Rama në Beograd. A do jetë kjo, vizita më e vështirë e jetës së tij politike?

Nga Bedri Islami January 17, 2014 01:56

Rama në Beograd. A do jetë kjo, vizita më e vështirë e jetës së tij politike?

Lajmi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në muajin shkurt do të bëjë një vizitë në Beograd, u shënua sëbashku me pasthënien se, pas Enver Hoxhës, ky do të jetë kryeministri i dytë shqiptar që shkel në këtë cilësi hapësirat serbe. Pastaj pasoi një heshtje e shkurtër, e cila nuk do të zgjasë shumë, si çdo gjë tjetër që ka lidhje me fqinjin verior të Kosovës, dhe me të cilin, dashur pa dashur, në kohra të ndryshme, na kanë lidhur në një histori të përbashkët aq shumë histori dhe janë përballuar aq shumë mërira , sa do të mjaftonin për më shumë se dy shtete e për më tepër se dhjetë breza.

Në të vërtetë, në të gjithë këtë histori, mëria ka qenë ndoshta pjesa më pak e hidhur e saj, pasi, më shumë se sa ajo, gjithçka është mbushur me krimin, përzënien nga trojet, dëbimin dhe tjetërsimin e trojeve të herëshme shqiptare. Mbi këtë histori, me sa duket, po tentohet të ngrihet një ngrehinë e re politike, ndoshta si një mundësi afrimi apo si urë përmes së cilës mund të kalojnë , së bashku me të djeshmen, edhe përafrimet e mundshme, megjithëse ata duken sa të pamundura, aq edhe të padashura.

Vetëm “fizikisht”, i dyti…

Në të vërtetë, që të jemi aty ku duhet, fizikisht, Edi Rama mund të jetë kryeministri i dytë që do të vizitojë Beogradin, por, më parë se sa ai, me të gjitha gjërat e mundura, atë e ka ” vizituar” Sali Berisha dhe klani i tij i “Kosovës”. Berisha e ka vizituar atë që nga krushqitë që ka lidhur e deri tek banda e fazlliçëve, nga shitja e karburanteve në pikun e bllokadës dhe e armëve, me të cilat ndoshta janë vrarë sivëllezërit tanë në Kosovë, me pritjen e kryeministrit malazez pikërisht kur përgatiteshin planet e përbashkëta për shfarosjen përfundimtare të shqiptarëve dhe pritej haptas e fshehtas kryekrimineli serb, Arkan, vrasësi i vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës; e ka “vizituar” atë kur prishte marrëveshjet për linjat e energjisë elektrike me Kosovën dhe i hapte rrugë tregtisë së zezë serbe në Shqipëri, dhe këtë “meritë” atij askush nuk mund të ja marrë, as sot e as nesër. Pa folur pastaj për të tjerë, “presidentë” dhe “botues” që gjithë dëshirë shkonin e uleshin gjunjë më gjunjë me Millosheviqin, por kjo është vetëm një ngjashmëri hyrëse në dëshmitë e së djeshmes. Ajo që na intereson më shumë lidhet pikërisht me të sotmen: Edi Rama do të shkojë në Beograd.

Shumë shqiptarë, kudo që jetojnë ato, nuk do e kuptojnë këtë tentim përafrimi dhe nuk do e donin të ndodhte në një kohë të tillë, aq më tepër nuk do të donin që kjo “shkrirje akulli” të kishte pikën e nxehtë nga pala shqiptare, duke sjellë në mend se në raste të mërive të tilla, gjithnjë ose thuajse gjithnjë, pala që niset për rrugë është pikërisht ajo që ka bërë krimin apo që ka qenë pjesë e dëbimit.

Nuk do e kuptojnë edhe nga fakte të tjera, disa të njohura e shumë të panjohura, të cilat, në misterin e tyre, do e mbështjellin këtë vizitë edhe më shumë me mjegullën e politikës dhe të fshehtës së saj, duke e bërë atë, sido-kudo, një mollë të re sherri mes palëve. Nëse në Beograd, pas kësaj vizite do të bjerë qetësia, zhurma dhe rrëmuja do të nisë këndej nga ne, pra nga ata që kanë qenë njëkohësisht edhe në anën e të dëbuarit, por edhe të atij që pas një lufte ka të drejtën ta quajë veten fitues të saj.

Një bisedë me Thaçin dhe të tjerë

Sapo isha futur në Kosovë dhe qëndroja me miq të mi, figura të njohura të politikës së atjeshme, kur u njohëm me lajmin se Edi Rama do të jetë së shpejti në Beograd. Pas këtij lajmi pasoi një heshtje e gjatë, po shikoja sytë e ulur dhe mosbëzatjen e tyre e ndjeja si një shenjë mospranimi i një ngjarje që do të ndodhte.

