pronësi fabrikën e qumështit Ambla thotë se që një fermë të jetë eficiente, minimumi i kapacitetit është jo më pak se 600 (lopë) dhe rentabiliteti më i mirë arrin në 1200 të tilla. Një fermë e përmasave të tilla mundëson investimin në teknologjinë e mjeljes dhe atë të tregtimit.

“Sot nuk ka asnjë në Shqipëri, as me 600 dhe as me 1200. Por nga të gjithë analizat del se nuk kemi parë një projekt që qeveria të orientojë iniciativa të fermerëve, në këto përmasa, por vazhdojnë që të suportohen projekte të vogla, qoftë edhe me 2 apo 5 lopë, gjoja duke i shërbyer punësimit dhe mirëqenies familjare, ndërkohë që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse fusin një produkt të kontaminuar në tregun e industrisë së qumështit”, thotë Jaka.

Lënda e parë e shtrenjtë e bën industrinë pak konkurruese dhe ajo nuk ka diferencë në raft me produktet e importit. P.sh., Gjermania ose Hungaria sot e çon lëndën e parë për përpunim në Itali me 0.18 euro (rreth 25 lekë) për litër. Si rrjedhojë, çmimi përfundimtar pas përpunimit, del më i shtrenjtë për përpunuesit vendas.

“Çmimi që ne blejmë lëndën e parë, është i barabartë me atë që gjermanët kanë në raftet e marketit për t’u shitur”, thotë Jaka. E gjitha kjo, sipas tij, vjen si rrjedhojë e mungesës së zinxhirit të lëndës së parë dhe mungesa e politikave të duhura të qeverisë, për të strukturuar dhe për të garantuar këtë sektor.

Vetë Jaka thotë se ai po studion një variant për të marrë qumështin (lëndën e parë për përpunim) nga Çekia me 45 lekë për litër dhe me cilësi shumë të mirë.

I vetmi investitor i huaj që hyri pak vjet më parë në industrinë e përpunimit të qumështit, kompania gjermane Meggle, duke blerë markën Fast në 2010-n, u tërhoq në mars të vitit 2015. Gjatë 2014-s, kompania rezultoi me humbje sistematike. Arsyeja kryesore duket se ishte konkurrenca e pandershme.

Meggle blinte qumësht cilësor te furnitorët me 50 lekë për litër, ndërsa kompanitë e tjera e grumbullonin jo më shumë se 30 lekë për litër, duke mos respektuar standardin. Në këtë mënyrë, Meggle e ka pasur të pamundur të përballojë kostot, duke ofruar çmime konkurruese. Për ironi, Meggle vijon të jetë e pranishme në supermarketet shqiptare, por tashmë me qumësht të importuar të markës së saj.

A është zgjidhje subvencionimi
Luis Ndreka, drejtor i “Lufra”, thotë se një zgjidhje për të rritur konkurrueshmërinë është subvencionimi. “Në vendet e rajonit dhe ato të zhvilluara, shteti subvencionon zhvillimin e bujqësisë dhe kjo e ul koston e prodhimit të lëndës së parë. Ndryshe ndodh në Shqipëri, ku realisht këtë ‘subvencion’ po e bëjnë kompanitë e bulmetit, duke e blerë qumështin me një çmim të shtrenjtë”.

Saimir Begaj, drejtor i kompanisë “Erzeni”, sjell shembullin e rajonit. Kosova, edhe pse me problematikat e pas luftës, në drejtim të bujqësisë ka bërë një progres të konsiderueshëm, kryesisht duke e nxitur fermerin me anë të subvencioneve mbi bazën e cilësisë. Kjo gjë përkthehet me përmirësimin e racave të bagëtive dhe përmirësim të kushteve higjieno-sanitare të pasmjeljes.

“TVSH-ja në Kosovë për produktet e bulmetit është diku te 7-8% si në blerje ashtu edhe në shitje. Çmimi i shitjes së qumështit me sa di unë është diku te 25-27 cent/litër përfshirë TVSH-në, ndërsa këtu te ne shkon mbi 40 cent/litër përfshirë TVSH-në. Kurse çmimet e shitjes së produkteve të gatshme në Kosovë janë sa te ne, vetëm se janë në euro, nëse atje 1 kg kos shitet 1.1 euro këtu te ne shitet 110 lekë/kg”. E njëjta situatë, por edhe më lirë, është në Maqedoni, Slloveni, Bullgari etj.,- ka shtuar zoti Begaj.

Skema e deformuar
Skemat e subvencionit në bujqësi të orientuara në mbulimin e kostos dhe jo në rritjen e zinxhirit të vlerës, i kanë nxjerrë nga shinat fondet publike që shkojnë në mbështetje të Bujqësisë. Të papërfshira në monitorim dhe pa marrë në konsideratë elemente të eficiencës subvencionet për bujqësinë, në vend që të rrisin produktivitetin në sektor, po shkojnë si fonde të falura për mbulimin e kostos. Kjo praktikë tashmë e dështuar edhe në Bashkimin Europian nuk i shkon më për shtat nevojave të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.

Ish-zv.ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se subvencioni duhet të orientohet nga rritja e vlerës. Fondet nuk duhet të falen, sipas skemës aktuale, por të kthehen në investime dhe përfituesit pas një periudhe 5-vjeçare të japin “llogari” se sa këto fonde i janë kthyer mbrapsht shtetit përmes pagimit të taksave, apo sa ato kanë ndikuar në punësimin dhe shtimin e të ardhurave.

Për të realizuar këtë, Ministria e Bujqësisë duhet të ngrejë një sistem monitorimi për subvencionet dhe të vërë disa kushte. P.sh., duhet të financohet një aktivitet që ka mundësi të shlyejë subvencionin në pesë vitet e para nëpërmjet taksave. Përfshirja në proces monitorimi i elementeve të eficencës mund të bëjë më të dobishme skemën, – sugjeron Zusi.

Drejt ciklit të mbyllur
Problemet me sigurimin e lëndës së parë po i shtyjnë bizneset të investojnë vetë në mbylljen e ciklit, duke ndërtuar ferma të mëdha. Nikolin Jaka e ka në plan një gjë të tillë, por problem mbetet mungesa e financimeve nga bankat.

Ndreka i “Lufra”-s thotë se është në planet e kompanisë që të investojnë për të krijuar fermat e veta. “Ne vazhdimisht kemi investuar në hallkën e parë të këtij zinxhiri. Kemi investuar duke krijuar disa pika grumbullimi. Investimi më i rëndësishëm janë trajnimet për fermerët e vegjël e të mëdhenj. Gjithashtu kemi punësuar veterinerë, të cilët japin vazhdimisht njohuritë e tyre mbi mirëmbajtjen e kafshëve, kushtet e mjeljes e deri te përzgjedhja e ushqimit të kafshëve”.

Një shembull pozitiv vjen nga sipërmarrësi Petrit Ago. Ai po tenton të krijojë ciklin e mbyllur në bujqësi në industrinë e qumështit. Pranë Fushë-Krujës, në fund të rrugës përbri malit të Krujës, ai ka ngritur fermën më të madhe në vend me mbi 400 lopë, 1500 dele dhe 400 dhi alpine që janë të sistemuara në mbi 13 stalla në një ambient të ngritur krejtësisht për to, ndërsa çdo gjë është e automatizuar, nga mjelja te depozitimi frigoriferik, sterilizimi, kontrolli i cilësisë.

Ferma që prodhon 7 tonë qumësht në ditë do të furnizojë fabrikën që është në përfundim e sipër afër saj (me kapacitet përpunimin e 48 tonë qumësht, djathë dhe kos), teksa rrjeti i shpërndarjes me pakicë është i ngritur. Ago e shikon të ardhmen në eksportin e djathit me feta në tregjet e Bashkimit Europian, ku kërkesa është e madhe.

Ushqimi i kafshëve është një tjetër problem për industrinë. Copëzimi i tokës bujqësore në ferma jo më shumë se 1.3 hektarë është një problem madhor edhe për funksionimin e fermave të mëdha blegtorale. Ago e importon rreth 70% të bazës ushqimore që nga Spanja, Greqia, Maqedonia etj. Tregu vendas nuk mund t’i sigurojë atij furnizime të mjaftueshme. Edhe pse ka bërë mjaft takime me fermerë në zona të ndryshme, ata nuk kanë rënë dakord të bashkojnë tokat për të siguruar jonxhën e bagëtive.

Rekomandime për formalizimin
Ka një konsensus të gjerë mbi nevojën për formalizim të ekonomisë dhe avantazhet që ka ky proces për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, thithjen e investimeve serioze dhe rritjen ekonomike në afat të gjatë. Por nga ana tjetër, ka akoma paqartësi për biznesin mbi hapat e mëtejshëm, shtrirjen në kohë të aksionit të ndërmarrë dhe mungesë informimi mbi planin e veprimit.

Eksperiencat botërore kanë treguar se përqasja ndaj formalizimit nënkupton një reformë të shtrirë në kohë dhe në dimensione ligjore dhe institucionale, ofrimin e incentivave ashtu si dhe shtrëngimin e penaliteteve, mbrotjen e shtresave në nevojë dhe të disa sektorëvë që kanë pasur tendencën për të qenë më informalë.

Megjithëse Ministri i Finacave ka deklaruar në media pergatitjen e një plani dy-vjeçar në Dhjetor, akoma nuk ka asnjë dokument qeveritar në lidhje me platformën e masave, nëse ka analiza sektoriale mbi të cilat do të merren këto masa. Për më tepër grupet e interesit shprehen për nevojen e konsultimit paraprak dhe domosdoshmerine e partneritet në këtë fushatë.

Sipas literaturës ndërkombëtare , për reduktimin e informalitetit sugjerohet që të merren në konsideratë tre parime kryesore. I pari ka të bëjë me përqasjen graduale për formalizim nëpërmjet përgatitjes, diskutimit dhe zbatimit të Strategjisë së integruar kundër informalitetit.

I dyti ka të bëjë me radhën e masave që merren. Rregullat e forta duhet të vijnë mbasi të jenë aplikuar rregullat e mira. Nëse luftohet ekonomia informale me represion ndërkohë që kemi probleme me zbatimin e ligjit, rrezikon më tepër të dëmtosh ekonominë dhe rritësh papunësinë.

I treti ka të bëjë me ndërtimin e kapitalit social. Është e rëndësishme të synohet rritja e transparencës dhe lufta kundër korrupsionit. Edhe rregullat e mira mund të mos funksionojnë nëse ka nivel të ulët të kapitalit social dhe institucione të dobëta./MONITOR

September 18, 2016 09:42
Komento

3 Komente

  1. Arben September 18, 14:40

    KU QENDRON PROBLEMI, QUMESHTI NUK ESHTE I ZI, POR I BARDHE.

    Reply to this comment
  2. info analitike September 18, 19:06

    Shikoni pak edhe mjaltin se me aq sa kam verejtur per pak kohe kur gjendem ne Shqiperi duket qarte qe eshte i manipuluar dhe keqas fare.

    Reply to this comment
  3. shaqo September 18, 19:40

    Nuk eshte thene se sa % e qumshtit eshte qumesht, dhe sa eshte miell niseshteje? Kjo po, ka vlere te dihet nga konsumatoret, se te gjitha llojet e qumshtit ne treg mbajne ere mielli niseshteje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin