QURROKRACIA

Kopertina e DITA-s January 15, 2014 02:02

QURROKRACIA

Redaksional


Një shpjegim i munguar mbi nevojën e politikanëve shqiptarë për t’u rrëfyer ose për t’u ankuar për njëri-tjetrin nëpër Ambasada

Në një takim me ambasadorin anglez, dy ditë më parë Berisha iu ankua atij për pushimet nga puna që po “bëjnë socialistët”. Më herët, kur Berisha ishte në krye të vendit, kritikonte socialistët asokohe në opozitë që ankoheshin shumë te përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të huaja. Ky i Berishës është në fakt, vetëm episodi i fundit i një “rituali” të politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë, që DITA në kopertinën e sotme e quan Qurrokraci.  Rastet janë pa fund dhe kjo sjellje vijon a thua se është një psikoterapi.  DITA ka mundur të kontaktojë disa ambasada të vendeve të rëndësishme perëndimore, për tu interesuar në vija të përgjithshme mbi këtë fenomen, për të kuptuar si dhe pse ndodh. Nuk është sekret që vendi i preferuar për rrëfimet është “Rruga e Elbasanit”, siç e quajnë ndryshe vetë politikanët ose diplomatët Ambasadën Amerikane për shkak të emrit të rrugës ku është vendosur selia e saj. Por rrëfimet kanë një shpërndarje interesante dhe në ambasada të shteteve të tjera. Kur interesohesh pranë ambasadave për këtë temë, s’mund të pretendosh informacione konkrete me emra dhe orare konkrete, diplomacia ka rregullat e saj, por përfaqësues të ambasadave e pranojnë pa problem fenomenin.

“Mund t’iu duket çudi por janë ata vetë që i kërkojnë takimet. Janë ata që marrin iniciativën në pjesën dërrmuese të kontakteve të kësaj natyre me ambasadën. Kontaktojnë vetë, kërkojnë orare kur mund t’i presim dhe nisin e flasin, rrëfejnë ato që i konsiderojnë si shqetësime dhe probleme të tyre. Ne kur kemi nga ana jonë nevojën për të kontaktuar me zyrtarë shqiptarë për çështje të ndryshme, sigurisht që i kontaktojmë, por ama i përmbahemi një protokolli shtetëror të përcaktuar qartë në raste të tilla si në cilësinë e personit që thërrasim ashtu dhe në trajtimin e çështjes objekt trajtimi”, –  tha për DITA një burim diplomatik i një ambasade të rëndësishme në Tiranë.

Pra, në shumicën e rasteve politikanët apo zyrtarët shqiptarë nuk i thërret kush, shkojnë e ‘zbrazen; vetë. Jo rastësisht, kur tri vite më parë dolën në pah dokumentet dhe kabllogramet diplomatike amerikane të “Wikileaks”, Shqipëria zuri vendin e saj në paradën e skandaleve që shkaktuan këto kabllograme. Por në rastin e Shqipërisë mund të evidentohej lehtësisht diçka: ishim vendi dhe shteti me numrin më të lartë të zyrtarëve shtetërorë që me iniciativën e tyre shkonin dhe qaheshin në një ambasadë amerikane. Nga teksti i kabllogrameve kuptohej lehtë që në shumicën e raportimeve zyrtarët e lartë kishin shkuar vetë për t’u ankuar ose për të dhënë informacione mbi zyrtarë apo politikanë të tjerë.

Kur shikon listën e autoriteteve shqiptare që dilnin nga dokumentet sekrete vihej re një element, të gjithë “kokat e shtetit” kishin frikë nga diçka ose nga dikush, zakonisht nga njëri-tjetri. I theksuar fenomeni ka qenë në vitet kur në krye të ekzekutivit ose në Presidencë ka qenë Berisha. Në kabllogramet e fundit vihet re se si Presidenti, Shefi i Shërbimit Inteligjent, Shefja e organit të akuzës, Shefi i Shtabit, Shefi i Policisë, Shefi i gjyqësorit, të gjithë funksionarët më të lartë dhe më kyç shtetëror ndiheshin të shqetësuar, ata nuk punonin të qetë, besimi që kishin ndaj njëri tjetrit ishte zero.

Përjashto takimet për qëllime të pastra diplomatike ose të marrëdhënieve serioze mes vendeve, “takimet” e tjera janë sjellje që shpesh dëshmojnë krizën e rëndë të individit-shtetar. Ato shprehin edhe mungesën e integritetit të shtetit si një trupë e vetme bashkëvepruese e identifikuar me interesa të përbashkëta të qytetarëve shqiptarë. Ankesat, spiunimet, qarjet për njëri-tjetrin dhe gjithçka që nuk ka të bëjë me raportet normale reciproke që një shtet ka me ambasadat e shteteve, janë një qurrokraci e nisur ndoshta që prej 1912-s. Është për të ardhur keq që vijon ende sot.