Vetëm kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili si duket kishte qenë në dijeni se mund të ndodhte diçka e tillë, ndoshta nga qëndrimi i tij me Edi Ramën në pasditen e 11 janarit, tha se është mirë të bisedohet me fqinjët, por nga statura e tij nuk mund të kuptohej se nga cila anë ishte mendimi i tij. Duke qenë ai vetë në qendër të një cikloni të opozitës politike për bisedimet me Beogradin, ai, më mirë se gjithë të tjerët, duket se e dinte hallin që mund të dilte para Edi Ramës, por, po ashtu, e dinte se nuk do të kishte rrugë tjetër në këtë fillim shekulli kur gjërat nuk po duken të trazuara dhe po mendohet për një fillim të ri. Të gjithë ata që ishin me ne e që do të takoja më pas, ishin e mbeten miq të Edi Ramës, miq në politikë dhe si njerëz, por ende ishte mes tyre enigma: Çfarë kërkon Edi Rama në Beograd? Si zakonisht , lajmet për vendin e tyre, shqiptarët e mësojnë më shpejt nga të tjerët. Edhe kësaj radhe nuk kishte asnjë ndryshim. Mirëpo kjo nuk e ndryshon dot të drejtën për të pasur më shumë informacion, për të ditur një të vërtetë , e cila, edhe ashtu, nuk i përket vetëm kryeministrit tonë apo qeverisë rreth tij, por të gjithëve, pasi ka të bëjë me të drejta historike, me detyrime historike, shtetërore e njerëzore, me të vërteta që presin të zbardhen, me enigma që ende janë të fshehura…

Përmasa së cilës nuk i ikën dot

Enigma e parë qëndron në përgjigjen e pyetjes: Edi Rama do të shkojë atje thjeshtë si kryeministri i shtetit shqiptar apo si lideri i shqiptarëve…do të shkojë të bisedojë si drejtues i një shteti të përcaktuar mjerisht qartë, apo më shumë se kaq, duke u nisur edhe nga ajo që ndodhi në Prizren? Ishte ky qytet thjeshtë një gjetje historike apo pas kësaj, si ndodh rëndom në politikë, edhe preludi i një përfaqësimi të përbashkët? Në fakt, sido që të shkojë ai, edhe thjeshtë si kryeministri i shtetit shqiptar, ai nuk do të mund të shpëtojë nga përmasa që i ka dhënë shteti që përfaqëson, ai nuk do të mund ta ngushtojë misionin e tij në më pak se 28 mijë kilometra katrorë. Kjo do të thotë, se ai do të duhet të marrë përsipër edhe atributet e njeriut që nuk mund të heshtë ndaj të drejtave që i takojnë pjesëve të kombit të tij, edhe pse nuk mund t’i përfaqësojë njëqind për qind ato. Ai e di fare mirë se këtë njerëzit e presin prej tij, dhe, nëse nuk e bën, do të jetë fillesa e një vizite formale, për të mos thënë e një vizite rutinë, për të mos shkuar më tej, e një vizite të dështuar. Do ia pranojnë apo jo serbët këtë vizion, kjo është puna e tyre, kjo lidhet me staturën që ai do të shfaqet në paraqitjen e tij më delikate dhe me të rëndësishme rajonale. Kësaj here ai nuk do të ketë të bëjë as ” me vëllezërit turq”, e as me fqinjët jugorë, me të cilët herë pas here kujtohemi se jemi në “gjendje lufte”; por me qeverinë e një shteti, të cilit, as nuk ja merr mendja e as nuk ia zë goja të kërkojnë as një fillesë ndjese për masakrat në Kosovë. Për më tepër, përballë tij do të ketë njerëz, të cilët, edhe kur shkojnë për takime rutinë në Bruksel, ose kanë marrë me vete akademikë të njohur për çështjen shqiptare, ose kanë qëndruar gjatë me to deri në minutën e fundit para nisjes. Pra, gjithçka e përherë, do të jetë një hallkë e vështirë.

Do flitet për gjërat që na ndajnë?

Enigma e dytë qëndron në përgjigjen e pyetjes : përse do të bisedojnë; thjeshtë të njihemi dhe ja , u njohëm, apo do të ketë qëndrime serioze për gjërat që na ndajnë pas kaq dekadave mëri e armiqësi, dhe, për gjërat që na bashkojnë në këtë truall ballkanik, prej të cilit, asnjëri e as tjetri nuk kanë se ku të shkojnë. Natyrisht se nuk mund të jetë një vizitë kortezie, megjithëse pala serbe, jam i bindur, do të përpiqet që , nëse nuk do të mundet të shkëputë atë që ka planifikuar, ta minimizojë duke e bërë rutinore. Përkundër shumë të tjerave, edhe pse nuk jam i bindur pse duhet të trokasim në një portë që hapet vetëm kur e do interesi i saj, unë i takoj njerëzve që mendojnë se edhe me hasmin duhet biseduar. Edhe pse aktualisht qeveria serbe nuk paraqitet si hasmi ynë, dhe nuk ka pse të paraqitet e tillë përfaqësia e një shteti, tregtarët e së cilës deri më tash kanë pasur “vendin e nderit” në tavolinat qeveritare, përsëri duhet biseduar. Për gjëra serioze, jo thjeshtë ekonomike, jo thjeshtë të ditës, jo thjeshtë pragmatike, jo thjeshtë për të pasur një dukje moderne e as për kompensime politike; por për të gjitha ato që janë të rëndësishme.

Dhe e rëndësishmja për ne, shqiptarët e Shqipërisë londineze, duan apo nuk duan qeveritarët, fillon që nga njohja ‘de jure’ e shtetit të Kosovës dhe fati i të humburve dhe të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë – dhe kjo është një pjesë e anës politike- dhe deri tek marrëveshjet e përbashkëta ekonomike, të drejta, të barabarta, të sakta dhe të ndershme.

Enigma e tretë qëndron në përgjigjen e pyetjes: deri ku do të shkojnë këto bisedime? Natyrisht, fatbardhësisht, asnjë nga liderët tanë, nuk e ka në dorë të lëvizë kufijtë, si bëri Ahmet Zogu apo të krijojë kantone, si donte Esat Pasha i Toptanëve. I përmenda jo rastësisht këto dy figura, pasi pinjollë të tyre e të politikës së tyre, deri më tash, mjerisht, kanë zëra të ndjeshëm të politikës dhe të medias, të cilët, jo rastësisht, janë përpjekur të krijojnë idenë se në fatet e përsonazheve që përmenda nuk ka patur asnjë mjegull e jo më shenja tradhtie e mercenarizmi…

Është e vërtetë se sot askush nuk mund të lëvizë sinorët shtetërorë, por janë disa sinorë të tjerë që lëvizen lehtësisht, së bashku me një firmë, që sjell mëkate e pasoja; ata mund të shfaqen tani në formën e koncensioneve të pamend, por fimtimprurëse për nënshkruesit; mund të shfaqen në lëshimet ekonomike për tarifa e taksa të privilegjuara, në llojin e ri të shitjes ” një euro”, dhe , pastaj, sinorët lëvizin edhe brenda shpirtit.

Interesat ekonomike të Beogradit

Ka disa kohë që politika serbe ka zënë vend mjeshtërisht në jetën ekonomike e politike në Kosovë, çka, para 14 viteve do të ishte e paimagjinueshme. Ndoshta liderët më të fuqishëm ekonomikë janë të lidhur me mafien serbe, e cila dukshëm, po shfaqet edhe në politikë , dhe thënë të drejtën, shpesh herë jam ndjerë i befasuar me përballimin që i duhet të bëjë zoti Thaçi edhe ndonjërin nga bashkëpunëtorët e tij qeveritarë, të cilët nuk vijnë nga partia e tij, por janë të deleguar aty. Pas një periudhe heshtje, Serbia , edhe një herë, përmes fijeve që tërhiqte njëri pas tjetrit, pa u ndjerë, ia arriti që të krijojë zonën e saj ekonomike në Kosovë dhe tani të shtrihet edhe në zonën ” e lirë” politike.

Do të ndodhë kjo edhe në Shqipëri apo periudha e artë e “biznesit” serb do të kalojë përmes filtrit, si gjithë të tjerët. Unë nuk jam për shabllone e bllokimi, taksime e tarifa të rënduara vetëm e vetëm se janë serbë; kjo do të ishte e padenjë, por për njëjtësimin e tyre si gjithë të tjerët, me të njëjtat parametra e statura ekonomike. Biznesi serb, duke pasur prapavijë politikën shtetërore serbe, do të synojë që të përsëritë edhe në Shqipëri të njëjtin skenar që hap pas hapi po bën në Kosovë. Ajo i ka fuqitë ekonomike, këndej ka lakminë; ajo ka njerëzit e saj në Shqipëri, përmes një skalioni , i cili ishte deri më tash i lidhur pas Partisë Demokratike e pjesë e saj e tash po përpiqet ngutshëm të kalojë në skalionin e PS-së; ajo ka ende lidhjet e vjetra me njerëzit e saj, të cilët, pasi u dënuan dikur për veprimtari agjenturore, pas vitit 1991, tërbueshëm, u shpallën demokratë, të përvuajtur e viktima të regjimit, kur kishin qenë thjeshtë spiunë; ajo ka pas vetes edhe një denduri nga bota akademike, që nuk ka reshtur së menduari se djepi i tyre është në Pejë dhe zemra në Shkodër.

Mjerisht, në strofull janë zakonisht ujqërit

Vizita e Edi Ramës në Beograd do të jetë më e vështira e jetës së tij politike. Ai duhet të ketë të qartë se nuk po futet në një pallat, por në një strofull, dhe, mjerisht, në strofull janë zakonisht ujqërit. E në këtë rast ata shfaqen si ujqësia e politikës, të cilët, edhe kur këndojnë, mendojnë për kafshimin.

Edi Rama ka të drejtën e tij të shkojë në Beograd, ne kemi të drejtën t’i themi: shko mendërisht dhe shiko fundin e gjithçkaje. Ajo nga e cila nuk kam asnjë droje është se kryeministri ynë është një njeri i mençur, ajo nga e cila kam droje qëndron në gjithçkanë që shtrihet para tij. Deri më tani, askush nuk ka ardhur i fituar nga Beogradi dhe as i barabartë me të. Edi Rama ka shansin të jetë i pari. Le të urojmë….

Nga Bedri Islami January 17, 2014 01:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*