Qytetaria nën dritën e zjarreve të gushtit

August 13, 2017 02:41

Qytetaria nën dritën e zjarreve të gushtit

Çapajev Gjokutaj

 

Dy lajme të klikuara me shumicë: Një këngëtar lirik iku të punojë në Australi dhe e shau Shqipërinë. Një çift muzikantësh u shpërngulën në Amerikë, por nuk e shanë Shqipërinë. Në portale e rrjete sociale shpërthejnë komentet me qortime e të shara. Diare verbale në pisk të vapës. Aradha patriotësh nisen hapësirave virtuale të internetit për të mbrojtur mëmëdhenë nga ai i Australisë.

Të kujtohet kjo zallamahi ndërsa udhëton nga jugu në veri. Gjithandej horizonteve s’ka avuj e re, por shtëllunga tymi.

Shqipëria po digjet. Jo virtualja, realja. Mbase s’do të ishte në flakë, po të ndjenim vetëm gjysmën e përgjërimit, që shprehim për të në rjetet sociale.

Si të mos mjaftonte ky grotesk absurd, njerëzia nuk lodhet së diskutuari për politikanët dhe nuk lejon kënd të ikij nga vatha e politikës.

Ti je oportunist, të shkruan një zonjushë. Vendi digjet nga zjarret e gushtit, kurse ti s’ke çi bën gomarit, ndaj i turrej samarit e thua: Ç’bëjnë qytetarët?.

Duhet t’u sulesh qeveritarëve, shton ajo, ata t’i dalin zot. Taksat na i marrin deri tek qindarka e fundit.

Ti nuk ke fajësuar qytetarët. Ke shkruar vetëm ca pak fjalë për patritotizmin virtual që harliset rjeteve e sociale, por përgjumet në jetën reale.

Gjithsesi, përtej zjarreve e flakëve të gushtit, zonjusha prek një problem jetik: Ç’duhet të bëjë me përparësi ligjërimi publik? Të demaskojë ata që janë lart, apo të përpiqet të zgjojë ndërgjegjen qytetare?

Natyrisht, edhe njerën edhe tjetrën. Por krijimi i ndërgjegjes qytetare shpesh merr më shumë peshë.

Kemi 100 e kusur vjet që përpiqemi të bëjmë shtet dhe na ngjan vetja si vëllezërit e kalasë së Rozafës: ç’bëjmë ditën, rrëzohet natën.

Gjithë këtë kohë, fatmirësisht nuk kanë munguar zërat publikë që kanë fshikulluar ata që janë lart: ‘Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!’

Maskarenjtë i kemi patur me shumicë. Hakërrimat kundër tyre nuk na kanë munguar. Ajo që na ka munguar e na mungon është qytetari dhe qytetaria. Ose thënë ndryshe lenda e parë për të ndërtuar demokraci.

Qysh prej 10 mijë e kusur vjetësh, bota ka patur me shumicë solinj, mbretër, princër, zengjinë që kanë qeverisur si ua ka thënë koka e si ua ka dashur qejfi.

Por demokracitë funksionale zunë të ndërtohen vetëm dy shekujt e fundit, kur në skenë doli qytetari dhe nisi të ushtronte trysni e të kërcënonte me bashkësi, sindikata, greva, protesta, votë dhe, jo rrallë edhe me armë.

Në kohën tonë, hakërrimat ndaj atyre që janë lart mbeten fjalë boshe, llapje qaramanësh po qe se mungojnë qytetari dhe qytetaria.

August 13, 2017 02:41
Komento

3 Komente

  1. Tap Topi August 13, 08:37

    Bota digjet, “capajevat” atje lart krihen…

    Pse sorrollatemi me debate koti jo e lagu, jo s’e lagu.

    Glasa politike e cerekshekullit te fundit, ne krye te se ciles qendron dukshem nje “elite” korrupte deri ne qelize, i ka shpallur “lufte te fshehte” shtreses se mesme dhe te varfer, me qellim mbipasurimin e saj financiar dhe fuqizimin e pushtetit. Deshmi e kesaj “lufte” te eger te elites kunder shtreses se varfer qe perben mbi 90% te popullsise eshte renimi gradual i mireqenies qytetare, i cili ka ardhur si pasoje paskrupullsise se pushtetareve kleptomane per pervetesuar gjithshka qe eshte e mundur, duke filluar qe nga pasurite tokesore e nentokesore te vendit e deri ke venia nen kontroll e bizneseve, dhe rritja e vazhdueshme, spekulative, e cmimeve te konsumit dhe taksave.

    Per kete glase politike, karrigja e pushtetit shihet si trampoline drejt bizneseve fitimprurese per familjet dhe te njohurit e tyre. Fale naivitetit dhe injorances se pashembullt katundaro-skipetare, varferim i metejshem i ketyre te fundit eshte i paraprogtramuar. Ata qe nuk arrijne ta konceptojne dot se si funksionojne skema kaq te thjeshta shtypjeje dhe shfrytezimi, vazhdojne ta genjejne veten me ca rroga meshiruese. Resti, dmth. rreth 56% e popullsise, si rrugezgjidhje te vetme shohin emigracionin.

    Dhe kush do te perfitonte serisht nga ky emigracion i detyrueshem? Sigurisht, asnje tjeter pervec elitave.

    Dhe cilet jane krahu i djathte i elitave? Ka mjaft te tille, por para se gjithash ata qe deshirojne ta quajne veten “pushtet i katert”.

    Reply to this comment
  2. Duam lajmet tona... August 13, 08:43

    Bëhu i dyti që komenton këtë artikull, se i pari eshte gjithmone “tapë” para se te filloje te shfletoje gazetat…

    Reply to this comment
  3. Gazep Tari August 14, 14:18

    “Ende pa komente” edhe pse deri tash jane postuar te pakten 2 te tilla ?

    02:41, 13.Aug 2017 2

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*