 

***

Ish-Kryeministri: Jo vetëm shkojnë, por disa shkojnë në dy ambasada radhazi

Ish-Kryeministri Aleksandër Meksi është një nga ish-kryeministrat e vendi që e ka patur shqetësim të kahershëm problemin e ankesave që bënin ministrat ndaj ambasadorëve të huaj në Tiranë. Meksi tregon se i ka paralajmëruar shpesh anëtarët e kabinetit të tij në mbledhje të mbyllura të Qeverisë: “Çfarë flitet këtu është mirë të mbetet këtu. Ata që hyjnë e dalin nëpër ambasada duhet ta dinë se çdo fjalë u regjistrohet dhe ato fjalë shkojnë shumë larg dhe dalin një ditë, edhe pas 50 vjetësh. Kurse çdo gjë që bëni jashtë filmohet dhe fotografohet”. Në fakt profecia e Meksit nuk doli plotësisht, sepse Uikiliksi i publikoi shumë më shpejt se 50 vjet kabllogramet që shkaktuan një tërmet në diplomacinë botërore tre vjet më parë. Cilat janë ambasadat më “të lakmuara” nga politikanët shqiptarë për t’u “rrëfyer”? Ish-kryeministri bën ironi: “…Po të flasim me emra rrugësh, përveç rrugës së Elbasanit, është ambasada me godinë përballë TVSH-së, e pastaj në rrugën e ambasadave, kur hyn nga ana e rrugës së Kavajës, janë ambasadat që janë më së shumti në krahun e majtë. Pra, përveç ambasadës Amerikane, më të preferuara, janë ato italiane, greke, franceze, angleze, gjermane… Disa, për të qenë më të sigurtë për spiunimet, shkojnë në dy ambasada radhazi”.

***

Telefonata e parë e ankesës disa minuta pas arrestimit të Berishës ishte për…ambasadorin italian

 

Disa muaj më parë u botuan pamjet e arrestimit të Sali Berishës në 29 nëntor të vitit 2000 pas trazirave në Tropojë. Një detaj që nuk është bërë publik as në botimet e fundit dhe as më parë është ai i një telefonate në orën 2 të mëngjesit nga Jozefina Topalli pak caste pas arrestimit të Berishës. Një ish-zyrtar i lartë i policisë që mori pjesë drejtpërdrejt në atë arrestim ka treguar për Ditën që e kanë patur të pamundur të nxirrnin Berishën nga makina pasi ai nuk zbriste, madje urdhëroi shoferin e tij të mbyllte makinën me siguresë nga brenda. Përballë këtij veprimi, forcat speciale që merrnin pjesë në arrestim u detyruan të bëjnë një rreng. I kërkuan shoferit të hapte xhamin e makinës dhe e nxorrën atë me forcë jashtë. Një nga pjesëmarrësit në aksion u ul në timon dhe pa e prekur Berishën dhe bashkëudhëtarin e tij në makinë, e drejtoi makinën me gjithë Berishën brenda drejt Drejtorisë së Policisë. Disa momente pasi ndodhi ky veprim, Jozefina Topalli ka bërë telefonatën e parë për t’u ankuar për arrestimin. Telefonata ishte për ambasadorin Italian të asaj kohe në Tiranë.

***

WIKILEAKS : Besimi zero i shtetit ndër vete, ose frika e krerëve të shtetit nga njëri-tjetri

Ish-Presidenti, ish-shefa te shërbimit sekret, prokurorisë, policisë, gjyqësorit, shtabit të ushtrisë dhe shumë të tjerë shkonin në ambasadën Amerikane në Tiranë për të rrëfyer problemet e tyre. Kabllogramat e Ëikileaks zbuluan frikërat që ata kishin dhe ndihmën që u kërkonin palës amerikane. DITA po bën sot një përmbledhje të atyre që zbuluan këto kabllograme, disa prej të cilëve ende të pabotuara:

 

Bamir Topi ia ka frikën gurëve të Berishës…

Në kabllogramin e datës 9 janar 2009, dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për Departamentin Amerikan të Shtetit, firmosur nga zv.ambasadori Stiven Kristina, (material konfidencial që mund të deklasifikohet vetëm pas 1 gushtit të vitit 2018) shkruhet mes të tjerash:

“…Topi tha se PD do ta sulmojë egërsisht në rast se vendos veton kundër ligjit të lustracionit duke pretenduar se ai ka marrë informacione se aktivistë të PD-së do të nxirren në demonstratë kundër tij dhe do të godasin presidencën me gurë. Topi pretendon se edhe pse ka shumë aleatë brenda PD-së në Parlament, asnjë nuk do të votojë pro vetos së tij në rast se vendos të bllokojë ligjin. Ai tha se deputetët e PD-së do të ndjekin kryeministrin Berisha dhe do të kundërshtojnë Topin sepse kanë frikë se Berisha do ti lërë jashtë listave zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Edhe Topi vetë shprehu frikën se në mënyrë të përsëritur se në rast se vendos veton kundër ligjit, PD do të nisë një sul ballor kundër tij që do të përfshijë edhe një fushatë diskredituese…”.

