Qytetarët evropianë në bllok kundër zgjerimit

August 9, 2016 14:06

Qytetarët evropianë në bllok kundër zgjerimit

Opinioni publik evropian, është shprehur sërish në shumicë (52%) kundër zgjerimit të mundshëm të Unionit, në vitet në vijim. Një shumicë, që vazhdon të ruajë tendencën refuzuese, të paktën që prej vitit 2006. Por, kush janë vendet, opinioni publik i të cilëve shfaqet në nivele të larta refuzimi dhe si mund të shpjegohet ky refuzim ?

Edhe pse zgjerimi, me ardhjen e Komisionit Junker, u deklarua i “pezulluar” procesi i negociatave nuk do të ndikohej, duke synuar mbajtjen e ritmit të përgatitjeve për anëtarësim të vendeve kandidate. Por, deklarimi i hapur se, nuk do të ketë zgjerim në 5 vitet në vijim, edhe pse u shfaq për momentin si një deklarim i sinqertë dhe transparent, ai do të ekspozonte problematikën e tij, duke shkaktuar përplasje. Së pari, ndaj angazhimit dhe premtimit evropian të Samitit të Zagrebit (2000) dhe të Samitit të Selanikut (2003) për integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, së dyti, duke krijuar një terren shkuarajimi të politikave drejtuese të vendeve të Ballkanit dhe duke hapur shtegun për penetrim të influencave të fuqive “konkurruese” në rajon.

Nëse shikojmë tabelën e BE-28, në sondazhin Eurobarometër (EB-85), të zhvilluar përgjatë muajit prill, janë tre vende, që spikasin në përqindjen më të lartë refuzuese ndaj zgjerimit, opinioni publik në Gjermani (71%), në Francë (63%) dhe në Austri (69%).

Që prej nisjes së krizës financiare dhe krizës së borxhit grek, Gjermania, është ekspozuar si një aktor kryesor, me një Kancelari, që po angazhohej gjithnjë e më shumë, mbi kompetenca që i përkisnin më shumë politikës së jashtme. Jo rastësisht, do të kemi nën filozofinë gjermane, përqendrim mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, me nisjen e Konferencës së Berlinit, me synim dhënien e një impulsi të ri vendeve kandidate të rajonit, duke inkurajuar bashkëpunimin e thelluar ekonomik dhe politik mes tyre. Po me fokus Ballkanin Perëndimor, do të kemi iniciativën gjermane me mbështetjen edhe të Britanisë, për futjen e kërkesës (2014) mbi një “marrëveshje ligjore detyruese mes Kosovës dhe Serbisë” përpara se të mbyllen bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. Paralelisht kemi iniciativën për zhbllokimin e kandidaturës së bllokuar të Bosnjë-Hercegovinës, duke e lënë për një moment të mëvonshëm zbatimin e vendimit, që impononte GJEDNJ mbi çështjen Sejdiç-Finci. I njëjti rol aktiv dhe vullnet për zhbllokimin e kandidaturës së Maqedonisë, do të konfigurohej nga politika gjermane, por që u vlerësua se nuk mund të aktualizohej për hir të momentit jo të favorshëm për të ushtruar presion mbi palën greke, teksa përqendrimi i presionit ishte mbi zgjidhjen e krizës së borxhit grek.

Roli aktiv i Kancelarisë gjermane, do të vërehej gjithashtu edhe gjatë kulmit të krizës së refugjatëve, duke ndërmarrë e vetme iniciativa konkrete, për hir të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe mungesës së mbështetjes në nivel evropian, që shemben sistemin e Dublinit, me pranimin në masë të refugjatëve sirianë, por ndikuan edhe në hartimin e politikave për marrjen dhe shpërndarjen e kuotave me vendet anëtare. Rol, që spikati edhe me arritjen e Marrëveshjes me Turqinë, për të frenuar fluksin e refugjatëve, në këmbim të të cilit Turqisë iu premtuan hapje të tjerë kapitujsh, si edhe përshpejtim të procesit të liberalizimit të vizave.

Ndaj Ballkanit Perëndimor, politika gjermane e ka shprehur qartazi vullnetin e saj, se mbështet tërësisht integrimin e tij në BE. Një mbështetje, që shprehet në logjikën e stabilitetit të nevojshëm afatgjatë të rajonit, dhe krijimit të klimës së qëndrueshme të sigurisë, në mungesë të të cilëve kostoja e përballimit do të jetë e lartë.

Ky vullnet i qartë për integrimin e rajonit në BE, shoqërohet edhe me një theks të veçantë mbi plotësimin pa-ekuivok të kritereve të kërkuara, në mënyrë të veçantë kriteret, që lidhen me sundimin e ligjit dhe respektimin e shtetit të së drejtës, parametrat ekonomikë si edhe zgjidhjen paraprake të problemeve të fqinjësisë.

Por, ky vullnet dhe aspirim i qartë  politikës gjermane ndaj Ballkanit Perëndimor, nuk përputhet aspak me opinionin e qytetarëve gjermanë. 71% e tyre janë shprehur se janë kundër zgjerimit të mëtejshëm të Unionit. Një nivel, që shfaqet sistematikisht i lartë, të paktën që prej vitit 2005. Përqindjet e këtij niveli të lartë, duhen kuptuar sa ndaj faktit se Ballkani Perëndimor perceptohet nga opinioni publik gjerman, si një rajon relativisht i varfër, por edhe me potencial të madh migrimi. Shifrat e larta të azilkërkuesve, që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk e kanë ndihmuar aspak uljen e këtij perceptimi, por kanë theksuar edhe më shumë barrën e kostos, që duhet të përballojë qytetari gjerman, teksa paguan për mbajtjen e çdo azilkërkuesi në territor. Një perceptim, që ngelet i njëjtë edhe ndaj imigrantëve nga vende të Unionit, si Rumania dhe Bullgaria, pjesë të procesit të fundit të zgjerimit (2007), që gjykohen se përfitojnë nga “turizmi social” që mundëson politika e vendit e tyre.

Gjithsesi, duhet theksuar se kjo përplasje ndërmjet dy pikëpamjeve krejtësisht të ndryshme, mes perceptimit të politikës dhe perceptimit të qytetarëve, synohet që të harmonizohet nëpërmjet kushteve pa-ekuivok, që këto vende duhet të plotësojnë kur të jenë gati për anëtarësim, pra të kenë një sundim të kënaqshëm të ligjit, respektim të shtetit të së drejtës dhe të kenë parametra ekonomikë të mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e bllokut evropian. Është gjithashtu e rëndësishme për t’u theksuar se, pavarësisht rezistencës që ka shfaqur në kohë opinioni publik gjerman, si në rastin e krizës greke për mos-mbajtje të kostos së pagesës në kurrizin e tyre, apo edhe në rastin e pranimit të refugjatëve në territorin e tyre, elita politike gjermane ka shprehur vendosmëri në vendimmarrje.

