Rama: Dibër, faleminderit! “Arbri” nis para zgjedhjeve

September 14, 2016 12:58

Rama: Dibër, faleminderit! “Arbri” nis para zgjedhjeve

Partia Socialiste u është rikthyer takimeve me mbështetësit e saj në Dibër, por këtë herë jo për t’u kërkuar votën, por për t’i falenderuar ata për mbështetjen e dhënë ditën e dielë.

Takimi i organizuar në Peshkopi kishte për qëllim mirënjohjen dhe falenderimin për votuesit dibranë për mbështetjen e kandidatit të majtë në zgjedhjet e ditës së dielë, ku Muharem Rama u shpall fitues ndaj Sherefedin Shehut me mbi 4 mijë vota diferencë.

Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Edi Rama i është rikthyer premtimit për ‘plagën’ e vjetër të dibranëve; Rrugën e Arbrit.  Rama tha se qeveria që ai drejton nuk dëshiron që të bëjë të njëjtat gabime si paraardhësja e Partisë Demokratike me borxhet dhe se po studiohen mundësi të tjera për financimin e kësaj rruge. Për herë të parë, ai dha edhe një afat për nisjen e punimeve.

“Ne nuk duam të bëjmë gabimet e Partisë Demokratike që të marrim borxh pas borxhi. Ne duam të ulim borxhin. Por unë ju them vetëm kaq, Rruga e Arbrit do të ndërtohet dhe puna do të fillojë para zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi ai.

“Për këtë projekt kam takuar ambasadoren kineze më shumë se sa kam takuar ambasadorin e SHBA-së për reformën në drejtësi. Ambasadores i konfirmova vullnetin për ta filluar punën bashkë, por e sigurova se edhe po nuk e filluam punën bashkë unë do të gjej mënyrën ta filloj edhe pa ju”, tha Rama.

Rama kritikoi qëndrimin e Partisë Demokratike pas shpalljes së rezultatit.

“Si ka mundësi që një parti t’i kthehet dhe të akuzojë një popull të tërë si bagëti që dalin nga parcela e hashashit dhe jo njerëz dhe shqiptarë që morën një vendim? Si ka mundësi që partia më e madhe e opozitës të arrijë deri në këtë pikë pasi e shpall me të madhe një test kombëtar një fushatë vendore, pasi premton që nga këtu do të fillojë një përmbysje e madhe në shqipëri, edhe pasi madje shpall fitoren në momentin kur mbyllen kutitë e votimit?! Pasi sheh që nga numërimi merr vetëm ‘opingën e Sheros’, u turret dibranëve për t’i akuzuar si bashkëpunëtorë në krim. Është fyer i gjithë komuniteti juaj dhe tradita juaj e çmuar”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i sapozgjedhur, Muharem Rama tha se fitorja e thellë i shton më shumë përgjegjësi.

“Rezultati më shton përgjegjësitë dhe më shtyn edhe më fort që ta bëjmë Dibrën ashtu siç e meriton. Gjatë fushatës më kanë thënë trafikant e gjëra të tila, unë vetëm kam shëruar dibranët, plagët e Dibrës”, deklaroi ai.

Në takim marrin pjesë deputetë dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste që u angazhuan në fushatën për zgjedhje vendore për këtë bashki.

September 14, 2016 12:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*