Qytetarët evropianë në bllok kundër imigracionit 

August 1, 2015 15:19

Qytetarët evropianë në bllok kundër imigracionit 

Ndonëse Unioni Evropian dhe identiteti i tij, po përballen me një sërë problematikash të rëndësishme kohët e fundit, qytetarët evropianë mbartin një tjetër perceptim për këtë situatë. Edhe pse ka një konfirmim se, kriza ekonomike dhe pasojat e saj kanë interferuar ndjeshëm ndaj vlerave themelore të Unionit si, dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia apo solidariteti, opinioni publik evropian është i shqetësuar tërësisht ndaj një tjetër fenomeni. Çfarë konfirmon vëzhgimi i fundit dhe sa real shfaqet ky perceptim ?

Vëzhgimi i fundit i Eurobarometrit (EB-83), është tronditës, tek konfirmon thyerjen e çdo rekordi në nivel evropian, duke e shndërruar Imigracionin në shqetësimin kryesor të opinionit publik evropian. Imigracioni është problematika kryesore e qytetarëve evropiane (38%), duke e zgjedhur atë si fenomenin parësor me të cilin duhet të përballet Unioni. Dhe sigurisht, pas shqetësimit kryesor ndaj imigracionit, renditet situata ekonomike (27%) dhe papunësia (24%).

Në çdo dhjetë qytetarë evropianë, katër prej tyre e konsiderojnë fenomenin e imigracionit si problemin kryesor me të cilin duhet të përballet BE. Pothuajse gjysma apo më shumë e qytetarëve të Maltës (65%), të Gjermanisë (55%) të Danimarkës (50%) e konsiderojnë problematike çështjen e imigracionit.

Por, edhe ndaj çështjes së imigracionit dhe konsiderimit të tij si fenomenin kryesor më shqetësues, ka nuanca. Këto nuanca shkaktojnë një ndarje, mes favorizimit qytetar përballë imigracionit, që vjen nga vendet brenda Unionit dhe defavorizim të tij kur ky imigracion vjen nga vende jashtë BE-së. Më shumë se gjysma e qytetarëve të Unionit (51%) kanë një ndjesi pozitive ndaj imigracionit, që buron nga shtetet e tjera të BE-së. Në 20 shtetet të Unionit, shumica e popullatës ka një ndjesi pozitive në lidhje me këtë lloj imigracioni. Në 7 prej këtyre shteteve kjo ndjesi pozitive është përforcuar, me kryesim në këtë renditje të Gjermanisë. Por, njeh një tendencë në rënie në 17 prej tyre, nga ku veçohet Polonia, Bullgaria dhe Finlanda.

Por, a kemi të njëjtën tendencë ndjesie pozitive ndaj imigracionit që vjen nga vendet jashtë Unionit ? Konfirmimi është në shumicë, negativ (56%). Më goditëse, situata shfaqet në Republikën Çeke (81%), në Letoni (78%), në Greqi (78%) dhe në Sllovaki (77%). Në raport me vjeshtën e vitit 2014, kemi rritje të opinionit negativ në 15 vende anëtare, ku kryesimin e mban Lituania dhe Polonia.

Suedia bën një përjashtim duke u renditur si vendi i vetëm, ku një shumicë e gjerë e popullatës së saj (66%) e shikon në mënyrë pozitive imigracionin, që vjen nga vendet jashtë BE-së. Kjo ndjesi pozitive vërehet edhe tek qytetarët e Rumanisë, Spanjës, Kroacisë si edhe Irlandës.

Por, si shpjegohet kjo rritje e perceptimit negativ në opinion publik ndaj imigracionit dhe sa real është ai ?

Janë dy fenomene politike, që ndikojnë duke u shoqëruar dhe ndërlidhur me njëri-tjetrin, mes realitetit dhe irreales.

I pari lidhet me nevojshmërinë e klasës politike për të transferuar shqetësimet e brendshme kombëtare, por edhe për të drejtuar vëmendjen drejt një fenomeni, që prek kombin, por që është tërësisht i jashtëm. Si i tillë, ky fenomen krijon lehtësi për ta ngarkuar atë me një dozë populizmi, që herë merr trajtat ekstreme nga retorika politike e ekstremeve të djathta dhe shpeshherë gjen aplikim edhe në programet dhe axhendat e partive klasike të djathta në Evropë.

Ky fenomen i “jashtëm” i nevojitet politikës së brendshme dhe duke fuqizuar retorikën dhe politikat e saj, ushtron njëkohësisht edhe një ndikim të fuqishëm në rritjen e perceptimit publik ndaj rrezikut të imigracionit.

Krijimi i rreziqeve imagjinare mbi një pushtim të mundshëm nga imigracioni, humbje të vendeve të punës për shkak të tij, rritje të kriminalitetit, etj. kanë në sfond frymëzime politike. Këto rreziqe imagjinare, nëpërmjet forcës së tyre, arrijnë të shndërrohen në paragjykime popullore, stigmatizime dhe steriotipe të rëndomta në opinionin publik, duke ndikuar në transformimin e realitetit.

Në forma të pandërgjegjshme, reagimi i brendshëm individual, si pjesë përbërëse e njësisë apo bërthamës kombëtare, krijon stepje dhe frenim ndaj rrezikut të jashtëm. Ky reagim i njohur psikologjik, i kombinuar me doza të larta propagandimi, dezinformimi dhe frike imagjinare, rrit efektin e tij. Të kombinuara dhe të trajtësuara nga një “rrezik i jashtëm” në një “rrezik të brendshëm”, pasi prekin individin ato zgjerojnë perimetrin e tyre, drejt një opinioni të gjerë publik.

Dhe në këtë transformim të realitetit, ndërvepron në bashkëveprim, fenomeni i dytë, që lidhet me fshehjen nga ana e politikës të dobishmërisë së lartë të imigracionit. Janë një sërë studimesh në nivel evropian, që konfirmojnë tendencën në plakje të popullatës evropiane në të gjithë vendet e Unionit, duke theksuar domosdoshmërinë për t’u hapur ndaj imigracionit. Po të njëjtat studime, jo pa qëllim, drejtojnë vëmendjen ndaj faktorit politik. Politika është aktori kryesor, që zotëron fuqinë kombëtare të shpjegimit ekonomik dhe politik të detyrimit të hapjes së vendit ndaj imigracionit. Për sa kohë politika e vendeve të Unionit shfaqet hermetike në këtë drejtim, veçse konfirmon frytshmërinë dhe produktivitetin e përdorimit të përzgjedhur politik të “fantazmës së imigracionit”.

Shndërrimi i imigracionit në shqetësimin kryesor të opinionit publik evropian, duke thyer çdo rekord, jo vetëm e tejkalon realitetin duke e transformuar atë, por shfaq më shumë se kurrë nevojshmërinë për ndërgjegjësim politik. Ndoshta ka ardhur momenti, që politikat kombëtare evropiane të synojnë gjetjen e një ekuilibrimi dhe harmonizimi të nevojshëm, mes përdorimit politik dhe ekonomik të imigracionit./im.ta/

 

August 1, 2015 15:19