“Qyteti i një mbi një dritareve”, banesat “monument kulture” po rikthehen në identitet

March 20, 2018 14:37

“Qyteti i një mbi një dritareve”, banesat “monument kulture” po rikthehen në identitet

Restaurimit të banesave në qytetin e Beratit po i kushtohet një vëmendje e veçantë. Konkretisht, shtëpia e Llazar Pyze “monument kulture” i kategorisë së dytë i është nënshtruar procesit  të restaurimit të fasadës.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, fillimisht u zbërthye suvatimi i dëmtuar në fasadën kryesore të banesës, e cila është e ndërtuar me skelet druri.

Punonjësit e mirëmbajtjes së DRKK-Berat më pas bënë suvatimin me llaç gëlqereje të përzier me kashtë dhe lesh dhie me dy duar, duke respektuar kështu teknikën origjinale. Tani është në proces lyerja me sherbet gëlqereje.

DRKK Berat do të vijojë realizimin në vazhdimësi të punimeve për mirëmbajtjen e objekteve që gëzojnë statusin “monument kulture” në administrimin e kësaj drejtori.

Ansambli muzeal i lagjes Mangalem shtrihet në formë gjysmë harku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës.

Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit.

Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

s.a/dita

 

March 20, 2018 14:37
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*