Rrëfimi i gjeneralit 90 vjeçar të Pashalimanit (II)

Kujtim Boriçi January 27, 2016 03:14

Rrëfimi i gjeneralit 90 vjeçar të Pashalimanit (II)

 

Është tetori i vitit 1961. Tashmë, Hrushovi dhe aleatët e tij në Shtabin Ushtarak të Traktatit të Varshavës, nuk e fshehin se ‘dashuria e madhe ruse për Shqipërinë‘, ka si objekt marrjen e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit.

Por përballë qëndresës së qeverisë së Shqipërisë, shoqëruar deri me provokime të ndërsjellta të ushtarakëve përkatës në Pashaliman, rusët tashmë po luajnë kartën e komandës së Traktatit të Varshavës.

Gjeneral Halim Ramohitos, përfaqësuesit të Shqipërisë në këtë Traktat, i duhet të përballet çdo orë dhe çdo ditë me provokime e kërcënime. Ndërkohë, në fund të tetorit 1961, është Mbledhja e Traktatit të Varshavës, që do të ishte e fundit për Shqipërinë. Për arsye sigurie, Enver Hoxha e Mehmet Shehu(siç e kërkonte rregulli), nuk shkojnë në krye të delegacionit në këtë mbledhje, por atë e kryeson Beqir Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

90-vjeçari Halim Ramohito, në vazhdim rrëfen për “Dita” situatën dhe provokimet në këtë Mbledhje të Traktatit të Varshavës…

 

Zoti gjeneral! Një nga periudhat më të vështira të qëndrimit tuaj në Moskë, si përfaqësues i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, e njëkohësisht dhe atashe ushtarak në Bashkimin Sovjetik, është acarimi i marrëdhënieve mes dy vendeve deri në ndërprerjen e tyre?

-Po. Përkeqësimi i situatës politike reflektohej dukshëm dhe në qëndrimin e Moskës e aleatëve të saj në Traktat kundër nesh… Kishte incidente, provokime të shumta, ku duhet veçuar dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë të Shqipërisë në Mbledhjen e Traktatit të Varshavës, që ishte e fundit për vendin tonë.

 

Kur dhe si u zhvillua kjo mbledhje?

Mbledhja e fundit e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës u zhvillua në fundin e muajit tetor të vitit 1961… Mbledhjet e nivelit të lartë të traktatit të Varshavës, zakonisht zhvilloheshin një herë në vit dhe si rregull në Moskë. Në to merrnin pjesë udhëheqësit më kryesorë të partive dhe qeverive e drejtuesit e Forcave të Armatosura, si dhe të ministrive të Punëve të Jashtme të vendeve që kishin aderuar në këtë Traktat, me statusin e anëtarit dhe atë të vëzhguesit.

 

U respektua ky rregull dhe në mbledhjen e Traktatit të Varshavës që ishte e fundit për Shqipërinë?

-Këtë radhë(mbledhja e fundit e Traktatit të Varshavës) udhëheqësit tanë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, për arsye të kontradiktave politike e ideologjike, kontradikta që shtriheshin edhe në fushën ushtarake, sidomos me udhëheqjen sovjetike, nuk morën pjesë.

Delegacionin tonë në këtë mbledhje e kryesonte Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, që formalisht, ai, ishte dhe Zëvendëskomandant i Përgjithshëm i Forcave Ushtarake të Bashkuara të Traktatit të Varshavës…

 

Kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar?

-Në delegacionin tonë bënin pjesë dhe: Behar Shtylla, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Halim Budo, zëvendësministër i Jashtëm i Shqipërisë e njëkohësisht dhe zëvendës sekretar i Sekretariatit të Përgjithshëm të këtij Traktati si dhe ndihmës të delegacionit për problemet ushtarake. Pra, ishin Halim Ramohito, Përfaqësues i Shqipërisë në këtë Traktat, Gjeneral Vaskë Gjino, shef i Drejtorisë Operative në ministrinë e Mbrojtjes, Todi Naço, komandant i Artilerisë së Ushtrisë, Abdi Mati, komandant i Flotës Luftarake Detare, Mendu Backa, shef i Xhenios së Ushtrisë dhe kolonel Edip Ohri, komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë. Por vështirësitë, presionet dhe pasiguria për delegacionin tonë, ishin të pranishme që në ardhjen e tij në Moskë… Ndaj dhe u morën masat përkatëse…

 

Cila ishte situata konkrete dhe çfarë masash u morën?

-Delegacioni ynë erdhi në Moskë më 25 tetor. Sovjetikët, edhe në këtë rast shkelën jo vetëm çdo normë protokollare, por dhe ato të mirësjelljes si vend mikpritës që ishin. Delegacionin në aeroport e pritën persona të dorës së tretë dhe për këtë arsye, e jo vetëm për këtë, ai(delegacioni) u vendos në ndërtesën e ambasadës sonë…

 

Çfarë do të trajtonte kjo mbledhje?

