Rama: INSTAT-i, për vite me radhë peng i politikës

May 21, 2014 12:54

Rama: INSTAT-i, për vite me radhë peng i politikës

Kryeministri Edi Rama tha sot se shifrat e INSTAT-it duhen lexuar “si shprehje e një urgjence për realizimin e dy reformave kyçe: territoriale dhe urbanistike”.

Duke folur në në konferencën e organizuar nga INSTAT, kreu i qeverisë u shpreh se reforma territoriale është urgjente.

“Sot jemi në kushtet kur duhet t’i lexojmë qartë shifrat si shprehje e një urgjence për dy reforma: territoriale dhe atë të privatizimit që lidhet me kapitalizimin e gjithë aseteve të krijuara në rrugë jo të ligjshme. E kam fjalën për ndërtimet pa leje, por që përbëjnë një kapital që sot është jashtë sektorit financiar. Reforma territoriale është urgjente. Me uljen e njësive vendore dhe rritjen e të ardhurave për njësitë që do dalin nga ky reduktim do të ketë zhvillim njerëzor, ekonomik dhe natyror”.

Rama theksoi rëndësinë e INSTAT-it, i cili sipas tij është mbajtur peng nga politika dhe ambiciet e pushtetit. “Ky institut kaq i rëndësishëm është një instrument për të parë të sotmen dhe për t’u përgatitur për të ardhmen. Siç e kemi shtruar në programin qeverisës, statistikat janë të rëndësishme dhe nuk mund të jenë pjesë e asnjë oreksi politik. Për vite me radhë INSTAT ishte peng i politikës dhe ambicieve të pushtetit për të ndikuar humoret e publikut nëpërmjet shifrave. Statistikat janë sytë e shtetit dhe një qeverisje që nuk ka ndjeshmëri për to është një qeveri pa sy. Një qeveri që nuk bazohet në statistika reale për të ndërtuar politikat reale është një qeveri që sjell pasoja të padëshirueshme për vite të tëra dhe me kosto kolosale për një gjeneratë”, shtoi Rama.

Rama theksoi në fund se qeveria që ai drejton ka vullnetin e plotë për të garantuar që INSTAT-i të jetë realisht dhe plotësisht i pavarur.

 

May 21, 2014 12:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*