Rama: Kemi udhëheqjen e duhur drejt rilindjes

Redaksia Online December 16, 2012 22:10

Rama: Kemi udhëheqjen e duhur drejt rilindjes

Kreu socialist foli lidhur me gjendjen dhe sfidat e ekonomisë shqiptare, ndërsa premtoi se nën një qeverisje të socialistëve, do të ekzistonte fuqia dhe përvoja për të transformuar gjendjen

Kryetari i PS-së Edi Rama duke folur për gjendjen dhe sfidat e ekonomisë shqiptare, tha se kriza shqiptare e ekonomisë nuk është vetëm një pasqyrë e krizës që ka prekur mbarë Evropën, por është përkimi i krizës globale me fazën e shterimit të një modeli ekonomik rrënues për Shqipërinë.

Përpara një paneli të përbërë nga ekspertë, sipërmarrës, akademike, studiues të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vendas dhe të huaj, si dhe nga emra te njohur në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare, kreu socialist tha se “në vend se të qeveriset për të shkuar përtej krizës, Shqipëria po qeveriset nga kriza duke përjetuar çdo ditë zgjerimin e pasojave të saj”.

Fjala e Kreut të opozitës u mbajt gjatë Konferencës shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria dhe kriza, çfarë vjen pas”.

Ndërsa foli për klasën qeverisëse, kreu socialist u shpreh se tashmë ata kanë vetëm fjalë.

“Politika e tyre e punësimit është të thonë se po hapen mijëra vende pune. Edhe pse ata e dinë siç e dinë mbi 1 milionë të papunët e këtij vendi që s’është e vërtetë, kjo është e vetmja politikë që kanë.

Politika e tyre e reduktimit të borxhit është të thonë që do ta reduktojmë. Edhe pse ata e dinë siç të gjithë botërisht e dinë se borxhi po rritet përtej kufirit të së përballueshmes, kjo është e vetmja politikë që kanë”, tha Rama.

Ndërsa foli për ambicien për rilindjen shqiptare, Rama u shpreh se nuk mund të premtonte se do ta shndërronin ekonominë brenda natës. Për një gjë të tillë duhej kohë dhe vendosmëri. Duke u shprehur se çdo gjë duhej parë me një realizëm, kreu socialist tha: “Unë nuk mund të premtoj se një votë për ne sot, do të garantojë punë për të gjithë nesër. Por mund të premtoj po, që nëse njerëzit do të na marrin ne në punë për të zgjidhur problemin e papunësisë së tyre, do t’i përkushtohemi me të gjitha fuqitë dhe eksperiencën, udhëheqjes së një procesi transformues të qeverisjes për një Rilindje Shqiptare”.

Ndërsa foli për dështimet e premtimeve të qeverisë, Rama tha se rrugët e vjetra janë në një masë të madhe të ezauruara dhe kërkojnë një model që të përmbajë dhe fuqinë për t’u integruar dhe për të integruar një zhvillim rajonal që shfrytëzon potencialet e paqes në rajon. Ai tha se marrëdhëniet me Kosovën në radhë të parë duhet dhe do të ngrihen në një stad të ri për ekonominë e shqiptarëve këtej e andej kufirit. Por po ashtu duhet ngritur në një stad të ri për ekonominë respektive edhe marrëdhëniet me të tjerët në kuadër të perspektivës evropiane.

“Të shkojmë përtej krizës. Me fuqinë e imagjinatës dhe pasionit për një Rilindje Shqiptare, që nuk është vetëm e domosdoshme, por është edhe plotësisht e mundshme”, përmbylli kreu socialist në fjalën e tij.

Redaksia Online December 16, 2012 22:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*