Një antagonizëm të njëjtë, mes perceptimit politik dhe qytetar e gjejmë të konfiguruar edhe në Austri, ku elitat drejtuese politike, kanë një vullnet të qartë pro integrimit të domosdoshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa qytetarët nuk e kanë. Një vullnet politik, që vjen i shpjeguar në kuadër të lidhjeve historike, që prej epokës së Perandorisë së Habsburgëve deri në shpërbërjen e ish Jugosllavisë, në kuadrin e afërsisë gjeografike, por edhe ekonomike, duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si një rajon me interes strategjik të veçantë, ku lënia jashtë e tij, do të gjenerojë kosto shumë herë më të larta për Austrinë se, sa integrimi i tij në BE. Austria njeh gjithashtu një migrim të lartë nga vendet e ish Jugosllavisë, sidomos me nisjen e migrimit të strukturuar, që filloi të zhvillohej me kryerjen e marrëveshjeve me Jugosllavinë nga mesi i viteve 60’, në kuadrin e kërkimit të krahut të punës, duke vazhduar më tej me fluksin e lartë të migrimeve dhe azilkërkuesve gjatë shpërbërjes dhe nisjes së konfliktit, si edhe në vazhdim përgjatë luftës në Bosnjë dhe në Kosovë. Po njësoj si edhe Gjermania, Austria është një prej vendeve që ka pranuar në masë azilkërkues, të ikur nga zonat e konflikteve, por që ka njohur gjithashtu edhe kërkesa të larta nga azilkërkues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, po në të njëjtat linja si edhe Gjermania, mbështetja që ajo shfaq ndaj integrimit të domosdoshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, bazohet në plotësimin e kritereve kyçe, duke i parë ato si të nevojshme për futjen e vendeve të Ballkanit në BE. Klasa kryesore politike e të gjithë ngjyrave shfaqet pro integrimit të rajonit në BE. E vetmja forcë, që luhatet dhe nuk ka qëndrim të njëjtë sa ndaj integrimit në vetvete, por edhe ndaj vendeve në veçanti, është FPO, (Partia e Lirisë së Austrisë), që anon më shumë drejt favorizimit të kandidaturës serbe në BE.

Refuzimi i qytetarëve austriakë ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE, duhet parë sa në kontekstin e krizave që ka përfshirë Unionin dhe që shkakton një reflektim për mos përballim të një zgjerimi të mëtejshëm, sa në vlerësimin e këtyre vendeve si vende, që do të gjenerojnë migrime të larta, si rrjedhojë barrë dhe kosto financiare, që do të rëndojnë mbi qytetarët austriakë. Një eksperiencë që tashmë konsiderohet e provuar me migrimin, që gjeneroi anëtarësimi i Rumanisë dhe i Bullgarisë.

Ndërsa pozicionimi i Francës, ka një natyrë paksa më të veçantë, sidomos në krahasim me pozicionimin gjerman dhe austriak, pasi nuk e shikon rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë me interes strategjik të veçantë. Si rrjedhojë, nuk shquhet për një rol aktiv politik ndaj Ballkanit Perëndimor, por qëndron nën hijen gjermane, duke e mbështetur atë plotësisht në politikat e ndjekura mbi rajonin, por që gjithsesi ngelet një mbështetje e karakterit pasiv. Një sërë analizash, e konsiderojnë këtë rol pasiv të Francës, si të inkuadruar brenda mbajtjes së një premtimi, që tashmë i është bërë Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, por një premtim që po mbahet në forma mbështetje pasive, që orientohen dhe drejtohen nga politika gjermane. Roli aktiv i saj është vëzhguar kryesisht në mbështetjen e dosjes serbe, në kuadrin e marrëdhënieve që kërkonte të konfiguronte Berlini mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke arritur objektivin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Një mbështetje, që shikohet në peshën e marrëdhënieve të veçanta historike, që ka me Serbinë. Refuzimi, që qytetarët francezë shprehin ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE, duhet parë nën të njëjtin kuadër, si edhe ai i qytetarëve gjermanë dhe austriakë. Veçantia në rastin francez, lidhet me shtimin e një mjeti politik në këtë kuadër, referendumi ndaj zgjerimit. Një mjet, që mund të përdoret mbi zgjerime të mëtejshëm të Unionit. Të paktën, ndaj rastit turk, ky mjet gjen sugjerime në nivele raportesh të Senatit francez, ku përmendet si një “mënyrë bllokimi” e kandidaturës turke në BE. Gjithsesi, roli i Francës ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, është qartazi i padiskutueshëm në mbështetje të plotë të tij, edhe pse favorizues i anëtarësimeve, rast pas rasti, dhe jo në grup. Por, profili i saj vlerësohet se do të qëndrojë edhe në vazhdim i ulët dhe jo aktiv./im.ta/DITA

August 9, 2016 14:06