-Rendi i ditës, i mbledhjes së njoftuar një muaj më parë shihte: 1-Raport i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Ushtarake të Bashkuara, Marshallit Greçko, “Mbi gjendjen dhe gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura të Traktatit të Varshavës“ dhe 2-Raport i Zëvendës Kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit të Bashkimit Sovjetik “Mbi gjendjen e prodhimit ushtarak të vendeve të Traktatit dhe furnizimi reciprok i tyre”… Mbledhjen, sipas radhës, do ta kryesonte dhe e kryesoi udhëheqësi i Partisë të bashkuar Socialiste të Republikës Demokratike të Gjermanisë, Valter Ulbriht. Mbi bazën e këtij rendi dite, edhe ne shqiptarët ishim përgatitur me kohë në Tiranë. Por duke ditur e parandjerë se nuk përjashtohej mundësia që Hrushovi ta shfrytëzonte edhe këtë mbledhje për presion kundër vendit tonë, sidomos për kontradiktat që kishin lindur hapur mes nesh e sovjetikëve në fushën ushtarake, në njëfarë mënyre, i kishim marrë paraprakisht edhe këto masa. Por, para fillimit të mbledhjes, në kuadër të provokimeve e presioneve në rritje, u përballëm me një situatë të paparashikuar…

 

Me çfarë situate u përballët?

-Para mbledhjes, domethënë më 26, në orën 23.00 të kësaj dite, teksa ishim në ambasadën tonë i gjithë delegacioni, Marshalli Greçko na dërgon një letër plot me kërcënime. Në mesnatë, kur isha në shtëpi, më vjen makina e ambasadorit tonë për të më marrë. Ngrihem i shqetësuar. Pyes veten se çfarë mund të ketë ndodhur në ambasadë?! Nuk vonoj, e në kontaktin e parë e pyes shoferin, Mihalin, i cili më thotë: ”Dritat në ambasadë, në të gjitha zyrat janë të ndezura dhe i gjithë delegacioni është në punë. Më dërguan të të marr, se duhet të vish sa më shpejt edhe ti!

 

Çfarë përmbante letra e dërguar në mesnatë në ambasadën tonë në Moskë?

-Sa arrita në Ambasadë, u njoha me letrën e Greçkos dërguar Beqir Ballukut… Kërcënime, shantazhe, presione… Pra, edhe në këtë mbledhje, siç u vërtetua të nesërmen, ashtu si dhe në mbledhjet paraardhëse, sovjetikët donin ta shfrytëzonin që t’i rreshtonin kundër nesh të gjitha delegacionet e larta të vendeve Lindore të Traktatit të Varshavës, si dhe ato Aziatike. Synimi, pra ishte i qartë, presioni kundër nesh…

Si ndodhi në fakt gjatë mbledhjes?

-Megjithë përpjekjet, siç do e shihnim të nesërmen, me përjashtim të Mongolëve që dihej se ishin vegël e bindur e Rusëve, të tjera vende aziatike si Republika Popullore e Kinës, Vietnamit e Koresë, në diskutimet dhe qëndrimet e tyre ju përmbajtën vetëm rendit të ditës, dhe kështu ata nuk u bashkuan me akuzat e sovjetikëve kundër nesh, por as nuk i kundërshtuan ato. Plani intrigues i sovjetikëve, i menduar që më parë, ishte që t’i jepnin mbledhjes vetëm drejtimin që donin ata, atë kundër vendit tonë, Shqipërisë.

 

Pra, mbledhja e Traktatit të Varshavës devijoi nga rendi i ditës?

-Sigurisht. Përmbajtja e kësaj letre ishte e mbushur plot kërcënime dhe jepte sinjale se rendi i vërtetë i mbledhjes së nesërme nuk do të ishte ai që ishte njoftuar më parë, por kryesisht marrëdhëniet tona ushtarake me Moskën e sidomos ato që kishin lidhje me Bazën Luftarake Detare të Pashalimanit në Vlorë. Ne u përgatitëm për këtë situatë të re, së pari në përgjigjen për pikat që ngriheshin në letrën provokuese?

 

Kush u ngarkua me përgatitjen e përgjigjeve të çështjeve që ngriheshin në letrën e Greçkos?

-Halim Budo, Vaskë Gjino dhe unë u ngarkuam që të hartonim përgjigjen e letrës që morëm nga Marshalli Greçko. Në këtë letër, siç vendosëm, ne duhej të hidhnim poshtë të gjitha shpifjet plotë kërcënime të Marshallit Greçko. Por megjithatë ne vendosëm që në mbledhje, meqë sipas rendit alfabetik ne do të ishim të parët që do të flisnim, t’i përmbaheshim vetëm rendit të ditës siç ishte vendosur dhe më parë.

 

Përse zgjodhët këtë strategji?

-Qëllimi ishte që përgjegjësinë për devijimin e shkeljen e rendit të ditës ta mbanin sovjetikët. Letrën e punuam për gjithë natën. Më kujtohet se Beqiri, tërë merak e përgjegjësi, letrën gjatë hartimit e ndiqte rresht pas rreshti duke porositur, sidomos Halim Budon që në çdo rresht, paragraf dhe në tërësi të ishte në përputhje të plotë me normat ligjore…

 

Mund të na thoni ndonjë nga argumentet në përgjigje të letrës së Greçkos?

-Po. Na duhej sidomos, në këtë letër të argumentonim shkeljet e një anshme të marrëveshjeve nga sovjetikët me ne dhe në fushën ushtarake, marrëveshje zyrtare këto të firmosura nga të dy palët në vitet 1957 dhe 1959. Aty për aty, fjalë për fjalë e shprehje për shprehje, çfarë shkruanim ne, i përkthente, i shtypte dhe i shumëzonte në rusisht, ushtaraku ynë i talentuar, shoku ynë Myfti Mushi, i cili jo vetëm e zotëronte në perfeksion gjuhën ruse, por që nuk i mungonte zgjuarsia e trimëria kur duhej. Kjo u pa në përkthimin e debat-akuzave të tensionuara ku herë pas here gjatë 3 ditëve të Mbledhjes, i ndërpritej fjala Beqir Ballukut, deri dhe në ndërprerje(nxjerrje jashtë funksionit) të mikrofonëve. Ajo natë e orë të tëra ishin pa gjumë për ne…

 

Diçka nga ajo natë e tensionuar?

-Siç shkrova edhe më sipër, ne kishim vendosur që të mos ishim të parët e të binim në provokacionin e rusëve, që t’u jepnim atyre mundësinë të na akuzonin si prishës të mbledhjes. Në rast se përmbajtja (akuzat) e letrës së Greçkos që na kishte dërguar në mesnatën që shkoi do të nxirrej në mbledhje nga sovjetikët, ose nga ndonjë mbështetës i tyre, u ngarkova unë që t’u shpërndaja të gjitha delegacioneve pjesëmarrëse përgjigjen tonë ndaj kësaj letre. Kështu, nuk do të ishim ne të parët që do të hidhnim në tavolinë e do të diskutonim për mosmarrëveshjet. Siç e pamë më vonë, kishin qenë vetë rusët që një ditë më parë, më 26 tetor ua kishin shpërndarë këtë letër të gjithë delegacioneve dhe këtë e kishin bërë pa dijeninë tonë. Qëllimi, siç e shprehën vetë dhe u duk më vonë, ishte që ne të mos kishim kohë të përgatiteshim për përgjigje, e në befasi, me dinakërinë e tyre, të na vinin ne para një fakti të kryer.

 

Si vazhdoi mbledhja?

-Delegacioni ynë u nis për në mbledhje, në bazë të një llogarie të saktë që bëmë, për t’u paraqitur në kohën e caktuar. Mbledhja do të fillonte në orën 10:00 të datës 27 tetor dhe do të zhvillohej në Kremlin në sallën e madhe të Shën Gjergjit, sallë kjo e ndërtuar me mermer të bardhë që në kohën e Mbretëreshës Katerina e Dytë. Por situata e rënduar politike e shtetërore mes dy vendeve tona, e bënte këtë mbledhje të veçantë, e plot me të papritura. Pra, kjo nuk do të ishte si mbledhjet e tjera, por ndryshe…

 

Çfarë kujtoni nga ato momente të tensionuara?

-Zakonisht, kjo sallë përdorej vetëm për ceremonitë më të rëndësishme shtetërore që zhvilloheshin në Moskë. Atëherë, por dhe tani përfytyroj lëvizjet tona në atë sallë të madhe për të zënë vendin e caktuar, që sipas alfabetit, na takonte në krahë të djathtë të bullgarëve. Kurse në të majtë, kishin delegacionin e lartë Çekosllovak. Sytë, sa ishin në salla, me kureshtje, habi dhe ndoshta dhe me urrejtje i kishin drejtuar nga grupi i delegacionit tonë.

 

Si e përballuat këtë situatë?

-Megjithëse tërë natën ne e kishim kaluar pa gjumë, nuk e ndjenim veten të ndrojtur e të plogësht, përkundrazi, ishim krenarë dhe të përgjegjshëm, megjithëse ishim të sigurt e të përgatitur për sulmin që do të na bënin të gjithë lakenjtë e Hrushovit. Pra, ato momente, unë dhe kolegët e mi, të gjithë pjesëtarët e delegacionit ishim të përgatitur shpirtërisht për mbrojtjen e interesave të vendit tonë. Në ato momente mua më erdhi në mendje përcaktimi që rumunia me origjinë shqiptare, Dora D‘Istria (Elena Gjika) për vlerësimin e vëllezërve të saj të një gjaku, shqiptarëve: “Në rast se shqiptarët i ngacmon në të drejtën, inati i tyre kthehet në një fuqi të papërmbajtur prej luani”. Në të vërtetë, edhe pse në këto shënime të mia, nuk mund të ketë vend për lëvdata, kështu ndodhi me delegacionin shqiptar në këtë pjesëmarrje të fundit të tyre në mbledhjen e Traktatit të Varshavës.

 

 

 

NË ARKIVËN E DITËS NGA GJEN.RAMOHITO MUND TË KËRKONI DHE LEXONI GJITHASHTU:

-Mbledhja e tensionuar në Mbledhjen e Traktatit të Varshavës. Debatet e ashpra mes Beqir Ballukut, kreu i delegacionit shqiptar me Marshallin Malinovski, përfaqësuesin e Bashkimit Sovjetik.

-Ndërhyrja e Zhukovit dhe provokimi i tij për delegacionin shqiptar: Ti Beqir Balluku, je fashist! Ndërhyrja e vendosur e Behar Shtyllës vë në siklet Hrushovin e provokatorët.

-Qëndrimi neutral dhe jo mbështetës i delegacioneve të Kinës, Vietnamit dhe Koresë, ndaj akuzave të pabazuara të rusëve kundër Shqipërisë.

Kujtim Boriçi January 27, 2016 03:14
Komento

6 Komente

  1. Lëmi Llukës January 27, 18:43

    Për fatin e tyre të keq , gjeneralët që përmënd Halimi, tradhëtuan popullin dhe I qëndruan besnik tradhëtarit Enver Hoxha .Sot , pas kaq vjetësh , edhe më debili e kupton se luftohej për kolltukun e Enverit. Besnikërinë ndaj Enverit gjeneralët e paguan me kokën e tyre ! Kështu përfundon kur tradhëton popullin !

    Reply to this comment
    • komunisti i eger nacionalist January 27, 19:14

      bravo ti e gjeta,e zberthefe direkt kete editor,je njesh,si ty njeri do ky planet,kurse ti populli nuk e deshe enverin,vetem gjeneralet e kohes e deshen,rri se je i vogel ti o njeri enciklopedik,sa per djeni te gjithe e donin enverin,na pelqen neve po ose jo per hire te se vertetes te gjithe ne si popull shqiptare e donim me shpirt enverin pa asnje lloj medyshje apo interesi,jo si ne kohet e sotme qe i duam per interes politikanet,ishte vetem nje pakice ajo qe urrente enverin ne kohen e tij,dhe ata ishin kulaket sic i quanim ne shumica e popullit,dhe njeri nga ata kulaket je edhe ti o njeri enciklopedik.

      Reply to this comment
    • John September 19, 08:40

      Thank you

      Reply to this comment
  2. Lëmi Llukës January 27, 20:33

    Komunist i egër dhe nacinalist ?!
    Mburresh që je i egër dhe nacinalist !
    Kush të pranon ty për komunist me këtë sallatë që ke në kokë?!
    Idetë komuniste janë idetë më të avancuara perëndimore ,ato as u kuptuan e as u zbatuan nga kokat feudale si Enveri , si ti e shumë e shumë të tjerë injorantë si puna juaj ! Komunizmi është vetëm ide internacinale . Komunisti nacionalist s’ka asgjë komuniste -është vetëm një qënie reaksionare e mashtruese .
    Këto janë abc- ja e marksizmit , që për ty është I huaj , o komunisti I egër , nacionalist dhe I pagdhëndur !

    Reply to this comment
  3. demo January 27, 22:28

    TE KISHTE QENE ENVER HOXHA NE VEND TE BEQIR BALLUJUT DO TJA KISHTE BERE NAFTEN PARTISE,DO ISHTE BASHKUAR ME SOVJETIKET,,ASHTU SI JA PUNOI GJITHE KRYETAREVE TE GRUPEVE KOMUNISTE,KUR U BASHKUA ME JUGOSLLAVET.pOPULLI SHQIPTAR THOTE:BESE TE PABESIT,MOS I JEP!

    Reply to this comment
    • Ujku November 25, 21:11

      Demo!
      Se pari te uroj qe te hash ….mut sa me shume!
      Se dyti,ne se te pelqen cdo mengjes do kesh racionin trend te ngrohtre sapo del nga….furra!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*