RADIKALE / Ministria e Shëndetësisë paraqet maskën e dyfishtë anti-epidemi, kundër sulmeve pas shpine

February 14, 2020 23:45

RADIKALE / Ministria e Shëndetësisë paraqet maskën e dyfishtë anti-epidemi, kundër sulmeve pas shpine

TIRANA – Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një fushatë të fuqishme sensibilizimi kundër coronavirusit, me protagoniste vetë kreun e dikasterit Omerta Ganastirliu.

Zonja Omerta doli dje në një konferencë për shtyp, duke i bërë thirrje gjithë popullatës, por sidomos fëmijëve të shkollave dhe studentëve, që të thonë JO me neveri nëse një shok apo i njohur u ofron coronavirus.

“Thuajini JO coronavirusit,” deklaroi me pathos ministrja nga foltorja, “pavarësisht se emri mund t’ju duket melodioz dhe dikujt mund t’i kujtojë paret e vjetra austro-hungareze, mos e pranoni coronavirusin edhe sikur t’ua ofrojë një mik apo njeri i familjes”.

Ministrja tha se vërtet brezave të rinj, mund t’u duket trendy të kesh coronavirus, dhe të rinjtë e të rejat mund të mendojnë se nuk ka gjë ta provojnë sa për gallatë, pasi e lënë kur të duan.

“Por nuk është kaq e lehtë. Organizmi krijon varësi nga coronavirusi dhe e kërkon gjithnjë. Por bini pre e joshjes. Thuajini JO coronës,” bëri thirrje Omerta Ganastirliu.

Por ministrja nuk u mjaftua vetëm me fushatën anti-corona. Ajo shpalli edhe masat e reja anti-epidemi, që këtë rradhë janë drastike dhe proaktive.

“Masa më domethënëse dhe risia më e re ka të bëjë me urdhrin e Ministrisë së Brendshme që qytetarët të mbajnë dy maska, njëra në fytyrë dhe tjetra pas koke: Kjo për t’i paraprirë çdo sulmi të mundshëm të virusit të tmerrshëm pas shpine,” pohoi me krenari Omerta.

Ministrja sqaroi se coronavirusi është shumë tinëzar dhe nga një palo plaçkë si ai, mund të pritet çdo gjë.

“Është një epidemi shumë e ndyrë, gjithçka mund të presësh,” tha Omerta, “përfshirë edhe afrimin pa u ndjerë dhe goditjen pas shpine. Prandaj jo vetëm që maska e dytë pas koke është e domosdoshme, por këshillojmë qytetarët që kur hyjnë në një dhomë apo sallë, të qëndrojnë gjithnjë me fytyrë nga hyrja kryesore dhe kurriz mbështetur për muri, për të pasur të paktën njërën anë të mbrojtur”.

Pjesë e paketës së masave speciale, sipas ministres Omerta Ganastirliu, janë edhe këshillat që qytetarët të mbajnë në qafë zilka për të trembur virusin, të këndojnë me zë të lartë apo të vërshëllejnë.

Dhe në fund, ministrja njoftoi se së shpejti do të hapet portali anti-coronavirus, epidemiaqësduam.al, mundësuar përmes një financimi 3 mln euro nga Bashkimi Europian.

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Qeveria ca më shumë. 

February 14, 2020 23:45
Komento

2 Komente

  1. Gojet e mira February 15, 10:25

    Aspak per te qeshur, satirizimi i masave shtrenguese ndaj corona virusit. Nje doktor i shquar infeksionist ne Britani, ka hedhur tezen, se ka gjasa, qe epidemia nese nuk mbahet nen kontroll, vetem ne Britani mund te marre jeten e 400 mije njerezve. Doktori thote se nuk po e parashikon, por e sheh si gjase. Ky doktor u eshte pergjigjur tallesve me tezat e tij, se me mire vendit i del ta mbivleresoje epidemine, se sa ta nenvleresoje. Dhe doktori ka baza te mendoje keshtu, duke para ritmet e perhapjes ne bote. Ky virus ka emrin korona se virusi eshte i inkapsuluar shume mire dhe ne mikroskop ka pamjen e nje kurore.
    https://www.dailymail.co.uk/news/article-8005931/British-scientist-leading-coronavirus-fight-says-forecasts-400-000-UK-deaths.html

    Reply to this comment
  2. mirel February 15, 17:35

    Radikale-thote gazeta.
    Ministrja te informoje se cfare u be me studenten qe doli nga karantina turke.
    Me te shkelur ne Shqiperi vajza duhet te mbahet dhe per 14 dite te tjera ne karantine.
    Po keta per show jane te paret, tregoni cfare beni konkretisht

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank