Gruevski: S’ka projekt për Radikën pa marrë miratimin e fqinjëve

Xhevdet Shehu January 27, 2014 09:00

Gruevski: S’ka projekt për Radikën pa marrë miratimin e fqinjëve

Më në fund kemi dhe një deklarim zyrtar të Shkupit lidhur me projektin e lumit Radika. Pas reagimeve të shumta që ka shkaktuar në Maqedoni dhe Shqipëri projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës, është prononcuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski. Ai ka deklaruar se ky projekt nuk do të realizohet, nëse me të dëmtohet ambienti jetësor. “Ky është një projekt, të cilin e udhëheqim bashkë me Bankën Botërore. Banka Botërore përgatit edhe projektin ekologjik, i cili duhet të tregojë përparësitë dhe dobësitë eventuale, e pas këtij projekti do të jepet dhe vendimi përfundimtar. Kuptohet, nëse projekti dëshmon se nuk ka ndonjë dëm serioz për natyrën, ambientin jetësor, për qytetarët, në atë rast do të vazhdojmë më tej dhe do ta realizojmë. Nëse, përkundrazi, ai tregon se u shkaktohet dëm qytetarëve, ka pasoja për ambientin jetësor, ka pasoja për natyrën, ka pasoja le të themi edhe për fqinjët, kuptohet se një projekt të tillë edhe vet Banka Botërore nuk do ta mbështesë, sepse projekti kalon përmes saj dhe mjetet e implementimit i sigurojnë ata”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Gruevski ka thënë se spekulimet në lidhje me hidrocentralin në Lukovë bëhen për përfitime politike. Shefi i ekzekutivit ka porositur banorët e Dibrës të jenë të qetë dhe ka nënvizuar se qeveria e drejtuar nga ai nuk ndërmerr projekte kundër qytetarëve të Maqedonisë apo vendeve fqinje. “Dua t’u them njerëzve që jetojnë në atë zonë, të jenë të qetë dhe ta dinë se kjo qeveri nuk punon në asnjë lloj projekti, që mund të dëmtojë qytetarët dhe ambientin jetësor, asnjëherë s’ka punuar kështu deri më tani. Ta dinë se ne qëndrojmë pas tyre dhe jo ata spekulantët, të cilët shohin mundësitë për të nxjerrë nga ky projekt ndonjë përfitim politik”, shtoi Nikolla Gruevski. Paraprakisht, edhe ministrat shqiptarë në qeverinë e Shkupit janë shprehur kundër devijimit të lumit Radika dhe kanë dhënë garanci se hidrocentrali në Lukovë nuk mund të ndërtohet, nëse shkakton dëm në Dibër dhe Shqipëri.

 

Koka: Qeveria shqiptare pohoi të njëjtën gjë

Deklarata e Gruevskit, Koka: Qeveria shqiptare pohoi të njëjtën gjëTIRANË- Pas deklaratës së kryeministrit Maqedonas Nikola Gruevski ka reaguar ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ai u shpreh se kryeministri Guevski pohoi atë që ka deklaruar edhe pala shqiptare. “Ai pohoi se nuk ndërtohet asnjë projekt që sjell dëme. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama pohuan të njëjtën gjë”- deklaroi Koka.

 

BB: Radika, vetëm me leje

Projektpropozimi i qeverisë së vendit fqinj për devijimin e lumit Radika daton që në 2011. Fakti është konfirmuar edhe nga një njoftim i Bankës Botërore, së cilës qeveria maqedonase i ka kërkuar financimin e ndërtimit të HEC-it, nëse kushtet do ta mundësonin. “Në 2011, me kërkesë të qeverisë së Ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, BB ra dokord të marrë në konsideratë një projektpropozim për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Lukovës”, – nis sqarimin Banka Botërore. Duke detajuar qëllimin e këtij propozimi të qeverisë së Shkupit në 2011, që përmblidhet në ndërtimin e një hidrocentrali me fuqi të ulët, përmes devijimit të një pjese të prurjeve të Radikës në Vardar, BB paralelisht siguron se në asnjë rast nuk do të anashkalohen fqinjët: “Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Serbia ndodhen përgjatë basenit dhe, për këtë shkak, do të konsultohen mbi dizenjimin, përpara se të merret ndonjë vendim për financim nga Banka Botërore. Projekt-propozimi është ende në fazën e dizenjimit dhe nuk është marrë ende asnjë vendim”. Garancia që jep BB, se vendimi final do të marrë në konsideratë çdo efekt mjedisor, çdo dëm të mundshëm për qytetarët e zonës dhe çdo qëndrim të shteteve fqinje, vjen paralelisht me përgjigjen negative që tashmë kanë dhënë Tirana dhe Prishtina për projektin në fjalë.

 

Çështja ‘Radika’, reagojnë krerët e Dibrës dhe Peshkopisë

Autoritetet lokale në Dibër e konsiderojnë projekt anti-shqiptar devijimin e Radikës. Në një dalje publike me kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, kryekomunari i Dibrës, Ruzhdi Lata, deklaroi se kjo që po bën qeveria maqedonase ka qëllime politike. “Ne na dëmton shumë ky projekt. Ne dibranët kemi ardhur një herë në Tiranë në 1913-n dhe mesa duket, duhet të nisemi prapë për Tiranë. Nëse na merret uji duhet të shpërngulemi pasi nuk kemi më se çfarë të bëjmë. Nuk e pranojmë këtë projekt”, tha Lata.

Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, tha se kjo lëvizje mund të quhet provokim, ndërkohë që deklaroi mbështetje për shqiptarët e Maqedonisë: “Në aspektin ligjor, këto janë çështje të karakterit ndërkombëtar të cilat kanë marrëveshje strikte që nuk mund të shkelen. Ai që tenton t’i shkelë këto marrëveshje, provokon dhe ai që provokon duhet të marrë në konsideratë që do të ketë një reagim. Ne nuk do të shkojmë në pikën e fundit, por Bashkia e Peshkopisë do të ngrejë zërin përditë dhe do të mbështesë protestat.”

 

Protestë për mbrojtjen e Radikës

Edhe pas deklaratës publike të pesë ministrave shqiptarë e maqedonas se nuk ka një projekt konkret për hidrocentralin që do të devijonte lumin Radika në Maqedoni, një grup qytetarësh në kuadër të Aleancës për Mbrojtjen e Lumenjve, thonë se ka një projekt që pala maqedonase po e zbaton. Ata kërkuan sërish që qeveria të jetë transparente dhe të kundërshtojë çdo projekt të tillë. Aktivisti Vehap Kola tha: “Kërkojmë sërish që zoti Rama të pranojë që ka një projekt ashtu siç e ka shpallur Banka Botërore, qeveria maqedonase dhe mediat. Presim që kryeministri të kthejë një përgjigje zyrtare kundër planeve të tilla”. Në protestën e tyre ata kanë theksuar se qytetarët e Dibrës dhe të Shqipërisë janë kundër këtij projekti që po harton qeveria maqedonase. Qytetarët e Dibrës shprehen kundër këtij projekti në letër të ndërmarrë nga qeveria maqedonase, i cili nëse do të zbatohej në Shqipëri do të sillte një dëm të madh. “Jemi kundër pasi jemi dëmtuar një herë me këtë lumë. Nuk është e drejtë kjo. Është padrejtësi ndaj popullit dibran”, thonë qytetarët. Ekspertët kanë pohuar se nëse do të pranohej një projekt për  devijimin e rrjedhës së lumit Radika, ku një pjesë e prurjeve të përfundojë në Lumin Drini i Zi, prurjet e ujit në kaskadën hidroenergjetike të lumit Drin do të uleshin ndjeshëm. Specialisti i mjedisit Reshat Qorrmehmeti thotë: “Rrjedha e Radikës do të thahet përgjithmonë dhe do të mbetet vetëm një shtrat lumi i thatë. E vetmja degë do të mbetej Reka e Vogël me një prurje prej 6 metër kub/sekondë mesatare vjetore”.

Xhevdet Shehu January 27, 2014 09:00
Komento

2 Komente

  1. Dielli mbi KORAB January 27, 11:38

    Qe Maqedonia eshte shtet i konsolidu,kete e shikon sapo kalon doganen shqiptare.
    Ata e mbrojne natyren shume me mire se ne.Atje ka rregull dhe qetsi.
    Shqiperia duhet te mesoj nga Montenegro dhe Maqedonia.
    Ne vazhdojme te mbetemi i semuri i Ballkanit.

    Reply to this comment
  2. Ardi January 27, 14:23

    Per ato qe njohin gjuhen maqedonase dhe shqipen ai thote,qe BB nuk mund te financoje perfundimin e ketij projekt zbatimi.Pra atij i ngelet per detyre te gjeje financim tjeter per ta perfunduar kete projekt-zbatimi.Pra ai i thote shqiptarve kendej dhe andej kufirit,kaq mund te beni te pengoni financimin e BB por jo me shume.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*