Rama 1 dhe Rama 2

June 28, 2017 20:53

Rama 1 dhe Rama 2

Ylli Përmeti*

Arsyeja kryesore se përse fitoi koalicioni i “majtë” në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013-të në Shqipëri është se në krye të dy mandateve, popujt, në kuadër të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut lodhen me gënjeshtrat e një elite politike, sidomos kur ato janë trashanike dhe perceptohen lehtësisht dhe kështu, votojnë partitë që ngjallin më shumë shpresë — sepse shpresa është e ardhmja dhe kujtimet e së kaluarës; nëse kujtimet janë të dhimbshme votuesit do të kërkojnë një grimcë shprese diku tjetër: sa më të mëdha të jenë dhimbjet dhe zhgënjimet aq më shumë do të orientohen shpresëhumburit drejt partive që ngjallin shpresë.

Por ishte “kauza” e saj për drejtësi dhe për të dënuar kriminelët e qeverisë “Berisha” që krijoi kushtet për të rritur votëbesimin e saj. Ishte pikërisht kjo dinamikë që shfrytëzoi PS-ja.

Por ngaqë asaj i mungonte dija sistemike dhe administrative u kthye shpejtë në një qeveri të padrejtë: në rastin me studentët që e gjuajtën me vezë, për shembull, Rama u soll si një tiran i vërtetë: i ndoqi penalisht dhe i dënoi! Ndërsa në rastin e protestës së PD-së, jo vetëm që nuk përdori kodin e procedurës penale kur PD-ja kërcënonte me “destabilizim”, por krijoi marrëveshjen kriminale përmes së cilës nuk do të mund të dënohen kurrë krimet e së kaluarës (përjashto mundësinë e rindryshimit të kodit penal).

Ajo ishte tiranike edhe me reformën në sektorin e energjitikës: sepse përdori dhunë vetëm kundrejt shtresave të dobta të shoqërisë dhe “harroi” premtimin se do të ‘detyronte’ klasën politike —parazitët kryesorë— të paguanin energjinë e përdorur.

Komentatorët, “ekspertët” dhe politikucët e PS-së dhe, militantët e kësaj partie, përgjatë fazës së qeverisjes “Rama 1” nuk ndalonin se akuzuari Berishën si shkaktarin kryesor të krizës së thellë në Shqipëri dhe përgjatë fazës “Rama 2” u bindën se keq-qeverisja ishte pasojë e “bllokadës” ose “shantazhit” që ushtronte LSI-ja gjatë bashkëqeverisjes!

Por nëse Berisha është një herë shkaktar dhe Meta vërtet ka penguar shumë politika (një projekt që jam munduar të realizojë në Durrës për kafshët dhe të varfërit, është bërë i pamundur për shkak se anëtarësia e LSI-së nuk ka miratur buxhetin 2017-të)  — ata që kërkojnë t’i zëvendësojnë janë dy herë shkaktarë: sepse supozohet se përgjatë kohës që ishin në opozitë studiuan dhe kuptuan sistemin.

Për shembull, Mimi Kodheli akuzoi qeverinë “Berisha” se ‘kreditë e pashlyera dhe detyrimet e papaguara’ që ka lënë Berisha janë shkak për krizën ekonomike në Shqipëri! Ndërsa Erjon Braçe ia atribuoi ‘mungesës së të ardhurave’, gjithashtu dhe Berishës,  i cili, sipas tij, ka ‘ndërtuar një jetë mbi borxhe dhe jo mbi punë’!

Ermelinda Meksi, në anën tjetër, e cila shkruan me gradën shkencore “profesor-doktor”, argumenton se taksa e sheshtë që vendosi qeveria “Berisha”, megjithëse ngriti investimet e huaja, ajo e ka dëmtuar ekonominë shqiptare, sepse rritja ekonomike, sipas saj, ishte pasojë e rritjes së borxhit publik dhe jo nga rritja ekonomike e stimuluar nga taksa e sheshtë, [e cila] përgjithësisht ra përgjatë të njëjtës periudhë dhe borxhi u rrit. Për këtë arsye, argumenton ajo, ne duhet të adoptojmë taksën progresive me qëllim që të ulim borxhin, të rrisim PPB-në, përgjegjshmërinë dhe punësimin. Për ta ilustruar tezën e saj Meksi na sjell si shembull sektorin e energjitikës ku as është investuar cilësisht, as është shtuar punësimi dhe as është ulur çmimi i energjisë!

Në një analizë të dytë, ajo përpiqet të argumentojë parashtrimin e tezës “socialiste”: duke cituar se “buxheti” i PS-së për vitin 2014-të mbështetet mbi tre akse kryesore: (1) rritje ekonomike reale prej 2%; (2) paketën e re fiskale; dhe (3) miradministrimin në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore. Me këto tre akse, qeveria “Rama” premtoi rritjen e të ardhurave për qeverinë me rreth 364 miliardë lekë, 42 miliardë lekë më shumë se viti 2013-të.

Por pas katër vjetëve të ardhurat e qeverisë nuk u përmirësuan fare: nga -10.8 për qind në vitin 2013-të dhe -11.2 përqind në vitin 2015-të, në -13.3 në vitin 2016-të dhe, siç parashikohet nga FMN-ja, -13.8 për qind në vitin 2017-të! Qartësisht deficiti i qeverisë është në rritje pavarësisht rritjes ekonomike.

Sa i përket pikës së parë ku parashikohet rritje ekonomike prej 2%, duke (a) shlyer faturat e papaguara dhe duke (b) premtuar transparencë me qëllim që të (c) përmirësohet klima e biznesit dhe të arrijmë rritje ekonomike, është një parashikim i ngushtë sepse ndërsa klima e biznesit varet nga një sërë politikash të brendshme ajo nuk merr në konsideratë gjendjen e përgjithshme të ekonomisë botërore, veçanërisht të Perëndimit, e cila gjëndet në disa vende në stanjacion, në disa të tjerë në reçesion dhe në të tjerë në depresion: sepse nga vendet perëndimore varet ekskluzivisht e ardhmja e ekonomisë shqiptare, qoftë lidhur me ndërmarrjet që operojnë në Shqipëri, të cilat janë kryesisht me origjinë nga vendet fqinje, qoftë në lidhje me të ardhurat dhe kursimet e emigrantëve që siguronin rritje ekonomike të konsiderueshme —për mos të thënë vendimtare— për Shqipërinë përgjatë qeverisjes “Berisha”.

Për shembull, për vitin 2008-të, remitancat ishin 833.3 milionë euro ndërsa investimet direkte 609.8 milionë euro,233 milionë euro më pak. Nga viti 2008-të deri më sot investimet janë rritur por nuk kanë kaluar shifrën e remitancave të vitit 2008-të, ndërsa kanë rënë në shifra rekord në vitin 2013-të krahasuar me vitin 2012-të, me 28.1 për qind. Remitancat përbënin gati 1.3 për qind të PBB-së. Dhe jo vetëm, remitancat do të bien edhe më shumë në të ardhmen, sepse masat kursimtare do të vazhdojnë për shumë vite në Perëndim dhe emigrantët do të varfërohen më shumë, siç do të varfërohen përgjithësisht popujt e perëndimit.

Duke shpërnjohur kuadrin institucional dhe efektet e tij në ekonominë reale, gjithashtu dhe shkaqet e vërtetë të krizës në ekonomi, gjendjen e përgjithshme të ekonomisë reale, katastrofën ekologjike dhe vlerave të shoqërisë shqiptare, profesoresha na mbush me opitimizëm njëlloj si në filmat vizatimorë.

Ndërsa këto janë disa mendësi të cilat lidhen me anëtarët kryesorë të klasës politike, një mjerim tjetër është ulur këmbëkryq në mendësinë e Ramës, kryesisht në politikën e jashtme: ai mbron projektin e BE-së nga “armiqtë” e saj të brendshëm dhe të jashtëm dhe propagandon BE-në e madhe në të cilën do të integrohet rajoni dhe kombi shqiptar — pa konsideruar as efektet e politikave neoliberale as avantazhet tona!

Partia “Demokratike”, në anën tjetër, kundërshtonte qeverinë Rama jo mbi baza shkencore por duke përdorur retorikën — në kuptimin që “kundërshtojnë për të kundërshtuar” dhe jo për të ndriçuar kontradiktat sistemike dhe konceptuale.

Por cilët ishin shkaqet e fitores së dytë të ashtuquajturve “socialistë” kur dihet se qeveria “Rama 1” nuk iu përmbajtë asnjë premtimi?

Së pari, duhet thënë se në zgjedhjet e qershorit 2017-të, qeverisja “Rama” shkaktoi bojkotin më të madh në historinë e zgjedhjeve. Shkaku kryesor i bojkotit ishte zhgënjimi lidhur me premtimet e tij. Dhe nuk ishte, siç argumentuan shumë “ekspertë” në masmedian e borgjezisë, thjesht ‘pakënaqësia’: sepse ndryshimi mes ‘zhgënjimit’ dhe ‘pakënaqësisë’ është madh; i pari është tejet i ngushtë dhe lidhet kryesisht me objektivat personale; i dyti është shumë më i gjerë dhe lidhet kryesisht me politikat e një qeverie.

Shpresa dhe një zhgënjimi, në fund të fundit, janë të ndërvarur. Kur ka shpresë – s’ka zhgënim dhe anasjelltas. Me të drejtë gazeta Dita e quajti të nesërmen e zgjedhjeve  se “fitoi partia e zhgënjimit”. Kështuqë ‘zhgënjimi’ ishte shkaku kryesor i bojkotimit të zgjedhjeve.

Një shkak tjetër, dytësor, ishte beteja jonë si veprimtarë politikë. Personalisht jam përpjekur prej shumë vitesh t’u tregoj shqiptarëve se pse zgjedhjet duhet të bojkotohen. Argumenti se kush bojkoton zgjedhjet nuk përmbush detyrat e tij si qytetar, apo tregon indiferencë, është i pabazë: sepse është ‘detyrë’ e çdo qytetari të ndëshkojë një klasë politike kur ajo ka treguar në mënyrë të përsëritur se është kriminale dhe do të jetë e tillë për sa kohë anëtarët e saj kryesor nuk kanë zhvilluar asnjë virtyt të qendrueshëm politikë dhe administrativ.

Një ndër virtytet kryesore që kërkohet nga njerëzit që administrojnë institucionet publike është virtytit i drejtësisë. Ky i fundit nuk mund të zhvillohet nëse ata s’kanë treguar se e dashurojnë drejtësinë. Ndërsa njerëzit që administrojnë politikën duhet të kenë zhvilluar dijen sistemike në raport e njeriun dhe (dis)avantazhet mes shtetesh. Kur kjo lloj dije ekziston ajo mund të përdoret në të mirë të vendit dhe anasjelltas.

Së dyti, gjykuar nga përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje, rreth 43-44%, dhe gjykuar nga përqindja që mori PS-ja nga kjo përqindje, pak më shumë se gjysmën e saj —domethënë, rreth 23%, kuptojmë natyrën e qeverisë “Rama 2”: ajo është ekstremisht oligarkike. Më konkretisht, nga rreth 3 milion e gjysmë votues, vetëm 23 për qind e tyre kanë miratur “politikat” e qeverisë “Rama 2”.

Kjo përqindje tregon pikërisht natyrën e “demokracisë” përfaqësuese: se ajo –me parti- s’ka asnjë mundësi për të qenë përfaqësuese e shumicës. Sidoqoftë, ky është, fundja, natyra e “demokracisë” përfaqësuese: të krijojë bindjen se ajo përfaqëson shumicën.

Një shkak tjetër se pse fitoi Rama ishte pikërisht politika e vitit të fundit: ai rriti rrogat e administratët publike në mënyrë të padrejtë dhe fali borxhet e bizneseve. Këto dy hapësira kanë një kontigjent mjaft të gjerë votuesish. Për pasojë, ato ishin vendimtare.

Sidoqoftë, është e qartë se qeveria “Rama 2” do të vazhdojë të jetë tiranike dhe e padrejtë. Për pasojë, ajo do të përballet me shumë protesta. Nuk është ende e qartë se sa do të realizojë objektivin kryesor të reformës në drejtësi: dënimin e krimeve politike që janë shkaktuar vitet e fundit. Presioni i ndërkombëtarëve nuk do të mungojë. Por ‘dënimet’ politike varen më shumë nga politikanë trima dhe të urtë (në kuptimin filozofik) sesa nga presionet.

Kështuqë qeveria “Rama 2” do të jetë me një këmbë në krimin e së kaluarës dhe me tjetrën në përpjekjen e saj për të zhvilluar vendin në nivel ekonomik dhe krijuar kushtet institucionale për drejtësi. Objektivi i parë kalon nga i dyti dhe anasjelltas…

 

***

*Shkrimi i plotë mund të lexohet duke klikuar: KËTU. Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: “Pse fitoi Partia “Socialiste”, kontradiktat e programit dhe e ardhmja politike në Shqipëri”.

June 28, 2017 20:53
Komento

2 Komente

  1. Gregor Lato June 29, 23:55

    Kalo njehere nga LSI, e more rrogen e fundit apo u mbaruan parate, sidoqofte kalo njehere.Ka therrime edhe per ty.

    Reply to this comment
    • ermion June 30, 14:58

      eshte shume e ulet nga militante te PS te verber dhe prititive qe cdo mendim ndryshe e klasifikojne si te ardhur nga LSI apo partia e radhes qe kane ato armike.
      Ky eshte primitivizem dhe nje nga shkaqet pse shoqeria shqiptare eshte kaq injorante dhe e polarizuar.
      Per te ardhur keq qe vazhdojne metodat e PPSH, nese nuk je me mua je me armikun tim.
      ti gregor, qe komenton ktu je ose leshko ose me vetedije kerkon te ngaterrosh kekun me byrekun.
      Shikoni tepsine qe do ndani me vrasesit e 21 janarit ate shikoni.
      Lere ku e merr rrogen njeri apo tjetri

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*