Rama: Ideja e Klosit, projekt i Shoqërisë së Librit Shqip

April 29, 2014 18:15

Rama: Ideja e Klosit, projekt i Shoqërisë së Librit Shqip

Në ceremoninë e ndarjes së cmimeve Ardian Klosi për publicistikën më të mirë të vitit 2013, sot në sallën UNESCO në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Festivalit të Librit dhe Artit, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

”Sendet që nxirrte deti”, i autorit Ardian Vehbiu fitoi çmimin “Ardian Klosi”, çmim të cilin e dha vajza e të ndjerit Klosi, Katerina Klosi.

Vehbiu e konsideroi nder të madh dhe të papritur marrjen e këtij çmimi duke u shprehur se “nuk di a do të jem në gjendje që të flas mirë për këtë nder.Jam i lumtur që u nderova me çmimin dhe natyrisht që çmimi mban emrin e Ardian Klosit që është një figurë e shquar e kulturës letërsisë dhe shoqërisë civile dhe njëkohësisht shoku im”.

Në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan “në Festivalin e Librit, ceremoni prekëse e dhënies së Cmimit Ardian Klosi për librin e Ardian Vehbiut, Sendet që nxirrte deti. Libër ngjethës”.

Kryeministri shprehet se “ky festival i veçantë lindi si ide e Ardian Klosit dhe u materializua si projekt i Shoqërisë së Librit Shqip, nga kuratorët Arlinda Dudaj e Vladimir Myrtezai, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës”.

Rama bën të ditur se nesër është edhe dita e fundit ku do të jepet Çmimi Danish Jukniu për veprën më të arrirë artistike.

Në fjalën e saj, Ministrja e Kulturës , Mirela Kumbaro tha se ky çmim mbështetet nga rrjeti i njohur Traduki, dhe me këtë rast, në emër të Ministrisë së Kulturës, tashmë anëtare me të drejta të plota në Traduki, kam kënaqësinë te ndaj me ju vendimet e fundit të Tradukit në bashkëpunim me Fondacionin Fisher, për letrat dhe letrarët shqiptarë.”Traduki konfirmon se do ta financojë çmimin Ardian Klosi për librin më të mirë jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet në vijim”, tha ajo.

“Traduki, në nderim të përkthyesit Ardian Klosi, ofron për vitin 2015 një bursë për një përkthyes shqiptar nga gjuha gjermane në shqip për një muaj në Literarische Colloquium Berlin, çka i jep mundësinë kujtdo të aplikojë, ndërsa fituesi do të ketë një muaj qëndrim falas për të punuar në këtë shtëpi të letërsisë dhe një bursë prej 2000 eurosh për të ndjekur jetën kulturore të një kryeqyteti evropian siç është Berlini. Gara është e hapur dhe informacionin do e gjeni shumë shpejt në faqen e Ministrisë së Kulturës dhe të Tradukit”, bëri të ditur Kumbaro.

Më tej, Kumbaro nënvizoi se kultura  mbetet elementi qendror për të luftuar përjashtimin social, moskuptimet dhe keqkuptimet, padijen dhe mediokritetin, mbajtjen peng të modeleve të së shkuarës, por edhe frikërat dhe pasigurinë që frenojnë shoqërinë drejt zhvillimit dhe përparimit.

]“Skena shqiptare e kulturës ka vend për të gjithë aktorët që kanë dëshirën dhe vullnetin të hyjnë në të me një prodhim, me një vepër, me një dëshirë për të tërhequr publikun, për ta edukuar e gëzuar atë, por edhe për të lënë gjurmën e tyre në hartën kulturore të sotme e të nesërme”, tha ndër të tjera Ministrja e Kultures.

April 29, 2014 18:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*