 

Burgaj ia ka frikën Agron Kuliçajt

Në kabllogramin e datës 25 nëntor 2009 dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë Departamentin Amerikan të Shtetit, firmosur nga Ambasadori Xhon Uidhers dhe klasifikuar si “material konfidencial”, thuhet mes të tjerash:
“…Në 29 tetor Burgaj u emërua nga Këshillimi i Ministrave për të zëvendësuar Ahmet Prençin. Pak kohë pas emërimit, Burgaj i tregoi ambasadës qëllimin e tij për të bërë ndryshime të mëdha në Policinë e Shtetit… Por një drejtor që nuk u prek nga rokada ishte Agron Kuliçaj, i cili besohet gjerësisht se është i korruptuar. Burimet i kanë thënë ambasadës se disa donatorë europianë refuzojnë të përfshihen me policinë veçanërisht për shkak të prezencës së Kuliçajt. Ne kemi arsye të besojmë se kjo është një e vërtetë edhe për disa agjenci amerikane. Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura,  por ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Njerëz brenda policisë besojnë se Kuliçaj mund të ketë ndihmuar Dritan Dajtin. Ambasadori ia tha ministrit Basha shqetësimet tona. Javën e kaluar ICITAP foli me Burgajn për shqetësimet konkrete për Kuliçajn. Burgaj i tha se ai vetë kishte probleme me Kuliçajn dhe se zyrtarë të tjerë të policisë ishin të shqetësuar për lidhjet dhe përfshirjen e tij në krimin e organizuar. Por Burgaj na saktësoi se ai nuk kishte fuqinë për të transferuar ose shkarkuar Kuliçaj për shkak të lidhjeve që ka me kryeministrin Berisha. Burgaj sugjeroi që nëse Ambasada kishte shqetësime, duhet të ngrinte ato tek Berisha ….”

 

Kreshnik Spahiu dhe Luan Hoxha ia kanë frikën Shkëlzenit

Në një kabllogram të datës 20 qershor 2009 dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për Departamentin Amerikan të Shtetit, firmosur nga ambasadori Xhon Uidhers dhe klasifikuar si “material konfidencial që deklasifikohet pas 18 qershor 2018” – thuhet mes të tjerash:
“Ish-Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, kërkoi një takim me ambasadorin… Në takimin e 17 qershorit, ai shpjegoi se gjatë gjysmës së dytë të projektit, (në dhjetor 2007), ai foli me ministrin Mediu lidhur me shqetësimet e tij mbi presionet direkte me telefon nga “një djalë i ri”, i cili më vonë u konfirmua se ishte Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit. Ky i kishte bërë presion që të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec dhe këtë gjë ta kryente pa vonesa!  I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj se i kishte dorëzuar të gjitha informacionet dhe dokumentet zyrës së prokurorëve, përveç informacionit në lidhje me djalin e Berishës. Për këtë ai tha se nuk ishte i sigurt të fliste… Hoxha tha se shumë të tjerë kishin dijeni për këtë informacion.. Ky është rasti i dytë ku një zyrtar shpreh shqetësimin e thellë dhe frikën e madhe për jetën dhe karrierën e tij, gjatë një takimi me ambasadorin. E para ka ardhur nga zv.kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu …”.

 

Gjergj Bojaxhi ia ka frikën fitores së PD-së

Në një kabllogram të datës 20 nëntor 2008 dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për Departamentin Amerikan të Shtetit, material konfidencial që deklasifikohet pas 12 gushtit 2019, mes të tjerash shkruhet:
“…Gjergj Bojaxhi, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it i ka thënë Ambasadës se edhe pse është mbështetës i PD-së, “në mënyrë intelektuale” ai shpreson për një humbje të PD-së verën e ardhshme si të vetmen mënyrë për të larguar Berishën nga kreu i partisë dhe për t’i hapur rrugën drejtuesve të rinj. Bojaxhiu e përshkoi perspektivën e PD-së si të zymtë në aksin Tiranë-Durrës. Bojaxhiu ka parashikuar se fitorja e PD-së në zgjedhje do të ishte një gjë e keqe për të ardhmen e partisë, pasi do të zgjaste qëndrimin e Berishës në krye të partisë dhe do të shtynte reformat që i nevojiten aq shumë kësaj partie….”

 

Berisha ia ka frikën Bahri Shaqirit

Në një kabllogram të datës 27 janar 2010 me titull “Berisha kërkon polici të re sekrete” dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për Departamentin e Drejtësisë në Uashinton dhe Këshillin e Sigurimit Kombëtar në NATO, klasifikuar si material sekret që deklasifikohej pas 27 janarit 2020, shkruhet mes të tjerash:

 “Në fillim të janarit kryeministri Berisha futi një draft të ri për ndryshime në ligjin për Shërbimin inteligjent shqiptar. Ka pasur shumë pak diskutim publik për këtë ligj shqetësues. Kjo nuk është hera e parë që qeveria Berisha është përpjekur që të vërë nën varësi SHISH dhe ti japë rolin e spiunazhit të brendshëm. Në 2005 Berisha propozoi një ligj që të bashkojë SHISH në Ministrinë e Brendshme, por u tërhoq pas këmbënguljes së ndërkombëtarëve. Në vitin 2006, Berisha montoi publikisht një fushatë për të shkarkuar Drejtorin e SHISH Shaqiri. Pas këtyre përpjekjeve të dështuara, Berisha kohët e fundit është përpjekur që të shkatërrojë fuqinë e SHISH duke i dhënë agjencive të tjera të drejtat e përgjimit dhe duke prerë fondet për SHISH… Për më tepër, ndryshimet do të lejojnë Berishën që të përdorë SHISH për të spiunuar rivalët e brendshëm politikë dhe për të shantazhuar ndonjë politikan… Burimet kanë konfirmuar se drejtori aktual i SHISH Shaqiri, një mik i qeverisë amerikane dhe një profesionist, ka të ngjarë të hiqet dhe zëvendësohet me një mik i Berishës –  diçka që mund të ndodhi brenda pak ditësh.”.

 

 

Kopertina e DITA-s January 15, 2014 02:02
Komento

4 Komente

  1. Horri i Bulevardit January 15, 09:52

    Te nderuar redaktore te Dita-s.
    Qurrokracia eshte nje titull i goditur dhe per pjesen qe kane mesuar ne ate shkolle kur shkolla ishte shkolle, seshte aspak problem, per ta kuptuar.
    Por duke pare se sot ne shkollat ku vetem mesim nuk mesohet dhe duke pare se 57% e te ashtuquajturve nxenes, nuk arrijne te kuptojne ate qe lexojne, ju duhet qe titullin ta ndryshoni dhe ta beni troc shqip, ose ta beni me gjuhen e rruges, qe kjo pjesa 57% qe dine te lexojne dhe se kuptojne ate qe lexojne, ta kuptojne se per cfare behet fjale, se ka shume mundesi, qr keta fjalen Qurrokraci, ta marrin si nje urim per udheheqesin e tyre.
    Me mire shkruajeni me gjuhen e rruges, QURRAVECI.

    Reply to this comment
  2. shqiptari January 15, 15:14

    ja pra qe kame pase te drejte qe amerika eshte e para te gjitha pislliqete kalojne ne amerike pra nese do ajo mundete te ti zhdukte te gjithe keta spiune te politikese shqiptare qe jane te vecante ne kete toke te gjithe punojne kundere shqiperis rast i rall mjere kjo toke qe perfundimishte nga ky shkrime ta marine veshe te gjithe qe sbehete

    Reply to this comment
  3. Bilal camurri January 15, 16:37

    SH.B.A.Jane mbrojtesja e kahershme e egzistences se kombit shqiptar dhe faktori kryesor i rrezimit te regjimit serbo-grek te Berishes.Ameriken nuk e duan sigurimsat e UDB-se Enver Hoxhes dhe Kulishat e Berishes.

    Reply to this comment
  4. Jashar kuca January 15, 17:59

    …..Mire e ke vene tirullin i nderuar…..Tamam….QURROKRACI.! Keta qurravec e kane mbaruar misionin e tyre,por kur nuk do t’i shohim me surratin e tyre?? Ne nje film i madhi SANDER PROSI…Thote: …..”O Popull,sa gjera behen ne emrin tend”…ky film ben fjale kur ekonomia shqiptare drejtohej nga Italiani,mbreteria nga Serbia….Po tani pse eshte e njejta gjendje,kur themi se jemi shtet demokratik??? Une them se qurravecet qe kemi ne krye jane te Italianeve,te Serbeve,Te grekeve,te Amerikaneve e me radhe,prandaj i nderuar kryeredaktor ata atje do te ankohen se ata i kane vene dhe i mbajne atje ku jane.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*